LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (VII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

12. Letër për Sabri Novosellën, 14 prill 1981

Untergruppenbach, RFGJ

14 prill 1981

   Përshëndetje N.,

Ky është mendimi im që po ta shprehi, që po ta drejtoj, dhe që e ndiej si obligim të ta jap Ty, si historian objektiv, neutral dhe shumë i informuar për historikun e Lëvizjes-në të gjitha periudhat e emërtimet.

   Kur Suzana ka ardhë nga Shqipëria dhe i ka marrë dokumentet nga policia, (e shoqëruar nga Faridin Tafallari) Suzana ia ka dhënë mundësinë Faridinit t’i ruaj kryesisht letrat politike të Jusufit të dërguara të gjithëve dhe jo vetëm ato për Sabri Novosellën.

   Letrat janë konkrete dhe nuk ka asgjë të mistershme në raportet JG-SN.

Disa pjesë që përmenden në letrën e JG të 14 prillit dhe 3-4 rreshta në letrën e 13 majit 1981, Jusufi kurrë nuk i ka komentua me mua. Këtë çështje as SN nuk e ka komentuar me mua.

Mund të thuhet qartë se fjalët që Jusufi i shkruan për këtë temë në letrën e 14 prillit 1981, i shkruan vetëm duke u nisur nga ndërgjegjja e tij dhe aspak pse e detyron dikush.

Kjo çështje është hapur vetëm nga Jusufi, është mbyllur nga Sabri Novosella e Jusufi. Kjo çështje e mbyllur për mua nuk ka ekzistua as para e as pas17 janarit 1982.

Jusuf Gërvalla, si person me mendim të lirë nuk i ka marrë kurrë leje askujt me bashkëpunua me Ibrahim Kelmendin në periudhën janar 1980-janar 1981 (megjithë pauzave të gjata).

Jusuf Gërvalla, si person me mendim të lirë nuk i ka marrë leje askujt,

-e në asnjë mënyrë as Sabri Novosellës, për me i ndërpre përjetësisht të gjitha marrëdhëniet me Ibrahim Kelmendin në janar 1981.

Jusuf Gërvalla, me mendim të lirë, çdo germë e çdo fjalë në gazeta e letra politike i ka shkruar duke u udhëhequr vetëm nga ndërgjegjja e tij, pa qenë, faktikisht, kurrë një jetë në këtë drejtim në ndonjë lloj mvarshmërie prej askujt.

Jusuf Gërvalla kurrë në jetë nuk i la lyp ndihmë avokatit të trishtuar, Ibrahim Kelmendit që t’i ndihmoj e ta mbroj prej Sabri Novosellës dhe prej askujt tjetër.

Jusuf Gërvalla kurrë në jetë nuk i ka diskutua çështjet e brendshme të LNÇKVSHJ me avokatin e trishtuar Ibrahim Kelmendi.

Familja e Jusufit, e cila dinë më së shumti për sasinë-vëllimin e letrave të Jusufit, kanë dhënë deklarata ku i kanë shprehë mendimet e tyre edhe për Sabri Novosellën edhe për Ibrahim Kelmendin. Në ato deklarata mund të themi se gjendet e gatuar pikëpamja e tyre për kontaktet e kaluara të

-Jusufit me Sabri Novosellën dhe të

-Jusufit me Ibrahim Kelmendin.

   Me këtë rast një gjë është me rëndësi të thuhen edhe këto fjalë, që më duken fakt i patejkalueshëm.

   Jusuf Gërvalla, me çdo vepër të tij, prej më të voglës e deri më e madhja, prej dhjetorit 1979 e deri në janar 1982, duke dalë në skenë, ballë për ballë, si ideologu-ideatori i LNÇKVSHJ-së dhe jo vetëm kaq, e ka larguar rrezikun nga të gjithë anëtarët e LNÇKVSHJ që kanë qenë jashtë Kosovës duke e vu veten dhe familjen e tij në Qendër të vëmendjes së UDB-së, duke e vu veten në vijën parë të sulmit, në vijën e parë të zjarrit, të UDB-së.

   Shumë të fala Xhaferi (Janar 2024)

***

   Fjalët e mija janë kursive. Vetëm në këtë letër të 14 prillit 1981 ngjyrat vlejnë kështu;

Ngjyrën e gjelbër e kam përdorë për çështje që kanë kryesisht të bëjnë me JG,

Ngjyrën e verdhë e kam përdorë për çështje që kanë kryesisht të bëjnë me IK,

Shkronjat e kuqe i kam përdorë për çështje që kanë kryesisht të bëjnë me KZ-OMLK,

I dashuri shok, Bashkim,

   Tani më lejo të të bëj një

1.-RAPORT të shkurtër për punën time nga dita e arratisjes sime e këndej.

Letra e 14 prillit 1981 i ka 2329 fjalë: 971 kanë të bëjnë vetëm me një çështje SN-JG.

Pjesa e dytë i ka 1353 fjalë. Është me rëndësi që këtë pjesë të dytë Jusufi e quan

-raport të shkurtër për punën time nga dita e arratisjes sime e këndej.

Pra që në letrën e parë, pjesën kryesore të saj JG e quan raport. Kjo do të thotë se fjala raport nuk ka pikur nga qielli më 31 korrik 1981.

2.-Puna e parë që bëra, u bëra një telefon shokëve të ambasadës shqiptare në Vjenë.

Fjalia e mësipërme tregon se JG merr kontakt me shtetin shqiptar-Ambasadën në Vjenë pa asnjë lidhje e konsultimi me IK.

I njoftova për çështjen time dhe i luta të më ndihmojnë me ndonjë këshillë për të mos bërë ndonjë gabim ideologjik a taktik gjatë strehimit në këtë vend kapitalist. Ata, si zakonisht, u treguan të kursyer, po megjithatë patën njëfarë mirëkuptimi. Pastaj sipas marrëveshjes që kishim së bashku me ty, unë i informova Organizatën e Amnestisë Ndërkombëtare dhe Radio Londrën për gjendjen e vështirë në Kosovë dhe për burgosjet masive politike të shqiptarëve. Me sa di, Radio Londra s’ka marrë gjë para syshë, kurse Amnestia I. e dërgoi menjëherë tek unë përfaqësuesen e vet nga Londra dhe mori përsipër përkujdesjen për të gjithë ata të burgosur politikë shqiptarë, për të cilët unë ia dola ndërkohë të mbledh ndonjë shënim.

   Në të njëjtën kohë shkrova një artikull të gjatë, të cilin ia dërgova magazinës së përjavshme gjermane „Der Spiegel“. Ajo, siç mund të pritej, nuk e botoj artikullin në fjalë, por një artikull të një redaktori të vet, me disa të dhëna nga artikulli im po edhe me disa poshtërsi karakteristike për shtypin e këtushëm.

(3) Në fillim të qëndrimit këtu, më ofroi bashkëpunim me gazetën „Bashkimi“, organ i Frontit të Kuq Popullor, njëri nga bashkëpunëtorët e saj. Meqë gazeta edhe më parë shkonte në popull, madje në një gjendje të keqe, unë e pashë të udhës dhe të lejueshme dhe bashkëpunova me të në disa numra (të cilët po t’i dërgoj menjëherë – te artikujt e shkruar prej meje po e vë nga një shenjë).

Këta katër rreshta e gjysmë janë të vetmet fjalë të JG për FKP – Bashkimin – IK, të cilin JG e përmend në formën

-njëri nga bashkëpunëtorët e saj

Dhe asgjë më shumë.

   Pastaj, nga Kosova më erdhi një student për vizitë dhe më solli një letër nga një i njohuri im i mëparshëm. Ky më njoftonte në letër se ishte pjesëtar i një organizate të vogël patriotike (unë atë person e dija për atdhetar) dhe, duke shprehur gatshmërinë e vet dhe të shokëve të vet për luftë të pakompromis për atdhe, me lutej që të merrnim kontakt dhe t’u delja në ndihmë me ndonjë këshillë a udhëzim. Unë, edhe lidhur me këtë e pashë të udhës të përgjigjem pozitivisht. Madje nga njoftimet që zunë të me arrijnë pastaj për riorganizimin e kujdesshëm të atij grupi, mora impulse edhe për ta nxjerrë vetë (me përballime të mëdha materiale e pa bashkëpunëtorë) edhe revistën e përdymuajshme „Lajmëtari i lirisë“, tre numrat e parë të së cilës po t’i dërgoj me këtë udhë. (Lidhur me atë krah të ri, që pranoi Statutin dhe programin e Organizatës e riorganizimin, përditë po më arrijnë fjalë gjithnjë e më të mira.)

   Qëkur ndodhem këtu, kam qenë mjaft aktiv në propagandë dhe agjitacion. Në Shtutgard dhe në rrethin e këtij qyteti ka shqiptarë të ndershëm, që e presin me padurim fjalën patriotike dhe revolucionare.

(4) Përveç kësaj, kam udhëtuar edhe në shumë qendra të tjera të RFGJ.

Këto fjalë tregojnë se JG nuk ka jetuar i izoluar në burg shtëpiak si gënjen IK.

(5)Kam kontakte (sado të pakta) edhe me njerëz jashtë këtij vendi, por deri më tash nuk kam mundur të udhëtoj, sepse nuk kam pasur dokumente.

(6)(Dje, bashkë me letrën tënde, më arriti edhe njoftimi  se më është dhënë strehimi politik në RFGJ, në bazë të kërkesës së paraqitur para 16 muajsh.)

Prej 13 prillit 1981 Jusufi ka të drejtë në dokument udhëtimi-pasaportë refugjatësh.

(7)Konkretisht, në rrethin e Shtutgartit janë nja 7 – 8 shokë të gatshëm e të përshtatshëm për punë patriotike-revolucionare.

Këta 7-8 shokë Jusufi i konsiderohen se mund te jenë anëtar të LNÇKVSHJ. Ky numër ka qenë në ditët e para të demonstratave në Kosovë por me zhvillimin e ngjarjeve ka ndryshuar shumë dhe është rritur si pasojë e ngjarjeve në Kosovë dhe aktiviteteve në Evropë.

IK gënjen në mënyrë djallëzore se ky numri 7-8 i përmendur më 14 prill 1981 ka mbetur i pandryshuar edhe më 17 janar 1982.

Ata presin ndonjë orientim nga unë. Po unë duke qenë edhe vetë në mjegull për gjendjen time, nuk kam dashur t’i ngashnjej e pastaj t’i lë në gjysmë të rrugës. Prandaj u kam folur për gjëra të përgjithshme në çështje të organizimit, të propagandës dhe të agjitacionit si dhe kam bërë përpjekje për t’ua dhënë elementet e domosdoshme shkencore të historisë kombëtare dhe të lëvizjes komuniste shqiptare e ndërkombëtare. Janë punëtorë dhe ma ka marrë mendja se në radhë të parë u duhet një ngritje ideore, politike e shkencore.

   (8)Tani së fundi jam në kontakt edhe me një shok të grupit të Marksistë-leninistëve të Kosovës, të tubuar rreth organit të tyre „Liria“.

-Personalisht, për organin e tyre kam mendim shumë të mirë,

-(9)po edhe shoku me të cilin kam kontaktuar duket shumë i ngritur dhe i pjekur.

Pjesa e mësipërme (9) vërteton se JG është takuar fizikisht me KZ një kohë të mirë para 11 prillit 1981. Pasi Jusufi nuk ka mundur të shkoj në Zvicër mund të vijmë patjetër tek përfundimi se KZ ka qenë tek Jusufi në Gjermani.

IK sa e sa herë thotë se udhëtimi i parë i JG jashtë Gjermanisë ka qenë në dasmën e KZ.

Është e pamundur të thuash për dikend

duket shumë i ngritur dhe i pjekur.

-Pa e takuar fizikisht, dhe

-nga një takim i vetëm të nxjerrësh konkluzione për një person se është shumë i ngritur dhe  i pjekur.

(10)Ka një mirëkuptim mes nesh dhe kemi rënë në ujdi që t’i bashkërenditim veprimet.

Ta analizojmë fjalinë:

Ka një mirëkuptim mes nesh

Këtu me fjalët mes nesh është fjala vetëm për JG-KZ dhe nuk ka asnjë përzierje e aludim tek IK.

dhe kemi rënë në ujdi që t’i bashkërenditim veprimet.

Kjo pjesë e ka vetëm këtë kuptim

kemi rënë në ujdi

Kush ka rënë në ujdi?

Vetëm JG dhe KZ dhe në asnjë mënyrë nuk përmendet IK.

(11)Lidhur me këtë, për fillim, kemi zënë të organizojmë një varg demonstratash, nëpër qendra të ndryshme evropiane, që kanë për qëllim të bëhen përpjekje të zëshme e ngjarjeve aktuale në Kosovën tonë trime.

kemi zënë të organizojmë

Me këtë shprehje kuptohet se JG bënë aktivitet të organizuar vetëm me KZ

Demonstrata e parë, shumë e suksesshme, është bërë para ambasadës jugosllave në Bern të Zvicrës, më 11 prill, në të cilën kanë marrë pjesë edhe shqiptarë nga RFGJ. Demonstrata e dytë do të mbahet po në Zvicër, në qytetin Cyrih, më 18 prill, kurse të tretën e kemi parashikuar në Stutgart, aty nga 26 prilli.

12.Parullat e demonstratave kanë një përmbajtje thellësisht marksiste-leniniste

dhe përkrahin deri në fund kërkesat e rinisë heroike të Kosovës për republikë (që nënkupton edhe përfshirjen e tokave të popullsisë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi).

Përveç kësaj, demonstratave u prin automobili me megafon, i cili i koordinon veprimet, kontrollon disiplinën dhe shprehjen unike. Me megafon lexohet në shqipe dhe në gjuhë të huaja trakti përkatës, me elemente informative e sqaruese lidhur me gjendjen e krijuar në Kosovë nga kryengritja e këtej.

Kur e mora letrën tënde të çmuar,

-unë isha duke përgatitur një trakt të gjatë për opinionin gjerman e zvicëran,

-kurse shoku i „Lirisë“ e përgatit traktin për shqiptarët e mërguar „ekonomik“.

  Hapi i ardhshëm do të jetë përgatitja e materialeve sa më të bollshme për informimin e opinionit, të qeverive evropiane dhe të Kombeve të Bashkuara lidhur me gjendjen në Kosovë. (Më vonë, suksesivisht, do të t’i dërgoj kopjet e materialeve të shkruara për këtë qëllim.)

   Kam pasur nderin të njihem edhe me sekretarin e parë të Partisë Komuniste Gjermane, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri dhe i kam dërguar një letër me lutjen që edhe ai me partinë e tij të shikojë ndonjë formë të përshtatshme ndihme për përkrahjen morale të popullit shqiptar të Kosovës. Ende s’kam marrë përgjigje prej tij, por shpresoj se megjithatë do të na ndihmojnë patjetër, sepse për këtë i obligon drejtpërdrejt edhe artikulli i „Zërit të popullit“ i datës 8 prill, se siç dihet, kjo parti e komunistëve gjermanë ka për busollë të vetme PPSH-në.

   Sa për situatën në Kosovë, megjithë krimet e pashembullta fashiste që ushtron armiku ynë mizor e që prekin thellë në zemër çdo shqiptar dhe jo vetëm shqiptarët, unë jam shumë optimist. Arsyet i mendoj kësisoji: 1) Doli sheshazi mospajtimi i shqiptarëve me armikun e egër, qeverinë shoviniste të Beogradit; bota, që sot po e bën veshin shurdh e syrin qorr për çështjen shqiptare, në mos sot, nesër do të detyrohet patjetër të ballafaqohet në mënyrën më serioze për këtë çështje, deri në fitoren tonë përfundimtare. 2) Popullsia e Kosovës, e ballafaquar me tanket, aeroplanët, helikopterët e me gjithë pancirin tjetër të ushtrisë dhe policisë serbe, nuk u frikësua dot, po qëndroi pa iu trembur syri; kjo popullsi tregoi se është e zoja të çohet në kryengritje dhe ta bëjë edhe luftën përfundimtare për çlirimin nga armiku mizor dhe bashkimin me vendin amë. 3) Vetë armiku, që kohë më parë e dinim edhe për politikan të regjur, me këtë intervenim ushtarak e policor mbi shqiptarët bëri pa dyshim gabimin më të madh në historinë e vet shtetërore-politike; ky gabim do t’i kushtojë shtrenjtë, sepse gjithë situata, edhe në mos vazhdoftë menjëherë lufta definitive për bashkim me Shqipërinë tonë, pra gjithë situata do të ndjekë në të ardhmen e afërme atë drejtim, i cili do ta sjellë shqiptarin në potez për të zgjedhur se ç’dëshiron brenda kuadrit të Jugosllavisë, madje duke na lejuar të bëhemi edhe mjaft nazeqarë…

   Ja, pra, këto ishin disa nga punët dhe mendimet e mia në këtë situatë të vështirë.

   Tani, me shpresë se edhe për mua personalisht, në saje të mirëkuptimit të shokëve, do të ketë ndonjë ditë më të bardhë, po e përfundoj këtë letër dhe po të përcjell të fala shqiptare e revolucionare.

                                               Sokoli

POPULLI YNË ËSHTË I PAMPOSHTUR DHE DO TË FITOJË!

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS

Janar 1980 – Janar 1982 (VIII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura