LIRIM DEDA*): MOIKOM ZEQO, BORGESI I SHQIPËRISË NË AGUN E KËTIJ SHEKULLI

Tiranë, 12. 01. 2015 – (Dy fjalë për Moikom Zeqon) – Si lëvrues i hershëm i pozisë që jam, mora shkas për këtë shkrim timin për Moikom Zeqon, kur mbarova së lexuari librin e tij me poezi, titulluar “Centauri i Ri”. Analiza për veprën e Moikomit, nuk mund kurrsesi të bëhet përmes analizës së një libri, qoftë edhe kaq i arrirë ky, sa ai që përmenda më lart. Moikomi është ai që njohim sot, se ka qenë i tillë qysh herët. Ai më ka habitur qysh në rininë e vet. Ndër vite, ai u përsos si poet si shkrimtar, si kulturolog i madh e ndër të paktët që kemi ne sot, një njohës i thellë i kulturës sonë kombëtare, por edhe i kulturës, arteve, historisë dhe letërsisë botërore, njohës si askush i antikitetit dhe i Rilindjes Europiane. Ai begatoi intelektin dhe shpirtin e vet, e në veprën e tij të madhe nuk i hyri në pjesë askujt, përkundrazi u dhuroi bujarisht më të rinjve, të drejtën për të harbuar në lëndinat e tij poetike.

FLET DR.MOIKOM ZEQO, PËR LIBRIN “CENTAURI I RI”

Në vitet `70-të ishim dy grupe nga lidhja e Shkrimtarëve që do të shkonim në qytete e në fshatra, në aktivitete me artdashësit. Ismail Kadareja asokohe redaktor për poezinë në gazetën “Drita”, kishte zgjedhur Moikomin dhe do të shkonin në Lushnjë-Berat. Kurse unë isha me Llazar Siliqin e me një tjetër, për në Shkodër. Ismaili po priste, por Moikomi nuk po vinte nga Durrësi akoma. Llazari i tha Ismailit: -Merr një tjetër krijues, se ikën dita. Ismaili buzëqeshi idhtas. Këtë ia përsërita edhe unë në të hyrë të kafes. Ismaili vërenjti vetullat, ngriti krahun në ajër dhe m`u afrua duke më vënë dorën në sup: -“Dëgjo Lirim, unë në udhëtime mendoj dhe flas vetëm për krijimtarinë. Hajdutët e furrikëve nuk vjedhin vetëm pulat, por edhe vezët. E pra, mbaje mend: Moikomi e ka kokën plot, nuk vjedh kurrë të tjerët”…
Pulat ishin motivet, kurse vezët ishin vargjet, strofat! Dhe ja, s`vonoi shumë e Moikomi çalltisi i mbytur në djersë, me vrap nga stacioni i trenit. Si u përshëndetën, ata u nisën menjëherë me mjetin që ish caktuar enkas për ta. Kjo histori, atëherë. Po sot? Sot, në faqet e “Centauri i Ri”, shikoj se ai u ka bërë një dhuratë me shumë vlera dhe shumë të bukur lexuesve të poezisë shqipe, talenteve të reja, por do të thosha pa asnjë rezervë edhe të gjithë krijuesve, pavarësisht niveleve që kanë.
***
Kjo vepër poetike e Moikomit është si një ekstrakt i krijimtarisë së Migjenit, Mjedës, Nolit dhe Lasgushit. Në këto poezi lexuesi ndjen dhe përjeton vrundullimin e revoltës, por edhe flladin e lëndinave plot lule; ndjen trokun e rimave të Nolit, por edhe pëshpërimën e valëve të Lasgushit.
E ç`mund të bëjë tjetër poeti kur kuvendon jo thjesht me vetveten, por me shpirtin e tij, e kur ky shpirt është hapësira e mëmëdheut në shekuj me male e fusha, me gurë e me lule, me titanë e me lepuj, me të gjallë e me të vdekur, me humbje e me fitore?!?…
Një vepër e shquar e letërsisë si kjo, të bën t`i rikthehesh shumë herë. Ndodh si me filmin e bukur që kërkon ta shohësh disa herë, si me tablonë Mona Liza të Da Vinçit, të cilën gjithkush do të donte ta kishte në shtëpinë a në studion e vet. Prandaj ky libër është në udhën e trashëgimisë më të shquar poetike të letërsisë sonë kombëtare. Nëpër faqet e tij cilido, e më shumë krijuesit jo vetëm plotësohen me vlera njerëzore e estetike, por edhe përfitojnë përsosmëri në virtyte nga drita, theksimet e vizatimet poetike të autorit të shquar.

Librin “Centauri i Ri”, apo ndonjë tjetër të këtij niveli(nëse ka), talentet e reja lipset t`i lexojnë për të mësuar përsosmërinë letraro-artistike, e cila është e pafundme. Moikomi në këtë libër edhe rimën(që shumëkush sot e shpërfill duke rrrudhur buzët), e përdor me origjinalitet e si rrallëkush, jo aq në funksion të muzikalitetit, sesa në shpalosjen e mendimit që përcjell një metaforë verbuese, tronditëse, e cila të detyron ta bësh tënden doemos, pasi vetëm atëherë do kesh arritur të kuvendosh buzë më buzë me poetin gjeni.
Ky libër i Moikomit, ashtu siç ai nënvizon qysh në parafjalë, është… “sfida e vetvetes”. Një poet i madh, një kulturolog e poliglot si Moikomi, jo vetëm që me ligjërimin poetik në gjuhën shqipe na sjell tërë polenin e lulefjalëve të gjuhës së mëmës, por arrin të na dhurojë fjalëformime të reja, duke na e pasuruar thesarin më të rrallë të shqiptarit.
Lexuesi në poezitë e Moikomit, të cilat më së shumti janë dy-tre strofëshe, befasohet nga njohuritë që merr, nga ndjesitë që përfiton. Asnjë kritik, nuk mund të ndalet e të përcaktojë si deri më sot, tematikën në afro njëqint faqet e librit. Ca më pak do të mundej kritika tek motivet, nëse janë të së sotmes apo të së shkuarës. Sepse ashtu si vetë tematika, edhe motivet janë njëherazi: e djeshmja, e sotmja, dhe e nesërmja e njeriut qytetar shqiptar. Mrekullisht në poezinë e tij realistja dhe mistikja nuk kanë kufi ndarës mes tyre. Ato edhe brendapërbrenda metaforës këmbehen dendur me njëra-tjetrën. Në gjuhën Naimiane përafrohet dhe gati natyrshëm e si pa u ndjerë, kullon gjuha e përbotshme letrare, aq sa figurat e njerëzimit në ligjërimin poetik të Moikomit, marrin ngarkesa emocionale, të barazvlefshme me simbolet e gjuhës sonë amëtare.
Këto do të ishin disa nga përjetimet e mia pas leximit e rileximit të librit poetik të Moikomit. Ashtu siç nuk mund “të premtoj” se nuk do t`i kthehem përsëri për lexim asaj poezie të mrekullueshme, si një vepër e rrallë e letërsisë sonë.
***
Hallet e letërsisë nuk kanë të sosur në këtë vend. Qeveritë antikulturë që ndërruan pushtet në këto vite, me këmbënguljen e centaurëve-ministra, zaptuan ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve, zhdukën edhe tërë strukturat e Lidhjes dhe organet e saj letrare. Kështu që shkrimtarët, poetët, dramaturgët dhe artistët nuk e kanë një çerdhe ku të cicërijnë ata që krijojnë vepra me talent. E kjo ndodh në një vend ku ujqërit pushtetareë të çfarëdo sorollopi, u bënë të pasur sa hap e mbyll sytë me para dh eme vila. Të babëziturit! Kurse shtëpitë botuese të cilat janë të stërshumta, i botojnë veprat letrare me kriteret e reklamave. Çdo autor paguan librin sipas kontratës, e në rastin më fatlum i dorëzohet sasia e librave, e pastaj autori le të vrasë veten me to. Sepse për përhapjen e librit shtëpitë botuese nuk marrin asnjë lloj detyrimi përsipër. Për të mos folur për cilësinë e botimit të veprës, pasi edhe nëse diku ka ndonjë “redaktor” a “korrektor”, këta e njohin pak ose aspak gjuhën shqipe.
Kështu në vend të specialistëve për kulturën dhe artin, kemi militantë të rëndomtë me diploma-mballoma, me nivel arsimor të përftuar nga supermarkete që quhen edhe universitete, e që shesin diploma kundrejt shumave të kripura. Hallet e Letërsisë shqipe, mund të përmblidhen në kalvarin e Moikomit.
Sepse pikërisht në këtë kulm të krijimtarisë, Moikomi ndodhet i harruar tërësisht nga shteti, nga juritë idiote të Ministrisë së Kulturës, nga vlerësimet dhe çmimet kombëtare që u janë dhënë njerëzve që nuk i kujton më askush të nesërmen e “laureimit”, e që janë harruar përfundimisht. Një pyetje: A pati libër më të madh sesa libri i Moikomit për De Radën? Ose, a lexojnë “juristët” pa kulturë të ministrisë së Kulturës
Me të njëjtat kritere u veprua këto vite edhe për tekstet shkollore, duke përzgjedhur tekste të rëndomta e plot gabime të atyre që janë në preferencat e politikës, duke paralizuar fëmijët e këtij vendi, aty ku nuk durohet: në hedhjen e bazave të formimit të tyre arsimor.
***
Për shumë vjet, më ka torturuar një pyetje sfilitëse: – Si është e mundur që Moikomi, njëri nga të paktat kapacitete të kombit tonë(e jo thjesht të vendit), të kishte fatin e qindra mijë të papunëve të tjerë të këtij vendi?
Një shtet normal, padyshim që qoftë edhe një njeri i vetëm i papunë, e bën të ndjehet keq. Por meqënëse ne do të vonojmë ta shikojmë shtetin normal siç është në disa vende të botës(unë uroj që të paktën ta shikojnë nipat e mi), edhe njëfarë shteti siç është ky i yni në këto 25 vite, patjetër duhet të ketë përgjegjësinë minimale, të paktën për ato kapacitete, të cilat për fat të keq nuk i kemi edhe aq të shumta, t`i sistemojë atje ku “i dhemb dhëmballa”, nëse ka dhëmballë(por jo nga ato që përtypin tendera të majmë).
E nëse do kishte qoftë edhe këtë lloj përgjegjësie minimale, për raste të tilla si Moikomi, minimalisht, do të duhej të turpërohej, teksa në emër të interesave të dyshimta dhe militantizmit partiak, i le në…shtëpi!
Moikomi, si askush tjetër, krijon një lloj Letërsie, e cila na krenaron ne, të gjithë brezat e krijuesve të këtij vendi, është Borgesi i Shqipërisë në agun e këtij shekulli, e për pasojë bota shqiptare e letrave në këto 15 vite, mburret thuajse vetëm me emrin e tij. Shteti ynë më së paku këtë lloj krenarie, duhet edhe ta institucionalizonte. Pasi në rastin e tij nuk kemi të bëjmë thjesht me një person, e as thjesht vetëm me një personalitet(të tilla i kemi disa, por jo shumë). Për vite të tëra, Moikomi është kthyer në një institucion i mendimit më të thellë e më të vyer që mund të prodhojë kombi, në bazë të një kodi që vetëm ai di t`i nxjerrë këto. Njihet fakti që ky shtet në të gjitha kohërat e tij, i ka të numëruar me gishtat e njërës dorë, ministrat e Kulturës që mund t`i jenë afruar Moikomit. Ashtu siç të gjithë e dimë se askush tjetër ish Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, nuk ka mundur të ofrojë atë që Moikomi ka ofruar.
Nëse “shteti” që patëm për tetë vite, e pushoi nga puna me pretendimin banal se drejtori nuk hoqi datën 29 Nëntor si datë e Çlirimit nga Muzeu, datë e cila atëherë por edhe sot është e përcaktuar me Kushtetutë, ky lloj shteti që kemi sot, e që urojmë të përsoset më tej, bën sikur nuk e njeh ekzistencën e tij! Kaq të “pasur” jemi me kapacitete të tilla, apo nuk kemi nevojë për to?!?
***
MOIKOMIT…
Shkruan : LIRIM DEDA

Ne që i rrimë pranë përditë
Siç rri i eturi pranë një burimi,
E ndjejmë si rreze dielli në shpirt,
Si një rrjedhë të kaltër gëzimi.

Fjala dhe vala që pëshpërin në bregdet,
Janë zëri i një djali zbritur nga malet.
Ai herë hepohet e herë buçet,
Vendlindjes Libohovë i falet.

Banorët, me urtësi e dashuri
Mbi librat e tij ulin kryet
Nga drita e mendimit të tij,
Mbrëmjeve gastorë shkrepëtijnë yjet.

Eh! Mor dituraku shpesh kryeneç,
As vrave, as preve, veç mbolle lule,
Pa mbushur akoma 20 vjeç,
Në kuvendim me engjëjt u ule.

Dhe vërtetë si ëngjëll i shpirtbardhësisë
Në vitet e mbrapshta na mbete,
Me brengat dhe dhimbjet e varfërisë,
Në kallkanin e moteve ece!

Eh, si ligjërove në vargjet e para!
Ishin cicërima të një gushëkuqi.
S`do të mbinte kurrë, as bari, as fara,
Nëse i pabesë do të ishte bujku.

Se motet vijnë të mjegulluar,
Shpesh, nuk e kupton se ç`është kjo stinë.
Si ti, Moikom, pakkush ka treguar,
Se sa me të vërtetë e do Shqipërinë.

Eh, vëllai im, Moikom, o emër
Që ta falën babai dhe nëna,
Çdo të ndodhte po të kishe lindur femër?
-Patjetër që mashkull do të ishte Hëna!

Po ja që Hëna është Drita dhe Nëna
E cila njeriut shpresë i jep,
Me ëndje dhe ëndrra, sa vjen mbrëmja,
I mjeri njeri, pret e më kot pret.

Pret, edhe pse nuk e di vallë ku e ka,
As fillimin e as fundin e vet.
Perënditë që paskan krijuar gjithçka,
Kurrë s`na e thonë një të vërtetë.

Por ja, të vërtetat na i thua vetëm ti
Gjysmë perëndi, o Moikom Zeqo.
Nëna jote në motet me gjak, jo me shi,
Edhe kafen e pinte vetëm shqeto.

Eh, nëna jote nuk ishte thjesht një femër
Me bukuri dhe ëmbëlsi njerëzore,
Ajo e mira ishte një ëndërr,
Që për çdo natë shikonin trojet arbërore.

O Moikom Zeqo-filizi i blertë
I të parëve tanë legjendarë,
Sa njeh kjo tokë, vijnë e ikin në jetë,
Engjëj, atdhetarë, skifterë, barbarë!

Në fundin e një mijëvjeçari
Mua vetvetiu si yll më mbete
E mua, Lirimit, të marrit,
Pushka e poezisë, ja, po më shkrepet!

Kjo pushkë nuk derdh barut e krisma,
Por zhurmëron me gaz e me bujë.
Vargjet e tua, Moikom mbeten lisa
Të një pylli të blertë, që s`thahet kurrë!
Këta lisa s`i kanë rrënjët në tokë
Por në zemrat e banorëve pjellnajë,
E Shqipëria gjeografike na thotë:
-Jemi det, fushë, kodër e majëmal!

E ti, Moikom saktësisht,
Poetikisht përcakton si pakkush,
Se gjuha e ligjëruar shqip-ëmbëlsisht,
Me virtyte, vetë Globin e mbush!

Si askush ke nxjerrë nga nëndheu
Vepra arti që nga koha ilire,
Hordhitë art-përtypëse, që vërshuan i theu
Ky popull heroik, me gjithë ato hire!

Druaj se mos diç përsërita
Teksa më mbeten shumë të pathëna
Moikomin, oh, dot nuk e ndrita,
Se jam thjesht tokësor, e ai është Hëna.

E Hëna nuk pyet parti e pushtet,
Nga Hëna rrjedh drita-ëndërr-demokraci.
Ajo, veç ajo, netëve të errëta-ibret,
Çdo njeriu i jep dritën në sy.

Eh, Moikom, poetët me gjëmë,
I kanë përtypur epitetet e artë…
Në trojet e kulturës sonë ti je rrënjë,
Që s`të prekin dot, as me shpatë!

Por shpata dhe arti e skalitën
Historinë tonë lavdimadhe,
Me të, të rinjtë e sotëm habiten,
Teksa këndojnë dhe hedhin valle.
Vallja o Moikom, domosdo,
Sipas traditës së krahinave do luhet.
Por vepra jote kurdo e kudo,
Në tapete festivalesh do shquhet.

Dhe prapë ti, poet e arkeolog,
Çdo gjetje në magjen e mendimit e sit.
Në sofër Ilirinë na e sjell të plotë
Errësirën shekullore na e kthen në dritë!

Ti, e merr gurin ndër duar
Me droje, si fytyrën e një fëmije.
Dhe na tregon se ne jemi krijuar,
Nga një nënë e madhe, djep Ilirie.

Ndaj ty, çdo varg të ylberon
Moikom, pa ngjasuar me askënd tjetër,
Çdo krijim i yti, flet dhe këndon,
Për të rinjtë ti je, vetë mbreti me skeptër.

Oh! Mbretëria e poezisë,
Ka shumë mbretër e mbretëresha.
Na altarin e pavdekësisë,
Ti, Moikom, do mbetesh dhe me vjersha!

*)LIRIM DEDA, poet, shkrimtar dhe publicist shumë i njohur, jeton dhe shkruan në TIRANË. Lirim Dedën, ka lindur në vitin 1936 në Nivicë të Kurveleshit.

……………………………………………………

(Ilustrimet përzgjodhi editori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura