(Prishtinë, 26. 06. 2012) – Liburn Aliu, deputet i “Vetëvendosjes” nuk pajtohet vetëm me realitetin e krijuar kosovar. Edhepse fusha e trashëgimisë nuk është fort simotër e atyre që ai bën ditë për ditë, këtë herë për “Zëri” ai ka vendosur të flasë për multikulturalizmin, Pakon e Ahtisaarit dhe impaktin që kjo e fundit e ka në jetën kulturore kosovare. Sipas tij, trashëgimia kulturore e Prizrenit sot më shumë se kurrë mund të quhet pronë serbe dhe shovinizëm i pastër serb, kjo për faj të kësaj pakoje, dhe tri nenet tjera në pakon e ligjeve për heqjen apo mbikëqyrjen e pavarësisë janë vetëm qesharake, duke treguar një vuajtje që kurrë nuk ka ekzistuar, atë që serbët kinse paskan pësuar nga kosovarët.
Zëri: Sipas jush, cila është fryma të cilën po e sjell Pakoja e Ahtisaarit në atë që vetë e parafrazon si “jetë multikulturaliste?
Aliu: Realisht, çka kjo pako sjell konkretisht është se e promovon shovinizmin dhe nacionalizmin serb, ndarjen e Kosovës në baza etnike e kulturore, asgjë më tepër. Kjo pako, mos të harrojmë se trashëgiminë kulturore ortodokse mesjetare në Kosovë e vulos si serbe, edhepse ajo është ndërtuar nga paraardhësit tanë që kanë qenë të krishterë, sepse krishterimi këtu ka ardhur shumë herët, mund të them ndoshta se jemi ndër të parët në Ballkan dhe Evropë që kemi pasur të krishterë dhe e kemi përhapur krishterimin. Tash, komplet trashëgimia kulturore e paraardhësve tanë, trajtohet si e kombit serb dhe përdoret si instrumentalizim i nacionalizmit serb, me qëllime nacionaliste edhe në kulturë. Kjo pako, që kinse ka ardhur për të na e përmirësuar jetën dhe për të krijuar jetë multietniciteti, duhet ta dijë se këtu shoqëria kosovare ndahet në serb dhe të tjerë, dhe duhet kushtuar rëndësi dy palëve.
_________________________________
Zëri: Po zonat e veçanta të cilave kjo pako u kushton rëndësi….
Aliu: Këto monumente të vulosura si serbe, me zona rreth e përqark, Ahtisaari i quan si ‘zona që do ta mbrojnë trashëgiminë kulturore’. Mirëpo absurditeti mbetet kur po kjo pako, këto zona i lë në kompetencë të kishës dhe organeve kishtare, gjë kjo e cila është në kundërshtim me rregullat e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, sepse nëse gjithçka ia lë në dorë priftit, ai ka shumë gjasa që ta shkatërrojë atë, ta tjetërsojë apo ta dëmtojë.
Kemi shembull Patrikanën e Pejës, e cila para një kohe ishte lyer me ngjyrë të kuqe nga një prift! Një monument ky që i përket trashëgimisë dhe ka zanafillet qysh në shekullin 14! Dhe ja, këto janë pasojat kur monumenti i lihet në dorë kishës dhe jo Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, i cili është adekuati në raste të tilla. Këto zona, nën administrim, po u dashkan të na mbrojnë trashëgiminë, por në fakt ato nuk bëjnë një gjë të tillë, pos që e shkatërrojnë atë.
Këto zona, të cilat janë pronë e Kishës ortodokse serbe me seli në Beograd e mbrojnë nacionalizmin serb, duke ia ofruar këtyre të fundit kënaqësinë. Realisht, pjesa serbe krenohet me trashëgiminë e supozuar të saj në Kosovë sepse kështu ende do të ushqehet me mendimin se Kosova është e tyre. Por kjo nuk është e tëra, janë edhe tri nene tjera në pakon për heqjen apo mbikëqyrjen e pavarësisë që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore.
Zëri: Na flisni pak më shumë për to, çka përmbajnë në vete këto nene?
Aliu: Në pakon e ligjeve për heqjen e pavarësisë, janë 3 nene që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, dhe ato duhet respektuar sipas atyre që i kanë shkruar. Njëri thotë se këto zona të veçanta në Prizren, nuk guxon askush ti prekë dhe të ketë akses në to pa lejen e kishës, gjë e cila nënkupton një vulosje dhe etiketim serb të tyre total, etiketë kjo që askush nuk mund ta eliminojë.
Neni i dytë thotë se organet e Kosovës duhet t`u sigurojnë dhe financojnë pelegrinazhin priftërinjve serbë dhe atyre që shkollohen për pelegrinazh, që ata të vijnë këtu vit për vit dhe të sigurohen që gjithçka po ec mirë. Dhe ta mendosh mirë, gjithçka është e sinkronizuar. Pelegrinazhi simbolizon vuajtjen, vajin dhe lotin e serbëve për dhunimin që kosovarët u kanë shkaktuar atyre. Ky pelegrinazh do të ishte vajtimi i serbëve për dëbimin e tyre nga Kosova.
Dhe së fundmi, kisha ortodokse në Kosovë do të konsiderohet si pjesë e kishës ortodokse në Beograd. Këto tri ligje vazhdojnë prapë në frymën e Ahtisaarit dhe në relacion perfekt me cenzurën që ne i bëjmë vetes. Ne duam të dukemi si kosovarë, multietnikë, ndërsa serbët prapë duan nacionalizmin e tyre, nuk janë fort të hapur për krijimin e këtij multietniciteti.
Zëri: Sa ka bërë komuniteti qeveritar dhe ai kulturor për ta demaskuar këtë pako?
Aliu: Ka pasur përpjekje, por mund të bëhet ende më shumë në këtë aspekt. Ka kohë që jemi aktivë dhe të koordinuar në demaskimin e këtij ligji, dhe duke mos shikuar të kaluarën duhet të flasim për atë që do të ndërmarrim tash e tutje. Shoqëria civile në Prizren ka bë mjaft, artistët kanë reagur në mënyra të ndryshme dhe do të mund të ishin edhe më të zëshëm. Edhe ne si deputetë kemi vepruar, por edhe do të vazhdojmë me konferenca dhe aksione tjera për një demaskim total të këtyre ligjeve që bëjnë ndarje në vija etnike, edhe pse mendojnë se po promovojnë të kundërtën.
Intervistën e zhvilloi: Arbër Selmani
_______________________________
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
LEXONI: OFERTA „HISTORIKE“ E GRUPIT TË UNITETIT –
PËR FORMIMIN E KOMUNAVE TË REJA ETNIKE SERBE!
http://pashtriku.beepworld.de/akishatharta.htm
……………………………………………..