DR.SC.ILMI VELIU: VARRET E SHQIPTARËVE TË KOSOVËS TË VRARË NGA BULLGARËT – GJATË LUFTËS SË PARË BOTËRORE (1914 – 1918)

Kërçovë, 24. 10. 2014 – Edhe pse sot përkujtojmë 100 vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe masakrat e shumta të bëra ndaj shqiptarëve, brezat e rinjë të Kosovës kanë mbetur të pa informuar dhe nuk dinë se ku mbetën dhe ku dergjen eshtart e katragjyshërive të tyre nga ajo kohë, sepse, askush nga historianët e Kosovës nuk ka hulumtuar dhe nuk është marrë me këtë ngjarje aqë të hidhur.
Nga burimet dhe literatura e konsulltuar shohim se jo vetëm Ballkani por e gjithë Evropa, në vitin 1914 ishte një fuçi e madhe baroti, në të cilën qenë futur shumë fitila. Një prej këtyre fitilave ishte edhe Shqipëria, thotë historiani Michael Schmidt-Neke, i cili analizon rrethanat politike dhe shoqërore shqiptare të kohës së Luftës së Parë Botërore. Ai thotë se Lufta e Parë Botërore nisi nga Ballkani dhe jo vetëm për shkak të vrasjes së Franz Ferdinandit, por për shkak se Luftërat Ballkanike të viteve 1912-13 ishin një lloj faze përgatitore dhe prove për fillimin e kësaj lufte.
Askush nga historianët shqiptarë nuk ka shkruar për kosovarët e mbetur në Kërçovë dhe varret e tyre atje.
Në vitin 1990 Akademia e Shkencave në Tiranë ka botuar një libër me një përmbëledhje punimesh shkencore të autorëve shqiptarë dhe të huaj me titull ,,E vërteta mbi Kosovën dhe Shqiptarët në Jugosllavi,, ku me punime për Kosovën në vitet 1912-18 bëjnë pjesë: Zekerija Cana, Zamir Shtylla, Marenglen Verli, Limon Rushiti, Ali Hadri, Hakif Bajrami, dhe asnjëri prej tyre nuk e përmend dërgimin me dhunë të kosovarëve në Kërçovë, punën e dhunshme (Kollukun) në ndërtimin e hekurudhës Gostivar-Kërçovë dhe vrasjen ose vdekjen nga uria e sëmundjet e një numri shumë të madh të kosovarëve në Kërçovë. Pastaj varret e tyre që edhe sot gjinden atje.
Në dhjetor të vitit 1991 në Shkup u organizua një simpozium ku morën pjesë shkencëtarë nga të gjitha trojet shqiptare e që kumtesat e tyre pastaj u botuan më 1994 me titull ,,Shqiptarët e Maqedonisë,, Në këtë simpozium për vitet 1910-1918 referuan: Limon Rushiti, Avzi Mustafa, Halim Purellku, Marenglen Verli, Zamir Shtylla, Fatmira Rama, të cilat punime edhe janë publikuar në librin që doli me këtë rast ,,Shqiptarët e Maqedonisë,, ku nuk gjejmë kurgjë në lidhje me varret kosovare në Kërçovë nga koha e ,,Bugarit të Parë,,. Me siguri se në mungesë të burimeve edhe këto autorë nuk i përmendin dhe nuk na japin asnjë informatë rreth kosovarëve të dërguar dhe të mbetur në Kërçovë në vitet 1915-1918. Habit rasti se si Havzi Mustafa e Halim Purellku që janë lindur e rritur në Kërçovë, në referimet e tyre me këtë rast nuk japin ndonjë të dhënë apo informatë të marrë nga popullata vëndase rreth varreve kosovare.

Limon Rushiti, në veprën e tij ,,Rrethanat politiko-shoqrore në Kosovë, 1912-1918,, e botuar më 1986, në Prishtinë në faqe 184 ka shkruar vetëm 10 rrjeshta për ndërtimin e hekurudhës Gostivar-Kërçovë dhe pjesëmarrjen e kosovarëve atje. Ai është shumë i realtë kur thotë se në mungesë të të dhënave nuk ka pasur mundësi të jepte më tepër shënime për ngjarjet në fjalë, dhe ne në atë simpozium do të kishim pasur të drejtë ta pyesnim se si ka mundësi që ai si kosovar, mos të ketë asnjë të dhënë nga terreni (Kosova) dhe gojëdhënat e pleqëve në Drenicë që flisnin pandërprerë për burrat që u kishin mbetur në Kërçovë.
Ç’thonë autorët e huaj për Kosovën nën Bugarin e Parë…?
Më 11 tetor 1915, Kryeministri bullgarë Vasil Radoslav proklamoi hyrjen e Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore në krah të Boshtit dhe argumentoi domosdoshmërinë e aleancës me Fuqitë Qëndrore të cilën e shikonte si një mënyrë për t’u mbrojtur nga sulmi i Serbisë, që ishte aleat i Rusisë dhe fuqia më kryesore në Ballkan.
Esat Pashë Toptani, i cili nga Italia erdhi në Nish dhe pas ndihmës që morri nga Pashiqi bashkë me mercenarët e vet nga Dibra arriti në Durrës, ku e shpalli veten kryetar të “Qeverisë së Përkohëshme”. Filluan edhe pazarllëqet rreth Shqipërisë, duke u premtuar shteteve ballkanike nga një pjesë të tokave shqiptare. Për këto arsye Greqia, Italia, Serbia e Mali i Zi i sulmuan shqiptarët nga të gjitha anët. Por pas kapitullimit të Serbisë e Malit të Zi, në Kosovë dhe viset tjera shqiptare hynë forcat Austro-Hungareze e Bullgare.
Zona e pushtimit Bullgar përfshiu: Podujevë, Prishtinë,Drenicë, Ferizaj Prizren, Preshevë, Gjilani, Kumanovë, Shkup,Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohrin dhe Prespën. Numër i madh shqiptarësh nga Kosova, të lidhur si kafshë dhe nën diktatin e torturat e ushtarëve bullgarë dërgoheshin në Maqedoni e Bullgari, për të mos u kthyer më kurrë prej andej.
Me marrjen e Shkupit dhe Kumanovës nga bullgarët, Serbisë i priten të gjitha vijat e komunikacionit, si dhe shpresa për tu bashkuar me trupat aleate në Greqi. Trupat Austro-Gjermane kishin pushtuar Beogradin dhe me shpejtësi të madhe depërtuan drejt jugut. Drejtimi i vetëm për tërheqjen e ushtrisë serbe ishte teritori i Kosovës, për të kaluar në Shqipëri dhe nga atje në Mali të Zi.
Më 19-21 nëntorë në Leposaviç u bë beteja e parë në territorin e Kosovës në mes të ushtrisë serbe e austrohungareze. Serbinë, si duket e kishte zënë haku i shqiptarëve nga masakrat e shumta që kishte kryer ndaj tyre dhe humbi betejën kundër Austrohungarisë, ku mbetën të vrarë numër i madh ushtarësh serbë. Pas fitores së kësajë beteje Austrohungaria, nëpër luginën e Ibrit depërtoi në Kosovë pa luftime të mëdha. Komanda supreme e ushtrisë serbe më 21 nëntor 1915 urdhëroi tërhekjen e ushtrisë serbe nëpër Pejë-Gjakovë-Prizren, drejt Shqipërisë, në kohë dimri shumë të ftohtë dhe terren shumë të vështirë, ku mbetën të vdekur numër i madh ushtarësh të ciln ndodhi pastaj serbët e treguan dhe trasmetuan brez pas brezi me fjalët ,, Niko ne zna shta su muke teshke, ako nije preshao Albaniu peshke,,… Nuk mund të kuptosh ç’është mundimi i rëndë, nëse ske kaluar Shqipërinë në këmbë.
Autori serb, Janiçie Popoviq, në veprën ,,Kosovo u ropstvu pod bugarima, 1915-18,, të botuar në vitin 1921 në Leskovac, shkruan se Prishtina ra në duar të bullgarëve, gjermanëve dhe austrohungarezëve në të njejtën ditë, më 23 nëntor 1915 në orën 14. Nga ana juglindore në Prishtinë hyri ushtria bullgare, nga ana verilindore, nga drejtimi i Llapit ushtria gjermane, dhe nga ana veriore – drejtimi i Mitrovicës hynë trupat austrohungareze.
Krste Bitovski, edhepse me origjinë sllave, ka qenë i sinqertë në shkrimin e tij me titull ,,Glad, Stradanja i otpor stanovnishtva Kosova i Metohije za vreme bugarske okupacije,, të botuar në ,,Istoriski Glasnik,, nr 4,Beograd, 1963, shkruan se ,,Bullgarët këto territore shqiptare i konsideronin si pjesë përbërëse të Bullgarisë dhe shumicën e aparatit administrativ e përbënin persona të sjellur nga Bullgaria, edhepse ne disa fshatra përdorej edhe popullata vendase shqiptare. Në komunat shqiptare të Kosovës që ishin nën sundimin bullgarë, kishte edhe njerëz që bashkëpunonin me okupatorin bullgarë për interesa personale, thotë ai.Bullgarët inkuadronin elementin vendas në poste të ulta administrative apo në organet e policisë për qëllime propagandistike dhe për të fituar besimin e masave të pa arsimuara, kinse i konsideronin si të barabartë me bullgarët, kurse nga ana tjetër vrasjet, represaljet e internimi vazhdonin dhe ishin dukuri e rregullt.
Puna e parë dhe emediate që bënë bullgarët pas pushtimit të tokave shqiptare ishte urdhëri për mbëledhjen e të gjithë drithit nga prodhuesit dhe vendosjen e tij në magazinat ushtarake bullgare, kinse do të paguhej e që kurrë nuk u pagua. Në kit mnyrë u krijua një krizë artificiale e bukës, ku në mesin e popullatës së varfër filloi uria, e sidomos në muajt e parë të vitit 1916, ku në një letër të naçallnikut të Ferizajit thuhet se në komunën e Shterpcës me rrethinë, më tepër se gjysma e popullatës ushqehet me kunguj, posaqërisht familjet e personave të vrarë ose të mobilizuar nga ushtria bullgare dhe të derguar jashta Kosovës. Atje, shkruan naçallniku, kishin vdekur dhe vdesin për çdo ditë nga uria persona të moshave të ndryshme. Autori i lartë përmendur Kërste Bitovski në shkrimin e tij, f. 84 prezenton dhe e analizon letrën e naçallnikut ku potencohet se popullata në mungesë të drithit detyrohet të therë bagëtitë e tyre për ti shpëtuar vdekjes , por duke ngrënë vetëm mish, sëmuren edhe më shumë.
Kjo dukuri ishte e përgjithshme për tërë ata vende që gjindeshin nën okupimin bullgarë. Është për tu shënuar se vuajtja për buk është paraqitur edhe në ata fshatra, toka e të cilave ishte e një boniteti shumë të mirë, sepse drithi edhepse prodhohej, merrej nga ushtria bullgare. Skamjen e ndihmonte edhe mobilizimi i dhunshëm i burrave që ishin krahu kryesorë i punës fizike dhe internimi e puna e dhunshme-kullaku jashta Kosovës.
Janaçie Popoviq në veprn e tij ,,Kosovo u ropstvo pod bugarima,, 1915-1918, e botuar në Leskovac, 1921, shënon se vera e vitit 1917 ishte tejet e thatë sa që në tërë territorin e Kosovës nuk u prodhua asnjë lloj drithi, sidomos misri që nuk dha fare rendiment. Në territorin e rrethit të Prishtinës, shkruan ai, nuk punonte asnjë mulli me ujë për shkak të thatësisë së madhe ku të gjithë lumenjëtë ishin tharë tërësisht dhe ushqimi i përditshëm i popullsisë u reduktua në një grusht miell, i zier me hithëra e barishta të ndryshme. Mjerimi pat arritur një shkallë aqë të pa durueshme sa që vdekja çmohej si një rast shumë i lumtur që të shpëtohej nga ky mundim.
Ndikim të madh në varfërimin e popullsisë patën edhe faktorë të tjerë , si kulluku – puna e dhunshme e meshkujve bashkë me qerret dhe kafshët tërheqëse, mandej interrnimi në kampe të ndryshme jashta Kosovës, me qëllim që popullata të mos kishte mundësi të organizohej dhe ngritej në ndonjë kryengritje.
Punët më të mëdha dhe më të rënda, me anë të kullakut, (punë e dhunshme) ku një numër shumë i madh i popullatës e lan edhe kokën, qenë punët në ngritjen e hekurudhave me binarë të ngushtë, Gostivar – Kërçovë, dhe Veles Prilep. Në ndërtimin e këtyre hekurudhave që nga fundi i vitit 1915 dhe fillimi i vitit 1916 qe angazhuar popullata shqiptare e Kosovës me gjithë qerre e kafshët tërheqëse, po edhe pa ta. Kosovarët morën pjesë me punë të detyrueshme edhe në ngritjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve të ndryshme në Kosovë e Maqedoni për nevojat ushtarake, ku vdiqën nga uria, semundjet ose u vranë me mijëra kosovarë e që historia moderne shqiptare pak ose aspak nuk i ka trajtuar.

Krste Bitovski dhe Janaqie Popoviq, të cituar edhe më lartë kan paraqitur shkresën nr.43 të inspeksionit ushtarak të Krahinës së Maqedonisë nga vitet 1916-17 ku ka qenë e paraparë që puntorëve të hekurudhës tu jipej buka dhe të paguheshin 1-2 kilogram miell për çdo ditë. Por kjo kishte mbetur vetëm në letër sepse pagesa në miell asnjëherë nuk bëhej e as që kishte rregullisht bukë për të ngrënë, dhe ky ishte shkaku më i shpeshtë për vdekjen e njerëzve që punonin punë të detyruar në hekurudhë. Popullata që punonte në hekurudhë dhe mirëmbajtjen e rrugëve, sipas urdhërit të inspektoratit të lartëpërmenduar domos duhej të ishin larg nga vendëbanimet dhe shtëpitë e tyre që mos të kishin mundësi të iknin dhe largoheshin nga puna. Puna fillonte me lindjen e diellit dhe përfundonte me perëndimin e diellit, nën mbikqyerjen e rrjeptë dhe të vazhdueshme të ushtarëve bullgarë,e që vazhdimisht i rrihnin puntorët me dru, shkruan autori i cituar.
Dr.Zhivko Avramovski, në punimin e tij me titull: ,,Konflikti Austrohungarez-bullgarë rreth Kosovës dhe synimet e Bullgarisë për të dalur në detin Adriatik përmes Shqipërisë ,, (1915-1916), të botuar në Gjurmime Albanologjike III, 1973, Prishtinë, faqe 102-181 dhe Dr. Limon Rushiti, vepër e cituar, faqe 184; potencojnë se kushtet e jetës së kosovarëve nën okupimin bullgarë kanë qenë aqë të papërballueshme sa që eshtë e pamundur që të vehen të gjitha ndodhitë në letër, spes nuk kimi pasur mundësi ti shohim dhe analizojmë të gjitha dokumentet arhivale që mund të eksistojnë nëpër arhivat e ndryshme dhe duke mos pasur të dhëna të mjaftueshme, ne i kimi përmendur vetëm sipërfaqësisht ngjarjet e ndryshme,pa hyrë në detale thonë autorët e lartëpërmendur.
Dr.Bogumil Hrabak dhe Dr Dragoslav Jankoviq, në veprën e tyre ,,Srbija 1918,, Beograd, në faqe 102-103 shënojnë se bullgarët në territorin e Kosovës vendosën forca të zgjedhura ushtarake nga se Kosova konsiderohej vend shumë i rëndësishëm strategjik ku organet ushtarake bullgare ushtronin pushtetin e tyre të pakufishëm.
Mbi qëndrimin e ushtrisë bullgare në Kosovë e Maqedoni kimi të dhëna edhe nga disa raporte të Komitetit të Kosovës të cilat raporte janë të shkruara në kohën e ngjarjeve kur ushtria bullgare bënte zullume shumë të mëdha ndaj shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni. Raporti i lartëpërmendur gjindet ne Arhivin Qendror Shqiptar-Tiranë, dosje 25 dokumenti 50744, ku flitet për vrasjet e plaçkitjet e shumta në Shkup e Prizren, për dhunimin, keqëpërdorimin dhe keqëtrajtimin e shqiptarëve gjithëandej.
Të dhënat e hulumtuara në terren për Varret Kosovare në Kërçovë të vrarë nga Bugari i Parë
Në dimrin e vitit 1974, para plo 40 vitesh isha musafir në fshatin LLoçan, komuna e Deçanit – Kosovë, te familja Rexhë e Binak Stojkaj. Në ,,Odën e Burrave,, që ishte në katin e tretë të kullës, plaku mustaqegjatë e i ulur këmbëkryq, kur kuptoi se isha nga Kërçova, me tha: “….paj shumë burrat na i ka ngrenë Kërçova”.
Duke mos kuptuar se për çka ishte fjala, pyeta i hutuar: “Si pasaka ndodhur ajo pune mixha Binak ; Kërçova e Sefer Zajazit, Nezir Koxhës e Kalosh Danit i paska ngrënë pasardhësit e Sylë Vokshit, Mic Sokolit, Azemit e Shotë Galicës.. ” Je i ri more bir dhe nuk i din ato punë, por meqë i ke hyrë shkollës do ti mësosh të gjitha….
Një vit më vonë u ndodha musafir në fshatrat Bajicë e Damanek të Komunës së Gllogovcit (Drenicë). Edhe Haxhi Hamza Zariqi nga Bajica mu ankua dhe ma tregoi te njetin muhabet, se në kohën e ,,bugarit të parë,, në Kërçovë kishin mbetur eshtart e shumë kosovarëve.
Në verën e vitit 1975, kur si student i Historisa pran Universitetit të Prishtinës i kisha dhenë provimet te Zef Mirdita, Emin Pllana, Ali Hadri e Muhamet Ternava; dhe e kasha kryer vitin e II, ende nuk kisha dëgjuar që dikush nga profesorët e lartëpërmendur, bile në bisedë të lirë të zinte në gojë kosovarët e mbetur në Kërçovë. Mbeta me shpresë se në vitet në vazhdim profesorët do të ligjëronin për historinë e kohës më të re dhe ndoshta në vitin e fundit të studimeve Skender Rizaj, Shukri Rrahimi, Masar Kodra, Qamil Gexha e të tjer do të na mbanin ndonjë ligjëratë në lidhje me Kosovën nën Bugarin e parë dhe mbetjen e shumë kosovarëve në Kërçovë.
Gjatë pushimeve verore të vitit 1975, në Kërçovën time i takova dhe bisedova me disa nga pleqtë më të vjetër dhe më të njohur të Kërçovës rreth kosovarëve të mbetur këtu në Kërçovë. Plaku Izer Doga skjaronte se kosovarët ishin sjellur këtu, trajtoheshin si robër lufte dhe punonin në ndërtimin e hekurudhës së trenit të vogël Gostivar-Kërçovë, ku disa vdisnin nga lodhja, sëmundja e uria, e disa vriteshin nga vetë ushtarët bullgarë që i ruanin ata ditë e natë.
Ali Ramë Dedja që në atë kohë kishte pasur 2 mullinjë për të bluar drithin, tregonte se te secili mulli, vazhdimisht ka pasur roje të ushtrisë bullgare dhe ka qenë e pa mundur që dikush ta sillte drithin dhe ta bluante në mulli.Edhe popullata vëndase ka qenë e detyruar, që atë pak misër që kishte mundur ta fshihte nga bullgarët, ta hante pa e bluar, duke e zier në zjarr ose edhe duke e bluar me ,,gurë bunguri,, ne menyrë primitive. Tregonte Ali Rama se hoxha i fshatit Mulla Ramë Dedja, (nderroi jete 1950) shpesh e kishte tregur ngjarjen me kosovarët edhe në xhaminë e fshatit kur fshatarët kishin shkuar për të falur namazin e Xhumasë. Në kohën e ,,Bugarit të Parë,, kishte thënë hoxha, shumë kosovarë që kishin qenë të sjellur si robër lufte për të punuar me dhunë te hekurudha e vjetër kishin mbetur të vrarë ose vdekur nga tifoja, uria e lodhja. Disa i kishin varrosur bugarët duke qenë ende të gjallë e disa të semurë nga tifoja i kishin berë grumbull, i kishin mbuluar me kashtë dhe u kishin venë zjarrin.
Burri me nam i fshatit Drogomishtit i Vogël – Idriz Rrushaj dhe nipi i tij, arsimtari shumë i njohur i kesajë ane, Baftiar Rrushaj më patën traguar atë që gjyshi i tyre u kishte thenë se kosovarë të varrosur ka edhe te varrezat e vjetra në mes të fshatit të tyre.
Pas këthimit në fakultet dhe vazhdimit të studimeve, në dy vitet e fundit, profesorët na ligjëruan për Luftën e Parë Botërore, por asnjëri nga ata nuk na dhanë asnjë informatë për mbetjen e kosovarëve në Kërçovë po edhe në qytetet tjera të Maqedonisë apo në Bullgari, duke skjaruar se dokumentet arhivale gjinden në Sofje, Romë Beograd e Berlin e Vjenë ku deri atëherë askush nuk kishte shkuar për ti gjetur e hulumtuar.
Në ndërkohë, për shkak të sforcimit të hulumtimeve për ngjarjet në fjalë dhe vazhdimit të punës kërkuese në terren e popullatë, po edhe për aktivitete tjera ilegale burgosem në Kërçovë dhe dënohem me 4 vjet burg të rëndë nga Gjygji i Çarkut-Shkup.
Pas daljes nga burgu, ndoshta nga frika dhe traumat që më kishte lënë ,,Idrizova,, i lash pas dore varret e kosovarëve të ngratë dhe dergjën e tyre njëshekullore në Kërçovë.
Për fatin tim të madh në maj të vitit 2009, zyrtarët e komunës ,,Osllome,, më lajmëruan se te fshati Jagoll i Kërçovës, dikush duke dashur ta rrafshonte një tokë të veten kishte hasur në disa varre shumë të vjetra. E vizitova terrenin dhe u vërtetova se bëhej fjalë për një varrezë tumulare e kohës së vonë ilire, kohë kjo kur ilirët kanë qenë nën sundimin romak. E luta pronarin e tokës mos ta rrafshonte varrezën dhe se ne do të vazhdonim te benim germime arkeologjike në kët lokalitet.
Të njejtën ditë, aty afër varrezës ilire, duke biseduar me plakun 90 vjeçarë të atij fshati-Haxhi Ademin dhe duke i skjaruar se varret e zbuluara ishin shumë të vjetra, më pyeti nese jam i informuar dhe nese dijë gjë për disa varre kosovare gë gjinden aty mbi fshat e që janë nga koha eBugarit të Parë.
Ky lajm më erdhi si një rrufe nga qielli, sepse ende më tingëllonin në vesh fjalët e plakut Binak Stojkaj nga Lloçani dhe Haxhi Hamza Zariqi nga Bajica e Gllogovcit se ,,…..shumë burra të Kosovës na i ka ngrenë Kërçova…….,,
Shkuam te vendi që popullata e quante ,,Varret Kosovare,, ku pamë se varret ishin të vjetra dhe të mbuluara me therra, drunjë e lisa. Mixha Adem po edhe banorët tjerë të fshatit që na u bashkangjitën më vonë treguan se varre ka edhe në Berikovë, Prapadisht, Tuhin, Haranjel; dhe gjithëandej ku ka kaluar hekurudha e vjetër. Treguan se vetë popullata vëndase, me leje të bullgarëve i kishte sjallur aty kufomat dhe i kishin varrosur duke mos dashur që ushtarët ti digjnin në turra drunjësh.
Profesorit Ahmet Mora i lindur dhe rritur në fshatin Jagoll,i kishte treguar gjyshja Rabie se asajë në kohën e Bugarit, nga kerri i ngarkuar me kunguj, i kishte rënë një kungull në tokë dhe ishte thyer në disa copa. Dy kosovarë që kishin qenë duke punuar te hekurudha kishin ngarendur i kishin marrë copat e kungullit dhe i kishin ngrenë në shpejtësi, ashtu të pa zier dhe kishin ikur nga frika se do ti shihte roja.
Po në maj të vitit 2009 shkova përsëri në Zajaz dhe i takova pleqtë më të vjetër të kësajë ane; Xheza i Dautit Liles, Beqir Tufka, Zyli i Bajram Metës, Osman Tufka, Lez Beshku], Medini i Qamil Metit, Ali Abdulla Shehu të cilët mi than të njejtat fjalë që mi kishte thënë plaku 90 vjeçarë Haxhi Ademi; pastaj prfesori i Gjuhës Angleze, – Ahmet Mora, Profesori i Gjuhës Shqipe – Nazif Selimi, profesori i Gjeografisë – Qamil Fejza, historiani Ismet Selimi, tëgjithë nga fshati Jagoll komuna e Kërçovës. Pleqtë e Zajazit mi treguan edhe disa nga vendet në Zajaz e rrethinë se ku kishte varre kosovare: te varret e Babunecit, te Kodra e Xha Lilës, pas kasollës së Xha Xhezës, te varret e tufkallarëve, te kodra e Kolibarëve-afër Sateskës, Llapkidoll-poshtë afër hekurudhës, Trapçindoll-afër rrugës Gostivarë-Kërçovë.
Beqir Tufka, Xha Xheza e Ali Dedja skjaronin se popullata vendase ka qenë e detyruar tu dërgonte kosovarëve nga pak buk. Secila mahallë e Zajazit e ka pasur të caktuar ditën për të dërguar buk te hekurudha, dhe copa e bukës nuk ka guxuar të ishte më e madhe se kutia e duhanit. Nëse dikush eshtë munduar ti jepte dikujt diçka më tepër, roja bullgare e ka vrarë edhe atë që e ka sjellur bukën po edhe ate kujt i eshtë dhenë buka. Të njejtit njerëz që e kanë derguar bukën i kanë marrë kufomat e kosovarëve të vdekur dhe i kanë sjellur ti varrosin dikund te varret eksistuese të ndonjë mëhalle apo fshati, në skaj te varrezave ekzituese e që brez pas brezi nuk janë harruar, por janë ruajtur e kujtuar me emër të veçantë e domethënës: ,,Varre të kosovarëve të vraë nga bugari i parë,,.
Në lidhje me ketë ngjarje e konsulltova edhe hoxhën e fshatit Drogomisht i Vogël- Mulla Ali Ademi, i cili mi perseriti fjalët e babait të tij-Hamdinit po edhe fjalët e plakut Idriz Rrushaj se në mes të fshatit Drogomisht i Vogël, te vendi i quajtur ,,Juria,, ka edhe varre kosovare të kohës së Bugarit Parë. Sami Fejza, djali i Muadin Fejzës nga i njejti fshat tregon se babai Muadini i kishte thenë se aty ka mbi 50 varre kosovare të varrosur aty në kohën e bugarit e që erozioni i ka rrafshuar.
Po sa shumë paskan qene keto kosovaret, thash me vedi. Sa shumë varre pasakan lenë në këto toka shqiptare, duke filluar nga Kryengritja kunder Tanzimatit, lufta e udhehequr nga Lidhja e Prizrenit, Kryengritjet e viteve 1909-1910-1911-1912, masakrat serbe te vitit 1913, dy luftërat Ballkanike, Lufta e I Botërore, Lëvizja Kaçake në mes të dy luftërave, Lufta e II Botërore, lufta kundër Titos-Rankoviqit, lufta kundër Millosheviqit. Po sa i madh dhe sa i fort paska qenë ky popull. Të lejshë varre në të katër anët e vendit dhe persëri të arrishë ti bejsh ballë një Serbie gjakatare, vite me rradhë. Burimet arhivale për varret kosovare mungojnë por unë si historian me plotë përgjegjësi mundem të pohoj se Historia si shkencë përveç burimeve materijale e të shkruara pranon edhe burimet gojore të mbëledhura në terren, bile edhe kengët e vjetra, të dhenat etnografike, toponimet, etj. E si të mos mungojnë burimet e shkruara arhivale, kur dihet se asnjë pushtues nuk ka evidentuar se sa shqiptarë ka vrarë dhe sa varreza massive ka mbushur me shqiptarë. Plani i ,,Naçertanies,, ka qenë që të zhduket kjo racë që eshtë më e vjetra në Ballkan dhe nuk kishte nevoj që dikush ti shënonte dhe evidentonte, që ne sot të kishim dokumente arhivale.
***
Unë Ilmi Veliu, doktor i shkencave të Historisë dhe drejtor i Mizeut të Kërçovës ju lajmëroj dhe informoj se në bazë të të dhënave nga terreni dhe informatave që kam marrë nga popullata vendase në dhjetë vitet e fundit, kam zbuluar dhe lokalizuar shumë varreza ku dergjen eshtrat e shqiptarëve të Kosovës, të cilat duhet të rregullohen shënohen dhe vizitohen nga të gjithë nipërit apo stërnipërit e mbetur pas, e që sot kan arritur të jetojnë në Kosovën e lirë, në atë Kosovë për të cilën vdiqën edhe ata kosovarë që sot eshtart u dergjen në Kërçovë.

– Autori është drejtor i Muzeut të Kërçovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura