LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (IX)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

14. Letër për Faridin Tafallarin, verë 1981

      I dashur shok Faredin!

      Më fal që materialin e premtuar po jua dërgoj me vonesë. Por ashtu u bënë punët.

      Besoj se tani do ta merrni e ta shqyrtoni, bashkë me  D…. Dhe pasi ta keni analizuar, të më përgjigjeni për sa qemë marrë vesh atë natë në mes vete. Ato që do t’i keni të paqarta, shënojini si dhe fjalët e pakuptueshme, e pastaj do t’i sqarojmë së bashku.

Mirë u pafshim në takimin e ardhshëm

“ Lajmëtari…”

15. Letër për Faridin Tafallarin, verë 1981

         I dashur shok, Dini*!

          Ja dhe materialet që të premtova se do të t’i çoj. Në të parin “Armiku na ka në dorë vetëm aq sa e lejojmë ne vetë”, janë udhëzimet për disa çështje revolucionare në kushtet e punës ilegale. Ndërkaq, në materialin me titull “Si do të na përgjigjet armiku në pyetjet që do të shtrojmë ne, revolucionarët”, bën fjalë për rëndësinë e njërës nga fushëbetejat kryesore të organizatës revolucionare, pra për rëndësinë e shtypit revolucionar.

        Materialet e tilla siç thamë edhe mbrëmë, nuk bën vetëm të lexohen si artikuj gazete a si roman. Ato duhet të përvetësohen, në mos në tërësi, atëhere së paku pikat kryesore duhet të zotërohen patjetër.

        Ndoshta, në bisedën që bëmë mbrëmë, unë isha pak tepër këmbëngulës dhe energjik. Por, kam shpresë të madhe se, sa më parë t’i kapemi kësaj rruge të organizimit, aq më shumë efekte do të arrijmë në drejtimin në të cilin jemi të gatshëm të luftojmë pa kursyer asgjë.

          Po e përsërisim edhe një herë mënyrën se si duhet të lidhen anëtarët e celulës. Ti si anëtar celule ke të drejtë dhe detyrë të krijosh dy hallka – A dhe B. Hallka A dhe B të njohin ty, por jo edhe njëra tjetrën. Po kështu, pasi të jenë futur në celulë këto dy hallka dhe pasi të kenë dhënë ndonjë shenjë të sigurt se janë të pjekura për punë revolucionare në kushtet e caktuara prej nesh, secila prej tyre do të ketë të njëjta të drejta dhe detyra. U morrëm vesh edhe lidhur me atë se çfarë kushtesh kërkohen për angazhimin e një shoku etj. (Për çdo gjë të paqartë, drejtomu me letër ose bëjmë takim, sepse nuk duhet të ecim me gjëra të pasigurta në asnjë mënyrë.)

           Kur të kesh zgjidhur hallkat tuaja, kujdesu që njëri shok yti të jetë patjetër në vendlindje. Sepse, ne bëjmë pak, në qoftë se mbështetemi vetëm në shokët tanë që punojnë në botën e jashtme. Me rëndësi është që organizimi të marrë hov në vendlindje. Natyrisht, çështjen e takimeve me shokët  e angazhuar në vendlindje, do ta shqyrtojmë bashkarisht dhe në hollësi. Përgjithësisht,  edhe po të na duken gjëra të vështira disa hollësi që imponohen në shikim të parë, s’ka nevojë të bëhemi merak. Kjo mënyrë e organizimit është studjuar hollësisht dhe ne do ta zotërojmë dalëngadalë po me siguri. Mjafton që të kemi vullnet dhe të angazhohemi seriozisht

          Më shkruaj, pra, për gjithçka. Unë do të të përgjigjem me kënaqësi.

   VDEKJE TITIZMIT, LIRI POPULLIT SHQIPTAR

   “Lajmëtari**…”

*) Shkurtimi i emrit Faridin, shënim i Faridin Tafallarit

**) Pseud. i J. Gërvallës, shënim i F.T.

  • Faridin Tafallari me Nënën Ajshe Gërvalla

16. Letër për Faridin Tafallarin, fillim i majit 1981

      I dashuri shoku Faredin!

      Me pak vonesë po t’i dërgoi thirrjet për demonstrata, që do të mbahen këtë të shtunë në Dyzeldorf (më 9 maj 1981-shën. i Xh.D.) në ora 10,30 para stacionit hekurudhor. Njoftoi shokët aty përreth, por kishte me qenë mirë, sikur do të mundeshe t’i njoftosh edhe do shokë nga Tubingeni.

      Sa i përket udhëtimit me autobusa, duhet të dihet përafërsisht numri i udhëtarëve dhe më lajmëro menjëherë, në mënyrë që kjo gjë të organizohet me kohë.

      Në qoftë se të kanë ardhur edhe thirrje tjera nga “larg”, kjo gjë mos të habit, dhe përmbaju këtyre thirrjeve këtu.

         Sa i përket gjendjes në Kosovë, kemi informata se atje populli është i pamposhtur, dhe se lufta po vazhdon. Shokët na bëjnë me dije se demonstratat që po organizohen në botën e jashtme i kanë dhënë popullit shqiptar në “ Kosovë” një frymëzim dhe një hov të madh…

      Prandaj kjo gjë edhe neve na frymëzon edhe më tepër edhe na forcon vullnetin tonë, që të marrim pjesë sa më shumë në këto demonstrata.         

      Të fala vëllazërore nga Semani*

      FITORJA ESHTE E JONA !

*) Pseud. i  J. Gërvallës, shënim i Faridin Tafallarit

(VIJON)

© Pashtriku.org

________________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS

Janar 1980 – Janar 1982 (X)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura