MEHMET HAJRIZI: LUFTËTARI NË KËMBË IMER KRASNIQI

Prishtinë, 17 qershor 2018: (Fjalë e mbajtur në Akademinë Përkujtimore për dëshmorët Imer dhe Labinot Krasniqi, Prishtinë, 16 qershor 2018) – Në vitin 1957 Ramë Krasniqit nga Carralluka e Malishevës, i lindi një djalë, të cilin e pagëzuan Imer, mbase në përkujtim të trimit me fletë, Imer Popovci, këngën e të cilit e këndonin rapsodët e njohur të Llapushës. Imeri i vogël po rritej e burrërohej para kohe, duke marrë edukatën patriotike nga familja dhe nga shumë luftëtarë të trevës së Llapushës, si Sadik Rma, Ymer e Rifat Berisha, Kajtaz Ramadani, Kadri Minushi, Selman Bani etj. Edhe Carralluka e Imerit i ka dhënë burra të mëdhenj Lëvizjes Kombëtare dhe dëshmorë të shumtë Atdheut.
Familja e madhe dhe e njohur Krasniqi e fshatit Carrallukë, shquhej ndër breza, jo vetëm për ndershmëri e kulturë pune, por edhe për trimëri e patriotizëm. Me kontributin dhe gjakun që i ka dhënë lirisë, ajo zë vend në hartën e familjeve të shquara të Kosovës. Në derën e saj hynin personalitete të Lëvizjes Kombëtare, nga të cilët të rinjtë edukoheshin me frymën e atdhedashurisë dhe të sakrificës për të. Imeri që i ri u angazhua në veprimtarinë ilegale atdhetare, përkrah kushëririt të tij, Gani Krasniqi. Ai kishte marrë pjesë aktive në Kryengritjen e vitit 1981, kurse më 1989 qe njëri nga organizatorët e demonstratave të atij viti. Kur Ganiu dhe veprimtari tjetër i shquar i Carrallukës, Hysni Hoti, u dënuan nga regjimi pushtues më 1981-1982, Imeri i vazhdoi përpjekjet për t’i rivënë lidhjet me veprimtarët dhe për t’i zgjeruar radhët e organizuara. Më 1989 Imerin e dënuan, por UDB edhe pas lirimit nga burgu e mbante nën survejim, duke ia bastisur shtëpinë dhe duke e mbajtur disa herë në arrest policor.
Imer Krasniqi vepronte hapur dhe në fshehtësi, por ai kishte lindur për pushkë dhe për luftë, prandaj mezi priste të krijoheshin kushtet për të rezistuar me armë kundër armikut. Portreti i tij, me shpatulla të gjera dhe supe për rrip pushke e gjerdanë fishekësh, me qëndrim krenar, shikim zhbirues e nofulla të shtrënguara, me mustakët e zgjatur si krahë shqiponje, ngjasonte me kapedanët e moteve të mëdha dhe të betejave të lavdishme shqiptare.

Kur ngrehina e quajtur Jugosllavi po shembej dhe lufta kishte shpërthyer në Slloveni, në Kroaci e në Bosnjë e Hercegovinë, Imer Krasniqi duke siguruar armatim bashkë me disa shokë të tij, kishte filluar përgatitjet për luftë çlirimtare edhe në Kosovën e tij të robëruar. Por, dita më e lumtur e jetës së tij ishte diku nga fundi i vitit 1997, kur ndër të parët në Komunën e Malishevës, filloi themelimin e njësiteve luftarake dhe hyri me armë në dorë në radhët e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Në Njësitin e parë Operativ të UÇK-së në Malishevë “Lumi”, Imeri u radhit bashkë me Gani, Skënder e Adem Krasniqin, me Selman, Skënder e Enver Hotin, të gjithë nga Carralluka, me Isni Kilajn, Ragip Thaçin e Ismet Krasniqin (nga Lumnishta, Mirusha e Drenoci), etj. Në radhët e UÇK-së u rekrutuan pothuajse të gjithë burrat e aftë për luftë të familjes Krasniqi.
Luftëtari i guximit të rrallë, Imer Krasniqi, më 26 prill të vitit 1998, me bashkëluftëtarët e njësiteve “Lumi” dhe “Pëllumbi” e sulmuan suksesshëm kolonën e motorizuar të ushtrisë dhe policisë serbe në magjistralen Prishtinë-Pejë, te fshati Balaj, duke filluar kështu sulmin e parë të këtij lloji të UÇK-së. Që nga ky sulm, segmentin e magjistrales Prishtinë-Pejë, nga Llapushniku në Kijevë e kontrollonte UÇK, e cila ngriti pikat pozicionuese në Balaj, Llozicë dhe Mleçan. Duke qenë e mbrojtur nga njësitet “Lumi”, “Pëllumbi”, “Guri”, “Çeliku”, “Lisi”, “Zogu”, “Hekuri” etj., pothuajse gjithë zona e Llapushës, muajt në vijim kontrollohej nga UÇK.
Në Epopenë e Grykës së Llapushnikut, më 9 maj, Imeri u shqua si strateg i mbaruar dhe luftëtar i patrembur. Me të përfunduar beteja, i ngazëllyer nga fitorja, Imeri ia kishte puthur grykën mitralozit të tij. “Askush nuk lufton në betejë me aq shpirt të paepur, sa ai që lufton për atdheun e vet”, ka thënë Demosteni i mençur. Nyja strategjike në Grykën e Llapushnikut u mor, duke ia prerë një nga arteriet kryesore forcave të armikut. Pozicionime të reja të UÇK-së u bënë edhe në Llapçevë, Astrazup, Mleçan, Bubavec e Temeçinë, për të avancuar në Bllacë. Imerin e gjeje kudo ku luftohej, duke shkuar disa herë në përforcim të njësiteve, si në Luzhnicë, në Greiçec etj. Në disa aksione ishte bashkë me Ismet Jasharin-Komandant Kumanova, i cili ra dëshmor në betejat e Kosovës. Një brez tjetër i luftëtarëve të Llapushës shkoi në Kumanovën e Ismetit, për të rënë atje dëshmorë, si Labinot e Visar Krasniqi dhe Hilmi Hoti.
Në pasditen e 16 qershorit të vitit 1998, forca të ushtrisë serbe u dislokuan në Bllacë, afër njësive të UÇK-së. Beteja midis dy forcave u zhvillua në vendin malor të Gallushës, afër Bllacës së Therandës. Atë buzëmbrëmje, Imeri me mitralozin e tij ia thoshte këngës së lirisë me breshëri plumbash. E kishte thënë bukur Fan Noli i madh, se këngën e lirisë…asnjë saze s’e lot dot përveç dyfeqeve. Atë ditë, bie si lis dëshmori i parë i UÇK-së në Llapushë, trimi dhe burri i madh, Imer Krasniqi.
Me luftën e pareshtur dhe me rënien e tij heroike, Imeri ishte bërë shembull frymëzimi dhe edukimi, jo vetëm për krasniqët, por për të gjithë ushtarët trima çlirimtarë të Llapushës e të mbarë Kosovës.
Imeri nuk kishte pasur mundësi të mbaronte arsimim universitar. Ai nuk ishte ligjërues i etikës, por kishte moral të lartë njerëzor e luftarak, nuk ligjëronte heroizmat e trimëritë e historisë shqiptare, por ishte vetë trim e hero, ai nuk kishte studiuar doktrinën ushtarake në akademi, por ishte strateg i lindur dhe luftëtar profesionist. Në luftën e Grykës së Llapushnikut Imeri kishte shkëlqyer me trimëri e art luftarak, duke u bërë tmerri i armikut.
Në beteja Imeri dilte fitimtar, sepse trimit i prin fati dhe fitorja nuk i përket vetëm forcës së armës, por mbi të gjitha fuqisë së moralit idealist dhe vendosmërisë për të fituar. Imeri hyri në luftë, jo që të shpëtonte vetë, por të flijohej që të shpëtonte Kosova e tij. Nuk ka ideal më të lartë se ai për atdheun, as ndërgjegje më sublime se ajo e sakrificës supreme për lirinë. Pikërisht këto ishin vlera dhe virtytet e sintetizuara të luftëtarit të lirisë, Imer Krasniqi. Imer Krasniqi, i veshur më atë xhamadanin e trimërisë, sikur Mic Sokoli, Selam Labi e Vojo Kushi, kur e kërkonte fati vendimtar i betejës, ngrihej në këmbë dhe luftonte ballë për ballë me forcat armike, superiore në armatim. Ky motiv buronte nga zjarri vullkanik në shpirtin e tij, nga atdhedashuria e pafund dhe nga urrejtja e pashuar ndaj armikut pushtues.
Për Imerin ishin të huaj shovinizmi dhe shpirti kriminal, që i karakterizonin forcat pushtuese, të cilat vrisnin fëmijë shqiptarë në djepa. Në sulmin e Balajt, Imeri duhej ta godiste nga prapa konvojin e forcave serbe. Në çastin kur duhej të shkrepte zjarr, në kamionin ushtarak serb me mushamanë e zbuluar nga pas, nëpërmjet të nishanit pa një ushtar të ri tek po flinte brenda. Imeri hoqi gishtin nga këmbëza, sepse ndjeu dhembje për moshën e tij, por nuk i kurseu makinat tjera vrastare të kolonës së motorizuar. Rudyard Kipling në poezinë e tij brilante “Në mundesh” ka një varg (për të birin) që thotë: “…kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh”, kurse Imeri ynë nuk e bënte këtë me varg, por me zemrën e tij të madhe e shpirtin human.
Imer Krasniqi dhe bashkëshortja e tij e mirë kishin rritur shumë fëmijë, të cilët i donin nga thellësia e shpirtit dhe kujdeseshin t’i edukonin e arsimonin për mbarë. Katër vajzat dhe tre djem të tyre i mbaruan studimet universitare. Imeri ishte i rreptë në luftë me armikun, por shpirt i butë dhe i ndjeshëm në familje e me bashkëluftëtarët. Vetëm dy javë para rënies, Imeri organizoi dasmën e të birit, në një mënyrë të veçantë, duke qenë të gjithë dasmorët e saj bashkëluftëtarë të uniformuar, krushq të lirisë.
Sikur Imeri dasmën, edhe bashkëluftëtarët i bënë atij varrim të veçantë, me ceremoni ushtarake dhe me kortezh të gjatë që nuk i shihej fundi. UÇK për herë të parë po organizonte ceremoni të tillë. Sipas traditës luftarake shqiptare, të nesërmen e rënies së Imerit, i biri i tij, Mani, ndonëse i ri, e zuri vendin e babait në radhët e UÇK-së.
Rënia e Imerit ndikoi jo në uljen, por në ngritjen e moralit luftarak të bashkëluftëtarëve të tij. Emri i tij u bë kushtrim lufte. Me riorganizimin e UÇK-së, Njësiti Operativ “Lumi” u shndërrua shpejt në Brigadën 122 “Imer Krasniqi” në trevën e Malishevës. Shembullin e Imerit, nga krahina e tij e ndoqën Mujë Krasniqi, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Hamdi Berisha, Labinot e Visar Krasniqi, Hilmi Hoti dhe mbi njëqind dëshmorë të tjerë që nuk do të vdesin kurrë.
Pikërisht në ditën e përvjetorit të parë të rënies së viganit të luftës, Imer Krasniqi, bashkëluftëtarët e tij hynë triumfalisht në Malishevën e çliruar. Ky ishte shpërblimi më i madh për gjakun e Imerit dhe të mijëra dëshmorëve të tjerë të UÇK-së. Atë ditë të përkujtimit të dëshmorit të parë të Llapushës, në luftimet me forcat serbe në Kijevë, ra dhe dëshmori i fundit i kësaj treve, Mentor Gashi.
Imer Krasniqi pushon amshueshëm në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, kurse emri i tij, stolis dhe nderon institucione, rrugë e sheshe të Llapushës së lirë. Është nder të kujtohen dëshmorët, por vetëm bashkë me përkujtimin e amanetit të tyre dhe të detyrave tona. Gjaku i Imerit dhe i dëshmorëve të tjerë na thërret çdo çast ta duam si ata, ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë Atdheun tonë të shtrenjtë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorin, Imer Krasniqi!
Prishtinë, 16 qershor 2018
_______________________
Referenca:
1. Feniksët e lirisë 3. SHVLUÇK, Prishtinë, 2003
2. Dr. Emin Kabashi, Hisja e atdheut, Prishtinë, 2008
3. Apostol Duka, Gjashtë ditë sa një jetë, Grand Prind, Tiranë, 2016
4. Kujtime të Gani Krasniqit, Prishtinë, 2018
5. Mehmet Hajrizi, Fjalë për dëshmorin Hilmi Hoti, Carrallukë, 2013 dhe fjalë në Akademinë Përkujtimore për dëshmorët Visar e Labinot Krasniqi dhe Hilmi Hoti, Prishtinë, 6 qershor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura