LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË ZONËN OPERATIVE TË SHALËS DHE HUMBJET E FORCAVE SERBE (1)

LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË ZONËN OPERATIVE TË SHALËS DHE HUMBJET E FORCAVE SERBE (1)

Nga Prof.Dr.Sabit Syla, Prishtinë 26 Janar 2024                                     

Përfundimi i Luftës Ballkanike dhe vendimet e Konferencës së Paqes i gjetën trevat veriore e verilindore shqiptare nën pushtimin serb e malazez. Ato u ndanë në njësi administrative nga nevoja për kontrollimin sa më të lehtë  dhe aneksimin e tyre. Kosova nën administrimin serb u nda në pesë qarqe, kurse Peja ishte qendër administrative për rajonet e Kosovës nën administrimin malazez.[1]

Serbia dhe Mali i Zi ndoqën një politikë shkombëtarizuese, duke përdorur metodat e dhunës e të represionit, që përfshinin plaçkitjet, vrasjet, shpërnguljet, konvertimet, kolonizimet, e shumë forma të tjera të dhunës. Në shtator 1913, kundër regjimit serb u ngrit në revoltë treva e Dibrës. Kryengritja përfshiu një pjesë të madhe të Kosovës, kurse në mars 1914 një tjetër kryengritje shpërtheu në rrethinën e Rahovecit.[2] Që të dyja ato u shuan dhunshëm, kurse masat represive ndaj banorëve të pafajshëm ishin të skajshme. Krahas kryengritjeve, në vise të ndryshme të Kosovës, sidomos pas vitit 1914, filluan të riorganizoheshin çetat kaçake si përgjigje ndaj dhunës serbe.

Një gjendje e tillë për shqiptarët vazhdoi deri në fund të vitit 1915, kur forcat ushtarake serbe, të paafta të përballeshin me ushtrinë austro-hungareze nga Veriu dhe atë bullgare nga Lindja, kaluan përmes territorit shqiptar në Selanik, ku Fuqitë Aleate kishin themeluar frontin e Selanikut. Që nga janari i vitit 1916, Kosova dhe trevat tjera shqiptare u vunë nën administrimin e forcave të Boshtit, pra të Austro-Hungarisë e Bullgarisë. Zona bullgare përfshinte: Llapin, Prishtinën, Gjilanin, Drenasin, Suharekën, Prizrenin etj., të organizuara në tri qarqe: Prizren, Prishtinë dhe Shkup, kurse zona austro-hungareze përfshinte: Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderaj etj. Këto vise, ishin të lidhura me Guvermanin gjeneral ushtarak për Serbi, respektivisht për Mal të Zi.[3]

Në zonat e kontrolluara, austro-hungarezët dhe bullgarët ndoqën politika të kundërta ndaj shqiptarëve. Për të pasur mbështetjen e tyre, austro-hungarezët lejuan disa të drejta kombëtare si: përdorimi i flamurit e gjuhës shqipe në administratën lokale dhe vijimin e shkollave në gjuhën shqipe, kurse bullgarët nuk u njohën shqiptarëve asnjë të drejtë. Pushtimi bullgar nuk kishte asnjë dallim nga ai serb i viteve 1912-1915. Si rezultat, u shpeshtuan sulmet kaçake jo vetëm kundër bullgarëve, por edhe austro-hungarezëve. Në rajonet e Drenicës, Llapit, Shalës së Bajgorës, Gjilanit, Tetovës etj., u shtri rezistenca e armatosur shqiptare.[4]

Në prag të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, forcat Aleate, në të cilat gjendeshin rreth 100 000 trupa serbe, kishin shpërthyer frontin e Selanikut dhe po marshonin drejt veriut të Ballkanit. Ushtria franceze e pushtoi Kosovën dhe më pas ia dorëzoi Komandës së Divizionit Jugosllav e Armatës II serbe.[5]

Njësitet jugosllave të vendosura në Kosovë filluan menjëherë zbatimin e politikës së terrorit. Në emër të spastrimit të territorit, çarmatosjes së popullatës dhe vendosjes së rendit e qetësisë u zhvilluan ekspedita të shumta ushtarake. Qindra fshatra u dogjën dhe u masakruan me mijëra njerëz (burra, gra e fëmijë). Këto fushata ndjekjeje nuk pushuan deri në vitin 1924, kur u vra Azem Bejta dhe u likuidua Lëvizja Kaçake.[6]

Krahas aksioneve ushtarake u ndërmorën edhe veprime politike të cilat kishin për qëllim arritjen e disa objektivave: zhdukjen e kompaktësisë shqiptare në Kosovë përmes shpërnguljeve, vendosjen e elementit sllav dhe ngritjen e vetëdijes së tij etj. Për t’i realizuar këto objektiva, qeveria jugosllave gjatë muajve gusht-shtator 1920 nxori dy ligje: “Ligji për Reformën Agrare” dhe “Dekretin për kolonizimin e pjesëve të reja jugore”.[7] U shpronësuan parcela të konsiderueshme tokë pjellore, të cilat iu dhuruan kolonëve sllavë. Nga të dhënat del se mbi 53 000 kolonë sllavë u vendosën në Kosovë në periudhën midis dy luftërave botërore.[8] Meqë Reforma Agrare dhe Kolonizimi nuk kishin dhënë rezultatet e pritura, Jugosllavia në korrik të vitit 1938 arriti një marrëveshje për shpërnguljen e 40 000 familjeve “myslimane” nga krahinat që Serbia e Mali i Zi i kishin aneksuar më 1913.[9] Ajo duhej të realizohej brenda gjashtë vitesh, por intervenimi i diplomacisë shqiptare dhe fillimi i Luftës së Dytë Botërore pamundësuan zbatimin e saj.

Në prill të vitit 1941 forcat e Boshtit, Italia dhe Gjermania sulmuan Jugosllavinë. Territoret shqiptare në Jugosllavi u ndanë në tri pjesë: Mitrovica dhe Podujeva u vendosën nën administrimin gjerman; Gjilani, Ferizaj, Kumanova etj., nën administrimin bullgar, kurse pjesa e mbetur e Kosovës, Plava, Gucia, Ulqini etj., mbetën nën administrimin italian dhe si të tilla iu bashkëngjitën Shqipërisë.[10]

 Ky akt u konsiderua si arritje e një aspirate kombëtare ngaqë me trungun amë u bashkua një sipërfaqe dhe një popullsi e konsiderueshme shqiptare. Për t’i administruar këto troje, u formua “Ministria për trojet e çliruara”. Në krye të saj qëndruan përfaqësues shqiptarë, të cilët shfrytëzuan mundësitë e ofruara dhe organizuan sistemin arsimor në Kosovë, që gjatë viteve 1941-1943 funksionoi sipas ligjeve arsimore të Ministrisë së Arsimit të shtetit shqiptar. Gjatë këtyre viteve, në Kosovë ushtruan veprimtarinë e tyre rreth 180 shkolla fillore.[11]

Pas kapitullimit italian, shtator 1943, trevat shqiptare u vendosën nën administrimin gjerman. Ndërkohë forcat politike që vepronin në trevat shqiptare ishin nacionalistët dhe partizanët komunistë. Secila kishte bindjet e veta. Ndërsa, nacionalistët shpresonin në fitoren e gjermanëve, komunistët kishin idealin e vetëvendosjes së popujve. Mbi këto baza u aprovua Rezoluta e Bujanit, gjatë mbledhjes së Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës të mbajtur në Bujan, Malësi e Gjakovës, më 31 dhjetor 1943 – 1 e 2 janar 1944, që bënte thirrje për respektimin e të drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, respektivisht bashkimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë.[12]

Por, një vendim i tillë nuk u respektua. Brigadat partizane serbe-maqedonase marshuan në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 në drejtim të Kosovës. Në fillim të shkurtit të vitit 1945 komandanti suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë shpalli administrimin ushtarak në Kosovë, kurse në krye të komandës së kësaj administrate emëroi malazezin, Sava Drljeviç.[13] Qëllimi i këtij akti ishte shtypja e çdo rezistence me synim aneksimin e Kosovës. Ai ishte një prelud që çoi në shtypjen e kryengritjes së Drenicës, të udhëhequr nga Shaban Polluzha (dhjetor – shkurt 1945), dhe në Kuvendin e Prizrenit (8-10 korrik 1945), apo Kuvendi i Këshillit Popullor të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, ku u miratua rezoluta që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë, si pjesë përbërëse e saj.[14]

Vitet pasuese ishin të rënda për shqiptarët. Përveçse nuk u njihej asnjë e drejtë kombëtare, ata iu nënshtruan dhunës sistematike serbe, e cila zgjati deri në vitin 1966, kur në njërin nga plenumet komuniste shkarkohet nga pozitat udhëheqëse Aleksandër Rankoviqi, i cili kontrollonte policinë sekrete jugosllave, duke shënuar edhe fundin e grupimit burokratik-centralist. Në këtë mënyrë u hap rruga drejt një faze të liberalizimit shoqëror, politik dhe ekonomik, nga i cili do të përfitonin dukshëm edhe shqiptarët, pozita e të cilëve po shkonte kah barazimi me të tjerët në Federatë.[15] Por, shqiptarët kërkonin më shumë të drejta dhe shpallën vendosmërinë e tyre për të luftuar për të drejta kombëtare dhe njerëzore, duke u ngritur kundër autoritetit të shtetit jugosllav që për dekada i kishte shtypur e ndrydhur dhe vazhdonte të mos i dëgjonte.  Kështu në nëntor të vitit 1968, në qytetin e Prizrenit, u organizua demonstrata e parë në Kosovë dhe për herë të parë në mënyrë publike u kërkua Kosova-Republikë. Ajo do të pasohej edhe nga demonstrata në komuna të tjera të Kosovës e shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi.

Arritje për Kosoven ishin hapja e Universitetit të Prishtines dhe institucioneve tjera kërkimore shkencore, si dhe miratimi i Kushtetutës së vitit 1974, e cila i ofronte Kosovës disa atribute si: e drejta për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës, e drejta për organizim autonom të qeverisjes dhe pavarësi të sistemit gjyqësor etj.[16] Megjithëkëtë, statusi i Kosovës krahasuar me republikat e tjera të Jugosllavisë nuk ishte i barabartë, duke e lënë të pambyllur hendekun ndërmjet Kosovës dhe njësive të tjera federative. Shqetësimi dhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për prosperitet, dora dorës po fokusoheshin në një pikë: si të pavarësoheshin nga Serbia dhe të arrinin statusin e Republikës. Të gjithë ata që punonin për realizimin e saj arrestoheshin e burgoseshin. Sipas burimeve të ndryshme arkivore shqiptare dhe jugosllave në vitet 1974-1981 ishin arrestuar për veprimtari nacionaliste më shumë së 600 shqiptarë. Pa kaluar as një vit nga Kushtetuta e vitit 1974, Kryesia e RS të Serbisë organizoi një komision për të kundërshtuar zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974 lidhur me statusin e krahinave dhe raportin e tyre me Serbinë. Në Federatën jugosllave Kosova mbeti rajoni më i prapambetur në të gjithë treguesit ekonomik. Në vitin 1979 kapaciteti prodhues për banorë në Kosovë ishte 7,2 herë nën nivelin federativ dhe 16 herë nën atë të Sllovenisë. Në vitin 1980 të ardhurat kombëtare për banorë në Kosovë përbënin 28,1% të mesatares jugosllave. Politika ekonomike e udhëheqjes jugosllave ishte e ndryshme me praktikën që ndiqej në njësitë e tjera federative. Ajo mbeti në thelb një politikë kolonialiste. Nga ana tjeter, aspirata e shqiptarëve të Kosovës për jetë të pavarur bëhej gjithnjë e më imponuese. Pakënaqësia ndaj pushtetit nacionalist serb përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë. Demonstratat e vitit 1981 që shpërthyen në pranverë të vitit 1981 ishin rrjedhojë e këtij procesi.  Studentët e Universitetit të Prishtinës dhe populli që iu bashkua gjatë muajve mars-prill 1981 demonstruan për ngritjen e statusit politik të Kosovës – për Kosovën Republikë. Kundërpërgjigjja e organeve komuniste jugosllave ishte e ashpër. Vendosja e shtetrrethimit ushtarak në Kosovë u pasua me procesin e diferencimit ideopolitik, që spastroi nga universiteti e udhëheqja e lartë politike krahinore një numër të madh intelektualësh e përfaqësuesish shqiptarë.[17]

Pas vitit 1981 filloi konsolidimi i nacionalizmit serb në Serbi e Kosovë, një propagandë antishqiptare, si dhe rindërtimi i mitit serb për Kosovën. Në pushtet mbizotëroi rryma nacionaliste, e cila hartoi programin nacional serb, kurse anulimi i autonomisë së Kosovës, më 23 mars 1989, nga votimi i dhunshëm në Kuvendin e Kosovës, ishte hapi i parë në këtë drejtim.[18]

Anulimi i Autonomisë së Kosovës vazhdoi me procesin e integrimit të Kosovës në Serbi, përmes uzurpimit të kompetencave legjislative e ekzekutive. Si reagim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën më 2 korrik 1990 Deklaratën Kushtetuese, që i jepte Kosovës të drejtën e përcaktimit të statusit të saj, kurse në shtator 1990 shpallën Kushtetutën e Kosovës, për të vazhduar më 1991 me Referendumin për Kosovën shtet të pavarur e sovran.[19]

Në bazë të këtyre vendimeve klasa politike shqiptare punoi në dy drejtime: konsolidimin e brendshëm përmes ndërtimit të institucioneve paralele dhe rezistencën pasive kundër okupimit, përmes sensibilizimit të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Angazhimi për zgjidhjen e drejtë të statusit të Kosovës në drejtim të pavarësisë së saj u prit ftohtë jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga njësitë tjera federale. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes një Deklarate, më 21 tetor 1991, njohu Republikën e Kosovës, si shtet sovran e të pavarur, mbi bazën e lirisë dhe barazisë të plotë me të gjithë popujt tjerë.[20]

Komuniteti ndërkombëtar, i preokupuar edhe nga rrethanat që u acaruan me nisjen e konfliktit të armatosur në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, nuk e pa të udhës t’i kushtonte vëmendje kërkesave që vinin nga shqiptarët e Kosovës. Ai u mjaftua vetëm në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe rikthimin e një autonomie lokale në Kosovë. Një qëndrim i tillë dëshmohet edhe nga rezoluta e Parlamentit Evropian, e miratuar më 15 shkurt 1990, për gjendjen në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut[21], si dhe nga Rezoluta e Përbashkët* e Senatit dhe Kongresit Amerikan e cila në esencë bënte thirrje për ndalimin e dhunës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rikthimin e autonomisë politike të Kosovës.[22]

Gjatë viteve 1990-1999 faktori ndërkombëtar në përgjithësi mbajti një qëndrim refuzues ndaj kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Ai u mjaftua në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në sigurimin e një lloj autonomie në kuadër të Serbisë, respektivisht Jugosllavisë. Një qëndrim i tillë, ishte më i theksuar në vitet 1991-1992 pasi fokusi i komunitetit ndërkombëtar ishte drejtuar në problemet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe në formësimin e qëndrimit që ai duhej të mbante. Ndaj Kosovës vëmendja ishte sipërfaqësore dhe nuk ishte pjesë e një procesi të mirëfilltë ndërkombëtar. Kjo u dëshmua në konferencën ndërkombëtare të Londrës[23], mbajtur në gusht 1992. Edhe gjatë viteve 1992-1995 komuniteti ndërkombëtar ishte i angazhuar kryesisht në ndaljen e konflikteve të armatosura në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa në aspektin e jashtëm Kosova u la në harresë, në aspektin e brendshëm vazhdonte dhuna sistematike policore serbe. Për shkak të cilësimit të Serbisë si faktor paqeje në Ballkan qëndrimi refuzues ndaj kërkesave për pavarësi vazhdoi edhe në vitet 1995-1997. Kosova nuk u ftua në Konferencën e Dejtonit më 1995. Komuniteti ndërkombëtar përsëri përpiqej që Kosova të kishte një lloj autonomie në kuadër të Serbisë, me gjithë rritjen e dhunës e presionit policor.

Organizimi i rezistencës së armatosur u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së saj. Ndonëse celulat e para të organizimit të rezistencës së armatosur i hasim qysh në fillim të viteve 1990, 28 nëntori i vitit 1997 shënoi daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të komunës së Skënderajit.

                                                               * * *

Në fund të shek. XX alternativa e luftës së armatosur për çlirimin e vendit, fitoi terren në tërë Kosovën. Shala e Bajgorës[24] nuk mbeti pas këtij organizimi. Atje, ashtu si në regjionet e tjera, forma e veprimit ishte fillimisht ajo guerile, e cila në vetvete përmbante strategjinë: godit e tërhiqu. Kështu, në fund të vitit 1996 dhe fillim të vitit 1997, u ndërmorën disa sulme kundër forcave serbe, si: aksioni me bomba dore më 11 shkurt 1996 në Vushtrri;[25] aksioni te Ura e Gjakut (Mitrovicë), në qershor të vitit 1996[26]; më 27 shtator 1996, u hodhën dy granata dore, në repartin ushtarak “Millosh Obiliqi”, në Vushtrri[27]; më 9 dhjetor 1997 në Akrashticë, u çarmatos një patrullë e policisë serbe,[28] ndërsa më 28 shkurt 1998, u ndërmor një aksion në burgun e Smrekonicës.[29] Edhe në fshatrat e Artakollit, përkatësisht Çyqavicës,[30] filloi dalja publike e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (më tej: UÇK) dhe në mars të vitit 1998 formohet baza e parë e UÇK-së, në Zhilivodë.[31] Më 6 maj 1998, në Mitrovicë, studenti Artim Jashari, vrau dy policë serbë dhe plagosi një tjetër,[32] por gjatë sulmit ai plagoset rëndë dhe ndërron jetë.[33] Artim Jashari ishte një ndër dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bazuar në “Buletinin” nr. 1, të Brigadës 141 “Mehë Uka”, të datës 6 janar 1999, del se Njësiti i Parë i UÇK-së, ka dalë publikisht në rajonin e Shalës, në pranverë të vitit 1998, në Zabërrgjë*, i përbërë nga tetë vetë.[34] U vendosën lidhje edhe me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në ato anë dhe brenda dy javëve të para, Njësiti në Zabërrgjë u zgjerua duke u përbërë mbi 30 vetë, me udhëheqës të parë të saj, Avni Imeri-Liqej.[35] Më 6 qershor 1998, në Zabërrgjë u vendosën edhe pjesëtarët e parë të UÇK-së së Llapit, duke u shndërruar në qendër grumbullimi, rekrutimi, sistemimi dhe stërvitjeje të para të UÇK-së në rajonin e Shalës, por jo vetëm. Më vonë do të shndërrohet edhe si qendër e parë e stërvitjeve themelore për Nënzonën Operative të Shalës (më tej: NZOSH) dhe më pas edhe për Nënzonën Operative të Llapit (më tej: NZOLL). Nga tetori 1998, Bajgora do të bëhet qendër e stërvitjeve të Brigadës 141 “Mehë Uka”.[36] Më 13 qershor 1998, në shkollën e këtij fshati (Zabërrgjë), u formua shërbimi sanitar. Prej saj, më 17 qershor 1998, niset grupi i parë i ushtarëve prej 10 vetash për në Shqipëri, për sigurimin e armatimit për repartet e vendosura në Shalë dhe më 6 korrik kthehen në Bare.[37]

Në qershor të këtij viti (1998), nga disa drejtues të ZOSH-së, u kërkua ndihmë për armatim të rëndë në Shtabin e Drenicës në Likovc, ku i ofruan një gulinov kundërajror 12.7 dhe një minahedhës 80 mm, i cili u mor dhe u dërgua në Shalë. Këto armë ishin të vetmet e këtij lloji për Brigadën 141 deri me kthimin e grupit II dhe III nga Shqipëria. Grupi i dytë i ushtarëve nga Shala për në Shqipëri, ishte nisur më 29 qershor dhe kishte mbërritur më 4 korrik, në Tropojë. Gjatë kthimit më 18 korrik, ata bien në pritë të forcave serbe, vritet luftëtari Shahin Krasniqi, plagosen tre të tjerë dhe një lëndohet. Pjesa e grupit që shpëtuan rikthehen në Shqipëri dhe pas ca ditësh do të takohen me grupin e tretë, i cili tashmë ishte nisur për armatim nga Shala. Ai ishte nisur më 18 korrik dhe përbëhej prej 77 vetash. Më 20 gusht, me bashkimin edhe të 10 luftëtarëve të tjerë nga grupi i dytë numri arriti në 87 vetë. Gjatë rrugës për kthim ranë në pritë në kufi në trekëndëshin Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi dhe u plagosën dy ushtarë nga Brigada 141.[38]

Në rajonin e Shalës, fillimisht formohen njësitet, skuadrat, togjet dhe kompanitë, e më pas batalionet e Brigadës. Njësitet e para në terren, si pozita mbrojtëse, ishin formuar nga data 6 qershor 1998, por me shkresa zyrtare dhe emërime nga 24 qershori 1998. Kështu, pas Zabërrgjës,njësitet e para me vendqëndrim në Shalë të Bajgorës, kanë qenë: Njësiti në Bajgorë, Kaçanoll, Mazhiq, Melenicë, Rahovë, Pasomë, Vllahi, Bare, Skromë etj. Jo vetëm këto, por edhe të tjera, të formuara me kontributin e tyre çuan deri në krijimin e njësiteve më të mëdha të tipit kompani, batalion dhe brigada.

     Formimi i Zonës Operative të Shalës

Kosova, deri në nëntor të vitit 1998, ishte një zonë operative e UÇK-së, e organizuar në shtatë nënzona operative (më tej: NZO): NZO e Drenicës, NZO e Pashtrikut, NZO e Dukagjinit, NZO e Shalës, NZO e Llapit, NZO e Nerodimes dhe NZO e Karadakut. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së (më tej: SHPUÇK), në mbledhjen e mbajtur më 12 nëntor 1998, mbështetur në nevojën e riorganizimit, strukturimit dhe ngritjes së komandimit, nxori këtë vendim: 1. Nënzonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpallen zona operative; 2. Të bëhet ristrukturimi i komandave të zonave operative. Ky vendim u drejtohet: zonave operative, Arkivit dhe Drejtorisë Operative.[39] Me këtë vendim u bë kalimi nga organizimi i nënzonave operative, në zona operative: Zona Operative e Drenicës (më tej: ZOSH), Zona Operative e Pashtrikut (më tej: ZOP), Zona Operative e Dukagjinit (më tej: ZOD), Zona Operative e Shalës (më tej: ZOSH), Zona Operative e Llapit (më tej: ZOLL), Zona Operative e Nerodimes (më tej: ZON) dhe Zona Operative e Karadakut, (më tej: ZOK). Ato i raportonin Shtabit të Përgjithshëm (më tej: SHP) të UÇK-së, nga i cili merrnin planet e veprimeve luftarake dhe urdhrat.[40]

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të organizimit dhe komandimit, më 4 korrik respektivisht 23 korrik 1998, nxori Rregulloret e Përkohshme. Më 4 korrik u mor vendimi për formimin e njësive deri në kompani, kurse më 23 korrik u aprovua rregullorja e përkohshme e nënreparteve të zbulimit në luftë. Ndërkohë, më 16-17 gusht 1998, u vendos që të kalohej në nivelin e organizimit në brigada.[41]

Zona Operative e Shalës,* shtrihej në pjesën veriperëndimore të Kosovës, e cila kufizohej: në verilindje me ZOLL, në veri dhe veriperëndim me Serbinë dhe në jug me ZOD.[42] Si çdo zonë tjetër edhe ajo kishte territorin e përgjegjësisë, në të cilën bënin pjesë qytetet, si: Vushtrri, Mitrovicë, Zveqan dhe Leposaviq. Komandant i ZOSH ishte Rrahman Rama. Shtabi i ZOSH ka qenë në Ashlan. Në ZOSH u formuan dy brigada: Brigada 141 dhe Brigada 142.[43] Brigada e parë mori emrin e veprimtarit, “Mehë Uka”*. Kjo Zonë përveç dy brigadave të lartpërmendura kishte edhe Njësitin Special të ZOSH dhe Njësitin e Policisë Ushtarake. Brigadat e ZOSH, në territorin ku vepronin, në strukturë kishin batalionet që përbëheshin nga kompanitë, togjet, skuadrat etj. Të gjitha njësitë vepronin në zinxhirin komandues si strukturë organizative e UÇK-së.

Përgatitja profesionale ushtarake e pjesëtarëve të UÇK-së, në pranverë të vitit 1998 kishte filluar në malet e Çyqavicës. Stërvitjet mbaheshin në fushën Seqe në malet e Çyqavicës mbi fshatin Zhilivodë.[44]  Nga mesi i vitit 1998, pjesa më e madhe e ushtarëve të UÇK-së iu nënshtruan stërvitjeve ushtarake sistematike. Nga tetori deri në dhjetor 1998, ZOSH merret me konsolidimin e radhëve të veta, me stërvitje të Njësitit Special dhe të Brigadës 141, si dhe me sigurimin e sasisë së mjaftueshme të armatimit, logjistikës etj.U arritën të përgatiten, të stërviten dhe njësi elite, njësi speciale, siç ishin ajo e ZOSH dhe e Brigadës 141, e në fund të luftës, këto njësite u shndërruan në Batalion Gardist. Plani i ushtrimeve përfshinte këto fusha: taktikë e përgjithshme e speciale, përdorim i të gjitha llojeve të armatimit në dispozicion, topografi dhe përgatitje moralo-politike. Për çdo lëmi u caktuan eprorët përkatës në stërvitje. Në qendrat stërvitore në Zabërgj, Bajgorë dhe më pas edhe në Bare, me rekrutimin e ushtarëve, ata stërviteshin fillimisht që të përdornin armët e disa llojeve që i posedonin aso kohe, si: AK-47, M-48, snajper, pushkë gjysëmautomatike, mortaja, bazuka, nitroglicerina, armë kundërblinduese, armë kundërajrore (gulinov 12.7), të topave 75 mm, por disa edhe në përdorimin e granatahedhësve 60 mm, 82 mm dhe 120 mm, kur dihet se në këtë Zonë (më saktë, Brigada 141), formohet dhe një njësit i artilerisë,[45] në kuadër të Njësitit Special.[46] Përveç trajnimeve përgatitore, në ZOSH organizohej edhe betimi i ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: “Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem, betohem, betohem!”.[47]

Sa i përket furnizimit me armatim, kanë ekzistuar disa linja. Më së shumti armët u morën nga Bosnja, pastaj nga Shqipëria, por edhe nga objekte ushtarake serbe gjatë betejave dhe sulmeve ndaj tyre.[48]

Një kontribut të veçantë në luftën çlirimtare padyshim që ka dhënë mërgata shqiptare në perëndim. Më 19 shtator 1998, për nevojat ushtarake kishin arritur në Vushtrri, 100 000 DM (njëqind mijë marka gjermane).[49] Në tetor të atij viti, përmes një kërkese ZOSH bëri thirrje për ndihmë shtesë financiare.[50] Në këtë periudhë meqë UÇK-ja, kishte shtrirje operative më të madhe – rrjedhimisht nevoja për mbështetje financiare ishte imediate. Në fakt, një gjendje e tillë ishte në të gjithë Kosovën. Sa rritej numri dhe shtrirja e Ushtrisë Çlirimtare aq më shumë duheshin të ardhura për nevojat logjistike të saj. Më tej, Shtabi i Nënzonës Operative të Shalës, më 10 nëntor 1998, kishte autorizuar persona, që të grumbullonin dhe të dërgonin mjete financiare nga bashkatdhetarë për çlirimin e Kosovës.[51]Lidhur me këtë, NOSH kishte dërguar më 11 nëntor edhe një kërkesë tjetër në Gjermani për sigurimin e mjeteve materiale në vlerë prej rreth 300 000 DM (treqind mijë marka) për nevoja e pajisje me armë bashkëkohore.[52] Autorizimi dhe kërkesa në fjalë dhanë rezultate të dukshme në këtë drejtim nga ana e bashkatdhetarëve.

Me qëllim të rritjes së harmonisë në ushtri, moslejimit të krijimit të pakënaqësive ndër ushtarë, eliminimin e parregullsive në shpërndarje të të mirave, krijimit të lehtësirave të kontrollit dhe eliminimin e mundësisë së keqpërdorimeve, Komanda e ZOSH lëshoi këtë urdhëresë: “1. Urdhërohen komandat e njësive të Zonës së Shalës që të gjitha të mirat materiale, si: ushqim, veshmbathje, financa etj., t’i shpërndajnë në mënyrë krejtësisht të barabartë, duke filluar prej brigadave e deri te skuadra. Çdo gjë të ndahet në mënyrë të barabartë pavarësisht nga sasia apo vlera. 2. Nuk lejohen privilegje për askënd dhe për asgjë, etj.”[53] Më 27 dhjetor 1998, ZOSH, nxori edhe një “Urdhëresë për ndalimin e pranimit të ndihmave për UÇK-në nga persona të paautorizuar zyrtarë”. Për këtë kishte caktuar personat zyrtarë për kontakte me donatorë dhe për çdo ndihmë duhej të informohej Komanda e Zonës, përkatësisht organi përkatës i saj – Logjistika.[54] 

ZOSH, kishte “Buletinin”, organ i Brigadës 141.[55]  Për më tepër, Zona në fjalë kishte misionin për drejtimin dhe koordinimin e luftës së armatosur, kundër forcave pushtuese serbe, mbrojtjen e popullsisë civile, si dhe angazhimin në proceset politike e diplomatike rreth çlirimit të Kosovës.

Veprimtaria luftarake e UÇK-së në rajonin e Shalës së Bajgorës, më 1998

Veprimi dhe konsolidimi i njësiteve të UÇK-së në rajonin e Shalës së Bajgorës dhe Çyqavicës qe shoqëruar me veprime konkrete luftarake kundër forcave pushtuese. Duke dëshmuar para Gjykatës Ndërkombëtare Penale në rastin Haradinaj dhe të tjerët, komandanti i Brigadës 125 të motorizuar, Dragan Zhivanoviq, e përshkroi Zonën e Përgjegjësisë që kishte Brigada 125 e Motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë, për vitin 1998: “Gjatë vitit 1998 Zona e Përgjegjësisë së Brigadës 125 përfshinte komunat: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë, Zubin Potok, Serbicë, Vushtrri, Klinë, Istog, Pejë dhe Deçan”.[56] Komanda e kësaj Brigade, më 24 prill 1998, dha urdhër për “vendosjen e plotë të kontrollit ushtarak mbi territorin”. Në arsyetimin e urdhrit thuhet: “Vlerësimet mbi forcat terroriste-shqiptare në zonën e përgjegjësisë së brigadës, në rajonet e fshatrave: Blagojë, Zaberrgjë, Çushka, Zahaq, Osojë etj., gjenden rreth 100 persona të cilët kanë zhvilluar aktivitete ushtarake kundër forcave tona dhe tani si civilë ndodhen në rajonet e fshatrave të tyre”.[57]

Intensiteti i veprimeve kishte filluar ende pa u formuar brigadat dhe zona operative. Po veçojmë, fillimisht betejën e Hamidisë, zhvilluar më 11 qershor. Ngaqë UÇK-ja kishte përgatitur njësitë e veta operative taktiko-luftarake në tërë rajonin e Çyqavicës, përkatësisht në pjesën e Artakollit në fshatrat: Trimor, Burim, Hamidi, Sibovc, Shipitullë, Strofc, Beçuk, Mihaliq, Gurakuq, Druar, Shallc, Kollë, Novolan etj., pasditen e 11 qershorit forcat serbe pësuan humbje gjatë luftimeve me forcat e UÇK-së, me ç’rast mbetën të vrarë dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (më tej: MPB), disa të tjerë u plagosën. Nga luftëtarët e UÇK-së pati të plagosur dhe të lënduar.[58] Ndërkohë, më 18 qershor,gjatë një aksioni u mor Fabrika e Galanterisë së Lëkurës në Bare* dhe nga qershori deri më 15 shtator, në të u qepën rreth 2 800 palë uniforma për ZOSH, ZOLL dhe ZOD.[59]

Në fund të muajit qershor, me urdhrin e zëvendëskomandantit të ZOSH-së, Mensur Kasumit,[60] njësitë e UÇK-së, zbresin në fshatin Bardh të Madh dhe caktojnë pikë kontrollin në territorin ku ishte zonë e kontrolluar nga policia serbe, por që më shumë shërbente si zonë neutrale. Me aksionin e ndërmarrë u çarmatos sigurimi i Kombinatit të Korporatës Energjetike të Kosovës (më tej KEK). Ndërkohë, forcat serbe me arsenal e makineri ushtarake do t’i drejtoheshin fshatrave Bardh i Madh, Grabofc, Hade, Lajthisht, dhe një pjesë të Sibofcit. Konfrontimet zgjatën disa ditë. Njësitet e UÇK-së në pamundësi për t’u përballur me ato forca, tërhiqen në fshatin Shipitullë në lagjen “Mjeku”. Në atë betejë, përveç njësive të Artakollit, morën pjesë edhe luftëtarë të tjerë.[61] Në fshatin Hade, në luftime bien heroikisht tre ushtarët e UÇK-së që kishin shkuar në ndihmë nga Drenica, Ismet Uka, Mentor Dervishaj dhe Xhemajl Mehmeti.[62]

 Intensiteti i veprimeve ushtarake u shtua nga korriku i vitit 1998 e në vazhdim, me beteja të ashpra dhe të përgjakshme, siç ishte rasti me betejën e Mazhiqit që fillon më 10 përkatësisht 11 korrik. Forcat serbe nga antena e Kutllovcit filluan aksionin duke granatuar në Mazhiq, Kutllovc, Baren dhe Vidishiqin.[63] Me këtë rast, në kundërpërgjigje nga forcat e UÇK-së, te Shkoza e Madhe e Mazhiqit, u plagosën 5 ushtarë të UÇK-së.[64] Më 11 korrik, forcat serbe marrin përforcime në teknikë luftarake dhe njerëz, ku priten me breshëri nga njësiti i UÇK-së. Në mbrojtje të pozicioneve ishin të angazhuara njësitë e Brigadës që aso kohe numëronte 785 ushtarë në të gjitha detyrat.[65] Granatime kishte pasur edhe më 12-13 korrik. Si rezultat i tyre banorët nga Stantërgu, boshatisën shtëpitë, disa familje të Rahovës u larguan nga fshati, e po ashtu edhe në Melenicë. Edhe më 29-31 korrik e 1 gusht, kishte pasur granatime dhe të shtëna të pakontrolluara nga pozicione të ndryshme të forcave serbe.[66] Për këtë raportohej që kishte konfrontime në Shalë të Bajgorës.[67]

Në fillim të gushtit 1998, forcat serbe kishin rrethuar fshatin Pantinë nga të dyja anët, nga ajo e Frashrit dhe Vushtrrisë. Pas luftimeve, që kulmojnë më 6 gusht, bie dëshmori i UÇK-së, Jeton Tërstena[68] dhe plagosen dy luftëtarë.[69] Në gusht, si dhe më 10-15 shtator 1998, konfrontimet u përqendruan nga Kutllovci-Shkoza e Madhe (Mazhiq) deri në Trepçali, ndërsa granatimet nga minahedhës dhe topa deri në 155 mm arrinin deri nga mesi i Bajgorës. Gjatë luftimeve u shpërngulën të gjithë banorët e fshatrave Mazhiq, Terrstenë, Kutllovc, Stantërg, dhe një pjesë e fshatit Bare, të cilat ishin më të goditurat. Më 1 gusht, pas granatimeve të shumta iu vu zjarri disa shtëpive shqiptare në lagjen “Livadhi” në Trepçë. Më datë 17 të po këtij muaji, UÇK nga Kërrshi i Bletës, sulmoi forcat serbe, të cilat kishin tentuar të dilnin mbi lagjen “Kolonia angleze”. Reagimi i forcave serbe qe i menjëhershëm, të cilat bombarduan pamëshirshëm vendbanimet përreth. Si pasojë u plagosën dy vajza dhe një djalë. Edhe më 21 gusht, forcat serbe sulmuan furishëm pozicionet e UÇK-së në Rajk me mjete të rënda luftarake, tanke, autoblinda dhe raketahedhës,  ku pati dhe një të plagosur.[70]

Gjatë periudhës 10-15 shtator 1998, forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, zhvilluan aksionin në zonën e Bajgorës dhe në Stantërg të Mitrovicës, të cilët ishin futur në këmbë në Stantërg dhe kishin bastisur e djegur disa shtëpi. Një ekip i Njësive Policore kishte marrë pjesë në operacionet në zonat e Bajgorës, njësi që vepruan nën mbështetjen e tankeve dhe automjeteve të blinduara të Ushtrisë së Jugosllavisë,[71]  (më tej: UJ). Në mbledhjen e 13 shtatorit 1998, Lukiqi* foli për “përgatitjen e operacionit Bajgora”. Të nesërmen ai i informoi të pranishmit se operacioni Bajgora ishte kryer. Në mbledhjen e 15 shtatorit, Lukiq edhe njëherë foli për angazhimin e ekipit 2 dhe 5 të Njësive Speciale Policore në rajonin e Stantërgut dhe Bajgorës. Ndërsa, në mbledhjen e 16 shtatorit ai foli për operacionet në rajonin e Bajgorës, në fshatin Bare.[72] Edhe njësia për Operacione Speciale (më tej: NJOS), së bashku me Njësitë Speciale Policore (më tej: NJSP),kishin vepruar në Bajgorë, Çyqavicë e Kosmaq gjatë tetorit të këtij viti.[73]

Kulmi i qëndresës dhe sakrificës për rajonin e Shalës së Bajgorës arrihet me “Ofensivën e Shtatorit”, që filloi në mëngjesin e 15 shtatorit 1998. “Sulmin në Shalë serbët e kishin bërë me një korpus dhe nga shumë drejtime”,[74] duke ndërmarrë një ofensivë të përmasave të mëdha në të cilën u përfshinë disa fshatra të rajonit të Shalës, si: Stantërgu, Melenica, Maxhera, Zjaqi, Zabërrgja, Vidishiqi, Bare, Bajgorë, Kaçanoll, Pasomë, Rashan, Tërstenë, Mazhiq, Kutllovc, Trepçali, u granatuan dhe u dëmtuan pjesërisht edhe Dedia e Selaci.Shala ishte sulmuar përgjatë një vije të gjatë frontale: Rahovë-Cenaj-Melenicë-Trepçali-Mazhiq-Rashan-Sumë dhe nga prapa nga Kaçanolli. Në këtë vijë të luftës frontale, nga 11 korriku deri më 16 shtator, në altarin e lirisë ranë heroikisht 7 ushtarë të UÇK-së dhe po aq civilë, ndërsa u plagosën 20 ushtarë të tjerë.[75]Lufta më e furishme dhe me humbje më të mëdha u zhvillua më 15 shtator. Forcat serbe fillimisht zbarkuan në Trepçë. Më pas,me njësitet e tyre të artilerisë vazhduan nëpër kodrën e Cernushës, ndërsa shumë minahedhës u pozicionuan në pjesën e vendbanimit në Trepçë, njohur si “te gaterrat”. Granatime të fuqishme u bënë nga të gjitha anët.

Artileria mbronte terrenin dhe krijonte kushte për depërtimin e këmbësorisë. Derisa veproi artileria, njësitet e UÇK-së, në Melenicë dhe Rahovë qëndruan në strehimore dhe me lëvizjen e këmbësorisë pati veprime konkrete frontale në veçanti tek pjesa nga Trepça që shpinte te lagjja “Cenaj”. Forcat serbe iu vërsulën kësaj lagjeje të fshatit Stantërg, e më pas drejt Melenicës. Në lagjen Cenaj u plagos një ushtar i UÇK-së, i cili ishte dërguar për ndihmë nga Komanda e Brigadës, si dhe u vranë tre civilë. Këto viktima u varrosën pas tri ditësh nga ushtarët e Rahovës. Kurse, në një shtëpi në Preten, ishte zënë rob një person me nënën e tij, të cilët u keqtrajtuan tërë natën dhe u liruan në mëngjes.[76]

Rezistencë pati edhe në Melenicë. Granatimet dhe sulmet me të gjitha llojet e armëve tashmë ishin në vlugun më të madh. Rezistenca vazhdoi edhe psegoditej me minahedhës pa ndërprerje. Kështu, nga Kompania e Parë u hodhën dy predha topi 75 mm në Trepçë, ku dhe u godit një tank i forcave serbe.[77]Në Melenicë, kishte vepruar me efikasitet edhe topi pa dridhje. Rezistenca në Melenicë u shua në orët e pasdites, për shkak të mungesës së municionit dhe armatimit të domosdoshëm.[78]

Shala u sulmua edhe nga drejtimi i Llapit, nga pjesa e Kaçanollit, duke angazhuar një arsenal të fuqishëm ushtarak e policor. Padyshim, një nga betejat më të rëndësishme në Shalë të Bajgorës ka qenë ajo e Mazhiqit. Më 11 dhe 14 shtator 1998, vëzhguesit kishin konstatuar fillimin e një ofensive të përmasave të gjëra. Për këtë, Shtabi i Brigadës 141 mori masa duke dërguar përforcime ushtarake, rreth 50 ushtarë me armatimin më të mirë që kishte Brigada dhe dy anëtarë të Shtabit. Tashmë, forcat e UÇK-së, përbëheshin nga afro 100 ushtarë në vijën e frontit. Ndërkohë, forcat serbe kishin filluar sulmin paralelisht në dy sektorë, në atë të Melenicës dhe të Mazhiqit, por në këtë të fundit fronti i luftimeve ishte shumë më i vështirë. Këmbësoria serbe tërhiqej prapa derisa granatonin nga të gjitha llojet e armëve. Konfrontimet ishin të rrepta, ato filluan edhe në distancë të afërt deri në 30-40 metra, forcat ishin të pabarabarta në numër dhe në armatime dhe u shoqëruan me humbje të konsiderueshme. Në vijën kryesore të luftimeve ishte vendosur Njësia për Intervenim të Shpejtë. Si rezultat i konfrontimeve të drejtpërdrejta, fillimisht pati tre të plagosur e më pas ra dëshmori i parë i kësaj beteje, Avni Shabani-Dedia. Më vonë, pati të plagosur lehtë dhe të tjerë shumë rëndë.[79]

Pas një qëndrese të fuqishme në Mazhiq, bien pozicionet e mbrojtura. Ndërkohë, në vijën lindore të frontit në Kaçanoll, vepronte Batalioni i Parë. Një kompani e këtij batalioni, duke bashkëvepruar me ZOLL, mbrojtën pjesën më të madhe të atyre pozicioneve, të cilat ranë përfundimisht më 16 shtator. Nga forcat ushtarake të Brigadës 141, u vranë disa luftëtarë.[80] Më 16 shtator ishte edhe qëndresa e plakut 82-vjeçar nga Mazhiqi, Rifat Zeneli. Për të, kishin raportuar edhe mjetet serbe të informimit. Motra e tij Rabija, e cila kishte qenë e paralizuar ishte djegur në shtëpi.[81]

Më 15 shtator, ngaqë u thyen forcat e UÇK-së, që ishin të pozicionuara në Mazhiq te “Shkoza e Madhe”, në Kaçanoll dhe ato në Melenicë, kishte mbetur e paprekur një kompani e Batalionit të Dytë, ende në vijën e parë. Ajo qëndroi deri më 17 shtator, kur u sulmua nga të dyja anët dhe e kishte të vështirë të bënte rezistencë të gjatë. Pas një qëndrese disaorëshe, thyhet edhe kjo vijë e frontit. Tashmë, kishte mbetur vetëm Batalioni i Katërt.

Gjendur përballë rrethanave të krijuara, Komanda e Brigadës 141, udhëzoi popullatën civile sidomos banorët e shtëpive që ishin afër aksit rrugor, që gradualisht të tërhiqeshin. Në afërsi të Bares, Komanda e Brigadës me lejen e pronarëve të pyjeve, kishte rrëzuar shumë drunj me qëllim të vonimit të përparimit të forcave serbe për të mundësuar evakuimin e popullatës. Kjo gjë pati efektin e vet, pasi popullsia afër aksit rrugor pothuajse u zhvendos e gjitha. Rreth orës 13:00 edhe drejtuesit e Brigadës tërhiqen në drejtim të Kovaçicës për t’u bashkuar me shokët e tjerë të nesërmen në Sllakofc dhe Ceceli.[82]

Në gjendjen e krijuar, Brigada 141, ndahet në tri pjesë dhe shkëputet lidhja e komunikimit. Tashmë,njësitet që ishin në Mazhiq dhe Treçali në pamundësi për ta vazhduar rezistencën në mbrëmjen e datës 15, ishin tërhequr në drejtim të Kovaçicës. Një pjesë e Brigadës kishte lëvizur në Kovaçicë e Vesekovc dhezhvendoset në Ceceli, në qendrën e Batalioni IV. Një pjesë e Batalionit III, pika në Rahovë, mbetën të veçuara nga pjesa tjetër, e cila ishte tërhequr në Bajgorë. Pjesa e Batalionit II, mbetet e shkëputur nga pjesa tjetër e Brigadës. Po ashtu, njësiti në Pasomë kishte mbetur i izoluar nga këmbësoria serbe në formë patkoi. Me këtë rast, bashkëluftëtarë të tjerë kishin arritur që të shkojnë dhe bëjnë njoftimin e urdhëresës që ishte për tërheqje për t’u bashkuar me pjesën tjetër të Brigadës.[83] Më 17 shtator ra edhe Pasoma dhe u pushtua Bajgora e u bashkuan forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Qafë të Çeshmes,[84] duke plaçkitur, djegur dhe shkatërruar çdo gjë.

(VIJON)

Ilustrimet © Pashtriku.org


[1] Liman Rushiti, Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2004, f. 65-71.

[2] L. Rushiti, “Rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesve serbo-malazezë, 1912-1914”, Kosova, nr. 24-25/2002-2003, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2003, f. 166-169.

[3] Sabri Rexha, Historia demografike e Kosovës – Vështrim historik nga mesi i shekullit XIX, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2013, f. 134-135.

[4] Histori e Popullit Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë: Toena 2002, f. 442.

[5] Mikel Ndreca, 87 vjet terror dhe gjenocid shtetëror 1912-1999, Prishtinë, 2001, f. 42.

[6] Po aty, f. 42

[7] Hakif Bajrami, Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë më 1918-1941, Prishtinë, 1981, f. 52.

[8] Milovan Obradović, Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovo 1918-1941, Pristina, 1981, f. 221.

[9] Arkivi i Kosovës, Fondi diplomatik i MPJJ, Ambasada jugosllave në Turqi, Kutia III, f. 5, Dosja II, 1939, f. 65-66.

[10] Fletorja zyrtare 19 qershor 1943-XXI, Nr. 70, f. 4. Dekret Mëkambësuer Nr. 189, Krijim i Këshillave Administrative në Viset e Lirueme, Tiranë, 28 maj 1943. Alberto Pariani, Ekrem Libohova & Kolë Bibë Mirakaj.

[11] Hysni Myzyri, Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001, f. 293-294.

[12] Ana Lalaj, “On the Bujan Conference”, The Truth about Kosovo, The Academy of Sciences of the Republic of Albania, The Institute of History, Tirana, 1993, f. 207.

[13] Zbornik Dokumenata i Podataka o Narodnooslobodilačkom ratu, Tom II, Knjiga XV, Dokumenata Centralnog Komiteta KP Jugoslavije i Vrhovnog Štaba NOV i PO Jugoslavije i Generalštaba JA, 1 janar – 15 maj 1945, Vojnoistorijski Institut, Beograd, 1982, Dok. 96, f. 169.

[14] Historia e popullit shqiptar, Vëll. IV,  Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Toena, Tiranë, 2007, f. 341-342.

[15] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, f. 338.                                                                                

[16] Kosovo: pravo i politika, Kosovo u normativnim aktima pre i posle 1974. godine, Helsinki odbor za ljudska prava u Srbiji, Beograd, 1998, f. 12.

[17] Lefter Nasi, Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë (1981-1986), Toena, Tiranë, 2011, f. 98.

[18] Zekeria Cana, Fejton (XIV), Kosova Sot, 26 shtator 2000, f. 19.

[19] “Report”, The Truth on Kosova, f. 345.

[20]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1991, Dosja 1598, Deklaratë e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, f. 141-142.

[21] AMPJ, viti 1990, Dosja 1098, Rezolutë mbi gjendjen në Kosovë, f. 5-7; 12-14.

* Concurrent Resolution – Rezoluta e Përbashkët është një rezolutë që aprovohet nga dy dhomat e legjislativit dhe për të nuk kërkohet nënshkrimi i shefit ekzekutiv dhe nuk e përmban fuqinë e ligjit.

[22] AMPJ, viti 1990, Dosja 957/1, Rezolutë e Senatit Amerikan për Kosovën, dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë nga përfaqësuesi i përhershëm i RPS të Shqipërisë pranë OKB-së, Bashkim Pitarka, Nju Jork, më 4. 7. 1990, f. 11-16.

[23] Raporti kosovar, Instituti për kërkime dhe zhvillimeve të politikave, Seria e kërkimeve politike, KIPRED, Prishtinë, 2005, f. 42; 304-305 – Shqiptarët e Kosovës u ftuan si vëzhgues, por jo si pjesëmarrës. “Nëse planifikoni të jeni në Londër në kohën e mbajtjes së Konferencës”, i shkruante Lordi Kerington Rugovës, do të ishte e mundur që t’i keni disa takime, mirëpo “për arsye praktike dhe të tjera nuk do të jetë e mundur që delegacionit tuaj t’i ofrojmë qasje në konferencë (…) Po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar që pikëpamjet e shqiptarëve të Kosovës të dëgjohen…”.

[24] Shala e Bajgorës është një hapësirë gjeografike e populluar kryesisht me popullsi shqiptare, si një tërësi kompakte e etnografike. Shtrihet ndërmjet qyteteve: Leposaviqit (në veri), Podujevës (në lindje), Vushtrrisë (në jug) dhe Mitrovicës e Zveçanit (në perëndim). Rreth dyzet fshatra në lindje të lumit Ibër (Angrit të lashtë), u takojnë këtyre komunave, si Albanikut (Leposaviqit): Ceraja, Lumbardhi (Bistrica) e Koshtova e Vllahisë; Zveçanit: Këlmendi, Boletini e Zhazha; Mitrovicës: Shpati (Shupkovci), Kodra (Zasella), Rrëzhana (Strana), Gurakuqi (Kutllovci), Stantërgu, Lumëzi (Reka), Rahova, Kçiqi i Vogël, Shkemzeti (Cërrnusha), Rashani, Mazeti (Mazhiqi), Tërstena, Bajgora, Barja, Vidusha (Vidishiqi), Maxhera, Melishta (Melenica), Lajthishti (Zabërrxhë), Kaçanolli, Ukshinaj (Kovaçica), Starasella, Rrëzhana, Delmari (Ofçari), Dedaj (Dedia), Batahiri, Lisi (Lisica), Vllahia, Bletaja (Selaci), Zijaça, Sheshi i Vjetër, Trepçalitë etj.; Vushtrrisë: Kurillova, Skroma, Lajthiza, Gumnishta, Sllakovci (Gryka), Vesekofci; dhe Besianës (Podujevës): Zhitia e Breca. Në aspektin gjeografik, në territorin e Shalës së Bajgorës bëjnë pjesë edhe disa fshatra tjera, si: Rudari i Madh, Rudari i Vogël, Jozheviku, Kamenica, Bugariqi, Grabovci etj. Shih: Fazli Hajrizi, Mitrovica dhe Shala e Bajgorës në fokusin e historisë (Ngjarje, personalitete historike, arsimore dhe kulturore), Prishtinë: “Libri Shkollor”, 2011, f. 23.

[25] Gjykata e Qarkut Prishtinë (më tej: GJQP), P. nr. 37/97, Në emër të popullit, Aktgjykim, Besim Rama, Sahit Jashari, Ali Januzi, Idriz Asllani, kryetarja e Kolegjit, gjyqtarja Sllagjana Petroviq, Prishtinë, më 21.07.1997, f. 6.

[26] Fjalori Enciklopedik i Kosovës, I, A-K, Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2018, f. 812.

[27] GJQP, P. nr. 37/97…, f. 40.

[28] Intervistë dhënë autorit nga Shekip Fazliu, ish-komandant i Kompanisë së Dytë në kuadër të Batalionit IV të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, 15 dhjetor 2019.

[29] Intervistë dhënë autorit nga Rexhep Suma, ish-komandant i Njësitit për Intervenime të Shpejta të Brigadës 141 “Mehë Uka”, 20 qershor 2019.

[30] Safet Hasani, Enver Tahiri, Çyqavica çerdhe trimash, Prishtinë:  Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, 2012, f. 48.

[31] Intervistë dhënë autorit nga Arif Krasniqi, ish-komandant i Batalionit Parë të Brigadës 142, korrik 2020.

[32] NK – SO89, Humbjet e policisë serbe gjatë luftës në Kosovë, f. 15, 19; Kosova Arkiv, Artim Jashari – Lajmet e televizioneve më 6 maj 1998, publikuar 31 tetor 2018, https://www.youtube.com/watch?v=L9AU0U_7bSg

[33] Halit Barani, Tmerri i dokumentuar,Mitrovicë: “Viprint”, 2009, f. 175.

* Fshat në komunën e Mitrovicës.

[34] Buletini, Nr. 1, 6 janar 1999, Arkivi i Brigadës 141 “Mehë Uka”.

[35] Intervistë dhënë autorit nga Emin Musa, ish-ndihmëskomandant i Personelit, të Brigadës 141 “Mehë Uka”, dhe njëri ndër themeluesit e saj, mars 2019.

[36] Miftar Kurti, “Zona Operative e Shalës në shtypin e Kosovës dhe Shqipërisë (1998-1999)”, Kosova, nr. 44/2019, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2019, f. 233.

[37] Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.

[38] Intervistë dhënë autorit nga Nexhat Dedia, ish-pjesëtar  i Njësitit të Parë  në Zabërrgjë, dhjetor 2019.

[39] Arkivi i Institutit të Historisë, Prishtinë (më tej: AIHP), Fondi: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (më tej: UÇK), Shtabi i Përgjithshëm (më tej: SHP),  Nr. 442-7/661, Sekret ushtarak, Prishtinë, më 19.11.1998, Jakup Krasniqi.

[40] Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe – Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Botim i dytë, Prishtinë: Gjon Buzuku, 2006, f.101,  117.

[41] Skender Zhitia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- Zona Operative e Llapit, Prishtinë: Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 2008, f. 62, 64.

* Nënkupto Nënzonë Operative deri në nëntor të vitit 1998. Shih më lart vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të datës 12 nëntor 1998.

[42] Skender Zhitia, Roli i Mbrojtjes Civile në luftën çlirimtare të Kosovës 1998-1999, (Punim doktorate), Prishtinë: Fakulteti Filozofik, 2019, f. 50.

[43] Međunarodni Krivični Sud za bivšu Jugoslaviju (më tej: MKSJ), Tužitelj protiv Milana Milutinovića, Nikole Šainovića, Dragoljuba Ojdanića, Nebojše Pavkovića, Vladimira Lazarevića i Sretena Lukića (I. dio), Predmet br. IT-05-87-T, Presuda 1 od 4, 26 februar 2009, f. 321. https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/tjug/bcs/jud090226p2_bcs.pdf

* Mehë Uka, u lind në Bajgorë, më 26 dhjetor të vitit 1962. Si i ri filloi veprimtarinë kombëtare në kushte ilegaliteti. Ishte një nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981. Pas shtypjes së demonstratave, për dy muaj u burgos në Prishtinë. Në shkurt të vitit pasues u arrestua, u burgos dhe u dënua me 18 muaj burgim të rëndë për organizim dhe propagandë kundër shtetit jugosllav. Edhe, në vitin 1984, ndërkohë që po kryente shërbimin ushtarak në Kumanovë, u arrestua nga Policia Ushtarake e Armatës Popullore Jugosllave dhe iu dorëzua UDB-së, ngaqë kishin dekonspiruar grupin konspirativ, në të cilin kishte vepruar edhe Meha. Pas hetimeve gjashtëmujore, u dënua me 7.5 vjet burg, të cilat i vuan në burgjet e Prishtinës, Prizrenit, Somborit, Zrenjaninit dhe Mitrovicës. Në dhjetor 1990, u lirua në bazë të një amnistie të përgjithshme. Me 1993 ishte pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Për të tretën herë, më 1994 e burgosën për dy muaj në Burgun Ushtarak të Nishit. Pas lirimit, më 1996, iu bashkua shokëve të hershëm të idealit dhe inkuadrohet në radhët e LKÇK-së, duke shërbyer si platformë e ndërtimit të identitetit politik në fillet e grupeve ilegale me synim të organizimit të luftës së armatosur.Një nga detyrat e cila iu besua ishte ajo e koordinatorit si dhe përgatitja e një platforme të përbashkët për unifikimin e forcave për çlirim. Pas disa takimeve të mbajtura, në parim ishte arrit marrëveshja për bashkimin e të gjitha formacioneve klandestine në një front të vetëm, kishte mbetur vetëm nënshkrimi formal i saj, por më 29 dhjetor 1996,armiku i organizoi një pritë në fshatin Lushtë, me ç’rast dhe mori rrugën e përjetësisë. Më 1 janar 1997, u bë varrimi i tij në fshatin e lindjes, në Bajgorë të Shalës. Me emrin e tij sot janë emërtuar shkolla, rrugë, sheshe, janë thurur këngë e poezi, u ngritën përmendore, etj.

[44] S. Hasani, Enver Tahiri, Çyqavica çerdhe trimash…, f. 52.

[45] Miftar Kurti, Vrojtime historike, Prishtinë: Faik Konica, 1997, f. 77-78.

[46] Intervistë dhënë autorit nga Hasan Preteni, ish-komandant i Batalionit III të Brigadës 141 “Mehë Uka”, dhjetor 2019.

[47] AIHP, Fondi UÇK, Dosja SHP, Rregullore e Përkohshme e Organizimit të Jetës së Brendshme të Ushtrisë, Prishtinë, 1998, f. 1.

[48] M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 79; Komandanti i Zonës së Katërt Mbrojtëse të TMK-së, Rrahman Rama, “Fushata ajrore e NATO-s për ne ishte shpresëdhënëse”, Kosova sot, 25 mars 2000, f. 5.

[49] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV, dokumenti Nr. 702/98/3, Fondi “Vendlindja Thërret”.

[50] Po aty, Bashkatdhetarëve tanë që përkohësisht punojnë dhe veprojnë në botën e jashtme, Shalë e Bajgorës, 20.10.1998, Shtabi i UÇK-së për rajonin e Shalës.

[51] Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Nënzona Operative e Shalës, Nr. 1/33, datë 10.11.1998, Shalë e Bajgorës, Nënzona Operative e Shalës, komandanti Rrahman Rama.

[52] Po aty, Vëllezërve: Shaqir Tahiri, Islam Mulaku, Fadil Haziri, Gjermani. Tema: Kërkesë për sigurimin e mjeteve materiale për nevoja të pajisjes me armë bashkëkohore, 11.11.1998, Shalë e Bajgorës, Nënzona Operative e Shalës, komandanti Rrahman Rama.

[53] Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zona Operative e Shalës, Nr. J01-004/98, më 09.12.1998, komandanti Rrahman Rama.

[54] Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zona Operative e Shalës, Nr. J01-021/98, datë 27.12.1998, “Urdhëresë për ndalimin e pranimit të ndihmave për UÇK-në nga persona të paautorizuar zyrtarë”, komandanti i ZO të Shalës, Rrahman Rama.

[55] Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zona Operative e Shalës, Brigada 141 “Mehë Uka”, Buletini, organ i Brigadës 141 “Mehë Uka”, janar 1999, Nr. 1.

[56]  Fond za humanitarno pravo (më tej: FHP), Dosije 125, motorizovana brigada Vojske Jugoslavije, Beograd, 2013, f. 9.

[57] Po aty, f. 41.

[58] Qendra për Informim në Kosovë (më tej: QIK), Informatori ditor nr. 980612, Prishtinë, 12 qershor 1998.

* Fabrika e Galanterisë së Lëkurës në Bare, ishte filial i një fabrike në Titovo Uzhice në Serbi. Fabrika kishte personel kryesisht të gjinisë femërore pothuajse nga i tërë regjioni i Mitrovicës. Aty kishin punuar edhe një numër i vogël serbësh.

[59] M. Kurti, “Zona Operative e Shalës…”, f. 233.

[60] Intervistë dhënë autorit nga Mensur Kasumi, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të Shalës, korrik 2020.

[61] Intervistë dhënë autorit nga A. Krasniqi…, korrik 2020.

[62] S. Hasani, Çyqavica çerdhe trimash…, f. 55.

[63] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, Hasan Preteni, Ditar lufte, më 10.7.1998 dhe 11.7.1998.

[64] Qëndresa dhe heroizmi i përmasave legjendare, Nëntë vjet nga beteja e Mazhiqit – në kujtim të 15 shtatorit 1998, Kujtesëfokus, 14 shtator 2007, f. 22.

[65] Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.

[66] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, H. Preteni, Ditar lufte, më 12.7.1998, 13.7. 1998.

[67] Kosovo Chronology: 1997 to the end of the conflict, Reserch and Analytical Papers, Foreign & Commonëealth Office, London, June 1999, f. 28-29.

[68] Faik Shala, “U pamundësua plani sekret i armikut për krijimin e zonës së lirë serbe nga Frashëri deri në Pantinë”, Zëri i Kosovës, 10 mars 2000.

[69] Vushtrria – Viciana me rrethinë, Kuvendi Komunal, Vushtërri 2003, f. 247.

[70] Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.

[71] Međunarodni sud za krivično gonjenje (më tej: MSKG) lica odgovornih za teška kršenja međunarodnog humanitarnog prava počinjena na teritoriji bivše Jugoslavije od 1991. Godine, Predmet br. IT-05-87/1-T, Vlastimir Djordjevic, Datum: 23. februar 2011, f. 119-120. https://www.icty.org/x/cases/djordjevic/tjug/bcs/110223_judgement_p1_bcs.pdf
* Vlastimir Gjorgjeviq u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime të kryera në Kosovë gjatë periudhës 1 janar 1999 – 20 qershor 1999, derisa ishte ndihmësministër i MPB-së dhe drejtor i sektorit për Siguri Publike.

* Sreten Lukiq – shef i Shtabit të MB-së për Kosovë që nga qershori 1998 e deri në fund të luftës.

[72] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 3 od 4, f. 445, https://hr.wikipedia.org/wiki/Rat_na_Kosovu

[73] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 31.

[74] J. Krasniqi, Kthesa e madhe…, f. 121; M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 70.

[75] M. Kurti, “Zona Operative e Shalës…”, f. 233.

[76] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, Hasan Preteni, Ditar lufte, më 12 dhe 13. 7. 1998. 

[77] Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.

[78] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, Hasan Preteni,  Ditar lufte, më 15.09.1998.

[79] Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019

[80] “Të bashkojmë mendjen e punën për ta zënë agun e lirisë”, Bujku, 30 nëntor 1998, f. 3.

[81] Qëndresa dhe heroizmi i përmasave legjendare…, f. 22.

[82] Intervistë dhënë autorit nga Emin Begu, ish-pjesëtar i Njësitit të Parë në Zabërrgjë e ish-ndihmëskomandant për Moral dhe Politikë në Brigadën 141 “Mehë Uka”, dhjetor 2019; Intervistë dhënë autorit nga N. Dedia.., dhjetor 2019.

[83] Po aty.

[84] Emin Musa, Fjalë rasti në Akademinë përkujtimore me rastin e 16-vjetorit të Epopesë së Mazhiqit, Mitrovicë, me15 shtator 2014.

————————————–

LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË ZONËN OPERATIVE TË SHALËS DHE HUMBJET E FORCAVE SERBE (2)

Nga Prof.Dr.Sabit Syla, Prishtinë 27 Janar 2024   

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura