MEHMET HAJRIZI: KOSOVA DHE MARRËDHËNIET SHQIPËRI – JUGOSLLAVI! (8)

Pashtriku, 13 prill 2019:
2.1.3 Kosova dhe Shqipëria
Historia e Kosovës 42, lidhet në mënyrë organike dhe të natyrshme, madje të vetëkuptueshme me Shqipërinë, atdheun e gjithë shqiptarëve. Ashtu sikur në epokën e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe në fillim të shekullit XX, para pavarësimit të Shqipërisë, Kosova ishte qendra e Lëvizjes Shqiptare, prandaj kontributi i saj në kurorëzimin e pavarësisë së Atdheut ishte i një rëndësie të veçantë dhe vendimtare. Por, siç dihet ajo mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar, pra jo pse nuk kishte luftuar, por se kështu vendosën Fuqitë e Mëdha të kohës, për të ruajtur ekuilibrin midis tyre, duke kënaqur interesat ekspansioniste të Serbisë dhe të mburojës së saj, Rusisë cariste. Detyrë historike para kombit shqiptar në përgjithësi dhe gjysmës së tij të robëruar, në veçanti, mbetej mosnjohja e refuzimi i këtij vendimi dhe rezistenca e pareshtur kundër aneksimit kolonialist të tokave të tij. Në këtë kuptim, Shqipëria e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht, kurse nga viti 1921 edhe anëtare e Lidhjes së Kombeve, duhej të merrte rolin e Piemontit për ribashkimin e atdheut të ndarë. Por Shqipëria e sfilitur, duke qenë e përballur me rrezikun e përhershëm të copëtimit të ri, në vitet vijuese të historisë së saj e kishte tepër të vështirë ta mbante këtë rol kombëtar.

Kongresi i Lushnjës, i vitit 1920, veprimtaria e qeverisë së dalë prej tij, Lufta e Vlorës, në të cilën shkuan edhe vullnetarë kosovarë dhe proceset historike gjatë gjithë periudhës midis dy luftërave botërore, ishin më shumë përpjekje të Shqipërisë për mbrojtjen e vet dhe për zgjidhjen e problemeve të saj të brendshme e të jashtme, sesa për shpëtimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të aneksuara nga fqinjët. Megjithatë, parlamenti dhe qeveria shqiptare, protestonin duke ngritur zërin te qarqet ndërkombëtare për tragjedinë që po luhej mbi Kosovën, si pasojë e zbatimit të platformave e programeve serbe kundër shqiptarëve, kurse vetë populli, në disa qytete të Shqipërisë ngrihej në protesta kundër shtypjes së vëllezërve kosovarë, përtej kufirit. Gjendjen e sfilitur të Shqipërisë në vitet ‟30 të shekullit të kaluar e pasqyron edhe Xhorxh Williams, në librin e tij “Shqiptarët”: “Përkundrejt të sotmes që janë të varfër e të shkatërruar prej luftërash të vijueshme, të cilat janë shkaktuar vetëm e vetëm pse kërkonin të liroheshin nga zgjedha, Shqipëria tani do të mund të ishte një shtet i lulëzuar e i përparuar”.43
***
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur edhe vetë Shqipëria kishte humbur pavarësinë, Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare, ndaj çështjes së Kosovës adoptuan qëndrimin e Kominternit dhe të Kartës së Atlantikut për vetëvendosjen e popujve, pas triumfit mbi fashizmin. Studiuesi Xhelal Gjeqovi në librin “Shteti Shqiptar dhe çështja e Kosovës”, shkruan: “Megjithatë, kufizimet në trajtimin e çështjes kombëtare në këto vite kanë qenë evidente e ato nuk mund të mohohen. Madje duhet theksuar se ato ishin rrjedhojë jo vetëm e ndikimit të Kartës së Atlantikut dhe përgjithësisht e kërkesave që bënin aleatët, por edhe e faktorëve të tjerë. Ndër to bie në sy sidomos miqësia që nisi të trashej gjithnjë e më shumë me jugosllavët, shpresat dhe iluzionet që krijuan deklaratat e lëshuara pa kursim nga udhëheqësit e PKJ-së për vetëvendosjen e popujve e në këtë kuadër, premtimet e tyre se këtë të drejtë do ta gëzonin edhe shqiptarët e Kosovës. Veç kësaj ka pasur pa dyshim ndikimin e vet në këtë çështje dhe besimi në rrugën, në qëllimet e në idealet komuniste e internacionaliste, të cilat në atë kohë konceptoheshin në mënyrë idealiste e naive, duke menduar se në bazë e në kuadër të tyre çdo gjë, përfshi dhe çështja delikate e kufijve, do të zgjidhej me drejtësi. Së fundi, në gjykimin e kësaj çështjeje duhen llogaritur sigurisht dhe presionet e influencat që kanë ushtruar përfaqësuesit jugosllavë të ardhur në Shqipëri si dhe elementët pro jugosllavë në vetë gjirin e PKSH-së e të Frontit Nacionalçlirimtar të Shqipërisë”.44
Me mohimin e vullnetit të Kosovës të shprehur në Rezolutën e Bujanit dhe me shtypjen e kryengritjes së armatosur të shqiptarëve, pushtuesit serbë e jugosllavë, përgatitën kushtet e aneksimit të serishëm të Kosovës. Është shkruar e folur shumë për rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë së re ndaj çështjes së Kosovës, sidomos gjatë LDB dhe fill pas saj, duke e lavdëruar ose duke e akuzuar regjimin për tradhti ndaj çështjes kombëtare. Janë të shumta e të ndryshme pikëpamjet për qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës, prandaj kërkojnë trajtim të veçantë, por një nga përfundimet e mundshme do të ishte që as Shqipëria e pas LDB, kur Jalta e kishte vendosur në sferën e bllokut socialist, e varfër skajshmërisht, e izoluar dhe e përballur me problemet e njohura të brendshme e të jashtme, shikuar realisht nuk mund të bënte shumë për Kosovën. Ajo që bëhej atje sigurisht nuk ishte optimumi, por as këtej kufirit kosovarët nuk e bënim maksimumin e tyre.
I vetëdijshëm për këtë gjendje të kombit shqiptar, komunisti nacionalist dhe udhëheqësi i Shqipërisë socialiste, Enver Hoxha, pasi më kot i kërkonte Titos më 1946, “Kosova dhe viset tjera në Jugosllavi, të banuara nga shqiptarët, i përkasin Shqipërisë dhe duhet t‟i kthehen asaj”, 45 në njëqindvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shkruante: “Ne vetë me duart tona, me forcat tona do ta ndërtojmë këtë unitet të kombit shqiptar. Këtë detyrë të shenjtë na e kanë lënë amanet ta plotësojmë të parët tanë. Në mos arriftë dot brezi ynë që ta plotësojë atë, duhet të përgatitim fushën që djemtë dhe vajzat tona ta kryejnë këtë detyrë ndaj mëmës sonë të dashur Shqipëri”46 Në këtë funksion menjëherë pas LDB, në Tiranë vepronte edhe “Komiteti i Òªlirimit të Kosovës”47
GRK ishte i bindur, që për çlirimin e Kosovës, presupozohej lufta e armatosur, një luftë e vetë popullit të robëruar në formën e një revolucioni nacionalçlirimtar, për të cilën Shqipëria nuk ishte indiferente. Shqipëria kishte, sidomos armatim të lehtë për të gjithë shqiptarët e aftë për luftë, por fuqia teknike e Ushtrisë së Shqipërisë nuk i afrohej askund asaj të Jugosllavisë. Ky fakt, ndërkaq Organizatën nuk e vinte në dilemë për përgatitjen dhe fillimin në çastin e duhur të një kryengritjeje popullore, në të cilën zakonisht fuqia luftarake shumëfishohet dhe me gjithë kohën e sakrificat që kërkon, kurorëzohet me fitore të sigurt. Për fatin e trojeve të pushtuara shqiptare e rëndësishme ishte që ndër shqiptarët ruhej identiteti i tyre kombëtar, ruhej ideja e të qenit një komb dhe aspirata e bashkimit të tij. Nisur nga ky fakt, dalin jo vetëm antikombëtare, absurde, por edhe qesharake përpjekjet e armiqve të Shqipërisë gjatë periudhave të ndryshme historike, për t‟i ndarë shqiptarët me kufij politikë, ideologjikë, kulturorë, gjuhësorë dhe deri në marrëzitë për të krijuar derivate të reja etnie e kombi brenda kombit të vetëm shqiptar.
Shqipëria megjithatë, jo vetëm pas LDB, por edhe para saj, doli në mbrojtje të të drejtave të Kosovës në plan kombëtar dhe ndërkombëtar. Në vitet ‟70 marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë patën një ngritje të theksuar. Baza e këtyre marrëdhënieve ishte rreziku i përbashkët dhe interesat e synimet krejt të ndryshme që kishin ndaj njëra-tjetrës. Sidoqoftë të dyja bashkë rezultuan me një liberalizim të dukshëm të marrëdhënieve ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore etj. Në këtë kohë Tito, i rrezikuar nga imperializmi rus, Shqipërinë e konsideronte aleate, pasi edhe ajo kërcënohej nga i njëjti armik, por ai ndodhej edhe në darën e socialshovinizmit serb, prandaj në faktorin shqiptar brenda Jugosllavisë dhe në Shqipëri, shihte forcën balancuese. Afrimi i dy vendeve lidhej gjithsesi edhe me interesin strategjik serbo-jugosllav për ndikim në Shqipëri dhe me interesin e Tiranës për ndikim te shqiptarët e robëruar nën Jugosllavi.
Bedri Islami, njohës i raporteve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, ka shkruar: “Qeveria e Beogradit mendonte të ndikonte në Shqipëri duke dërguar aty, nëpërmjet strukturave të ndryshme, një nivel më të ngritur jetese, njohje më të gjerë të botës, hapje më të ndjeshme; ndërsa qeveria e Tiranës kishte menduar të ndikonte nëpërmjet shkallës së kulturës, njohjes reciproke, artit, gjuhës, traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj, përkushtimin e pakufishëm të shqiptarëve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese nuk e kishte llogaritur, ose e kishte përllogaritur keq, qeveria e Beogradit, ndërsa e kishte ditur shkëlqyeshëm qeveria e Tiranës”.48
Më 1973, me porosi të Titos, Fadil Hoxha kishte takuar ambasadorin e Shqipërisë në Beograd për t‟i paraqitur interesimin e Jugosllavisë për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Ndërkaq, personaliteti i dytë pas Mao Ce Dunit në Kinën mike të Shqipërisë, Çu En Lai i sugjeronte Shqipërisë të lidhej me Jugosllavinë që t‟i shpëtonte rrezikut rus. Në kombinatorika të shumëfishta politike, Tito atëherë planifikonte ta dërgonte pikërisht shqiptarin Mahmut Bakalli ambasador në Kinë, me të cilën po fillonte marrëdhënie të reja. Megjithatë Bakalli shkoi vetëm në një vizitë të fshehtë atje, ku përgatiti terrenin për të shkuar më vonë premieri Bijediq dhe pas tij vetë Tito. Këtë shtendosje të marrëdhënieve shqiptarët e shfrytëzuan mirë për afrimin dhe njohjen e tyre, për njësimin e gjuhës, për sjelljen në Kosovë të literaturës së shumtë të fushave të ndryshme të dijës, kulturës e artit, për vizitat e ansambleve të muzikës, të cilat me programet e këngëve me përmbajtje patriotike çonin peshë rininë e Kosovës, për bashkëpunimin e Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës që bëri të mundur ligjërimin në Prishtinë të personaliteteve të shquara të shkencës shqiptare, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostollari, Kristo Frashëri, Rexhep Mejdani etj.
Në një nga mbledhjet e kreut jugosllav në Kraragjorgjevë të Vojvodinës, nga fundi i viteve ‟70, ku po ridefinohej politika e jashtme e Jugosllavisë, Josip Broz Tito paraqiti pikëpamjet e tij për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Shqipërinë, e cila tashmë edhe formalisht ishte jashtë Traktatit të Varshavës. “Teza kryesore e Titos ishte se ne duhet të marrim iniciativë të përmirësojmë dhe të thellojmë marrëdhëniet e mira me të gjithë fqinjët, sepse ky është kushti i parë që të kemi autoritet te të painkuadruarit, në Evropë dhe në botë. Tito kërkoi iniciativa dhe hapa të rinj për marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë…” 49 , sepse siç shkoqiste ai “Fjala është për Shqipërinë, nga e cila jo vetëm se nuk na kërcënohet rreziku i luftës, por ajo me pavarësinë e vet dhe me gatishmërinë për mbrojtjen e asaj pavarësie, është njëkohësisht edhe faktor dhe aleat i mbrojtjes së Jugosllavisë nga çdo agresor në atë pjesë të jugut tonë”.50 Pas vdekjes së Titos, serbët përgatiteshin ethshëm për t’i prishur këto marrëdhënie, sepse bilanci i tyre nuk përputhej gjëkundi me planet që kishin pasur. Preteksti u krijua më 1981, prandaj shovinisti serb, Dushan Ristiq thirri në mënyrë histerike: “Neve nuk na duhen tekstet nga Shqipëria!”. Ato menjëherë u dogjën si në inkuizicionin mesjetar!


___________________
Referencat:
42 Në literaturën e Lëvizjes Kombëtare të kohës, me emërtimin Kosovë, nënkuptoheshin edhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi.
43 George Fred Williams “Shqiptarët” Dielli, Tiranë, 1934, f. 11
44 Xhelal Gjeqovi: “Shteti Shqiptar dhe çështja e Kosovës”, Botimpex, 1998, Tiranë. F.52
45 Te “Letër e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën”, Dokumenta të Arkivave Ruse, Botimpex , Tiranë 2002, më tej shkruan: “Por Titua tha: „Kosova i takon Shqipërisë dhe duhet të bashkohet me Shqipërinë. Ne e dëshirojmë këtë me gjithë shpirt, por në momentin e tanishëm nuk mund ta lejojmë sepse reagimi i serbomëdhenjve është ende i fuqishëm, kështu që ky akt i drejtë mundet vetëm të na dëmtojë.‟ Kjo ishte vetëm demagogji. Tashti pas tradhtisë së Titos (1948), duhet ngritur sërish çështja e Kosovës”.
46 Enver Hoxha “Kosova është Shqipëri”, Neraida, 1999 f.8 47 Shih bisedën e Mehmet Shehut me përfaqësuesin rus në Tiranë, më 5 korrik 1949 te Letër e panjohur e Enver Hoxhës, f. 85
48 Bedri Islami: Shqipëria dhe demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, Epoka e Re, Prishtinë, 7 prill 2006, f. 10
49 Mahmut Bakalli, Intervisë, “Zëri”, 3 maj 2006, f. 4 50 Mahmut Bakalli, Intervisë, “Zëri”, 4 maj 2006, f. 6

VIJON…
__________________
MEHMET HAJRIZI: POZITA KUSHTETUESE DHE ASPEKTE TË GJENDJES NË KOSOVË (7)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8643

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura