Prishtinë, 08. 02. 2013 – (Lista e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së, fund e krye ka qenë e manipuluar dhe e dizajnuar nga Hashim Thaçi) – Kuvendi i VI Zgjedhor i Partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, ka nxjerrë “juniorët” në “top- listën” e Këshillit Drejtues, duke i “shkelur” themeluesit dhe veteranët e kësaj partie. Rangimi i tyre ndër të parët në këtë listë, ka nxjerrë në sipërfaqe revoltim dhe pakënaqësi të shumta të strukturave të vjetra të partisë, të cilët kanë drejtuar gishtin te hajnia, duke thënë se votat e delegateve janë manipuluar, duke i favorizuar personat e afërt me liderin e partisë.
Ata janë renditur të parët, jo se kanë qenë më të mirët dhe më të votuarit, por pse kanë “ditur” ta luajnë lojën me manipulim dhe vjedhje të votave të 718 delegatëve. Një zyrtar i lartë i kësaj partie, i ka deklaruar gazetës “Zëri” në kushte anonimiteti, se ditën e votimit për anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së, ka qarkulluar nëpër duar e korridore një listë me emra të personave të krahut të Thaçit, e cila është servuar nga shefi i partisë.
“Jo gjithkush ka pasur “nderin” që ta ketë në duar listën e përpiluar nga lideri i partisë, me emrat e preferuar të tij, që duhet të jenë të renditur të parët. Ajo është mbajtur me mjaft “besnikëri” nga njerëzit që janë “dora e djathtë” e kryeministrit Thaçi, ndërkaq është mbajtur e fshehur nga personat që cilësohen si krah i sekretarit të partisë, Jakup Krasniqi, dhe nënkryetarit Fatmir Limaj”, ka thënë ky zyrtar i lartë i PDK-së.
Gjithashtu, ky burim ka konfirmuar se kutitë e votimit nga Hoteli Emerald, ku është mbajtur Kongresi i VI zgjedhor janë bartur drejtë selisë së PDK-së. E për “përkujdesjen” e tyre ka marrë obligim Abelard Tahiri, i cili është këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi, me shumë shokë tjerë.
Manipuluesit e Konventës!
Megjithatë, vetë Tahiri ka mohuar të ketë marrë pjesë në procesin e numërimit të votave, derisa ka pranuar se kutitë e votimit janë bartur nga hoteli me pesë yje, drejt selisë së PDK-së për numërim.
Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i PDK-së i ka konfirmuar gazetës, se paraprakisht është ditur se kush do t’i prijë “top-listës” së Këshillit Drejtues. “Është ditur se Kadri Veseli, ish-shef i SHIK-ut, së bashku me ish-agjentët e tij dhe disa “juniorë” të partisë, si Agim Çeku, do të jenë të parët e favorizuar. Pra, thënë troç lista është përpiluar dhe kombinuar me aq mjeshtri, për të krijuar mjegull se kinse s’ka pasur manipulime. Por, fund e krye ka qenë e manipuluar dhe e dizajnuar nga Thaçi”, ka thënë ky burim, sipas të cilit, Kadri Veseli do të emërohet nënkryetari i parë i PDK-së, ndërkaq Hajredin Kuçi do të jetë sekretar i partisë.
Nga ana tjetër, vetë zyrtarët e kësaj partie e pranojnë se procesi zgjedhor i brendshëm nuk ka rezultuar me reformimin e kësaj force politike, por vetëm me degradim, duke i zëvendësuar figurat kyç të partisë me njerëzit që numërojnë pak ”jetë” në PDK. Njëri ndër “veteranet” e kësaj force politike, Xhevat Bislimi, thotë se ka pasur vërejtje për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të brendshme dhe sipas tij, është e papranueshme mënyra e organizimit të kuvendeve zgjedhore në degë dhe nëndegë.
“Ka shumë pikëpyetje rreth procesit të brendshëm zgjedhor, duke filluar nga kuvendet dhe mënyra e bërjes së komisioneve. Madje, është shumë indikative se pse njerëzve të partisë i janë dashur tre ditë për numërimin e votave të delegatëve për anëtarë të Këshillit Drejtues. Ka shumë gjëra për të dëshiruar dhe mbase ka ankesa që janë rritur votat e njerëzve, të cilët dje kanë hyrë në parti dhe tash janë në krye të listës. Pra, ka diçka që nuk ka shkuar mirë edhe në numërimin e votave, pasi që kemi një produkt që nuk është krejt PDK, i asaj partie që dikur e kemi themeluar me ato vlera që i kemi transmetuar. Kjo listë nuk është produkt i PDK-së”, ka thënë Bislimi.
Ndërkaq, analisti politik, Nexhmedin Spahiu ka shfaqur një mendim interesant, sipas të cilit, nuk ka pasur fare numërim të votave të delegatëve të Kongresit. ”S’ka asnjë dyshim se votat nuk janë numëruar fare, duke marrë parasysh atmosferën që ka ekzistuar në Kongres me krijohet ajo përshtypje se rezultati i votimit është përpiluar nga kryetari i partisë kujt sa ka dashur. Demokracia në këtë rast ka fjetur dhe do të ishte e natyrshme që të mendoj se votat s’janë numëruar fare”, ka thënë Spahiu.
Edhe analisti tjetër, Fadil Lepaja konsideron se “ato forcat, të cilat e kanë kontrolluar deri më sot PDK-në, tashmë edhe formalisht janë në krye të saj”. Ai ka thënë se “është çështje e elektoratit se a do t’i pranojë apo dënojë këto zhvillime në PDK, e njohur për shumë skandale, manipulime me vota, dhe me afera korruptive, sidomos në kreun e saj, në grupin e oligarkëve të rinj”.
…………………………………………………….
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)