BESIM ZYMBERI: JUGOSLLAVIZMI, ENDE PUSHTET ME NDIKIM NË KOSOVË!

Ferizaj, 18. 11. 2016: Shumë nga deformimet e rënda që ndodhën e ndodhin në Kosovën e pasluftës, janë pasojë e mosluftimit të jugosllavizmit brenda saj. Jugosllavizmi, në formën e misionarëve të tij të konvertuar, është ende i instaluar fuqishëm në të gjitha segmentet e jetës institucionale e jo institucionale të Kosovës: në legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, arsim, struktura sigurie, shoqëri civile, medie etj…
Sa herë shpallte konkurs për gjyqtarë, prokurorë, udhëheqës departamentesh të administratës qeveritare etj., UNMIK-u, në periudhën e tij sunduese në Kosovë, kandidatët e interesuar i paralajmëronte që nuk do të vinin në shprehje, nëse nuk kishin dhjetë vite përvojë punë në vendet e pretenduara të punës.
Një kriter i tillë, përpos që ishte diskriminues, ishte thellësisht politik dhe kundër interesave të shtetit të Kosovës në formim e sipër atëherë. Sipas kriterit të tillë, në funksionet vitale institucionale shtetformuese, mund të vinin në shprehje vetëm klerikë të jugosllav-komunizmit shqiptar, të vetmit që plotësonin kushtet e tilla për punësim!?
Po ashtu, pothuaj si në formë trashëgimie, fëmijë e të afërm klerikësh të tillë, morën frenat edhe të një pjeseje të rëndësishme të shoqërisë dhe të medieve të pasluftës në Kosovë.
Si pasojë, edhe sot e kësaj dite, në të gjitha segmentet e jetës politike e civile në Kosovë, kasta jugosllaviste e konvertuar, zotëron një shkallë kërcënuese të pushtetit e ndikimit, mjaftueshëm për të krijuar perceptime antihistorike, antiqytetare e antikombëtare, për proceset pozitive në Kosovë!

Parlamenti i Kosovës, deri tani nuk ka qenë në gjendje të miratojë dy rezoluta esenciale: atë të njohjes së gjenocidit serb ndaj shqiptarëve dhe rezolutën tjetër, që do të krijonte frymën e distancimit nga krimet politike e fizike të ushtruara ndaj shqiptarëve prej pushtetit jugosllav-serb dhe marionetave të tij shqiptare në Kosovë. Ndër arsyet më të qëndrueshme të këtij dështimi, padyshim që është ndikimi i fuqishëm pengues i jugosllavizmit brenda jetës institucionale e shtetërore të Kosovës!
Çuditërisht, por jo edhe befasisht, një prej klerikëve të jugosllavkomunizmit shqiptar të Kosovës, është tani kryeministër i Kosovës. Vetëm pushteti i fuqishëm i një ideologjie të tillë antishqiptare, aq mirë i ushqyer edhe pas lufte, ruajti terrenin për një profill të tillë fosil kryeministri, për ta bërë atë edhe një shenjë të devalvimit të çdo vlereje esenciale të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, pavarësi e qytetari.
Pushteti i fuqishëm i jugosllavizmit, ka arritur shumë efekte në krijimin e perceptimit negativ për njerëz që ishin në ballë të proceseve politike atdhedashëse në Kosovën e pas vitit 1945. Projekti i fundit i jugosllavizmit në Kosovë, që prej dy dekadash, është: komprometimi i vlerave historike dhe kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe kjo përpjekje deri më tani ka qenë tmerrësisht efektive!
Jugosllavizmi i konvertuar, duket të jetë mirë i organizuar dhe mirë i postuar në funksione kyçe në sistemin e administratës shtetërore dhe strukturave tjera institucionale dhe jo institucionale të Kosovës. Fatkeqësisht, për shkak të prirjes serviliste si mentalitet, kasta e jugosllavizëm-serbizmit, ka gjetur edhe përkrahje të fuqishme nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë dhe jashtë saj, në vend se të ndodhte e kundërta!Ndërsa, kjo kastë dhe ideologjia e saj, janë shumë influencuese edhe në partitë politikë shqiptare të Kosovës…
Misioni i jugosllavizmit
Duket qartë se psikopolitikisht, një ideologji e tillë ka për mision komprometimin e shtetësisë së Kosovës dhe çdo arritjeje emancipuese të qytetërimit shqiptar në dekadat e fundit.
Krijimi i klimës depresive, krijimi i perceptimit për një shtet të dështuar të Kosovës, nxitja dhe krijimi i psikologjisë së urrejtjes së atdheut deri në ikje demonstrative nga ai, rifunksionalizimi i idesë së shkombëtarizimit të shqiptarëve nëpërmjet tezave por një komb të ri, nxitja e psikologjisë së ndarjes shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë, nxitja dhe stimulimi i aksionit të elementeve politikisht të radikalizuara fetare, nxitja e krijimit të një klimeje antiperëndimore, fushata por komprometimin e figurave identifikuese kombëtare, që nga Skënderbeu e tutje, fushata për rehabilitim të figurave të dyshimta deri në shkallë tradhtie e plot aksione tjera, janë aksione goxha efektive të jugosllavizmit dhe bartësve të tij, me pasoja të dukshme në rrugen e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.
Jugosllavizmi, sot është një serbizim i instaluar. Në shumë vendime të rëndësishme shtetërore, sociale e kulturore, vërehet qartë nuanca destruktive, ndonj;her; edhe p;rcaktuese, e sponsoruar nga jugosllavizmi i konvertuar në serbizëm.
Jugosllavizëm-serbizmi në Kosovë, është veçanërisht i fokusuar ditëve e muajve të fundit në orientalizimin kulturor të shqiptarëve. Jo rastësisht, një fokus i tillë ndërlidhet me një invazion rus drejt rikthimit të ndikimit në Ballkan, në njërën anë, dhe me doktrinën tashmë publike të idesë së një neoosmanizmi fanatik religjioz, në anën tjetër!
Mjaftojnë shembujt e fitores së fundit në zgjedhje, të forcave proruse në Bullgari e Moldavi, riafrimi i Turqisë me Rusinë, një qeveri ekstremiste antiperëndimore në Greqi linja proruse e qeverisë aktuale maqedonase si dhe tentativa e fundit e një grushteti rusoserb në Mal të Zi.
Jugosllavizmi, përkatësisht serbizmi në Kosovë, ndihmohet edhe nga strukturat e tij shqipfolëse në Maqedoni e Mal të Zi, e pse jo edhe në Shqipëri!
Jugosllavizëm-serbizmi, synon që para botës, shqiptarët t’i paraqesë si një popull i përçarë, jo kreativ, jo i qytetëruar, jo bashkëpunues dhe aspak unik në realizim të ambicieve të shëndosha të një kombndërtimi e shtendërtimi të përbashkët. E fundit, jugosllavizmi misionar, po përpiqet që shqiptarët, t’i profilizojë jo si një komb ambicioz dhe i organizuar, por si një turmë kaotike pa identitet!?
Jugosllavizmi efektiv institucional dikur, kishte dështuar në synimet e tij për shkombëtarizim të shqiptarëve. Edhe vazhdimësia e tij ideologjike do të dështojë. Por deri në dështim të plotë, pasojat do të jenë jo të vogla.
Gjithçka që thuhet sot keq për shqiptarët, çdo zhvlerësim që iu bëhet sot vlerave të tij, është pasojë e një investimi të jugosllavizëm-serbizimit. Çdo ngecje e Kosovës në veçanti, por edhe e shqiptarëve në përgjithësi, është po ashtu pasojë e aksioneve intensive të jugosllavizëm –serbizimit!
Në të ardhmen e shpejtë, duhet marrë masat për neutralizim të plotë të këtij sistemi rrënues. Kosova sot ka kuadro që mund të zëvendësojnë mbetje të tilla arrogante të mykut të historisë sonë.
Çdo hap pozitiv që do të bëhet në të ardhmen, në drejtim të rritjes së autoritetit dhe homogjenitetit të shqiptarëve si dhe çdo hap pozitiv në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe emancipimit të mëtutjeshëm të çështjes shqiptare, do të jetë i pamundur pa neutralizimin, përkatësisht, minimizimin e ndikimit të jugosllavizëm-serbizmit, që është një sistem aktiv dhe i strukturuar antikombëtar. Ndërsa, çdo arritje e konfirmuar e Kosovës, përkatësisht e çështjes shqiptare në të ardhmen, siç ka qenë, do të jetë prapë një dëshmi e zvogëlimit të ndikimit të virusit të jugosllavizëm-serbizmit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura