LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (VIII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

13. Letër për Sabri Novosellën, 13 maj 1981

13 maj 1981, RFGJ

   I dashur vëlla, Mërgim!

   Diku thellë në ndërgjegje e dija se do të ma falje gabimin më të madh në jetën time. Kjo shpirtbardhësi e zemërgjerësi jotja mua më shpëtoi me fytyrë. Prandaj, do të të jem mirënjohës për tërë jetën. Dhe kurrë nuk do të harroj se kjo gjë, në vend që ta zvogëlojë, do do ta rritë edhe më shumë gabimin tim të pafalshëm. Por, meqë ti u bërë burrë dhe meqë situata në Atdheun tonë e do që të punojmë me një vrull të madh, atëherë çështjen time, siç ke propozuar edhe vetë, e lëmë për ta shqyrtuar hollësisht kur të na paraqitet rasti, kurse tash po u jepemi punëve me gjithë fuqinë që kemi.

   Letrat e tua dhe materialet e shkruara i mora me kohë.

1.Por, i lejova vetes të ta vonoja pak përgjigjen, për arsye se isha i zënë me disa punë të nisura, shumë të ngutshme.

 Në pjesët e mëposhtme jepet shkaku pse Jusufi është i zënë më punë shumë të ngutshme.

2.Me një shok të „Lirisë“ organizuam në Zvicër dhe në Gjermani katër demonstrata të punëtorëve kosovarë në botën e jashtme, dhe jemi në prag të organizimit të demonstratës së pestë.

    Me një shok të „Lirisë“ organizuam=Jusufi flet se ka bërë punë të organizuar vetëm me Kadri Zekën dhe askend tjetër.

    Jusufi kurrë nuk e ka nënvlerësuar punën e askujt. Këtë nuk e bënë as në fjalët e mësipërme. Fjalët e tij janë demaskuese për të gjithë shpifësit e provokatorët.

3.Duheshin shkrime, trakte dhe fjalime, pastaj duhej një vrap i madh për tubimin e njerëzve. Demonstrata e parë u mbajt më 11 prill në Bernë të Zvicrës, e dyta më 18 prill në Cyrih të Zvicrës, kurse treta dhe e katërta në Shtutgart e Dyseldorf të RF Gjermane, më 25 prill, përkatësisht më 9 maj.

   Prej 11 prillit deri më 4 korrik 1981, Jusuf Gërvalla me Kadri Zekën organizojnë tetë demonstrata, në këto data:

11 prill      Bern

18 prill      Zurich

25 prill      Shtutgart

9 maj   Dusseldorf

16 maj       Munchen

30 maj       Gjenevë

13 qershor      Bruksel

4 korrik     Frankfurt

Në korrik Jusufi dhe Kadriu vendosin t’a ndërpresin organizimin e demonstratave për t’iu përkushtuar çështjeve organizative.

  • Sabri Novosella – Maxhuni

Në demonstrata u hodhën po ato parulla që ishin hedhur në demonstratat në Kosovë. Para ambasadave u mbajtën kudo mitingje protestuese, me fjalime të rëndësishme, që demaskonin qëllimet dhe veprimet fashiste të jugosllavëve dhe tregonin qëllimin e vërtetë të kryengritjes në Kosovë si dhe shkaqet e saj të vërteta.

Thuaja në të gjitha demonstratat e organizuara ishin bashkë me ne edhe komunistët dhe demokratët gjermanë dhe shumë komunistë nga radhët e punëtorëve turq, qoftë fizikisht, qoftë me trakte e fjalime në të cilat paraqitej gjendja reale në Kosovë dhe dënohej rëndë veprimi fashist i policisë dhe i ushtrisë jugosllave mbi popullsinë e pafajshme dhe duarthatë të Kosovës.

4.Demonstrata e ardhshme do të bëhet në Mynih të RF Gjermane, të shtunën, më 16 maj.

   Në të gjitha demonstratat ka dominuar rendi dhe disiplina e shkallës më të lartë si dhe shprehja e indinjatës më të thellë të punëtorëve tanë e të qytetarëve të këtushëm për ato që po ndodhin në Kosovë. Vetëm në Shtutgart ndodhi një incident, por, edhe ky në fitoren tonë: njerëz të Konsulatës jugosllave fotografonin dhe xhironin demonstrantët, me qëllim që t’i frikësojnë për pjesëmarrjen e tyre në demonstratë. Disa punëtorë nga radhët e demonstrantëve u ndanë me një rast dhe hynë në një shkollë jugosllave, nga na xhironin me kamerë filmike. Ua morën filmin dhe e rrahën xhiruesin, i cili s’donte ta jepte atë në asnjë mënyrë. Aktorët e kësaj përleshjeje jo vetëm që dolën faqebardhë, pa gërvishjen më të vogël, por edhe policia gjermane i mbajti vetëm dy orë dhe i lëshoi nga burgu, kurse shtypi gjerman, sipas deklaratës së vet policisë së Shtutgartit, fajtor për incidentin i cilësoi jugosllavët dhe jo demonstrantët tanë.

   Një hap tjetër revolucionar që u bë këto ditë në Gjermani, qe pushtimi nga punëtorët tanë i dy klubeve kosovare, të cilat deri më tash ishin bërë çerdhe spiunazhi e propagande të njerëzve të konsullatave jugosllave. Punëtorët revolucionarë i morën në dorë ato klube, hoqën flamurin jugosllav dhe fotografitë e xhelatit Tito, ndoqën së andejmi njerëzit e konsullatave, përderisa ngjarjet në Kosovë të vazhdojnë të trajtohen kështu nga ana e qeverisë jugosllave. Klubet e pushtuara ndodhen në Dyseldorf dhe në Bilefeld. Policia gjermane jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me këtë aksion, por e konsideron edhe shumë të drejtë, meqë sipas statusit të tyre, klubet duhej edhe më parë të ishin të pavarura nga ndikimi i konsullatave. Tani kemi shpresë se ky shembull do të ndiqet në të gjitha ato qendra ku kanë ekzistuar deri me tsh klube që veç emrin e kanë pasur kosovar. Dhe kjo gjë ka rëndësi mjaft të madhe.

 5.Vëlla, Mërgim! Kohë më parë, unë i kisha nisur një letër njërit nga anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Gjermane, të cilin e kam njohur personalisht. Iu drejtova me kërkesën që ta përdorë autoritetin e Partisë së tij dhe të na dalë në ndihmë në një mënyrë apo në një tjetër. Ato ditë Radio Tirana transmetoi edhe artikullin e parë të „Zërit të popullit“ lidhur me ngjarjet në Kosovë, kështu që komunistët e këtushëm morën qëndrim zyrtar që të solidarizohen me Kosovën dhe ta ndihmojnë luftën e popullit tonë me të gjitha mjetet që kanë në dorë.

6.Në fillim të fillimit ata botuan gjermanisht në organin e tyre „Roter Morgen“ artikullin e „Zërit të popullit“ dhe neve na nxorën lejet zyrtare te policia gjermane për mbajtjen e demonstratave. Po kështu, me luftën tonë janë solidarizuar edhe komunistët zvicëranë dhe ata turq në botën e jashtme.

neve na nxorën lejet zyrtare te policia gjermane për mbajtjen e demonstratave.

   Këtë punën e nxjerrjes së lejeve për demonstrata shokët gjerman dhe përkrahësit e të drejtave shqiptare për barazi e kanë vazhduar menjëherë pas 17 janarit 1982 dhe kanë vepruar kështu për shumë vite.

   Kjo do të thotë se shokët e Jusufit e Bardhoshit në Shtutgart asnjëherë nuk kanë qenë në ”mëshirën, përvojën e diturinë” e asnjë shpifësi e provokatori se si organizohen demonstrata në Evropë.

   Këto fjalë vlejnë në radhë të parë për Ibrahim Kelmendin i cili në romanin Atentatet dhe librin Lëvizja të Bedri Islamit, në thelb deklaron se pas 17 janarit 1982, në shtëpinë e Jusufit shumë veta ia kanë pasur inati por prapë se prapë nuk kanë mund të bëjnë pa te sepse ia kanë pasur nevojën, sepse nuk kanë ditur si organizohen demonstrata.

 7.  Tani, në bashkëpunim me komunistët gjermanë e zvicëranë, unë dhe një shok i „Lirisë“ jemi duke punuar në formimin e disa komiteteve për Kosovën. Këto komitete do të përbëhen prej autoritetesh të njohura gjermane e zvicërane, si politikanë, shkrimtarë e artistë të njohur demokratë. Konkretisht, në komitetin që do të formohet në Gjermaninë Federale, kemi rënë dakord që nga pala shqiptare të hy unë, kurse në atë në Zvicër, një shoku i „Lirisë“. Komitet kanë për qëllim ta sheshojnë të vërtetën mbi Kosovën dhe të organizojnë ndihma të ndryshme për popullin tonë të shumëvuajtur. Komitetet do të bëjnë demarshe pranë qeverive dhe ndoshta edhe pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe do të përpiqen të ndikojnë sa më shumë në shtypin evropian e botëror, duke e ushqyer këtë shtyp me të dhëna faktografike mbi Kosovë, në mënyrë që demagogjia jugosllave të demaskohet në përmasa të gjera.

   Po kështu, komitetet do të hapin edhe xhiro-llogaritë për ndihma materiale dhe do të caktojnë qendra me adresa ku të arrijnë të dhëna konkrete lidhur me numrin e të vrarëve, të plagosurve dhe të të burgosurve në ngjarjet e fundit në Kosovë. (Prandaj, është mirë që qysh tash tani, shokët të mbledhin sa më shumë informata dhe, kur të formohen komitetet, t’i ushqejmë ato me të vërteta në shkallë sa më të gjerë.)

    Idetë e Jusufit për këto Komitete nuk janë realizuar në praktikë për shkak të qëndrimit të OMLK-së që të mos bashkëpunohet me të huajt.

   Tani, vëlla Mërgim, lejomë t’u përgjigjem disave nga pyetjet që shtron ti në letër.

8.   „Lajmëtarin e lirisë“, siç të pata shkruar edhe më parë, e kam nxjerrë kryekëput vet, bile, 80 për qind të shpenzimeve rreth botimit të tij i kam paguar vetë nga të ardhurat e mia dhe të vëllaut. Duke qenë puna kështu, është e natyrshme që niveli të mos ketë qenë në nivel dhe të jetë përvjedhur edhe ndonjë gabim. (Aq më parë, kur për shkrime kam qenë i angazhuar edhe në gazetën „Bashkimi“.)

    Jusufi në letrat dërguar Nuhi Sylejmanit dhe Sabri Novosellës e thotë në mënyrë shumë konkrete punën e tij me ”Lajmëtarin e lirisë”.

9.   Gjëja më e rëndësishme lidhur me „Lajmëtarin“ është se, duke qenë krejt i vetmuar, nuk e mora dot guximin ta emëroja atë si organ të LNÇKVSH.

   Jusufi këtu e shpjegon shkurtimisht pse nuk e ka emërua ”Lajmëtarin” si organ të LNÇKVSH.

   Në një pyetje timen të drejtpërdrejtë Jusuf Gërvallës, pse e ke nxjerrë “Lajmëta­rin e lirisë” pa e përzier atë me organizatën të cilës i takonte, Jusufi më përgjigjet: “Unë nuk kam pas lidhje me LNÇKVSHJ e me KQ, unë nuk kamë marrë asnjë direktivë për të nxjerrë ndonjë gazetë. Kam vepruar kështu që të mos mundet nesër të më thotë dikush se me kënd u more vesh që e nxore gazetën në emrin e LNÇKVSHJ-së”.

   Dhe Jusufi ka pasur shumë të drejtë në veprimin e tij.

   Me kalimin e kohës kanë ndodhë ndryshime e tërmete.

   Është vërtetuar se nuk janë aq shumë ata që u përballojnë të gjitha tërmeteve.

 Kjo është e vetmja arsye pse në të nuk flitet e brohoritet në emër të Lëvizjes sonë.

   Mjafton ta përmend faktin se dy materialet e Lëvizjes, që i botova në numrin 3, i lëshova me njëqind druajtje, ngase nuk isha në gjendje të gjykoja vetë dhe të fitoj bindjen e plotë se a bëja mirë apo keq.

  Tirazhi i „Lajmëtarit“ ka qenë i vogël, nga 600 kopje. Por, kaq ka pasur aftësi të shpërndajë rrjeti i krahut të ri të Lëvizjes, që u formua në Kosovë pas ardhjes sime këtu. Por me rëndësi është fakti se atë e ka shpërndarë pikërisht ai krah.

  10. Unë, që në fillim, e kam pas ditur se organ i Lëvizjes është „Zëri i Kosovës“, se kjo shihet nga vetë Statuti. Dhe, me kënaqësinë më të madhe, në vend që të dilte „Lajmëtari i lirisë“, kam mundur të bëja që të dilte „Zëri i Kosovës“.

14. Nuk e bëra për dy arsye.

-Së pari nuk isha i autorizuar nga Lëvizja.

-Së dyti, këtu kishte vepruar qysh më herët një i ashtuquajtur

Grupi Komunist „Zëri i Kosovës“, për punën e errët të të cilit me ndonjë rast tjetër mund të bëj para Lëvizjes ndonjë RAPORT të gjerë.

   Më herët e kemi parë se Jusufi pjesën e dytë të letrës së parë për Sabri Novosellën, të 14 prillit 1981 e quan RAPORT.

   Edhe në këtë letrën e dytë përmendet fjala RAPORT, ku ai në një mënyrë e shfaq mundësinë për ta bërë para LËVIZJES (do me thënë jo vetëm për Sabri Novosellën) një RAPORT më të gjerë.

   Dhe këtë punë ai e kryen pikërisht më 31 korrik 1981.

15.Tash për tash po theksoj se udhëheqësi i këtij grupi (Rizah Salihu, nga Mushtishti, një provokator ose njeri shumë naiv dhe i rrezikshëm), provoi të organizonte me shokë likuidimin tim dhe të vëllaut tim, duke na quajtur „të dërguar specialë të UDB-së“, pikërisht për arsyen se i pata thënë që „Zëri i Kosovës“ është organ  i LNÇKVSH, kurse ai e kishte marrë për emër të grupit të vet. Po për këtë arsye, para se t’i hyjmë botimit të këtij organi, duhet të marr nga Ti dhe Lëvizja edhe fjalën e fundit, sepse ka mundësi që titulli „Zëri i Kosovës“ si organ i LNÇ, të përzihet në mendjen e naivëve me Grupin Komunist „Zëri i Kosovës“.

   Shkurtimisht Jusufi shkruan për planin kriminal të Riza Salihut. Për evitimin e mundësive të ngatërrimit të emrit të gazetës ”Zëri i Kosovës” Jusufi është për një emër tjetër. Kundër pështjellimeve të tilla Jusufi i shkruan Sabri Novosellës edhe në qershor e korrik 1981.

16.   Më ke pyetur si qëndrojmë me çështjen financiare lidhur me nxjerrjen e gazetës.

   Përgjigja në këtë pyetje e fillon një seri diskutimesh rreth temës së përballimit të shpenzimeve për botimin e gazetës. Këto punë ai i diskuton vetëm me Sabri Novosellën dhe me persona të tjerë për të cilët merren vesh, e që janë larg Shtutgartit, siç do të shihet në letrat vijuese. Për punët në rrethin e Shtutgartit Jusufit nuk i nevojitet mendimi i personave që nuk e njohin atë rreth.

17.Numri i parë, i cili është radhitur dhe shtypur krejtësisht në një shtypshkronjë, e që është e natyrshme se ka dalë teknikisht më së miri, ka kushtuar 2540 mark. Ky ishte një çmim shumë i lartë sa të mund ta përballoja, madje edhe me pjesëmarrjen modeste të disa njerëzve që u treguan të gatshëm të ndihmojnë (pa ditur për çka është fjala).

Numri i parë=i Lajmëtarit të lirisë

18.Prandaj, bashkë me vëllaun, vendosëm ta marrim me kredi një makinë shkrimi të përshtatshme (është kjo me të cilën po ta shkruaj letrën dhe me të cilën janë radhitur dy numrat e fundit të „Lajmëtarit të lirisë“). Makina kushtonte relativisht pak (5080 mark) dhe, me disa funksione elektronike që kryente, jepte mundësi të nxirrej disi revista, sado që mua më ngarkonte shumë, sepse, pos që i shkruaja të gjithë artikujt, më duhej edhe t’i radhitja e t’i përgatisja teknikisht të gjitha faqet. Por, shpenzimet që mbeteshin për t’iu paguar shtypshkronjës në procesin e mëtejshëm të shtypjes e të shumëzimit të revistës, ishin shumë të vogla, vetëm 600 mark.

Makina kushtonte relativisht pak (5080 mark)=me këtë makinë me të cilën janë shkruar-radhitur numrat 2 e 3 të Lajmëtarit të lirisë, janë shkruar-radhitur edhe numrat 3 dhe 4-5 të revistës ”Liria” të OMLK-së. Për këtë punë kam shkruar më gjerësisht në një punim me titull ”Stilografat e Jusuf Gërvallës”.

19.   Por, kur është fjala për botimin e „Zërit të Kosovës“, mendoj se del edhe një problem. Sipas të gjitha gjasave, tashmë është identifikuar se kush qëndron prapa „lajmëtarit“ dhe kështu edhe mënyra se si radhitet ai.

20.Pra, kjo makinë shkrimi, sipas mendjes sime, nuk do të duhej të përdorej dhe në radhitjen e „Zërit të Kosovës“. Kurse radhitja në shtypshkronjë kushton shtrenjtë, siç u pa.

21.Mbesin dy mundësi:

-ose të shitet kjo makinë (po tash me çmim shumë më të ulët, se kështu ngjan këtu) dhe të blehet një lloj tjetër makine, duke shtuar edhe para të tjera,

-ose të merret kohë pas kohe me qira ndonjë makinë tjetër për radhitjen e gazetës.

22. Se sa do të shpenzoheshin me variantin e parë dhe sa me të dytin, të informoj këto ditë me telefon, por e di se, për një punë më të rregullt në nxjerrjen e gazetës, do të duhej një ndihmë bukur e madhe financiare.

23.Dhe unë nuk e di se sa keni mundësi, Ti me shokët, të ndihmoni së andejmi.

24.Për shembull, një makinë për radhitje, me të gjitha llojet e germave ë përdoren në gazeta e libra e që prandaj s’ka si të identifikohet, e re kushton mbi 20 mijë mark, po e përdorur ka mundësi të gjendet edhe me 10 mijë. E këto janë para të mëdha.

25.Ndryshe, po të zgjidhet çështja e makinës, shpenzimet e shumëzimit të revistës do t’i përballoja vetë, me disa shokë këtu, pa kurrfarë problemi. Këtu kam një propozim.

26.Ai shoku në Munhen, përmes të cilit e mora lidhjen me Ty, Shabani, është një milioner.

   Shaban Yldrim, Bayerstr. 5, 8000 München

  Për Shabanin kam shkruar më shumë kur e kam shqyrtuar letrën e Bardhosh Gërvallës, të 4 prillit 1981 për Nijazi Saracoglun.

Nëse shokët që ke ti atje kanë ndikim në të, atëherë ai do të mund të na ndihmonte në blerjen e një makine të tillë, bile nuk do t’i ndiente shpenzimet.

Nëse shokët që ke ti atje=Me këto fjalë Jusufi nuk e ka në mendje vetëm Nijazi Saracoglun por më tepër e ka fjalën për diplomatët shqiptar në Turqi. Pra Jusufi pret dhe shpreson që ndikimin e vetë Sabriu me diplomatët ta përdorin në drejtim të Munchenit (Shaban Yldrimit) dhe në asnjë mënyrë në drejtim të Tiranës.

Por, kjo është çështje që duhet ta vendosni ju.

Nga fjalia e mësipërme Jusufi e dëshmon se ai nuk ka as ndikimin më të vogël në atë që do të vendosë Sabriu me shokët e tij.

27. Sido që të jetë, para se t’ia nis punës në nxjerrjen e „Zërit të Kosovës“, duhet të dija se deri në çfarë shkalle mund të më ndihmoni së andejmi materialisht.

28.   Kur është fjala për materialet që mora, përveç atyre me tituj „Në Kosovë dy njerëz u ngjallën“ dhe „Adem Dema-Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare“, mendoj se të tjerët nuk kanë elemente të mjaftuara për një revistë çfarë e mendoj unë „Zërin e Kosovës“.

29.Në ta gjenden të meta ideopolitike dhe janë shkruar jo në nivel.

   Ndërtimi dhe mbajtja e një vije ideopolitike është pothuaj puna më e vështirë në organizata politike. Jusufi me një shikim të parë i ka pa të gjitha gabimet ideopolitike. Historikisht shumë persona që kanë pretenduar të jenë ideatorë dhe që kemi shpresuar e besuar se kanë veti ideatorësh nuk kanë qenë asgjë tjetër përpos plagjiator e papagaj.

30.Përveç kësaj, sidomos tash na duhen materiale me elementin e aktualitetit kosovar.

31.Mendoj se në revistë duhet t’u përgjigjemi një për një sulmeve jugosllave dhe demagogjisë së vrullshme titiste. Dhe për këtë kemi se ku kapemi. Dhe, një pjesë të mirë të përgjigjeve të tilla, që do të bënin një punë sqaruese si për popullsinë tonë, ashtu edhe për të tjerët, e marr përsipër ta shkruaj unë vetë po të autorizohem për këtë nga Lëvizja.

32.Një gjë është fare e sigurt: tash e tutje, i forcuar moralisht, nuk do të kursehem për punë ditë as natë dhe besoj se puna nuk do të mbetet pa rezultate.

33.   Po dalim te një çështje tjetër me rëndësi.

Kur është fjala te

-bashkimi i organizatave revolucionare patriotike

-që veprojnë në Kosovë, unë pata bërë një propozim konkret,

po druaj se nuk jemi marrë vesh si duhet.

34.Është i ashtuquajturi

-Grupi Komunist „Zëri i Kosovës“ një grup që predikon krijimin e një Kosove „të lirë“ dhe jo bashkimin me vendin amë.

Me këtë grup as kam marrëdhënie,

as do të doja të kem, sepse, edhe nëse ekziston akoma (se pjesa më e madhe e anëtarëve të tij në atdhe janë të burgosur,

-për shkak të mënyrës së organizimit

-shumë të gabuar

-e të rrezikshëm:

-me lista konkrete,

-ku anëtarët shënojnë elementet e tyre biografike,

-bëjnë me shkrim betimin dhe

-e firmojnë me dorën e vet;

-kështu listat komplete të anëtarëve kanë rënë në dorë të UDB-së dhe

-ata janë burgosur masivisht e pa mundime nga ana e policisë), pra,

edhe nëse grupi ekziston akoma,

ai punon keq e fëlliqtë.

   Pra Jusufi nuk ka dëshirë të ketë asnjë marrëdhënie me këtë grup. Dhe kështu ka mbetë dhe nuk ka pasur forcë që e detyron të ketë marrëdhënie e të bashkëpunoj me organizatorin e planit për vrasjen e tij dhe të vëllaut të tij.

35.I tillë nuk është

-as në shkrime

-as në pikëpamje të organizimit grupi i Marksistë-leninistëve të Kosovës,

-të bashkuar rreth organit të tyre „Liria“.

Përkundrazi, ata,

jo vetëm që luftojnë si ne

-për bashkim të domosdoshëm me vendin amë, por,

-sa kam mundur të konkludoj nga kontaktet e mia me njeriun e tyre,

-janë edhe shumë të pjekur dhe organizatorë të zotët.

-Më vonë do të marrim vesh se ata, me sa duket,

-kanë qenë ndër organizatorët kryesorë të ngjarjeve të fundit në Kosovë,

-jo fillimisht,

-por duke intervenuar pas ngjarjeve të 11 marsit.

Por, kjo gjë duhet të studiohet edhe më tej me seriozitetin më të madh dhe,

-po u pa e arsyeshme, edhe të merret kontakti me ta

-e të vazhdohet puna e përbashkët.

   Përveç fjalëve të mira për OMLK në letrën e 14 prillit, edhe në këtë të dytën Jusufi i ka fjalët më të mira për OMLK-në dhe Kadri Zekën (edhe pse nuk e përmend me emër).

36.   Sa për organizatën e bashkuar rreth

-organit „Bashkimi“, më duket se

pak dobi mund të kemi nga iniciativa

-për bashkim

e bashkëpunim me ta.

   Nga fjalët e Jusufit kuptohet shumë qartë që Jusufi jo që

-nuk dëshiron të ketë bashkim me Ibrahim Kelmendin, por

-nuk dëshiron të ketë as bashkëpunim.

   Kjo vërtetohet edhe më mirë në disa rreshta më poshtë.

37.Së paku për sa shihet te udhëheqësi i kësaj organizate në botën e jashtme,

-nuk ekziston përshtypja

-për organizim të mirëfilltë dhe

-as për ndonjë organizatë të fuqishme numerikisht.

    Vërejtja vendimtare e Jusufit nuk është tek numrat, por tek dyshimet e lidhjet e Ibrahim Kelmendit me Sadik Blakajn, e tek rasti i Hysen Gegës.

38.Megjithatë,

-po ta shihni ju të arsyeshme,

-ndoshta do të mund të realizohej mundësia që

-shokëve të Lëvizjes në Kosovë

-t’u jepet lidhja me përfaqësuesin e „Bashkimit“ në Kosovë.

 Duke e hetuar intensitetin e lavdatave të Sabriut për Ibrahim Kelmendin, pas një letre të vetme të Jusufit – pa llogaritur këtë ndikimin e reklamave të UDB-së për Frontin e Kuq, Jusufi i thotë Sabri Novosellës, se po e pe të arsyeshme,

      -kontaktimi dhe procesi i bashkëpunimit

-e bashkimit mund të bëhet

      -vetëm përmes shokëve në Kosovë, dhe

      -kurrsesi përmes tij në Gjermani.

   Jusufi është shumë i vendosur në qëndrimin e tij, sepse

-e njeh Ibrahim Kelmendin, ndërsa

-Sabri Novosella nuk e ka as idenë më të vogël se kush është

-e as kush mund të jetë Ibrahim Kelmendi.

39.Megjithqë,

-për sa kam mundur të marr vesh, atje,

-në radhët e kësaj organizate,

-apo ndoshta në qendër të saj,

-ndodhet një njeri i dyshimtë,

-njëfarë Blakaj (Islam Blakaj-shën. i red.),

-që punoka në Entin e Sigurimit Social në Prishtinë.

    Jusufi ia tërheq vërejtjen Sabriut,

-se edhe nëse bënë përpjekje për bashkim me Frontin e Kuq,

-përmes shokëve në Kosovë,

-mos u habitni se mund të bini në kurthën e UDB-së dhe

-po ndodhi kështu

-nuk keni kurrfarë të drejtash

-që të ankoheni se nuk ju kam informuar.

40.Sa për mua

-unë një herë për një herë,

-pas numrit të fundit të „Bashkimit“,

-të cilin ta kam dërguar,

të gjitha marrëdhëniet

-me përfaqësuesin e tij të këtushëm

i kam ndërprerë.

41.Këshilla

-për ndërprerjen e marrëdhënieve me të

-kam pasur edhe nga ana e diplomatëve shqiptarë në Vjenë.

  Në fund, po të njoftoj se, si unë me familje, ashtu edhe vëllau që është këtu edhe ai me familje, jemi që të gjithë mirë.  Deri më tash edhe Luani ka qenë mirë në burg, si dhe familja e tij në fshat. Si janë punët tash, nuk dimë gjë prej shumë kohësh.

   U bëra helm që vëllaun ta paskan mbyllur prapë. Por, ju jeni mësuar, e edhe ne po mësohemi pak nga pak me këto gjëra. Armiku ynë tash u tërbua fare dhe e ka ndër mend të vazhdojë gjithnjë e më egër. Por, jam më se i bindur se kjo vërtet do të na dëmtojë neve në një shkallë të gjerë, por atë do ta dëmtojë shumë më tepër, atë do ta shkatërrojë plotësisht.

   Të fala vëllazërore, Sokoli me familje!

POSHTË TITIZMI GJAKATAR!

RROFTË POPULLI SHQIPTAR I LIRË E I BASHKUAR!

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS

Janar 1980 – Janar 1982 (IX)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura