KMDLNJ: DREJTËSIA POLITIKE DHE PADREJTËSIA FAKTIKE NË GJYKIMIN “DRENICA 1 DHE 2”

Prishtinë, 08. 06. 2015 – Kohë më parë, përkatësisht me 27 maj 2015, Kolegji ndërkombëtar i gjyqtarëve në Gjykatën themelore në pjesën veriore të Mitrovicës i dënoi të akuzuarit në të ashtuquajturin “rasti Drenica“, në dy procese të ndara (Drenica 1 dhe Drenica 2) me burgim në kohëzgjatje: Sami Lushtaku me 12 vjet burg, Sylejman Selimi me 6 vjet në Drenica 1 dhe 8 vjet në Drenica 2, Hysni Thaçi me 7 vjet burg, Zeqir Demaku me 7 vjet burg, Jahir Demaku me 7 vjet burg, Isni Thaçi me 6 vjet burg, Agim Demaj me 3 vjet burg, Fadil Demaku me 3 vjet burg, Nexhat Demaku me 3 vjet burg, kurse Bashkim, Driton dhe Selman Dakaj janë dënuar me nga 3 vjet burg. Të akuzuarit janë dënuar se kanë kryer krime lufte ndaj popullatës civile në një qendër të ndalimit në Likovc të Drenicës. Të akuzuarit e tjerë: Sabit Geci, Sahit Jashari, Ismat Haxha dhe Avni Zabeli janë liruar nga aktakuza.
Organizatat për të drejtat e njeriut në përgjithësi, e në këtë kontekst edhe KMDLNj janë në anën e viktimave dhe kërkojnë drejtësi për viktimat në njërën anë, sikur që kërkojnë përgjegjësi për ata që e kanë planifikuar krimin, e kanë urdhëruar krimin, e kanë kryer krimin apo nuk e kanë penguar kryerjen e krimin në rast se kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë, në të gjitha rastet ku ka fakte të mjaftueshme për t’u vërtetuar fajësia. Që nga përfundimi i luftës, përjashtuar rastet që janë gjykuar para Tribunalit të Hagës, vetëm në një rast trupi gjykues i përbërë nga vendorët ka marrë vendim për raste të krimeve të luftës në “rastin Trajkoviq“ ndërkaq në të gjitha rastet e tjera janë gjykuar nga gjykatata e UNMIK-ut dhe EULEX-it që kanë pasur mandat dhe ekskluzivitet për këto raste. KMDLNj e informon opinionin se vendimin që e mori trupi gjykues i përbërë nga vendorët në “rastin Trajkoviq“, instanca më e lartë e gjykatës së UNMIK-ut e ka anuluar. Në jo pak raste pas përfundimit të luftës, edhe shqiptimi i dënimeve por edhe i vendimeve të pafajësisë për të akuzuarit për krime lufte, si në gjykimet para Tribunalit të Hagës ashtu edhe para gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it kanë përcjellur dhe kanë qenë të ndikuara nga agjenda politike! Këto gjykata, më së paku kanë punuar në interes të viktimave ndërkaq kanë qenë në funksion të vendosjes dhe ruajtjes së një stabiliteti të përkohshëm politik, duke e dëmtuar drejtësinë përmes përpjekjes së “racionalizimit“ dhe barazpeshimit të krimeve midis atyre që kanë kryer krime të vendeve ndërluftuese .

Gjykimi dhe dënimi i të akuzuarve në rastin Drenica 1 dhe Drenica 2 është përcjellur me shumë paqartësi rreth sigurimit të fakteve në mbështetje të aktakuzës dhe dënimit eventual dhe si i tillë edhe ka përfunduar. Me të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut (Deklarata Universale e KB dhe Konventat Evropiane) e që janë integruar në tërësi në Kushtetutën e Kosovës, të akuzuarve u garantohet një proces fer i gjykimit, barazi para gjyqit, gjykim i paanshëm dhe i pandikuar politikisht sikur edhe sigurimi i një mbrojtjeje efektive për të akuzuarit deri në kohën kur gjykata kompetente me një vendim të prerë vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve.
Pas shpërthimit të shumë skandaleve në Tribunalin e Hagës e sidomos në gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it (nga vet burimet e tyre), besueshmëria në vendimet e këtyre gjykatave është luhatur deri në masën e dyshimit të bazuar, sidomos pas përfoljes së aferave korruptive ku janë përfshirë gjykatësit e këtyre gjykatave dhe ndikimit politik (vendorë dhe ndërkombëtarë) që u janë nënshtruar ato. Shqiptimi i një dënimi për vrasjen e një personi, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur nga gjykata ndonëse kanë deklaruar se e kanë të ditur identitetin e viktimës, paraqet non sens juridik dhe e vë në dyshim të madh vendimin e kësaj gjykate, duke shtuar mosbesimin në këto gjykata.
Gjykata është dashur ta tregojë arsyen pse nuk bëhet publik emri i viktimës në emër të cilit është shqiptuar edhe dënimi prej 12 vitesh! Në praktikat e mira të ndarjes së drejtësisë në vendet nga vinë këta gjykatës, kjo nuk do të mund të ndodhte kurrsesi! Arsyetimi i gjykatës për rastin Drenica 1 dhe Drenica 2 nuk ka dëshmuar se kemi të bëjmë me një proces fer gjyqësor, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht, prandaj KMDLNj propozon që këto procese të ndjeshme (sikur edhe “rasti Ivanoviq“) të monitorohen nga vëzhgues të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si, Amnesty International, Human Rights Watch dhe Helsinky Federation for Human Rights etj. Në këtë mënyrë nuk do të jemi në situatë kur asgjë apo fare pak po bëjmë për viktimat (duke shitur pafajësinë nga gjykatësit ndërkombëtarë siç po përfolet në skandalet e fundit) dhe duke dënuar të akuzuar pa prova të mjaftueshme me qëllim, në radhë të parë për eliminim politik e më së paku për vendosje të drejtësisë. Me vendosjen e drejtë të drejtësisë plotësohet standardi kryesor profesional dhe moral për satisfakcion të plotë të viktimave, parandalohen viktimat tjera, dënohen kriminelët që kanë bërë krime dhe u dërgohet porosi kriminelëve të mundshëm se nuk do të ketë pandëshkueshmëri për ta . Në këtë mënyrë arrihet qëllimi i dënimit e që është parandalimi i krimit e që në Kosovë nuk po ndodhë për shkak të drejtësisë selektive të mbështetur në “ prova “ në bazë të përkatësisë etnike, si për viktimat ashtu edhe për kriminelët. A do të ndodhë në të ardhmën ?! Mbetet të shpresojmë!

Shërbimi për Informim i KMDLNJ’së
Prishtinë, 8 qershor 2015

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura