MEHMET HAJRIZI: ANALIZA PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (22)

Pashtriku, 15 nëntor 2019:
4.8 Rezultate dhe pasoja

Plot njëzet e shtatë vjet janë analizuar demonstratat e vitit 1981, shpeshherë në mënyrë diletanteske, duke nxjerrë përfundime diametralisht të kundërta, herë me pasoja herë me rezultate, varësisht nga këndi i vështrimit. Për të bërë studime objektive, në këtë kapitull të historisë së re të Kosovës, tashmë ekziston distancë e mjaftueshme kohore dhe argumente të nevojshme, vetëm duhen kushtet dhe vullneti i historiografëve të paanshëm që do të punonin, jo me konkluzione të parapërcaktuara, por sipas kritereve shkencore, pa u ndikuar nga cilado proveniencë politike. Por duhet thënë gjithashtu me insistim, që askush nuk do të mund ta studiojë kryengritjen e vitit 1981 të shkëputur nga Lëvizja Kombëtare, e cila i parapriu, e përgatiti dhe e organizoi.
Statusquo e para demonstratave ishte e paqëndrueshme, prandaj Kosova do të ecte përpara drejt avancimit, ose do të prapakthehej në histori. Në vend të udhëheqjes zyrtare oportuniste, ishte vetë masa demonstruese, e cila duke u bërë dalzotës në situatat historike kërcënuese dhe të rrezikshme, po e merrte fatin në duar të veta për t’i siguruar Kosovës iniciativën vepruese, sepse siç thotë një fjalë e urtë angleze, “Zoti na dhuron atë, që e krijojmë vetë me duart tona”.
Kryengritja e vitit 1981, pavarësisht që nuk e arriti objektivin e sintetizuar në parullën “Kosova-Republikë” ka rëndësinë historike të zgjimit kombëtar shqiptar dhe siç është thënë shumë herë, përbën një rilindje të dytë të kombit.
Ajo përbën kthesë dhe fillim të një epoke në historinë e re të Kosovës dhe të Lëvizjes së saj Kombëtare, e cila e prishi statusquonë e deriatëhershme, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Jugosllavinë, duke hallakatur sisteme të tëra shoqërore e politike dhe duke hapur perden e aktit të fundit të dramës së sundimit serb në Kosovë. Më 1981 fillon çlirimi i brendshëm i energjive, hopi dialektik i shndërrimit të sasisë në cilësi, zgjerimi i bazës shoqërore të Lëvizjes dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës. Kosova e vogël jo vetëm i prishi tharmin konceptit të jugosllavizmit, por lëkundi seriozisht edhe vetë themelet e Jugosllavisë.
Duke qenë një krahinë e humbur, e panjohur dhe problem krejt i brendshëm serb e jugosllav, Kosova me sakrifica nxori faqe botës dimensionin e çështjes së saj kombëtare dhe për më tepër, i siguroi asaj një solidaritet të gjerë ndërkombëtar.
Pranvera shqiptare zbuloi të vërtetën për politikën shoviniste serbe dhe për kolonializmin që po zbatohej në Kosovë. Me të drejtë, në gazetën suedeze “Svenska dagbladet” (14 qershor 1981), një reportazh i Riçard Shvarc për demonstratat, fillonte nga Hoteli ‘Grand’ i Prishtinës, në hollin e të cilit, mbi makinën automatike të lustrimit të këpucëve shënonte : ‘Aparati nuk funksionon’, kurse më poshtë reportazhit paraqitej harta e Jugosllavisë, mbuluar me gjethe fiku, por që hapësira mbi Kosovën ishte e zbuluar. Nëpërmjet këtyre simbolikave, autori në mënyrë të goditur konfirmonte të vërtetën e zbulimit të turpit jugosllav në Kosovë dhe çjerrjen e maskave lustruese të regjimit, që u kishte bërë kryengritja e popullit të Kosovës. Viti 1981 në Kosovë e nxori jashtë përdorimit makinerinë propaganduese e mashtruese të pushtuesve. Në vendet e demokracisë perëndimore “…analizat e para, sidomos pas vitit 1981, filluan seriozisht ta kontestojnë të ‘vërtetën’ zyrtare jugosllave për Kosovën”. Në një intervistë dhënë në burg gazetës “Borba” të datës 24 mars 1989, Adem Demaçi ka thënë: “Kryengritja e vitit 1981, po them kryengritje, sepse ajo njëmend ishte e tillë, ka dëshmuar se Lëvizja jonë funksionon sipas principit të miellit dhe ujit, veprimet e pamenduara të burokracisë nacionale dhe të policisë shtojnë protestat, aktorët e të cilave burgosen, kështu që të tjerët kërkojnë lirimin e tyre dhe kështu me radhë. Mielli dhe uji kthehen në brumë që rritet, dhe mendojini me mijëra të rinj që kanë kaluar nëpër burgje, se cili është përcaktimi i tyre”. Rexhep Qosja ka shkruar: “Kam shkruar shumë herë se demonstratat e vitit 1981 e kanë rikthyer çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi në skenën politike botërore. Në saje të tyre është bërë ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe i çështjes shqiptare. Ato ishin ngjarjet e mëdha historike. Ato ishin ngjarja më e madhe që e ka lëvizur historinë tonë, që e ka shkurtuar kohën tonë, që e ka ngjeshur historinë tonë. Pa to ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot: në prag të pavarësisë së Kosovës” Rexhep Abdullahu, njëri nga NDSH-istët e njohur ka nënvizuar: “Demonstratat si ato të vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës për nga ndikimet që kanë dhe kthesat që bëjnë janë ngjarje jo të shpeshta në historinë e popujve…”.
Sabile Basha, duke shkruar për demonstratat, të cilat filluan por nuk mbaruan në pranverën e vitit 1981, ka shkruar: “Ato zgjaten gjatë gjithë pranverës së vitit 1981 dhe konsiderohet se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Në to në forma të ndryshme mori pjesë i gjithë populli shqiptar. Demonstratat e vitit 1981 ishin referendumi më i suksesshëm dhe më bindës i nënshkruar me gjakun e popullit tonë”.
Veli Deva, ish udhëheqës i lartë i Kosovës në Mbledhjen e 86 të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, e mbajtur më 4 prill 1981 ka thënë: “Pushteti popullor kurrë nuk është rrezikuar më shumë dhe nuk është luhatur nga një aktivitet më i madh armiqësor sesa që ishte ky aktivitet”. Kurse Kolë Shiroka, koleg i tij, po në këtë mbledhje pranonte: “Pra, planifikimi ka qenë i gjatë dhe kemi të bëjmë me një organizim dhe organizatë më të organizuar sesa organizata jonë”.
Pavarësisht dëmeve të rënda që pësoi Lëvizja e organizuar Kombëtare, efektet e demonstratave në ngritjen e ndërgjegjes së masave të gjera popullore për çlirim nga robëria qenë të barabarta me dhjetë vjet të punës së pareshtur të saj. Populli i Kosovës e ktheu besimin e humbur në veten e tij.
Demonstratat e shtuan vrullshëm intensitetin e Lëvizjes e ndërruan formën e rezistencës dhe u bënë forcë shtytëse e zhvillimeve çlirimtare, përparim i ndërgjegjes së Lirisë, siç do të thoshte Hegel, por edhe prelud i ngritjeve, sasiore e cilësore të Lëvizjes së re Kombëtare, që kulmoi në Epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Komandantit legjendar, Adem Jashari.
Ukshin Hoti e quante vitin 1981 nyje, zbërthimi i së cilës e mundësonte lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve. Ai shpjegon: “Kritika të tjera, subjekte të tjera të ndrydhura e të pandrydhura, natyrisht do të pyesin me të drejtë- përse pikërisht viti 1981? Përse jo ndonjë vit tjetër, p.sh. viti 1968, apo edhe ndonjë vit i mëhershëm, të mos ishte nyja pa zbërthimin e së cilës nuk do të ecej përpara? Dhe, përgjigjja mund të duket arrogante, por në esencë e saktë: sepse vitet e tjera nuk e ndryshuan historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet e tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet, e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte një vit mrekullibërës, por, sepse pikërisht në atë vit ishin pjekur të gjitha kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset, ishin arritur të gjitha nivelet për shndërrimin e kuantitetit në kualitet dhe rastësisht i ndrydhi subjektet, që nuk deshën të pajtoheshin me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti 1981 do të kalonte njësoj sikurse edhe vitet e tjera”

Kosova më 1981 po i kontribuonte zhvillimit të demokracisë evropiane në rajon, duke promovuar me gjak të drejtën e shprehjes së vullnetit e të revoltës dhe duke filluar rrënimin e një burgu të madh të popujve në truallin e Evropës. “Pas vdekjes së Titos, kriza e Kosovës dhe thirrjet e shqiptarëve “Kosova Republikë” patën efektin e një tërmeti që shkundi themelin e shtetit federal”
Duke trajtuar vitin 1981, veprimtari i shquar i Lëvizjes Kombëtare, Adem Demaçi ka thënë: “Mendoj se kërkesat e kryengritësve paqësorë kanë qenë në pajtim me mundësitë dhe rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të asaj kohe. Që nga Kryengritja paqësore e nëntorit 1968 në Kosovë, Lëvizja çlirimtare përsëri kishte kaluar në ilegalitet. Por nga marsi i madh i 1981-shit, Lëvizja paqësore çlirimtare u ngrit në një shkallë më të lartë, mori rrugët e qyteteve tona. Dhuna e egër e regjimit çetnik, në vend se të gulfonte kryengritjen, i dha zjarr edhe më të madh dhe e bëri që ajo të masivizohej edhe më shumë. As burgosjet, as vrasjet nuk dhanë rezultate. Policia serbe u gjet e pafuqishme para furisë së masave të elektrizuara… Ajo kërkesë shprehte nivelin e vetëdijes dhe nivelin e organizimit tonë në atë kohë dhe rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të asaj kohe. Sikur kryengritja paqësore e 1981-shit të kishte ndodhur më 1974, kur duhej të ndryshohej kushtetuta, kur Kosovën Republikë e patën përkrahur madje edhe Katerina Paternogiq-Cica, Milija Kovaçeviq, Smajo Jusufi e Rezak Shala e derisa ekuilibristi Tito ende ishte gjallë, Kosova do të arrinte të barazohej me republikat tjera të Jugosllavisë. Dhe kjo do të ishte një fitore e rëndësishme në rrugën tonë drejt lirisë së plotë. Por Fadil Hoxha dhe garnitura gjakovare në pushtet nuk e vlerësuan situatën drejt. Kësaj garniture rehatia e gjatë ia kishte thyer tehun e gatishmërisë për sakrificë. Ajo u përcaktua për rehatinë e vet duke menduar se kjo rehati do të zgjaste deri në infinit dhe prandaj flaku tej interesin e përgjithshëm…”.
Studiuesi, Shaban Sinani te “Zëri i Kosovës” më 15 prill 1996 ka shkruar: “Shqiptarët qenë të parët që i treguan botës se ‘federalizmi shumëkatësh’ i këtyre vendeve nuk funksiononte si propagandohej, sepse liria dhe mirëqenia e një pale sigurohej në kurriz të nënçmimit dhe shfrytëzimit të palës tjetër. Kosova i tha kësaj bote se çështjet nacionale ende nuk janë futur në arkiv dhe nuk mund të mbahen gjatë tabu. Heronjtë e asaj kohe dhe sfida e tyre janë në nderin e historisë shqiptare. Te kjo sfidë historia do të rikthehet shpesh. Ne e dimë se historia rrotullohet ngadalë. Por kurdoherë që fati i shqiptarëve do të jetë afër mbarësisë, kurdoherë që cikli i historisë do të rikthehet aty ku çështja mbeti në vitet 80, protagonistët e saj do të çmohen”.
Kujtimet më të mira të krenarisë së asaj kohe pa dyshim janë, shpalosja e virtyteve të larta morale e patriotike, e vlerave tradicionale të Lëvizjes Kombëtare, heroizmi masiv, dëshmorët e rënë në ballë të demonstratave dhe rezultatet e arritura në plan të brendshëm e të jashtëm. Kjo Lëvizje e këtyre virtyteve e vlerave historike, me gjithë sakrificat, ruajti kontinuitetin që nga Lufta e Dytë Botërore e mbajti të ndezur zjarrin e rezistencës dhe sqaroi, organizoi, mobilizoi e bashkoi shqiptarët rreth flamurit të lirisë.
Pas rënies së dëshmorëve të demonstratave më 1981, si Naser Hajrizi e Asllan Pireva, organizatorë dhe militantë të Lëvizjes Kombëtare, të rënë në ballë të demonstratave, Xhelal Maliqi e Salih Abazi (në Prishtinë, më 2 prill 1981), Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni (Vushtrri, më 3 prill 1981), Rizah Matoshi e Sherif Frangu (Ferizaj, më 3 prill 1981), disa ditë më vonë në qëndresën epike që u bënë hordhive policore e ushtarake jugosllave, bien Tahir e Nebih Meha (Prekaz, më 13 maj 1981). I riu, Nesimi Dervishdana u vra në Gjakovë më 26 korrik 1981 nga oficerë të Ushtrisë jugosllave, kurse Ibrahim Krasniqin e Afrim Abazin, autoritetet e regjimit i mbytën në burgjet jugosllave. Në vitet vijuese vriten udhëheqës të shquar të Lëvizjes, si Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu dhe shumë të tjerë që ranë për të mos vdekur kurrë, sepse vetë vepra e tyre e përjetshme u dha pavdekësinë. Gjaku i tyre u kthye në flamur betejash të reja, kurse shembulli që lanë amanet e fisnikëroi një brez të tërë dhe frymëzoi vetëmohimin e luftëtarëve dëshmorë të UÇK.
Përveç të rënëve, kryengritja e vitit 1981 i kushtoi Kosovës rreth një mijë të plagosur me armë zjarri. Forcat ushtarake dhe policore, madje edhe civilë shovinistë gjuanin me gjësende nga ballkonet dhe shtinin me armë zjarri, pa kontroll mbi demonstruesit , prandaj në shtypin e huaj llogaritej të kishte mijëra të vrarë. Qindra të tjerë ishin rrahur, torturuar e gjymtuar. Regjimi pushtues pas demonstratave ndërmori një fushatë të egër ofensive për shpartallimin e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, duke intensifikuar arrestimet sistematike e masive dhe likuidimin fizik të veprimtarëve çlirimtarë.
Më 13 prill 1981 Xhavit Nimani në mbledhje të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste thoshte edhe këto: “… sot kemi biseduar, thanë se nuk kemi vend në burg”
Arrestimet e reja, në fakt ishin vazhdim i intensifikuar i ndjekjeve që i bëheshin në kontinuitet Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. Në një nga mbledhjet e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, fill pas demonstratave, Sekretariati i Punëve të Brendshme raportonte: ”Ne kemi bërë një analizë nga viti 1974 e deri tash, ku bëhet fjalë për shtatë vjet. Nga kjo shihet qartë se ky shërbim i ka zbuluar nëntë grupe armiqësore…që e kanë pasur organizatën e tyre, i kanë pasur qëllimet e veta, dokumentet e veta dhe kështu me radhë. Ndër ta është një grup me pozicione të Informbyrosë, ky është i ashtuquajturi grupi Lidhja e Re Komuniste e Jugosllavisë. Të gjitha grupet tjera janë nga pozicioni i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Ndërkaq Mahmut Bakalli në Mbledhjen e 89-të e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 27 prill 1981, duke folur për armikun e brendshëm theksonte::” Ai ka vepruar edhe më herët, i ka pasur edhe aksionet e veta, ne e kemi ndjekur…e kemi penguar, respektivisht zbuluar…disa nga degët e tij i kemi zënë dhe i kemi dënuar vazhdimisht në dekadën e kaluar. …se për tërë dhjetë vjet sa qindra sish i kemi zbuluar dhe me procedurë penale i kemi dërguar në burg me të njëjtën bazë. Por kurrë nuk kemi konstatuar se e kemi shkatërruar armikun dhe që ai nuk vepron. Ai vepron…sikur karikatori i revoles, e heq njërin grup-formohet tjetri”.
Në gjurmim të organizatorëve të demonstratave në Universitet, policia arrestoi që nga 27 marsi 1981 shumë studentë, kurse më 30 gusht 1981, pas hetimeve intensive nën tortura, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dënoi këta veprimtarë: Gani Kocin me 15 vjet burg, Ali Lajçin (15), Bajram Kosumin (15), Merxhan Avdylin (15), Murat Musliun (13), Hamdi Hajdinin (13), Riza Demajn (13), Xun Çetën (13), Hamdi Zymberin (13), Kadri Kryeziun (10), Januz Januzin (10), Sylë Mujën (10), Musli Kosumin (10), Halit Osmanin (10), Ramadan Gashin-Dobrën (8), Gani Maxhunin (8), Gani Vllahnën (8), Selim Gecin (6), Bedri Deliun (6), Ramë Demajn (6) dhe Fahri Ymerin me 6 vjet burg.
Vetëm katër vitet e para pas demonstratave, sipas shënimeve zyrtare, u dënuan penalisht katër mijë veta. Lidhur me demonstratat e vitit 1981 janë shqiptuar më shumë se 50 shekuj burg për qytetarët e Kosovës. Gjatë periudhës 1981-1990 u vranë 183 qytetarë civilë dhe 63 ushtarë shqiptarë në armatën jugosllave, kurse u dënuan 1.346 ushtarë dhe për kundërvajtje politike 10.000 civilë. Me dënim mesatar 7.1 vjet, vuajtën në burgje 3.500 vetë. Çdo i treti shqiptar u trajtua në polici gjatë kësaj periudhe, kurse më 1990 mbi 7.000 nxënës e studentë u helmuan me helme lufte. “Pjesën dërrmuese të të burgosurve politikë e përbënin personat e moshës së re 18-20 vjeçare, 21 për qind dhe 21-24 vjeçare, 21 për qind. Mbi këtë moshë ishin diku mbi 11 për qind. Pushteti serb gjatë dënimeve nuk kurseu as fëmijët e moshës 14-15 vjeçare, që përbënin 3.9 për qind të të dënuarve, ndërsa të miturit e moshës 16-18 vjeçare përbënin 15.6 për qind”.
Një fushatë sulmesh të egra, të denja për Mesjetën, u organizua kundër kulturës, historisë, arsimit dhe inteligjencies shqiptare. Pas vënies së murit të hekurt midis Kosovës dhe Shqipërisë, u hoqën nga shkollat e fakultetet tekstet që kishin ardhur nga andej dhe të gjitha të tjerat me përmbajtje kombëtare. Librat shqip digjeshin në grumbull si në inkuizicionin e Mesjetës. “Atje ku digjen librat, në fund digjen edhe njerëzit”, thoshte Haine, sikur të profetizonte zhvillimet në Kosovë. Për ironi, gjithë kjo fushatë e çmendur po ndodhte në qenien evropiane, para syve të metropoleve të demokracive moderne, që bënin sehir. Duke shkruar për sulmin frontal të shovinizmit serb kundër çdo vlere shqiptare, Jusuf Gërvalla thoshte: “Shtypi jugosllav, veç tjerash ‘merakoset’ edhe për gjuhën tonë të njësuar letrare. Pse- thonë letërnxirësit e gazetave të shumta,- kur u bë unisimi i shqipes, nuk u mor për bazë gegërishtja po toskërishtja! Bile, toskërishtja gjirokastrite- shtojnë ata – e folmja e vendlindjes së Enver Hoxhës” (sic!)…
Prekja e çështjes së letrarishtes shqipe nga shovinistët serbomëdhenj është bërë në kuadër të sulmit frontal, antishqiptar të qeverisë së Beogradit pas demonstratave të marsit e prillit. Udhëheqja e Beogradit është bërë pikë e helm mes tjerash edhe për një arsye: pse u lejua (!) unifikimi i shqipes, përkatësisht pse u lejuan shqiptarët në Jugosllavi të zbatonin gjuhën letrare gjithëshqiptare”… “(s’është larg mendsh që në të ardhmen shprehja ‘serbizëm’ do të përdoret në kuptimin e një fashizmi në katror) ‘Kosovarët s’janë pa republikë, e kanë republikën e Serbisë!!!. Logjikë e shkëlqyeshme! E pjekur për t’i dalë përballë jo me fjalë e kopalla, po me pushkën plot, si logjikës më të mykur fashiste”.
Pas sulmeve që i bëheshin flamurit kombëtar të shqiptarëve “Liria” shkruante: “Duke shpresuar se kështu do ta ndalojnë më lehtë, shovinistët po e quajnë flamurin tonë, flamur të Enver Hoxhës e të Partisë së Punës, por edhe ata e dinë mirë se nën këtë flamur kanë luftuar stërgjyshërit tanë dhe të Enver Hoxhës, jo më pak por 5-6 shekuj më parë…
Nuk ka popull në botë, që do ta dëshironte e kërkonte t’i hiqej e ndalohej flamuri i tij, simboli i qenies së tij. Jo, këtë nuk mund ta bëjë askush dhe sidomos nuk mund ta bëjë kurrë shqiptari që flamurin kuq e zi e ka gjënë më të shenjtë e më të shtrenjtë, shqiptari që nëpër shekuj, siç thotë kënga: ‘vritej e pritej për flamur, armiqtë hiq e ai vur’…
Sa gjak shqiptari është derdhur për këtë flamur, sa luftëra e beteja të përgjakshme janë bërë nën këtë flamur, sa trima luftëtarë janë betuar para këtij flamuri, të skuqur me gjakun e të parëve të tyre, sa bija të popullit janë kalbur dhe po kalben edhe sot për këtë flamur…! Flamuri ynë i kuq me shqiponjën dykrenore, është përjetësuar me këngët më të bukura të popullit është kënduar në vargjet më të zjarrta të poetëve tanë, është qëndisur me qëndismat më të bukura të vajzave e nuseve shqiptare, është gdhendur në dru, është skalitur në hekur e gur….; flamuri ynë është gdhendur e skalitur thellë në zemrat tona, prandaj edhe nuk mund të hiqet kurrë, për pa i skuqur zemrat tona…
Flamuri kuq e zi nuk është vetëm flamur i shqiptarëve brenda RPS të Shqipërisë, por flamur i të gjithë popullit e kombit shqiptar, i çdo shqiptari kudo që të ndodhet.
Flamuri ynë i kuq me shqipen dykrenore ka valuar në tokën arbërore, shumë kohë para copëtimit të Atdheut tonë, nga fuqitë imperialiste e çarqet shoviniste fqinje…
Flamurin tonë e kemi fituar me gjakun tonë, e kemi mbrojtur me gjakun tonë dhe, po të jetë nevoja, jemi gati ta mbrojmë përsëri me gjakun tonë. “
Regjimi ishte vërsulur jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër gjithë shqiptarëve në Jugosllavi, pa përjashtim. Në vazhdim të luftës kundër shkollës shqipe, në Maqedoni po intensifikoheshin masa të rrepta sidomos pas kryengritjes në Kosovë. Duke trajtuar fushatën shoviniste maqedonase kundër shqiptarëve të atjeshëm, “Liria” shkruante: “Në shërbim të këtij plani, u shpërngulën me dhunë dhjetëra, mijëra shqiptarë dhe në vend të tyre po sillen elementë sllavë, nga Greqia e vende të tjera. Masa të jashtëzakonshme janë ndërmarrë e po ndërmerren kundër kulturës e shkollës shqipe. Dhe po të flasim me gjuhën e fakteve, del se mbi 23-mijë fëmijë shqiptarë, mësojnë në gjuhën maqedonase dhe kjo përbën gjysmën e numrit të përgjithshëm të nxënësve shqiptarë, kurse gjysma tjetër mësimin e ndjekin në të dy gjuhët dhe vetëm një pjesë e vogël (kryesisht nxënësit e viseve malore, kanë të gjitha lëndët në gjuhën shqipe)…
Shembull tipik për këtë është Universiteti i Shkupit, në të cilin studiojnë 2365 shqiptarë. Nga të gjitha fakultetet e degët që i ka ky universitet, për studentët shqiptarë mësimi është organizuar në gjuhën amtare vetëm në Akademinë Pedagogjike, dega e Gjuhës Shqipe. Për këtë arsye si dhe për diskriminimin e gjithanshëm që iu bëhet studentëve shqiptarë, para pak kohe u organizua një protestë e fuqishme, nga studentët shqiptarë. Gjithashtu edhe standardi jetësor i tyre është shumë i ulët në krahasim me mesataren e studentëve të Republikës. Nga numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këtë universitet, vetëm 489 veta shfrytëzojnë bursë ose kredi, kurse në shtëpitë e studentëve (barakat e mbetura që nga tërmeti i vitit 1963), banojnë 430 studentë shqiptarë, prandaj protestat e tyre, nuk përmbanin vetëm kërkesën që mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe por në vetvete ngërthenin shumë kërkesa të tjera. Ata gjithashtu shprehnin përkrahje e solidaritet me vëllezërit e tyre në Prishtinë…
Në Maqedoni, që nga lufta e këtej janë ndërmarrë masa represive kundër mësimdhënësve shqiptarë dhe inteligjencies përparimtare. Vlerësohet se që nga viti 1946 e deri në prag të demonstratave, në Maqedoni janë burgosur e përjashtuar nga puna mbi 500 arsimtarë shqiptarë. Kurse sivjet ky është bërë një aksion që ka marrë tiparet e një fushate të organizuar shtetërore. Deri më tani, janë arrestuar e larguar nga puna mbi 100 arsimtarë shqiptarë. Vetëm në komunën e Tetovës, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, u larguan nga puna 18 mësimdhënës, në këtë komunë ky proces po vazhdon edhe tani me intensitet të shtuar. Në fshatin Strec u dënuan me burgim 7 arsimtarë, pse gjatë vitit të kaluar shkollor kishin regjistruar mbiemrat e nxënësve në përputhje me normat e drejtshkrimit shqip, pa prapashtesën maqedonase ‘ski’. Represione ndaj arsimtarëve shqiptarë janë ndërmarrë edhe në komunën e Dibrës, Kumanovës, Strugës etj. “
Mund të thuhet se Kosovës iu përcaktua dënim me vdekje, por historia u zhvillua sipas ligjeve të dialektikës dhe jo sipas atyre të Serbisë. Se kush do të vdiste, populli shqiptar apo shteti jugosllav, do ta përcaktonin shpejt vitet në vijim. Njëri nga ish udhëheqësit e lartë jugosllav, Vladimir Bakariç, më 1982, çështjen nëse do të vdisnin popujt apo shteti, shkruante: “Nëse në Jugosllavi një nacionalitet nuk mund të ekzistojë, atëherë pyetja duhet të bëhet ndryshe, a mund të ekzistojë Jugosllavia në përgjithësi”.
Ishte e sigurt që më nuk kishte asnjë rrezik të shuarjes së flakadanit të lirisë në Kosovë, pavarësisht sa të egra do të ishin veprimet e shovinizmit serb. Historia e re e dëshmoi këtë katërcipërisht, por për fatin e keq të shqiptarëve dhe të serbëve, kreu i Beogradit kurrë nuk arriti ta kuptonte këtë fakt dhe këtë ligj të historisë.
Në qoftë se parathënia e demonstratave ishte puna e gjatë dhe e vështirë e Lëvizjes Kombëtare, por që u shpërblye me një sukses historik, pasthënia e tyre qe kryengritja e armatosur e popullit shqiptar e udhëhequr nga UÇK.
Kryengritja e madhe e vitit 1981 ishte projekt historik i realizuar nga vetë populli i Kosovës dhe i frymëzuar e organizuar nga Lëvizja e tij Kombëtare. Asnjë organizatë apo grup i veçantë, si hallka të Lëvizjes nuk mund të marrë autorësinë ekskluzive të demonstratave, sepse kurrizi i tyre nuk mund të mbajë gjithë atë barrë. Organizatat e Lëvizjes kanë kontribuuar, kush më shumë dhe kush më pak, varësisht nga kapaciteti tyre, por demonstruesit kanë nxjerrë nga radhët e veta edhe organizatorë e prijës, që nuk kishin qenë veprimtarë të radhëve të organizuara.
(VIJON …)
(Fusnotat janë hequr)
____________
MEHMET HAJRIZI: QËNDRIMI I INTELIGJENCIES PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (21)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9184
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura