Pashtriku, 22 mars 2021:
1. Prend BUZHALA – LIBRI PËR DËSHMORIN EMBLEMATIK TË VITIT 1981
Mehmet HAJRIZI: “BIR I ATDHEUT (DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI)”, Shtëpia Botuese LIBRI SHKOLLOR, Prishtinë, janar 2019
Autori, Mehmet Hajrizi, duket se këtë vepër e ka mbajtur gjatë si peng në vetvete nëpër vite e dekada. Tashmë pasi janë qartësuar shumë aspekte nga historia jonë më e re, pas shembjes së ekzorcizmave shtetërorë dhe regjimeve totalitare, shpërthyen vullkanet e kësaj kujtese në trajta të shumta. Edhe në trajtë librash e kujtimesh të shkruara, dëshmish të gjalla e rrëfimesh të përcjella brez pas brezi.
a. Kujtesa si klimaks i historisë më të re
Fryt i një kujtese e kërkimi të tillë të ringjalljes së historisë më të re, është edhe libri “Bir i atdheut” i Mehmet Hajrizit që i rikthehet një figure emblematike të vitit 1981, dëshmorit të atyre demonstratave, Naser Hajrizit. Është ai momenti kyç i vitit 1981, kur ndodh një kapitull kthese në historinë më të re të Kosovës, kur kjo e kaluar, në kontekstin e sotëm kombëtar e shoqëror, paraqitet si një klimaks i trashëgimisë më të re historike.
Dhe ja, libri vjen në trajtën e tij më të mirë dhe më sublime, si biografi e romanizuar (libri i parë “Një jetë e këputur” ) dhe si libër dokumentar i publicistikës historike (“Homazh për dëshmorin Naser Hajrizi” libri i dytë). Nuk është e habitshme përse autori nuk dëshiron të personalizojë asgjë, dhe e ruan distancën objektive si autor me lëndën e trajtuar pa dalë vetë asnjëherë te ai rreshti i parë i rrëfimit. E ruan këtë distancë, duke e kultivuar një kulturë fisnike të kujtesës që nuk prodhon konflikte, as fyerje, ashtu sikundër e ndeshim krejtësisht modelin e kundërt te rryma e libra të ngjashëm historikë. Prandaj ai rrëfen në veten e tretë te libri i parë, dhe ua jep fjalën të tjerëve te libri i dytë.
Prend Buzhala
Dhe kjo kohë që nuk ra në kurthin e përgjumjes, hodhi sfidën e kësaj lagjeje idealistësh, që po e shprishte imazhin për parajsën jugosllave e për vëllazërim-bashkimin. E pra, ato ngjarje të mëdha kanë dëshmorët e vet, do të thoshim kanë heronjtë e vet dhe idealistët e vet prometheikë, sado që dikujt mund t’i dukej sa ato nuk sollën ndonjë ndryshim historik, përveçse u shtuan vuajtjet dhe sakrificat.
Autori thekson nëpër kapituj citate të zgjedhura, e që shërbejnë si paratekste: Më mirë të vuajë dikush se sa të rënkojë kombi. (John Dryden). Prandaj, e gjatë ishte ajo rrugë që nuk u ndal asnjëherë. Dhe ajo flakë kauzash për liri, drejtësi e pavarësi të Kosovës, nuk pushoi e që kulmoi me luftën e fundit çlirimtare të Kosovës. Çerçil do të shtone: “”Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal: por ky është guximi për të vazhduar ato kauza.”
Nga cilat radhë vjen ky bir i Atdheut?
A kishte nevojë, atëbotë, të votohej se cili do shkonte i pari në demonstrata, apo për ta bërë sakrificën më sublime? Ja, pra, Atdheu i zgjedh bijtë e vet dhe ata i ka të veçantë. Aristoteli i moçëm do të thoshte: “I guximshëm është ai që duron dhe që përmbahet për gjërat e drejta, për motivin e duhur, në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur.” E pra, sikur ai të mos ishte i të gjithëve, i këtij populli dhe i këtij Atdheu, nuk do të kishte kaq shumë bashkëveprimtarë e idealistë, kaq shumë miq e shokë të dikurshëm, kaq shumë të tjerë që rrëfejnë për të, që shkruajnë për të kujtime, ngjarje, bëma, që këndojnë këngë për të apo që krijojnë poezi për të. Që e ndiejnë veten krenarë që e kishin njohur apo që kishin bashkëvepruar. Pra, nuk do të rrëfenin, për kaq e kaq dekada rresht, për ata djem që u vranë në ato demonstrata.
Ja si e jep profilin veprues e formues të atyre të rinjve me pak fjalë:
“Një ditë të bukur të fundmarsit, nga lidhja që kishte me organizatën, Naserit iu kumtua lajmi më i gëzueshëm në jetën e tij: ai dhe Asllani ishin pranuar në radhët e saj. Tek shkonte te Asllani, Naseri nuk ecte, po fluturonte. Ata ishin bërë bashkëvëllezër të pandashëm; dy trupa dhe një shpirt. Dashuria i bashkon zemrat, por nuk ka dashuri as miqësi t’i lidhë njerëzit sa ideali për lirinë. Nga kjo ditë, Naserit i dukej vetja më i pjekur, më i përgjegjshëm, më serioz dhe më i rëndësishëm e më i dobishëm për Atdheun e vet. Befas iu kujtua një mendim i Sofokliut që i kishte pëlqyer ngaherë, se vepra njerëzore më e bukur është të jesh i dobishëm për të tjerët, por tashti i dukej i mangët, pa përmbajtje të plotë.
Ata e shikuan drejt në sy atë regjim shtypës dhe ia përplasën të vërtetën në sy. Dhe këtë e paguan me jetë, si Naser Hajrizi e Asllan Pireva, e paguan me burgje si të afërmit e tij prej Zeqir Hajrizit e deri te Mehmet Hajrizi e Jahir Hajrizi. Ata i prinë historisë dhe nuk e pritën ndonjë kohë tjetër të favorshme për të vepruar. Atyre edhe sot historia iu dha të dejtë, duke i hedhur në koshin e saj të mbeturinave ata që vepruan kundër lirisë, që iu bënë argat tiranisë.
b. Bir i atdheut: ose personifikimi i një gjenerate
Prandaj, ai është bir i atdheut. Atdheu e përballon tragjedinë e fatkeqësinë, atdheu (i personifikuar te luftëtarët idealistë, te familja, te populli), nuk qan, ani se një lot edhe mund të pikë, jo si shenjë ligësie.
Ata nuk i kanë ikur Orës së Rrezikut, por e kanë mësyrë drejt, me gjokse përpara.
Bota demokratike europerëndimore dhe Shqipëria e asaj kohe, edhe atëherë e panë qartë këtë kthjelltësi të shpirtit liridashës. Dhe reaguan në mënyrën e tyre, e dënuan dhunën e egër jugosllave të asaj kohe.
Përkufizimi “bir i atdheut” personifikon njerëzit që flasin të vërtetën, që luftojnë për të vërtetën dhe lirinë. Janë personifikim i atyre njerëzve dhe i asaj gjenerate që diti se çka i jep kuptim jetës kur je i shtypur, a kur një komb gjendet në telashe të mëdha. Janë personifikim i asaj gjenerata e i atyre të rinjve që e deshën pa kushte e pa masë atdheun, prandaj edhe autori i quan bij të atdheut. Ai quhet bir i atdheut, sepse personifikon atë gjeneratë që i dha zjarr ndërgjegjes së re historike, për ta çliruar një vend nga frika e brendshme, nga turpi i nënshtrimit, që krijuan alternativën e zgjidhjeve të reja historike, si bij të lirisë:
Biri im, mos u vono sikur mbrëmë! i tha me përgjërim e ëma. A keni demonstratë sot? nuk u durua pa e pyetur.
Po kemi, edhe më të madhe se dje, tha plot entuziazëm Naseri. Tashti do të shkoj në shkollë, se e kemi lënë të shkojmë të gjithë bashkë në demonstratë.
Po kur kryhet kjo demonstratë, o Naser?
Kjo është kryengritje, nëna ime, kryengritje dhe nuk kryhet shpejt. Ta ndalësh kryengritjen, do të thotë të bësh paqe me armikun, madje paqe pa kushte. Atje duhet të jemi të gjithë dhe deri në fitore. Më vonë dil edhe ti se shumë gra po dalin!
Apo diku tjetër:
Të gjitha rrugët e qytetit ishin përplot demonstrues. Po vinin nga të gjitha anët të tjerë, si delta e lumit që derdhet në det. Disa helikopterë bënin xhiro në qiellin e Prishtinës. Krismat nuk pushonin, kurse gjithandej qytetit përhapej një zhurmë mbytëse, si gjëmë.
Apo që e përhapën dhe e çuan zërin e Kosovës në të katër anët e botës.
Autori jep dhe momentin kyç të kësaj jete të prerë:
Te kryqi i rrugëve pranë mensës së studentëve, një civil serb shtiu me armë mbi demonstruesit. Gjaku rrodhi asfaltit tatëpjetë. Demonstruesit e panë kriminelin dhe u vërsulën drejt tij, por ai iku, duke lënë shtëpinë bosh, së cilës të rinjtë ia vunë flakën. Nga kazerma e ushtrisë erdhën dy helikopterë mbi kampusin universitar, duke shtënë me armë mbi demonstruesit. Në mes të rrugës, dy tanke po digjeshin.
Ishin të rinj ato gjenerata që shënuan Pikën e Kthesës në histori; ata sollën një përvojë të re historike të rezistencës, sikundër janë guximi për ta mposhtur frikën përballë kordonëve të milicisë jugosllave, përballë tankeve, automatikëve, gazit helmues, apo burgosjeve drakonike… dhe përballë plumbave e vrasjeve:
“Organizata, nuk e ka në program luftën aktualisht, tha njëri nga diskutuesit.
Nuk e ka sot, por në të ardhmen, jo shumë të largët, do të jetë e pashmangshme lufta e armatosur çlirimtare, tha Naseri, i bindur për ato që thoshte.!”
Ajo gjeneratë e Naser Hajrizit tregoi se Kosova është vend shpresash, se secila shtëpi shqiptare është shtëpi trimash e guximtarësh, që nderojnë lirinë dhe pavarësinë e saj. Njerëzit do të jenë habitur e mrekulluar nga ky guxim i asaj kohe, se si ata morën përsipër aq shumë rreziqe, aq shumë sakrifica.
“Njëzet e gjashtë marsi për Naserin ishte dita e pagëzimit të zjarrit. Tashti kishte një përvojë. Ai hyri nëpër dyqane, duke u thënë pronarëve t’i mbyllnin dhe të dilnin në qendër. Pastaj me Asllanin dhe kolegë të tjerë shkuan në një kantier ndërtimi, ku po ngrihej një objekt shumëkatësh.
Motra dhe vëllezër! thirri Naseri, po mblidhemi në qendër të kërkojmë lirimin e të burgosurve dhe të drejtat tona, lëreni punën dhe ejani bashkë me ne! Pastaj vazhduan edhe në punishte të tjera, në shkolla dhe lagje.”
Dhe tragjeditë nuk do të jenë të pakta. “Rreziku shkëlqen si dielli në sytë e njeriut të guximshëm” shprehej dikur Euripidi te tragjeditë e tij.
c. Ndërkomunikimi i teksteve dhe trajtat e shkrimit dokumentar
Libri i parë, sa është një rrëfim për formimin moral e për disiplinën, po aq edhe për organizimin, për trimërinë, për vendosmërinë dhe guximin; sa është rrëfim për ngritjen intelektuale e diturore, po aq nënshtresat e tij narrative përfshijnë edhe diskurse të qëndrimin kritik ndaj regjimit të kohës. Është romani biografik që rrëfen edhe për demonstratat e vitit 1981, të cilat shembën shumë nga iluzionet mashtruese për parajsën jugosllave të mirëqenies e të “barazisë së kombeve e të kombësive”, shembën shumë mite të rrejshme, të ngritura kundër shqiptarëve dhe Kosovës, përkundër historisë së përbuzjeve, përndjekjeve, fyerjeve, gënjeshtrave e dhunës. Autori shtron kërkesën e tij të shumëfishtë: këtë kohë dhe këtë lagje idealistësh e dëshmorësh, këtë popull të thjeshtë me shpirt fisnik shqiptar, nuk do parë vetëm nga këndi historik apo dokumentar; po edhe nga ai i rrëfimeve për atë kohë, të lexohet edhe nga këndi emocional, sepse një rrëfim ngërthen përshkrime të spikatjes ekspresive të vlerave, kronika të lartësimit narrativ.
Madje, kur autori ngërthen paradigmën e dy kohëve: atë të vitit të bujshëm 1981 dhe atë të pasluftës (kur Naser Hajrizi shpallet dëshmor), na sugjeron, pra, që librin ta lexojmë në këto dy kontekste historike, nga njëra anë, si dhe të trashëgimisë sonë më të re vlerave liridashëse, de vepruese, nga ana tjetër.
Autori nuk ndien nevojë të thurë a strukturojë tekste me labirinte kuptimore a figurative. Porse ai i ikën edhe një kurthi tjetër: nuk e shndërron letërsinë në traktat politik, revolucionar a filozofik, te libri i parë, dhe as në sentimentalizëm rrëfimesh për ta humbur vlerësimin objektiv të realitetit. Aty nuk ka deklarata të ekzagjeruara, as përshkrime a tekste të fryra në përshkrime e në rrëfime.
Kësisoj, ai është shkrim që ngërthen fuqinë e thjeshtësisë e të natyrshmërisë së të vërtetës. Madje, këtë të vërtetë ai dëshiron ta shikojë nga shumë anë: nga këndi i rrëfimit të mirëfilltë romanor, e ku ka kompozicion, personazhe konkrete, përshkrime, botë emocionale dhe kronika, dialogë, monologë, tekste ritesh të lindjes apo të rënies dhe të vdekjes, dasmave a fejesave, tekste fjalimesh të zjarrta të Naserit e të të tjerëve, tekste të urtisë popullore a tekste anekdotash, tekste ëndrrash (ëndrra si parandjenjë a paralajmërim i një jete të këputur në mes), te libri i parë; si dhe tekste rrëfimesh, kujtimesh, shkrimesh publicistike, shkrime të profilizimit jetësor etj. e deri te telegramet, fjalimet përkujtimore, vlerësimet e opinionet, te libri i dytë.
Nëse te libri i parë kemi një ndërkomunikim tekstesh, hiperteskte apo dhe mbindërtime tekstore rrëfimesh mbi dokumente e ngjarje; te libri i dytë vjen vetë dokumenti e dëshmia që e sipërthekson të parën. Kësisoj, këta dy libra e përplotësojnë njëri-tjetrin, shkrihen natyrshëm në njëri-tjetrin dhe aty ku pushon teksti i biografisë së romanizuar, aty ku pushon Fjala letrare, aty vjen dhe e zëvendëson Fjala Diskursive, fjala dokumentare, fjala e dëshmisë. Dëshmia e të së dytës e përplotëson poetikën biografike të së parës, kurse poetika letrare e romanizuar biografike e së parës, i jep pamje më të plotë dokumentit e dëshmisë së librit të dytë. Aty, në ndihmë të kësaj dëshmie, për t’u krijuar një imazh i plotë për dëshmorin, vijnë edhe fotografi e dokumente autentike të kohës.
Në vepër parakalojnë histori shpërnguljesh, përndjekjesh e gjëllimesh për vendbanime si Strofci, Henci a Prishtina, ku ka jetuar e jeton kjo familje, parakalojnë nëna si Nailja apo Fatimja, pjesëtarë të familjes Hajrizi nëpër breza, shokë të ilegales atdhetare, bashkëveprimtarë e shokë të Naserit:
Vijnë tekste që përshkruajnë ngjarje të qëndresës që nga Lufta e Parë Botërore:
“Fshati ishte në gjëmë e në zi, ra hataja për të satën herë mbi Strofcin. U mblodhën ata pak burra të fshatit.
Kur do të bëhemi një sofër burra, bre, kishte thënë njëri, duke nxjerrë thellë frymën nga gjoksi. Më plaku, ia priti:
Malet e Qyqavicës janë kala, kurse Strofci njëra prej hyrjeve të saj; ja përse na sulmojnë. Kemi rezistuar gjithmonë, prandaj duan ta thyejnë këtë portë.
Do të thyejnë qafën në këto gërxhe, se nuk pushtohen kalatë tona, jo.
Të lumtë goja!”
Kurse ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore sintetizohen me pak fjalë:
“Sidomos nga fundi i LDB, partizanët serbë i kishin hedhur maskat, duke nxjerrë fytyrën e vërtetë dhe karakterin shovinist që kishin kundër shqiptarëve.”
Jepen pamje takimesh, pamje demonstratash, pamje të survejimit policor nëpër rrugë, shkolla e shtëpi, pamje dhune torturash, arrestimesh etj., por edhe pamje qëndrese dhe pamje ballafaqimesh e ideologjish të kundërta:
“Kjo shoqëri, vazhdoi aktivisti, ju ka shkolluar, ju ka dhënë punë zotniu dhe ju paguan, kurse ju bëheni bukëpërmbysës. E keni kthyer shkollën në çerdhe të nacionalizmit, turp të keni!
Aktivisti gjithë natën kishte qenë në një dafrungë, prandaj gromësinte me refluks herë pas here nga fërliku dhe pijet. Ndjeu gulç në grykë, pastaj piu pak çaj që e kishte përpara.
Turp duhet të keni ju që vini këtu si kapadai dhe na fyeni e inkriminoni, pa asnjë bazë, tha profesori, kësaj radhe me zë më të ngritur.
Paskemi më shumë punë këtu, tha aktivisti kokorosh duke u ngritur në këmbë.
Dolën edhe profesorët.
A e pe sa pushtë janë këta njerëz, ndihen si inkuizitorë, i tha profesori kolegut të vet. Kobure të shitura.
Në aksion janë gjithandej, tha tjetri, edhe Universitetin e kanë bërë tabelë qitjeje…”
Në thurjen e librit të dytë autori ka gërshetuar trajtën dokumentare të shënimit biografik me atë të faktit personal me dëshminë dokumentare, shënimeve personale me atë të shënimit të drejtpërdrejtë me dëshmitarë, të deklaratave të bashkëpunëtorëve (kujtime, shënime, dëshmi) ashtu si jeton në kujtesën e të gjithëve, me dorëshkrimin e bashkëpunëtorëve më të ngushtë, me kronologjinë meditative-dokumentare për ngjarjet e një shekulli për shqiptarësinë e atdhesinë që shndërrohen tashmë në vlera kujtese, në vlera të Fjalës së Shkruar e të Fjalës së Gjallë.
Nëse libri i parë lexohet lehtësisht, dhe i afrohet lexuesit edhe me përmasën e emocionit e të ndjeshmërisë, ndryshe, bie fjala, nga libri i dytë si libër dokumentar a historik, që ta ofron vetëm faktin, atëherë ky libër nuk ka se si të mos jetë edhe libër i emocionit të përbashkët. Mbase, për ta zënë nga sa më shumë këndvështrime veprimtarinë jetësore të dëshmorit Naser Hajrizi.
Tek trajtat tjera mbizotëron ajo e kujtesës së të gjallëve. Libri drejtohet kundër harresës, që askush më të mos na e rrëmbejë kujtesën tonë nacionale, të mos na e sakatojë, gjymtojë a fshijë të kaluarën e historinë, të mos na i shembë a rrafshojë varret, të mos na i rrëmbejnë shekujt dhe atë që askujt nuk ia kishim rrëmbyer, apo të na tjetërsojnë identitetin kombëtar. Prandaj, ky libër i bën homazh kësaj kujtese të përbashkët, ku parakalojnë shumë rrëfimtarë, shumë dëshmi, shumë kujtime, përkushtime etj.
Ky është edhe një libër i kujtesës dokumentare që të na ndihmojë në një gjë edhe për sot: si ta mundim atë terr të së keqes brenda nesh. Libri nis jo rastësisht me lartësimin e kujtesës historike të fshatrave të sipërtheksuar, dhe jo rastësisht e zhdrivillon portretin shumëplanësh e shumëpërmasor të dëshmorit. Dhe nuk është e rastit përse përfundon me epilogun te koha e sotme që ia njeh ligjërisht rënien e sakrificën për Republikën e Kosovës, për republikën si Ide mbi të gjitha idetë, si një kryeide, si mendimi më i shenjtëruar, si vetëdija jonë për atdhesinë e shtrenjtë; edhe sot është kaq e shtrenjtë, më e shtrenjta, është fjalë mbi të gjitha fjalët, është FJALË E BESËS., ashtu si e kishin kaq të fortë atë fjalë bese ata që ranë për të më 1981.
Janar 2019
– VIJON –
____________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXV)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11031