MEHMET BISLIMI: SONTE NË PREKAZ – FLAKËT E LIRISË – KOMANDANTIN PËRKUJTOJNË

Pashtriku.org, 05. 03. 2014 – Mehmet Bislimi u lind me 24 mars 1958 në fshatin Prekaz i Epërm, në Drenicë. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar shkencat natyrore. Në vitin 1981, për shkak të veprimtarisë atdhetare arrestohet dhe dënohet me burg. Pas daljes nga burgu më 1986, veprimtarinë kombëtare e ka vazhduar në gjirin e LPK-ës. Në vitin 1994, për t’i shpëtuar arrestimit, është strehuar në Zvicër, ku vepron dhe jeton me familjen e tij. Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë ka kryer detyra më përgjegjësi. Me krijimtari letrare ka filluar të merret që herët. Shkrimet e para i ka botuar në gazetën ”Bota e re” në Prishtinë, më vonë në revistën”Alternativa”, në Lubjanë dhe në disa numra të gazetës ”Rilindja”, që botohej në Zvicër. Disa vite ka shkruar për organin e LPK-së “Zëri i Kosovës” që botohej në Zvicër dhe për të përkohshmen “Rruga jonë”- që dilte në Francë. Në “Zërin e Kosovës” dhe te “Rruga jonë” me vite është paraqitur në këndin e humorit me nofkat “Ngucakeqi” dhe “Gjembi”. Kohë pas kohe shkrimet e tij kanë gjetur vend edhe në gazetën “Epoka e re”, “Kosova sot”, “Gazeta Lajm” si dhe shkrime të shumta në dhjetëra faqe elektronike. Veprimtaria e tij letrare përfshinë shkrime publicistike, anekdota, humor, satirë, poezi si dhe mendime autoriale të urta. Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Krijuesve Shqiptarë në Zvicër si dhe anëtar i të persekutuarëve politik të Kosovës.

***********************************************

FLAKËT
(lexo me zë!)
1.
sonte
në Prekaz
flakët e lirisë
Komandantin përkujtojnë
me shkëlqimin e flakës
lirisë njerëzishëm ia hapëm derën
më në fund erdhën lulet
së bashku me pranverën
sakrificë e paparë
e padëgjuar ndër shekuj
shqiptarët qëndruan të pathyer
kurrë nuk e mohuan rrënjën e vet
o botë e madhe a dëgjon
këngën tonë të fuqishme
që luftëtarët e lirisë e kënduan
një shekull rrugëtim
deri më sot
sot në agim
një shekull rrugëtim i këngës sonë
për t’u kënduar sonte
tek Jasharët
me gojën tonë
tek të pavdekshmit
tek të gjallët
tek Jasharët
2.
Adem
sonte pa ty
këngët e lirisë nuk do të kishin kuptim
pa ty
pranvera nuk do të sillte lulet e lirisë
pa ty
marsi do të ishte muaj i rëndomtë
pa ty
nuk do të kishin harmoni notat e melodisë
Adem
ylli i hyjnisë
Adem
frymëzim i djalërisë
Adem
palca e shqiptarisë
Adem
sonte do thërrasim deri në kupë të qiellit
në Prekaz
aty ku ka lindur s’pari rrezja e diellit
3.
Adem
po
me ty erdhi pranvera
me ty
krenarinë kombëtare madhështojmë
me ty
të kaluarën e lavdishme nderojmë
në flakën e zjarrit që sonte për ty ndizet
u dogj robëria e gjatë
në Prekaz
në arenën legjendare
ku kanë rënë si me le burrat dhe gratë
atje ku themeli i lirisë është i lashtë
atje ku loza jote sonte shkëlqen flakë
atje ku lirisë i këndohet gjatë
atje ku burrat e dheut flasin pak
atje ku krisma e mitralozit të lirisë
ndihet larg
atje ku flakë do të ndezim prapë
e prapë do ringjallesh ti
për Plavë e Guci
Preshevë Medvegjë e Çamëri
për Bujanoc Tetovë e shqiptari
atje në Prekaz
ku po linden përditë
Adema të ri
atje ku ngrihemi dhe biem me emrin Shqipëri
atje ku ëndrrat i shohim shqip
atje ku ti ke vënë këmbën mbi dhe
atje ku kemi shumë shokë e miq
atje ku trimërisht këngën e the
për liri
për atdhe
për besë e dhe
Adem flakë e rrufe
4.
sonte
zjarret do ndezim
sonte do qajmë e do qeshim
sonte do vallëzojmë deri në mëngjes
sonte lot do qesim
nga malli e mallëngjimi
për ju nëna
për ty nënëmadhja Zahide
nënë e të gjitha nënave
nënë e Mic Sokolave
nënë e zanave arbërore
sonte në gjunjë do biem për ty
lokemadhja Zahide
nusja e Shaban Plakut
motra e bacë Osmanit
nderi i konakut
nëna e Ademit djalit
nënë e Hamzës
nëna e shqipeve të malit
nëna e Zarifës e Hidajetës
nëna e Igballit e Valdetës
nëna e Igballës e Feridës
nëna e Afetës e Besimit
nëna e Selvetës e Blerimit
nëna e Fatimës e Blerinës
nëna e Adilës e Fitimit
nëna e Kushtrimit dhe Lirisë
nëna jonë
nëna e madhe e shqiptarisë
nëna e lirisë
Lavdia e Shqinisë
5.
sonte do kujtojmë
motrat
nuset
fëmijët
baballarët
bacë Shabanin
Ademin
Hamzën
do kujtojmë djalërinë kryengritëse
Prekazin legjendar
pushkët e lirisë
kushtrimin shqiptar
pushkën e parë
Komandantin Legjendar
6.
në ballë të atdheut kush po prinë
si gjithmonë luftë në Prekaz
bacë Shabani me martinë
po ia vret Serbisë ushtrinë
o ta puthsha çarkun e pushkës
mustaqen e bardhë
shallin me qeleshe
e kalin me shalë
njëherë ka lindur burri
dragua në këtë konak
ku flakët sonte prekin qiellin
për çdo yll bajrak
flamur përjetësie
mbi varr të bacë Shabanit
brezat shohin diellin
nën qiellin e përflakur
mbi këtë tokë të gjakut
të biem në gjunjë në shenjë nderimi
me respekt ta puthim
muranën e Shaban plakut
shqipen e bajrakut
e s’do i dalim hakut
rreke lumi i gjakut
gjak lirie
të lumtë ne që të kemi
ty o burrë Shqipnie
7.
sonte në Prekaz
nata është ndezë flakë
troket në ndërgjegjen tonë fort
të kujtohemi pak
për ata që ranë
për ata që gjymtyrët e trupit
peng lirie
në gjoks të atdheut
si medaljon i falën
i lanë
dëshmi të një kohe
testament pavarësie
flamur mbi kullë të Jasharëve
pranverë mbi tokën tonë
në zemër të shqiptarëve
fole dashurie bënë
ata
kurrë nuk u penduan
asgjë nuk kërkuan
kurrë nuk u hamenden
kurrë nuk u lëkundën
respekt nga ne
respekt për këtë dhe
respekt për jetë
për duart e këmbë shkëputur të luftëtarëve
për liri të atdheut
8.
sonte t’i kujtojmë
edhe ata që nuk kanë kulm mbi kokë
edhe ata që nuk kanë sa duhet për të ngrënë
edhe ata që dita e nesërme nuk i gëzon
edhe ata që nuk kanë natën ku ta bëjnë
edhe ata që “koha” po i harron
edhe ata që skamja po i sfidon
edhe ata që në heshtje digjen zjarr
dhe gjoksi tym u lëshon
mos harroni amanetin
bacë Shabani pati thënë
lirinë të gjithë së bashku do ta ndajmë
të robëruar toka s’na pranon
sofrën thatë për askënd
mos me e lënë
ta nderojmë secilin luftëtar
të lirisë
së cilin birë të denjë të shqiptarisë
9.
sonte
dikush si hije përfton
pas hijeve të flakëve do fshihet
nata e zezë fytyrën ia mbulon
sonte dikë
flaka e lirisë e përcëllon
para bote e tallë
shenjë i vë në ballë
a ka gjë më rëndë
për ata që ikin nga flaka e lirisë
për ata që mohojnë se janë bijtë e Shqipërisë
për ata që vetëdijshëm i bëjnë gropën lirisë
për ata që vrasin idealin e djalërisë
për ata që i bënë dredhi lirisë
10.
sonte edhe ju
pa përbuzje do ju shohim
në flakën e kuqe të kandilit
pa vrasje ndërgjegje
pa skuqje
kuqësinë tuaj do e djegim sheshazi
sonte do të takohemi
për të ia thënë njeri-tjetrit të gjitha
në sy
sonte mund edhe të mos puqemi
sonte mund edhe të skuqemi
nga gjithë kjo flakë që atdheun po e ndriçon
sonte në këtë natë zjarresh
a mbet ndonjë fjalë pa u thënë
a do të ketë lum që të ligjtë i lanë
a do të ketë flakë që ata i thanë
a do të ketë kush i qanë
11.
sonte festoni
sonte kujtoni
gjymtyrët e këputura të trupit tonë
Çamerinë
Preshevën
Medvegjën
Bujanocin
Shkupin
Tetovën
Plavën
Gucinë
Ulqinin
Peshterin
atje
ku flaka e lirisë pret të ndizet
atje
ku zjarri i robërisë po djeg liridashësit
atje
ku plaga e vjetër e atdheut tonë
peng e ndërgjegjes mbet
atje ku ajo që kërkohet nga ne
nuk jemi duke e dhënë
atje ku rrugët e lirisë
gjak po kullojnë
atje ku yjet vranësirat po luftojnë
atje ku një ditë mbi të ligat
do të fitojmë
përfundimisht
shqipatrisht
12.
sonte
flaka e lirisë nuk shuhen dot
e ndezi Komandanti
e ndezën Jasharajt
e ndezi Ushtria Çlirimtare
e tokës shqiptare
sonte ushtarët e vërtetë
me flakën e lirisë në gjoks
krenar festojnë
ata
kujtojnë ditët e mira
kur u mobilizua djalëria
kujtojnë ditët e liga
kur toka shqiptare po digjej
kur dikush po piqej
kur dikush po hiqej
kur dikush po krihej
kur dikush po zgërdhihej
kur dikush po qëndronte
kur dikush po marshonte
kur dikush po shante
kur dikush po ikte
kur dikush po dhunohej
kur dikush po masakrohej
kur dikush po vendnumëronte
kur dikush në anën e armikut shkonte
kur dikush po meditonte
kur dikush po mohonte
bijtë e atdheut
13.
sonte ata festojnë qetë
modestë e të çiltër
si gjithmonë
me shpirtin e tyre të dëlirë
zhveshur nga ligësitë
të shikojnë pa ndrojtje në sy
të vërtetën e madhe
e kanë thënë me vepra
jo me fjalë
të nderuar e të respektuar
kudo në Shqipëri
bijtë tanë më të mirë
me zjarrin e lirisë në gji
14.
si dje
edhe sot
të heshtur e njerëzor
njerëz të tokës modest
pjesë të historisë
të mbuluar me petkun e lavdisë
pa e tepruar sonte festojnë
të vetëdijshëm për peshën mbi supe që kanë
sonte ata shkëlqejnë
sonte ata nuk rrëmbehen
sonte ata flakën s’e ndalin
sonte ata mallëngjehen për më të dashurit
që shqiptarisë ia falën
me shpirtin e madh
me zemrën e kuqe si flaka
sonte ata janë nder ne
me burra
me gra
fëmijë
djem
me pleq e me plaka
me tokën
me dhe
sonte ata janë
krenaria jonë kombëtare
nëse kjo mjafton
ata
për jetë do të mbesin
dinjiteti jonë
15.
sonte
rreth kësaj flake
dikush gëzon e këndon
dikush qanë e kujton
dikush skuqet e fshihet
dikush paturpësisht zgërdhihet
dikush nëpër poret e pushtetit përbirohet
dikush hiqet si zot e nuk durohet
dikush ulë kokën e turpërohet
dikush nuk digjet nga skuqja
dikë skuqja e djeg
dikush po ha ulur
dikush po ha në këmbë
dikush kafshon buzën
dikush zë gjuhën me dhëmbë
dikë s’e zë turpi
dikush turpin me bukë e hanë
dikush krenar e ballëlartë
dikush me dhimbje në asht
16.
sonte do t’i këndojmë lirisë
për një çast
s’do t’i sjellim nëpër mend
kujtimet e hidhura
nesër
të përpiqemi për ditë më të mira
të kujtojmë të pabërat
të gjykojmë të paburrat
të shpëtojmë atdheun nga skuqja
nga vuajtja
nga nëpërkëmbja
nga përbaltja
nga nëpërkëmbja
të ecim krah botës me hallet tona
si të gjithë të tjerët
të jetojmë të lirë
në atdheun tonë të shtrenjtë
të mirë
17.
sonte
ndizet flaka e madhe
në shenjë kujtimi
porosi për brezat
mos luani me fatin e atdheut
se kjo flakë ju djegë
mos luani se atdheu nuk është lojë
mos luani se për të keq
përjetësisht do t’ju kujtojmë
atdheut shërbim
atdheut nderim
mos ta shajmë atdheun
atdheun mos ta mohojmë
mos e keqpërdorin atdheun
se toka brenda
nuk do të na le
tunduni
fjalë e madhe është
ATDHE
18
edhe sonte
jetë e mot
flakën e lirisë do ndezim në Prekaz
në vatrën e lirisë
në kërthizën e shqiptarisë
sonte e përgjithmonë
do kujtojmë me dinjitet
Komandantin tonë
legjendarin
atë që ndezi flakët e lirisë
në zemër të kombit
në Prekaz
në zemër të shqiptarisë
Komandantin
Adem Jasharin do e kujtojmë
si sonte
për jetë e mot
emri i tij qoftë lavdue
për të populli ka me këndue
sa të jetë jeta me jetue…..
(Pjesë nga balada në dorëshkrim – autor Mehmet BISLIMI)
Mehmet BISLIMI – mars, 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura