MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (VII)

Pashtriku, 23 shkurt 2021:

 

 

 

Aderimi
„Sa keq që ne mund të vdesim vetëm një herë për shpëtimin e Atdheut.“ Joseph Addison
Naseri takohej fshehur natën vonë me bashkëveprimtarët. Në një prej takimeve një student u vonua paksa.
Përse kështu vonë? tha Naseri i shqetësuar në një skutë të qytetit.
Na vonoi autobusi.
Duhej marrë tjetër autobus, më herët.
Pesë minuta janë bre!
Tepër janë pesë minuta në këto raste, ia ktheu Naseri, kësaj radhe me zë më të rreptë. Duhet të jemi të përpiktë për të qenë të edukuar.

Më vonë, Naseri mendoi mos po rrëshqiste vetë në puritanizëm, më parë se shoku i tij në anarkizëm…
Ata shkëmbenin literaturë të ndaluar, bisedonin për përvojat botërore të luftërave çlirimtare, por edhe për format e organizimit ilegal në Kosovë. Duke qenë i lidhur me veprimtarë të OMLK-së, ai furnizohej, jo vetëm me botime të ndaluara, por edhe me materialet e vetë organizatës dhe me shtypin e saj klandestin, si “Pararoja”, “Këngët e Lirisë” dhe revistën e njohur, “Liria” etj.
I ndërgjegjshëm se kishte hyrë në një rrugë dhe organizatë më serioze, Naseri edhe sipas udhëzimeve që merrte, nisi t’i rivlerësonte gjithë shokët e tij veprimtarë, duke i seleksionuar fillimisht më të sigurtit dhe më të pjekurit për veprimtari të mëtejme. Me shokun e tij, Asllan Pireva kishte më shumë përvojë dhe besim, prandaj ishte hapur, duke i folur për organizatën ku do të aderonin. Shtypin klandestin “Liria” dhe “Këngët e lirisë”, ata i shpërndanin gjerësisht ndër shokët e besueshëm, por ua jepnin edhe disa profesorëve të tyre.

Materiale të ndaluara të shpërndara nga Naseri

*
Njëri nga shokët e klasës së Naserit, me të cilin kishte raporte shumë të ngushta, një ditë mungoi në mësim. Naseri u shqetësua, sepse ai nuk mungonte kurrë.
Ta kenë arrestuar?
Po parullat në konviktin e nxënësve?
Kaq shpejt të marrë fund veprimtaria jonë?
Kaluan dy orët e para dhe ai nuk po dukej. Në pushimin e gjatë, erdhi nxitimthi në klasë.
Ku ishe? pyeti me gjakun e ngrirë Naseri.
Këtu në zyrë më morën në pyetje hetuesit nga policia, për punë të parullave në konvikt, por nuk nxorën gjë dhe më liruan.
Naseri i çliruar ia mori këngës me zë të lartë:
…Vrulli ynë nuk mund të ndalet
Sup më sup jem lidhë si malet…
E gjithë klasa shpërtheu në duartrokitje, pa e ditur motivin e Naserit për të kënduar në atë çast.
Erdhi profesori, profesori! tha dikush.
Naseri nuk e ndali këngën.
Profesori e vendosi ditarin në tavolinë, u bëri shenjë të uleshin nxënësit dhe e hodhi vështrimin drejt Naserit. Sytë e profesorit qeshnin, por pas pak u njomën. Shkoi te Naseri dhe ia përkëdheli flokët, si të ishte fëmijë i tij.
*
Naseri shkonte shpesh te gjyshi e gjyshja dhe xhaxhallarët që nuk i kishte larg nga shtëpia e tij. Një mbrëmje, te gjyshi Televizioni i Prishtinës po i transmetonte lajmet. Disa herë u përsërit “bashkim-vëllazërimi”, “bashkëjetesa”, “barazia e plotë e kombeve dhe kombësive në Jugosllavi” etj. Kamberi, duket nuk e kishte vëmendjen te lajmet, por televizori kishte mbetur i hapur.
Gjysh, si e kupton ti këtë “vëllazërim-bashkimin” tonë? e pyeti Naseri që ta dëgjonte mendimin e tij.
Kamberi u mendua pak dhe filloi të fliste:
Një fshatar, bujk i mirë, me zell të madh e punonte tokën. Një ditë fshatari mori me vete të birin e vogël dhe shkuan në arë, sa të shëtisnin, të shikonin bereqetin dhe të ndjenin aromën e bukës së re. Papritmas pa të birin tek kërceu dhe klithi me zë therës.
Më ngjoku gjarpri! tha djali në vaj.
Fshatari e pa gjarprin tek po rrëshqiste me shpejtësi drejt vrimës nga kishte dalë. Me shatin që mbante në krah vrapoi ta zinte, por gjarpri hyri brenda në dhe, prandaj arriti vetëm bishtin t’ia këpuste. Aty pranë fluturoi një cikë e trembur. Bishti mbi tokë lëvizte si një gjarpër i vogël. U kthye te djali t’ia trajtonte plagën duke e shtrydhur dhe ia lidhi këmbën nën gju që të mos ngjitej helmi lart. Gjarpri paskësh qenë shumë helmues, prandaj djali vdiq pas pak ditësh.
Fshatari kishte dhe djem të tjerë, por ky ishte më i vogli dhe kanakari i familjes që e donin shumë. E qanë me dhembjen e shpirtit të gjithë, por babai u tret më shumë dhe ra në shtrat të lëngimit…
Kaluan shumë vite, sa varri i djalit u rrafshua dhe u mbulua me bar. Fshatari ishte mplakur shumë dhe një ditë duke u mbështetur në bastun shkoi te ara të çmallej. E pa vrimën e gjarprit.
O gjarpër, thirri, dil se do të pajtohemi! Por gjarpri, si gjarpri, thellë nga vrima iu përgjigj:
Or fshatar plakush, ti djalëmbytur e unë bishtkëputur, nuk mund të pajtohemi, jo.
Kamberi e shikoi djalin në sy dhe tha:
Serbia është gjarpër, jo me një po me dy koka, biro.
*
Një ditë, profesori i marksizmit e thirri Naserin për bisedë në katër sy në zyrë.
Naser, dua të bisedoj me ty hapur. Operativistë të sigurimit të shtetit kanë ardhur në shkollë dhe kanë pyetur për ty dhe disa shokë tuaj. Ata janë duke ju vëzhguar, sepse thonë që kanë të dhëna për veprimtari tuajën kundër shtetit. Ti e kupton që mund t’ju arrestojnë. Unë nuk dua të përzihem në punët tuaja, por desha të të paralajmëroj që të keni kujdes, ruajuni! Më dhimbseni, se jeni të ri. Kaq kisha.
Faleminderit profesor për kujdesin, por ne po mësojmë sa po mundemi dhe kjo është veprimtaria që po bëjmë, u përgjigj ai me ekuivoke.
Naseri dhe Asllani kishin vërejtur diç nga pistat policore, por nuk e dinin të ketë shkuar kaq larg puna. Asllani kishte marrë vesh se një nga agjentët që ishte i angazhuar me shkollën e tyre, i paskësh folur babait të tij se Asllani po i jep gojës shumë dhe ka hyrë rrugëve të rrezikshme.
A do të thotë kjo se nuk po dimë të veprojmë të sigurt? pyeti si me vete Asllani.
Duhet të kemi më shumë kujdes, ia ktheu Naseri.
*
Disa ditë më vonë, nga lidhjet me organizatën, Naseri mori një material shumë konspirativ, me titull Letër shokëve që, si duket, vinte nga udhëheqja e organizatës. Bashkë me Asllanin shkuan në vend të sigurt ta lexojnë.
Letra ishte shkruar dy vite më parë, në një situatë të rrezikshme për radhët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur regjimi pushtues kishte ndërmarrë një fushatë arrestimesh në masë, duke përplasur mbi pesëqind veta nëpër burgje. Kësaj fushate i kishte paraprirë një vizitë pompoze në Kosovë e shefit të Jugosllavisë, J. B. Tito, i cili kishte urdhëruar veprim energjik kundër “nacionalistëve” shqiptarë. Fill pas përfundimit të vizitës, militantët patriotë kishin shpërndarë një trakt në mbarë Kosovën, në të cilin qytetarëve u sqaronin qëllimin e vërtetë të ardhjes së Titos, qëndrimin servil të zyrtarëve shqiptarë në Prishtinë, gjendjen e vendit të robëruar dhe nevojën e intensifikimit të luftës kundër pushtuesve.
Letra fillonte me paraqitjen e gjendjes brenda radhëve të organizuara ilegale, rezultatet e rezistencës kundër regjimit, pavarësisht represionit udbesk dhe dënimeve të atdhetarëve shqiptarë. Përmbajtja e letrës vazhdonte të ishte aktuale, sepse ndjekjet e veprimtarëve po intensifikoheshin nga dita në ditë, kurse nevoja e forcimit të konspiracionit dhe disiplinës në Lëvizje, paraqitej si detyrë imediate. Letra vazhdonte me gabimet, dobësitë dhe të metat në veprimtarinë e organizuar, duke kërkuar që ato të ndreqen shpejt dhe të mos përsëritën. Asllanit, tek po dëgjonte me vëmendje, në një çast iu duk se letra fliste pikërisht për punën e tyre!
Letra kishte disa nëntituj, me të cilët specifikonte disa çështje organizative, teorike, politike, të punës me qytetarët etj. Veç konspiracionit dhe disiplinës, të cilat i përmendte disa herë, duke vënë theks të veçantë, ajo kërkonte më shumë ekzigjencë nga veprimtarët, mbledhje dhe takime të rregullta, rend në trajtimin e çështjeve në to, ndarjen e qartë të detyrave për secilin, raportim para kolegëve për obligimet e marra, diskusion të hapur dhe demokratik brenda radhëve, kritikë dhe autokritikë të shëndoshë e konstruktive, solidaritet me njëri-tjetrin, komunikim brenda organizatës, poshtë-lart dhe anasjelltas etj.
Organet policore kanë vënë në funksion një rrjetë të gjerë agjentësh për të na zbuluar. Ata po bëjnë dhe do të bëjnë përpjekje të mëdha të futen në radhët tona. Në kondita të tilla duhet unitet i radhëve tona më i fortë se kurrë, disiplinë me të vërtetë e çeliktë dhe konspiracion i thellë në gjithë veprimtarinë tonë, shkruante në letër.
Ngritjes teorike dhe edukimit politik të anëtarëve, i kushtohej rëndësi e veçantë. Duhet punuar shumë që të jemi militantë, thuhej aty, të kemi aftësi për ta edukuar drejt masën dhe të luftojmë në çdo fushë armikun. Duhet njohur ligjet e revolucionit, strategjinë e taktikat e tij. Kjo nuk arrihet vetëm në mbledhjet që mbajmë e as me leximin e një apo dy librave, por me një punë të palodhur, të pareshtur, të gjithanshme dhe sistematike…
Në vijim letra trajtonte kujdesin për materialet konspirative dhe teknikën e shtypit klandestin, për të mos rënë në duar të armikut, qëndrimin e veprimtarëve në rast arrestimi dhe vazhdimi i veprimtarisë edhe në kushte burgu.
Si në çdo mbledhje celulash, edhe në letër vihej në dukje nevoja e zgjerimit të radhëve, si një detyrë e vazhdueshme dhe shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh parimet dhe kriteret e qarta të organizatës. Kërkohej që organizata t’i shtrinte radhët gjerësisht në shtresat e shoqërisë, si fshatarësia, punëtorët, gratë e vajzat, rinia studentore dhe nxënësit e shkollave të mesme, inteligjencia përparimtare dhe patriotike, mërgimtarët etj. Asllani u shpërqendrua për një çast derisa po mendonte për disa shokë të tyre, por Naseri po lexonte me zë pak më të lartë:
Radhëve tona i duhen njerëz që çështjen e popullit e të Atdheut e bëjnë çështje të veten, njerëz që mbajnë të gjallë kurdoherë ndjenjën e pastër patriotike, militantë të zgjuar, agjitatorë dhe propagandistë të zellshëm të ideve të lirisë, luftëtarë të guximshëm e të vendosur, modestë, punëtorë të palodhshëm dhe të disiplinuar, të ndershëm dhe të sinqertë, besnikë e të gatshëm t’u ndihmojnë gjithanshmërisht dhe në çdo situatë shokëve. Radhët tona duan njerëz të iniciativës dhe entuziazmit, të gatshëm të shkojnë në aksionet më të vështira, në punët më të rënda dhe për çdo sakrificë. Ndërkaq, u mbylleshin dyert njerëzve të dyshimtë, arrogantëve e prepotentëve, megalomanëve e karrieristëve, oportunistëve e servilëve…
Në fund të letrës u bëhej thirrje të gjithë anëtarëve dhe kandidatëve të organizatës të qëndronin në lartësinë e detyrave, t’u përgjigjeshin me vetëmohim atyre, të ishin konsekuentë në zbatimin e vendimeve dhe të evitonin çdo ndjenjë katastrofe, disfatizmi, luhatjeje e pasigurie.
Të qëndrojmë të patundur, konsekuentë dhe të marshojmë drejtë fitores së sigurt!
Naseri mori frymë thellë.
Këtu dolën shumë detyra dhe shumë mësime për ne, tha Asllani.
Ashtu, ia ktheu Naseri dhe palosi fletët që i lexoi. Me vete kam një enë xhami që mbyllet hermetikisht, e vendosim në të dhe e fusim në tokë në gëmusha të Gërmisë, ku nuk hyhet rastësisht.
E gjetën vendin që ishte plot driza, të cilat ua bënë me gjak duart dhe ua therën gjithandej trupin.
Këtu nuk hyn askush, tha Asllani.
Atë natë dy të rinjtë nuk fjetën gjatë, duke menduar për rrugët që duhej ndjekur në të ardhmen e veprimtarisë së tyre.
– VIJON –
___________________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (VI)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10919

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura