Nga Arkivi i LRSSHJ-ës, 1984
LETЁR INTERNE E KQ TЁ LRSSHJ-ës PЁR HARTIMIN E PROJEKT PROGRAMIT DHE PROJEKT STATUTIT TЁ LRSSHJ-ës, MЁ 3 – 4. 11.1984
Komiteteve të rretheve, celulave e të gjithë militantëve të LRSSHJ-së
(letër interne)
3/4 nëntor 1984
Të dashur shokë e shoqe,
Komiteti Qëndror në dy mbledhjet e veta të parafundit caktoi komisionet për hartimin e Projektprogramit (PP) dhe Projektstatutit (PS) të LRSSHJ-së. Në mbledhjen e fundit (më 3/4. 11.1984) KQ i diskutoi PP dhe PS të hartuara nga komisioni i ngarkuar. Me këtë rast u vendos që PP të lëshohet në diskutim në të gjitha komitetet e rretheve dhe në të gjitha celulat e LRSSHJ-së. Kurse PS të lëshohet në diskutim vetëm në komitetet e rretheve. Po kështu, u vendos që PP dhe PS t’u jepen për diskutim edhe organizatave e grupeve revolucionare e komuniste, që militojnë vetëm në Kosovë.
Anëtarët e KQ dhe komitetet në rrethe kanë të drejtë t’ua japin për diskutim PP dhe PS edhe atyre simpatizantëve (te të cilët kanë besim të plotë dhe pritet që së shpejti do të anëtarësohen në radhët e LRSSHJ-së) nëse janë të mendimit se diskutimet, vërejtjet, sugjerimet e propozimet e tyre japin kontributin.
Diskutimet, nëpër tubime duhet të kryhen gjatë muajit nëntor, kurse rezultatet e diskutimeve, vërejtjeve, sugjerimeve e propozimeve duhet të dorëzohen më së largu gjer në fillim të dhjetorit (celulat dhe militantët që nuk militojnë në ndonjërën nga celulat, meqë ato rrethe ende mungojnë, sugjerimet e propozimet e veta duhet t’ua dorëzojnë komiteteve të rretheve). Vërejtjet, sugjerimet e propozimet që do të vijnë pas fillimit të dhjetorit të këtij viti do ta kenë vlerën e vet, por nuk do të mund të merren parasysh, pasi në ndërkohë KQ dhe komitetet e rretheve do të mbajnë mbledhjen për të aprovuar Programin e Statutin e LRSSHJ-së.
Gjatë diskutimeve duhet të mbretërojë fryma e lartë e patriotizmit përparimtar dhe revolucionaritetit, pjekuria e lartë ideologjike e politike, niveli i përgjegjësisë dhe demokracia e vërtetë revolucionare. Diskutimet duhet të bëhen të peshuara e të shtruara, kurse vërejtjet, sugjerimet e propozimet të jenë të përmbledhura, të thukta e konçize, tamam siç i takon nivelit të përgjegjësisë që duhet ta ketë çdo militant e militante e Lëvizjes. Ai që provon të ndrydhë frymën e demokracisë revolucionare gjatë diskutimeve, ai që provon që të tjerët të mos i lejojnë t’i shprehin lirisht mendimet, vërejtjet, sugjerimet e propozimet, do të shkelë një nga parimet themelore që ka Lëvizja jonë – demokracinë revolucionare brenda radhëve të organizuara të LRSSHJ-së.
Diskutimet rreth aprovimit të PP e PS të LRSSHJ-së janë të një rëndësie të madhe, pasi nga to do të dalin PROGRAMI e STATUTI i LRSSHJ-së, që do të thotë, do të dalë Programi i luftës, ideologjisë, politikës e taktikës që duhet të ndjekë Lëvizja jonë për të arritur qëllimin e vet të fundit – fitimin e Statusit të Republikës për Kosovën dhe të drejtat e tjera shoqëruese që do të parashohë PROGRAMI.
– Rroftë populli ynë heroik liridashës!
– Lavdi heronjve e dëshmorëve të rënë për liri e të drejta të popullit!
– Rrofshin popujt liridashës të mbarë botës!
– KOSOVA – REPUBLIKË!
– Rroftë LRSSHJ!
Përshëndetje revolucionare
Komiteti Qëndror i LRSSHJ-së
(Burimi: Faridin Tafallari: Terror, dhimbje, qëndresë, 199, faqet 256 – 257)
Sheradin Berisha © Pashtriku.org
___________________
ÇËSHTJET TEORIKE NË PROGRAMIN E LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (1982 – 1984)