VANGJUSH ZIKO: NJË LEXIM I RI I METAFORËS SË MOIKOM ZEQOS

Kanada, 29 tetor 2018: Në parathënien e botimit të tij më të fundit, “Laboratori i Ëndrrës” (2018) poeti Moikom Zeqo shkruan:
“Ky libër shpjegon Moikomin e tërë moshave. Pse kam shkruar ndryshe konceptualisht dhe estetikisht poezinë dhe prozën, serinë e librave të mi me stilin e pazakonshëm dhe të pangjashëm…. në kërkim të një lirike, të një stili absolutisht të lirë dhe të një improvizimi vizionar, që ka përparësinë e bekuar të metaforës”.

Kronologjia e memuareve të vitit 1970, na flet mbi leximet, përkthimet, kontaktin me poezinë futuriste ruse, me poezinë europiane dhe atë amerikane, me sprova të ndryshme krijuese, ushtrimin me figurat letrare dhe, kryesisht me metaforat, interesimin mbi arkeologjinë tokësore dhe detare, hobin për pikturën, për muzikën, njohjen e traditës më të përparuar letrare kombëtare etj.
Të gjitha këto, të dëshmuara në këtë libër, na hedhin dritë dhe na e bëjnë të qartë se përse Moikomi ka shkruar ndryshe “konceptualisht dhe estetikisht poezinë dhe prozën”, na flasin për një personalitet erudit dhe aspak të zakonshëm krijues të letrave shqipe.
Sigurisht, të shkruash ndryshe nuk mjafton vetëm bagazhi dhe horizonti gjithëpërfshirës intelektual.
Të shkruash ndryshe poezinë kërkon jo vetëm zotërimin e arsenalit të saj krijues, të mjeteve bazë të mjeshtërisë artistike, por edhe një rivlerësim tërësor artistik dhe estetik të tyre, përpos zgjedhjes së mjetit më të përshtatshëm dhe adekuat për ta realizuar këtë qëllim.
Që në fillimet e krijimtarisë së tij poetike Moikomin e ka tërhequr figurshmëria dhe konkretisht Alegoria dhe Metafora.

Aristoteli është studjuesi i parë që e vlerësoi në shkallën më të epërme duke e quajtur metaforën “Mbretëreshë” të tropeve.
Pushteti dhe magjia e kësaj “Mbretëreshe” qëndron, jo vetëm në bukurinë e saj estetike, por në thelbin e saj.
Ajo, në dallim nga tropet e tjera, arrin një pasqyrim maksimal të së tërës, të mendimit dhe të ndjenjës, një rimishërim artistik të botës dhe të jetës njerëzore.
Figurat konkrete metaforike ekzistojnë në mënyrë të natyrshme.
Ato i gjejmë në gjuhën e përditshme në fjalë dhe shprehje nga më të ndryshmet.
Ato përdoren, jo vetëm për ta bërë të folmen tonë sa më tërheqëse, por për të na e ngulitur kuptimin e tyre të figurshëm në kujtesën tonë.
Ato janë, në radhë të parë, një fenomen gjuhësor me veti thellësisht emocionale mbresëlënëse.
Metafora ka historinë e përdorimit dhe të zhvillimit, interpretimit dhe pasurimit të saj, jo vetëm në sasi, por, mbi të gjitha, si cilësi artistike dhe estetike në poezinë botërore.
Sipas mendimit fillestar, prodhimi i metaforave bazohet në sistemin e asociacioneve të pranuara nga të gjithë, ajo njihet mirë nga përdoruesit e gjuhës.
Në kontekstin gjuhësor është i mjaftueshëm kombinimi metaforik, që i jepet një fjale, një sendi, një ndjenje të figurshme.
Studjuesit amerikanë G. Lakoff dhe M. Jonson me veprën e tyre “Metaphors we live by” hodhën idenë se metafora është jo vetëm një dukuri gjuhësore por edhe mendore.
Ka edhe metafora që nuk kanë lidhje me sende apo objekte të realitetit.
Këto metafora përfshijnë në vetvetete koncepte kuptimore të sferës mendore.
Këto janë metaforat konceptuale me kontekst kulturor.
Në kontekstin kulturor përfshihet kuptimi tërësor i diturive dhe i përvojës, i njohurive të zotëruesit të gjuhës, në rastin tonë, të vetë poetit.
Metafora bëhet kështu jo vetëm mjet i formimit dhe i objektivizimit të tablosë konceptuale të botës, por edhe paraqitja verbale e saj nga poeti.
Ajo zotëron tiparet e qarta të ndërgjegjes vetjake të krijuesit të saj.

Moikomi e bëri metaforën konceptuale “Pegasin” e Muzës së vet, jo rastësisht dhe jo spontanisht.
Në librin e tij “Laboratori i ëndrrës” na tregon me shembuj se kush ndikoi te ai në këtë përzgjedhje.
Mësimet e para ai, sigurisht, i mori nga gjuha e gjallë e popullit të vet.
I mori nga leximet e poetëve tanë të shquar De Radës, Naimit, Lasgushit, Migjenit, poezinë e të cilëve, jo vetëm e lexoi, por edhe e studioi.
Burimi kryesor për të ka qenë poezia futuriste.
Ai na e dëshmon këtë me shembujt si dhe me përkthimet-prova nga kjo poezi.
Dhe konkretisht nga Majakovski.
Ai bëri të tijën figurshërinë hiperbolike, detajet tokësore, konkrete apo abstrakte të paralelizuara metaforikisht me fenomene të natyrës, frymëmarrjen kozmike të poetit më të shquar futurist të dekadës së parë të shekullit të njëzetë.
Ai na pohon, gjithashtu, për ndikimin e poetit francez Pierre Reverdy, stili i të cilit ka jo vetëm ngjyrim mistik, por edhe një “lartësi të thjeshtë të pasqyrimit të realitetit”.
Një ndikim të padiskutueshëm në krijimtarinë e tij ka mitologjia greke, ajo ilire me metaforat e saj të perëndive të Olimpit,por edhe Medauri dhe Redoni ilir.
Atë e kanë tërhequr metaforat mitologjike të perëndive të Olimpit dhe Panteonit Ilir të veshura me vetitë njerëzore.
Si dhe stili metaforik i odeve të poetit të madh të lashtësisë antike greke, Pindarit dhe, sipas meje, ajo që studjuesit e poetit antik e kanë qojtur “rocky stream of eloquence”.
Duke patur parasysh, motërzimin mitologjik të Uranias (Muzës së Astronomisë) me Euripinë (Muzës së Poezisë) Moikomi, siç shprehet vetë, realizon poetikisht “Qiellëzimin e Poetikës tokësore dhe Tokëzimin e Kozmologjisë”.
Te Moikomi gjejmë edhe ndikimin e besimeve të mëvonshme, pas Antikitetit, të cilat mistifikuan Zotat dhe Heronjtë, nga metaforat biblike dhe, veçanërisht, nga botëkuptimi panteist bektashian,ose Spinozian.
Ndërsa studjuesi Fatmir Minguli pohon se metaforat e Moikomit “vijnë nga legjendat shqiptare”.
Sigurisht, metaforat kanë shumë burime.
Janë jo vetëm burimet historike.
Mbi të gjitha, ato burojnë nga jeta dhe realiteti i përditshëm.
Metaforat konceptuale klasifikohen në grupe të ndryshme sipas idesë së tyre: “Njeri-Natyrë”, “Njeri-Dashuri”, “Njeri-Vdekje” etj.
Ndër më të preferuarat nga Moikomi janë ato me temën “Njeri-Jetë”.
Poeti, si çdo qenie e gjallë, e heton botën me anë të pesë shqisave: të të parit, të të dëgjuarit, të prekurit, të nuhaturit dhe të shijuarit.
Unë po ndaloj te shqisa e pestë, më delikatja dhe më estetikja, në të shijuarit e jetës, të botës materiale dhe asaj shpirtërore.
Moikomi ka shkruar një cikël të tërë me titullin “Shqisa e Pestë”.
Fokusi i këtyre metaforave, të përzgjedhura prej meje, është bota shpirtërore, vetmia universale, vdekja, pra, modeli “Njeri-Jetë”.
Secila nga këto tri metafora ka idenë, krahasimin dhe analogjinë metaforike, ka strukturën e vet.
Le t’i lexojmë këto.
***

1.Ç’është ky shekull, që mban në duar kryqin, si kyçin e ndërtimit të Vetmisë sonë universale?
Kemi një metaforë konceptuale mbi një dukuri dramatike aktuale, mbi Vetminë Njerëzore.
Kjo metaforë, nga një “objekt” abstrakt, është personalizuar, “materializuar” (ajo ndërtohet), ndërtuesi, “mjeshtri” i saj është Shekulli (një nocion kohor, i animizuar edhe ky) , që mban në dorë Çelësin e kësaj “kulle ngujimi”..
Poeti na e rilind konceptualisht metaforën e konsumuar të Mjeshtrit (Muratorit), duke na e kthyer pas në origjinën e mitit të Vetmisë.
Ai rikrijon kështu metaforikisht njëjësimin e ri dramatik të Botës me Destinin.
Kjo metaforë mishëron konceptin e ndëgjegjes poetike mbi këtë dukuri aktuale globale të formuluar artistikisht si një pyetje retorike mbresëlënëse.
***
2.Duhet njëqind herë Ferrin i gjallë ta kalosh, që më në fund të vdesësh në paqe si njeri!
Metafora e dytë është e veshur me petkun e hidhur të cinizmit tragjik (të vdesësh në paqe duke vuajtur) duke kaluar nëpër Ferr.
Ferri nga koncept biblik fetar merr atributet e jetës tokësore, e mundimeve dhe vojtjeve njerëzore, duke u shndërruar kështu nga një koncept abstrakt biblik, në një realitet tokësor, ku vdekja është shpëtimi dhe paqja e përjetshme.
Kjo Metaforë Konceptuale vjen si rezultat i njohjes së Kalvarit të jetës tokësore dhe të adhurimit të dinjitet njerëzor, duke pasqyruar kështu ndërgjegjen individuale të poetit.
Ky fakt bëhet kështu përcaktuesi i pikëpamjes gjuhësore, që realizohet në dy drejtime.
Nga njëra anë na jepet një tablo reale poetike e botës dhe nga ana tjetër na krijon metaforën e modelit “Njeri-Jetë”.
***
3.Dhe lëvizja e mendjes është fryma e shpirtit që fryn trumbetën e artë të Zgjimeve të Mëdha!
Metafora e tretë është një produkt që ka në bazë dy dukuri të kundërta, botëkuptimin fetar dhe konceptin materialist biologjik, gjykimin dhe frymën.
Të dy “Mendja” dhe “Shpirti” animizohen.
Mendja “lëviz”.
Shpirti “merr frymë”.
Shpirti, që “me Trumbetën e Artë” lajmëron profecinë e Apokalipsit, nëpërmjet metonimisë “mishëron”Kryeëngjëllin biblik.
Paradoksale!
Përqasen logjika materialiste me konceptin idealist!
Dhe jo vetëm kaq.
Është logjika tokësore që frymëzon logjikën qiellore!
Volteri frymëzon Kryeëngjëllin, që t’i bjerë trumpetës së fitores biblike! Metafora konceptuale e pranon bashkëjetesën e Racionales me Iracionalen, të Mitogemës me Historiken.
Metafora (bashkë me motrën e saj, metoniminë) krijon hapësira të pafundme mendimi dhe bëhet më shumë se mbresëlënëse.
Kjo është një përparësi tjetër “e bekuar” e Metaforës Konceptuale.
Studjuesi Vasil Vasili ka përcaktuar me mençuri një veti të rrallë të poezisë së Moikomit.
Ai shkruan se kjo poezi “është e elektrifikuar në qelizë”.
Kjo “qelizë e elektrifikuar” është Metafora Konceptuale.
Metaforat konceptuale të Moikom Zeqos mishërojnë artistikisht tërësinë e ndjenjave, mendimeve dhe përvojën e pasur gjuhësore dhe kulturore të vetë Poetit, këndvështrimin e tij mbi botën, mbi Jetën dhe Vdekjen, mbi Abstrakten dhe Konkreten, mbi të Bukurën dhe Estetiken.
Poezia e Moikom Zeqos është një kaskadë metaforash konceptuale.
Me anën e tyre Poeti na rikrijonë artistikisht tablonë e botës materiale dhe asaj shpirtërore të shekullit tonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura