MARASH ULAJ – ATDHETAR …

Marash Ulaj – atdhetar dhe aktivist i njohur malësor  në komunitetin shqiptaro-amerikan  

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

Më 30 maj 2023 në moshën 75 vjeçare  pushoi së rrahuri zemra bujare  e Marash ( Masho) Ulaj në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky malësor i mirë  nga fshati Kojë i Malësisë, u largua nga vendlindja e tij  një gjysmë shekulli më parë dhe u vendos në Miçigan-Detroit.  U lind më 6 qershor 1948 në një familje me traditë të gjatë  atdhetare  të  njohur  edhe për besë, burrëri, urti e trimëri  të Pretash Zekës Ulaj, flamurtar i Kojës,   familje  e cila u përfshi  në lufta të përgjakshme, herë kundër shkjaut (serbo-malazezëve) e herë kundër turqve në mbrojtje të vatrave të tyre shekullore. Kur  mbërriti në SHBA, shqiptarët në Ballkan ishin shumë të dobët. Shqipëria vuante në komunizëm. Jugosllavia ishte  e paprekshme, Kosova ishte krahinë  autonome, etj. 

Ai ishte një njeri i respektuar dhe i dalluar në komunitetin shqiptar në Detroit dhe më gjerë. I brumosur me atdhedashuri dhe me virtyte e vlera të larta morale  e njerëzore  si dhe me traditat fisnike të Malësisë së Madhe u burrërua  në shkollën e vatrës familjare  dhe në kuvendet e burrave  zëmëdhenj të Kojës  së “ vogël”, por trime e heroike. Edhe pse me trup ishte në Shtete të Bashkuara të Amerikës, me shpirt dhe zemër ishte gjithmonë në Malësi, Shqipëri e  Kosovë. Në bisedat e tij me miq e shok   shprehej me emocione të mëdha se Malësia, Shqipëria dhe Kosova janë dashuria dhe krenaria e tij e përjetshme. Këtë thënie apo fjalë zemre të tij e arsyetoi me vepra konkrete. Veprimtaria e këtij atdhetari dhe aktivisti  të shquar  në diasporë   për çështjen shqiptare është e pasur dhe e larmishme.

Kudo u paraqit nevoja  për çështjen kombëtare, Marash Ulaj  ishte në mesin e mërgimtarëve të parë malësorë (shqiptarë) për të ndihmuar  materialisht dhe moralisht vendlindjen e tij Malësinë, përpjekjet  për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës  si dhe të gjitha trojet etnike shqiptare. Qëkur i shkeli këmba në vendin e mundësive të mëdha, respektivisht në tokën e premtuar dhe të bekuar, siç e quajnë Amerikën, për të cilën Fan.S. Noli i madh do thoshte “Mbahu nënë mos ke frikë, i ke djemtë në Amerikë,   e kishte të qartë  si dritën e diellit se  pa rolin dhe kontributin e diasporës  shqiptare  nuk  është i mundur çlirimi i Kosovës , më 12 qershor të vitit 1999 dhe pavarësimi i  saj    më 17 shkurt 2008 ,   nga regjimi i egër  barbar i Sllobodan Millosheviqit “kasapit të Ballkanit” dhe se nuk do të kishim liri, pluralizëm dhe demokratizim të Shqipërisë  në vitet ’90. Dëshmia më e freskët dhe kuptimplote është pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë nga SHBA, me Batalonin “Atlantiku” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet e armatosura të fundit që ndodhën në trojet tona etnike. Ndihma e tij ishte e madhe  edhe në krijimin dhe suksesin e  Fondit për  ndihmë Kosovës.

Marash Ulaj ishte organizator, mbështetës, përkrahës dhe pjesëmarrës i proceseve politike  pothuaj në të gjitha  protestat dhe demonstratat nga viti 1981  e deri në çlirimin e Kosovës.  Ky malësor atdhetar u jepte zemër  bashkatdhetarëve të vetë të atjeshëm se liria  dhe pavarësia e Kosovës është e afërt dhe se  Shtetet e Bashkuara të Amerikës  janë në anën e  drejtësisë dhe popullit shqiptar.  Ky burrë fisnik u rreshtua  në grupin e atyre  mërgimtarëve shqiptarë për t’u dalë zot bashkëvendësve të vet në Malësi, duke i ndihmuar me donacione të ndryshme vullnetare në ndërtimin e objekteve të ndryshme infrastrukturore e të tjera me qëllim të përmirësimit të kushteve të tyre ekonomike e jetësore. Kontributi i tij kuptimplotë  ka qenë edhe  angazhimi dhe zëri i tij i fuqishëm për bashkimin e subjekteve dhe partive  politike shqiptare  në prag të fushatës së zgjedhjeve të para  vendore për Komunën e Tuzit, që u zhvilluan më 3 mars 2019.   Ai  vlerësonte se bashkimi i partive kryesore  përbën një hap të mençur dhe atdhetar drejt maksimalizimit të votave të shqiptarëve  në Komunën e Tuzit. Sipas tij vetëm shqiptarët bashkë mund të luftojnë, siç thoshte ai, armikun dhe të ndalojnë ushtrimin e pushtetit tridhjetëvjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve  të Millo Gjukanoviqit, dhe  Malësia gjithsesi   të administrohet nga malësorët. Marash Ulaj kontribuoi edhe për ardhjen e kongresistëve amerikanë në Malësi dhe ka qenë nënkryetar i Shoqatës “Malësia e Madhe“ në Miçigan. Me ndihmën e tij dhe të diasporës sonë në Shtete të Bashkuara të Amerikës janë bërë shumë gjëra të rëndësishme  që kanë vlera të mëdha për komunitetin tonë dhe për Komunën e Tuzit.

Me vdekjen e Marash Ulajt,  Malësia dhe shqiptarët humbën një veprimtar të dalluar e të çmuar në komunitetin shqiptaro-amerikan për të cilin të gjithë ata që e kanë njohur në mërgatën tonë , e cila është shtylla e kombit, familjeve tona dhe mirëqenies mbarëkombëtare, flasin fjalë miradije. Komuniteti shqiptaro-amerikan  me largimin  e tij nga kjo jetë  humbi një nga bijtë e vet më të mirë, që do të kujtohet  gjatë si shembull  për t’u ndjekur, si patriot, që do të frymëzojë brezat  e rinj të shqiptarëve  që jetojnë fizikisht larg atdheut, por shpirtërisht nuk ndahen kurrë  nga trualli arbëror dhe synojnë zhvillimin dhe përparimin e tij. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura