Pashtriku.org, 08. 03. 2016: Në vitin 2010 Shtëpia Botuese “FIDANI” në Prizren, ka botuar librin “Lotët e Trëndafiles” të autores Barbara Burbuqe Haim, ndërkaq në vitin 2015 me kërkesën e lexuesve – Shtëpia Botuese “GALAXY” në Prishtinë – e ka ribotuar.
***
Barbara – Burbuqe Haim ka lindur më 1 nëntor 1975 në Rahovec. Shkollën fillore dhe dy vjet të shkollës së mesme i ka kryer në vendlindje, ndërsa prej moshës 18 vjeçare jeton në Gjermani. “Lotët e Trëndafiles” është libri i saj i parë. Kryepersonazhi i librit (roman) është Trëndafilja, dhe sipas redaktorit të këtij libri, Demir Reshiti – në rrëfimin e kësaj vajze përvijohen tri rreze drite… “Drita e parë, që vjen prej Shkëlqimit, djalit që Trëndafilja e deshi me gjithë shpirt, që e përmend nis e sos, por që kurrë nuk u materializua për shkak të rrethanave…. Pengu i mosputhjes me djalin që deshi e mundon kryepersonazhen që nga fillimi e deri në fund, jo si një akt i zakonshëm njerëzor, por si një mesazh i jetës. Drita e dytë, është ardhja në jetë e Meritës, fëmijës që i mbush me kuptim jetën e mjerë Trëndafiles, e këtij fëmije që ashtu sikurse e ëma, është e detyruar t’i nënshtrohet fatit kolektiv si në kompleksin e Edipit. Drita e tretë, është mosdurimi popullor i cili konkretizohet me lindjen e organizmit ushtarak (UҪK – sh.b) që do të bëjë të mundur ëndrrën shekullore për çlirim, që më në fund do të zhdukë të gjitha këto peripeci që sintetizohen në jetën e personazhit tonë. Mosngurimi, pa mëdyshje, për të qenë edhe ajo pjesëmarrëse e kontribuuese në këtë formacion, dëshmon shpresën e besimin që ka në ardhjen e lirisë së munguar për breza të tërë në vendin ku ka lindur.”
– Autorja e librit –
Personazhi që ia shkatërron jetën Trëndafiles është Halimi, një “mashtrues, shpirtkazmë dhe i pamoralshëm”. Ky shpirtzi Trëndafilën nuk e vlerëson si shpirt (njeri), por si send me të cilin mund të bëjë ç’të dojë. “Gruaja për të është thjesht objekti ku shfryhen epshet shtazarake seksuale, ku demonstrohet dhuna e egërsia njerëzore që buron prej skutave të errëta të metempsikozës njerëzore. Ky personazh është shembulli më i mirë ku tregohet se si nuk duhet të jetë njeriu, si nuk duhet të sillet ai, me femrën tonë…
Për të mësuar të gjitha dimensionet e përjetimeve tronditëse të TRËNDAFILES, ju ftojë të lexoni këtë libër, në formatin PDF! /sh./
***
BARBARA – BURBUQE HEIM: “LOTËT E TRËNDAFILES”
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Burbuqe-Lotet-e-Trendafiles.pdf