Pashtriku.org, 07. 03. 2015 – (Hyrje) – Kur flitet për Këshillin Qendror të Financimit, zakonisht mbahen parasysh roli që pati ai për mbijetesën e veprimtarive shoqërore të Kosovës në vitet e rënda nën regjimin pushtues të Milosheviqit, asistenca sociale dhe një varg investimesh kapitale publike të financuara prej tij. Rëndësia e Këshillit Qendror dhe këshillave komunalë të financimit përgjatë pothuajse gjithë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, megjithatë paraqitet në shumë dimensione dhe reflektime komplekse. Në këtë punim do të trajtohet shkurtimisht rëndësia politike dhe historike e Këshillit Qendror dhe e këshillave komunalë të financimit.
Konteksti historik
Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të dekadës së fundit të shekullit XX, në kampin e vendeve socialiste po frynin erëra lirie dhe demokracie, por në Kosovë dara e regjimit pushtues sa vinte e shtrëngohej.(1) Mendjet akademike serbe edhe kësaj radhe kishin përgatitur një elaborat të radhës, të quajtur “Memorandum”, që ua kalonte paraprijësve me shovinizmin dhe antishqiptarizmin ekstrem. Regjimi i Milosheviqit famëkeq, më 1989 e suprimoi dhunshëm edhe atë autonomi që me gjak e përpjekje e kishte fituar Kosova ndër dekada. Ai instaloi në Kosovë mekanizma dhune, shfrytëzimi, përjashtimi dhe gjenocidi.
Bedenat e kalasë së Titos, megjithatë po çaheshin, Jugosllavia filloi të rrënohej me luftën në Slloveni, në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë. Një shkëputje e Kosovës nga Serbia u shpall më 2 korrik 1990, pastaj më 1991, u proklamua edhe Republika e Kosovës, pas një referendumi popullor, por të dyja ngjarjet mbetën më shumë në nivelin deklarativ dhe më pak veprues. Kosova kishte edhe Kuvendin e Qeverinë, por jashtë saj, në ekzil. U miratua edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por nuk po mund të zbatohej. Shqiptarët e Kosovës, me gjithë mjerimin social e shtypjen politike, të bindur në fitoren e idealit të tyre, qëndronin e rezistonin, por edhe përcëlloheshin nga zjarri i regjimit pushtues, madje më shumë se vetë subjektet e tyre politike. Të mobilizuar politikisht nga Lidhja Demokratike (legalisht) dhe nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (ilegalisht), ata u homogjenizuan në refuzimin e sistemit të Milosheviqit, duke bërë rezistencë paqësore, por era e barotit ndjehej gjithandej.
Në hyrje të vitit 1992, Kosova po bënte gati tre vite nga heqja e autonomisë. Ky akt i rëndë në historinë e saj, ishte pasuar me pushimin nga puna të shqiptarëve, me ndërprerjen e financimit të veprimtarive shoqërore, me instalimin e masave të dhunshme në ndërmarrjet ekonomike dhe me represion në stil të gjerë e sistematik mbi popullatën shqiptare. Punonjësit e veprimtarive vitale shoqërore kishin vazhduar punën pa pagesë, në kushte të mjera, por mjetet e ekzistencës po mbaronin e bashkë me to edhe mundësia e mbajtjes së këtyre institucioneve. Në Kosovë flitej çdo ditë madje për zi buke dhe eksod të të rinjve. Rezistenca, në mos e armatosur, duhej të bëhej më aktive, për të pasur kuptim.
Rëndësia politike dhe historike e Këshillit Qendror për Financim të Kosovës
Në këto kushte dhe rrethana historike, më 7 shkurt 1992 u themelua Këshilli Qendror për Financim i Kosovës. Veç sukseseve fillestare dhe befasuese financiare, Këshilli pati rol të fuqishëm prej gjeneratori në aktivizimin e rezistencës kundër robërisë. Republika e shpallur e Kosovës, nga një parullë dhe aspiratë duhej kthyer çdo ditë dhe nga të gjithë bashkë në një realitet praktik në të gjitha fushat e jetës, duke ngritur institucionet e saj përkatëse. Roli historik, politik dhe praktik i Këshillit Qendror për Financim konsistonte pikërisht në ngritjen e tij si institucion i Lëvizjes dhe element i shtetësisë e pavarësisë, si organ i mirëfilltë shtetëror, i cili do të vepronte brenda Kosovës, deri në çlirimin e saj, pavarësisht ndjekjeve policore e persekutimit, dënimeve të përditshme dhe madje vrasjeve të veprimtarëve të tij. KQFK ishte organ i përkohshëm dhe tranzitor, i cili do të zëvendësohej nga institucionet qeveritare në Kosovën e çliruar. Vetë përfaqësuesit e KQFK proklamonin se “puna e Këshillit është e përkohshme. Ardhtë më shpejt dita kur ai nuk do të jetë më i nevojshëm si i tillë!”(2) Dhe ajo ditë erdhi.
***
Me formimin e KQFK, dikasteri i financave u konsolidua institucionalisht brenda dhe jashtë vendit. Në kuptimin politik dhe moral më shumë kishin vlerë dhjetë marka të mbledhura brenda se njëqind jashtë, sepse vinin nga institucioni i brendshëm dhe sepse pjesëtohej buxheti i pakët familjar me sakrificë e solidaritet të paparë. Shqiptarët i ndanin shtëpitë me të pastrehët ose i shndërronin në shkolla, duke shprehur kështu humanizmin, shpirtin arsimdashës e ndërgjegjen e lartë kombëtare dhe duke demonstruar besimin te ato pak institucione shtetërore që kishte Kosova, të ngritura mbi rrënojat e sistemit kolonialist krahinor e republikan serb. Çasti historik kërkonte që potenciali sintetizues i vullnetit e guximit qytetar, i vendosmërisë e frymës së sakrificës masive, besimit e bindjes në fitoren e sigurt dhe të afërt, energjisë popullore e përkushtimit vetëmohues, të mobilizohej e organizohej në funksion të aspiratave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga sundimi i gjatë serb e jugosllav.
Në mozaikun e subjekteve të rezistencës kundër pushtuesit në Kosovë, më 1992 hyri edhe Këshilli Qendror për Financim i Kosovës. Veprimtaria e suksesshme e Këshillit të Financimit, bëri të mundur jo vetëm qëndrueshmërinë e tij institucionale, por edhe funksionimin e gjithë superstrukturës së re e të pavarur shoqërore të Kosovës, si arsimi, shëndetësia, kultura, shkenca, sportet etj., të cilat nuk financoheshin nga regjimi pushtues. KQFK financonte edhe skemën e domosdoshme të asistencës sociale dhe investime të konsiderueshme kapitale, ndihmonte subjektet politike dhe më në fund, kontribuonte me mjete financiare dhe logjistike për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këshilli Qendror për Financim i Kosovës u bë shpejt një burim ekzistence, por edhe shprese. Dimri i vitit 1992 ishte tepër i rëndë për Kosovën. Qytetarët i përshkonte ankthi si ta përballonin e të dilnin prej tij. Duke llogaritur në besimin që ata kishin te Këshilli Qendror për Financim dhe për të mos ikur nga Kosova në panik të mungesës së mjeteve elementare, në dhjetor të vitit 1992 KQFK u drejtohej qytetarëve: “Do të jetë një dimër i vështirë, por jo edhe i pakapërcyeshëm. Populli ynë ka përballuar sa e sa dimra të vështirë, do ta përballojë edhe këtë. Ka nevojë për solidaritet më të madh dhe organizim më të mirë, por jo edhe për alarmim e panik. Zi buke, megjithatë, nuk do të ketë. Nuk do të mungojnë as ndihmat nga jashtë, kurse solidariteti i paparë i popullit tonë do të bëjë përsëri të veten. ‘Dimri i lig te miku i mirë’, thonë delvinasit.”(3) Ndërkaq, obliguesve tatimorë u përkujtonte: ”Është borxh moral i të gjithë atyre që krijojnë fitime në një mënyrë a në një tjetër, duke përfshirë këtu edhe të gjitha veprimtaritë ekonomike, tregtare, bujqësore, zejtare etj., që të ndajnë nga ky fitim njëherë për të mbajtur arsimtarët të cilët me mund e sakrifica po e kryejnë punën e vet e, së dyti për t’i ndihmuar ato familje që nuk kanë asnjë mjet jetese për ta kaluar këtë dimër të vështirë.”(4)
Do të ishte iluzioniste dhe madje naive të pretendohej ndërtimi i shtetësisë së plotë, duke pasur brenda vendit soldateskën pushtuese dhe aparatin administrativ kolonialist. Në gjendjen as luftë as paqe, në pamundësi që t’i japësh përgjigjen e merituar regjimit pushtues, do të bësh gjithë çfarë është e mundur për të mos shuar rezistencën dhe për të ndërtuar realitetin e ri, i cili ushqen ndjenjat liridashëse të njerëzve, mbanë gjallë idenë e lirisë e të pavarësisë, i motivon ata dhe u jep kurajë e vullnet, duke i mbajtur të mobilizuar rreth objektivave historike.
Pushtuesit i digjte kjo arterie institucionale e financiare e Republikës së Kosovës dhe rëndësia politike e saj, prandaj që në hapat e parë filloi t’i ndiqte veprimtarët që të pamundësonte funksionimin e Këshillit. Ana e mirë e këtij persekucioni, megjithatë ishte mbledhja rreth këshillave të financimit të veprimtarëve më të mirë të subjekteve politike, të sindikatave etj., më aktivë dhe më të guximshëm, të gatshëm për sakrifica e privacione. Ata dilnin në terren dhe mblidhnin qytetarët në tubime politike dhe vetëdijesuese për nevojën e dhënies së kontributeve të shtetndërtimit. Bindja e qytetarëve për këtë formë të funksionimit të institucioneve nuk ishte aspak punë e lehtë, por akoma më i vështirë paraqitej besimi i tyre në këta këshilla që do të menaxhonin paratë e tyre. Pas një anarkie të mbledhjes së mjeteve financiare nga shumë mekanizma, Këshilli Qendror i Financimit, sfidohej në vendosjen e rregullit dhe të institucionalizimit financiar, jo vetëm nga regjimi, por edhe nga mbetjet e këtyre mekanizmave. KQFK në dhjetor të vitit 1992, tërhiqte vërejtjen: ”Me gjithë faktin që disa ish-këshilla e komisione u shkrinë në këshillat për financim, mbetën jashtë të tjerë për të vepruar ‘të pavarur’. Fryma e bajraktarizmit, e interesave sektare dhe e biznesit politik sjell patjetër edhe anarkinë në këtë çështje tepër delikate dhe të gjitha këto bashkë e ulin, për të mos thënë e humbin fare fuqinë grumbulluese të kontributeve”.(5) Më poshtë aty thuhej: “Duhet të mësohemi të ndërtojmë institucione dhe t’i respektojmë ato.”(6)
KQFK arriti shumë shpejt, me kriteret e tij të mbledhjes dhe të shpërndarjes së mjeteve, me dokumentacionin e rregullt financiar, me disiplinën në veprimtari, me transparencën e llogaridhënien publike, me moralin e lartë dhe përgjegjësinë institucionale e ligjore, jo vetëm të fitojë besimin e plotë të qytetarëve, por ta kultivojë besimin edhe në institucionet tjera të pavarësisë dhe ta shtojë optimizmin në fitoren historike. Me gjithë mungesën e kornizës ligjore dhe mekanizmave institucionalë të mbikëqyrjes, struktura e gjerë e KQFK, e shtrirë në mbarë territorin e Kosovës, funksiononte çdo ditë e çdo orë, mbi baza të shëndosha organizative, me profesionalizëm dhe nën një kod të fuqishëm moral. Lidhur me abuzimet eventuale të mjeteve financiare, KQFK paralajmëronte: “Jo nesër, por sot duhet të japë llogari secili që ka guxim t’u grabisë kafshatën prej goje fëmijëve. Në rrethanat tona historike që po kalojmë, veprime të tilla nuk janë thjeshtë kundërvajtje morale, por krim i rëndë. Emërtimi i këtyre kriminelëve lehtëson, por edhe garanton në një farë mase punën me nder.”(7)
Kredibiliteti moral, ndërgjegjja e lartë dhe besimi i gjerë qytetar, i bënë KQF dhe këshillat komunalë, institucione të suksesshme dhe të qëndrueshme. Kjo qëndrueshmëri shtatëvjeçare në rritje të vazhdueshme, pesëfishoi të hyrat, duke arritur në 205 milionë DM,(8) prej të cilave 121 milionë të mbledhura brenda, duke siguruar rroga në periudha të ndryshme, më të larta se në Serbi, duke ngritur 43 shkolla, duke siguruar nxehjen dhe të gjitha shpenzimet e institucioneve që financonte etj.
Duke siguruar pagat e rregullta mujore të dhjetëra mijë punonjësve, duke zbutur varfërinë ekstreme nëpërmjet asistencës sociale etj., Këshilli drejtpërdrejt ndikoi në zbutjen e papunësisë, në mirëqenien familjare dhe në zvogëlimin e eksodit, sidomos të rinisë, drejt Evropës. Largimin e rinisë nga Kosova, që me cinizëm në Serbi vlerësohej si “eksporti më i suksesshëm i shtetit”, regjimi pushtues e bënte dhunshëm për ta spastruar etnikisht “krahinën jugore” ose “djepin e serbizmit”, për të ushtruar gjenocid dhe sidomos për ta asgjësuar potencialin luftarak të Kosovës së kryengritur.
Këshillat u bënë gjithashtu një institucion më vete të edukimit patriotik dhe të ngritjes profesionale të veprimtarëve të vet. Nuk është çudi që pikërisht nga radhët e këtyre këshillave, dolën kuadro profesionistë, të cilët i kontribuojnë edhe sot jetës shoqërore, ekonomike, financiare, institucionale e politike të Kosovës.
Bilanci i pasojave nga ushtrimi i dhunës e i terrorit shtetëror serb mbi Këshillin e Financimit është i gjatë. Veprimtarët e KQFK dhe të këshillave komunalë e lokalë janë survejuar e ndjekur nga organet policore të regjimit pushtues, 62 prej tyre janë arrestuar e dënuar me burgim, qindra të tjerë janë mbajtur në arrest ose ndaluar, duke i keqtrajtuar, plaçkitur e torturuar mizorisht, kurse Shefki Latifi, aktivist i Këshillit në Besianë është vrarë në krye të detyrës.
Nga radhët e Këshillit, shumë veprimtarë u rreshtuan me armë në dorë në vargun e pambarim të luftëtarëve të lirisë së Kosovës, duke rënë dëshmorë dhe martirë 33 prej tyre. Në këtë përvjetor përkulemi me pietet, në nderim të kujtimit të tyre të pavdekshëm. U shprehim gjithashtu mirënjohje të thellë të gjithë veprimtarëve të tjerë, brenda dhe jashtë vendit, por edhe kontributdhënësve, të cilët bënë të mundur funksionimin e këtij institucioni të Republikës së Kosovës.
Shfrytëzoj këtë rast që në emër të kësaj Tryeze, të kërkoj nga institucionet e Republikës së Kosovës t’ua njohin stazhin e punës të gjithë veprimtarëve të Këshillit Qendror dhe këshillave komunalë e lokalë të Financimit, sikur edhe punonjësve të tjerë, të financuar nga këta këshilla.
Përfundim
Me padëgjueshmëri qytetare, me mjete politike, dhe më vonë edhe ushtarakisht, Kosova i rezistoi makinës shtypëse të pushtuesit, duke siguruar të ardhmen e saj të lirë e të pavarur. Këshilli Qendror i Financimit i Kosovës, arriti objektivat nëpërmjet të strukturës së tij në tërë Kosovën dhe me organizimin profesional, siguroi mjetet për financimin e arsimit, të shëndetësisë, të asistencës sociale, të institucioneve politike, të kulturës, të shkencës, të sportit dhe më vonë edhe të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. KQFK, me punën e madhe e vetëmohuese, me rolin e tij institucional për mbijetesën e veprimtarive vitale shoqërore, me rezistencën e organizuar nga mijëra veprimtarë të tij kundër regjimit pushtues dhe me rolin shtetndërtues, ndershmërinë e lartë e pastërtinë morale, përbën një gur të çmuar në gjerdanin e vlerave historike të Kosovës.
Ju falemnderit.
_______________
Burimet e shfrytëzuar:
1.Mehmet Hajrizi, Ismail Kastrati, Bajram Shatri: Këshilli Qendror për Financim i Kosovës, Libri Shkollor, 2007, Prishtinë, f. 9
2. Angazhim për mbijetesën, “Bujku”, 29 maj 1993, Prishtinë
3. Zi buke nuk do të ketë, “Fjala”, dhjetor 1992, Prishtinë.
4. Kontributet për arsim varen nga solidariteti, “Bujku”, 21 tetor 1992, Prishtinë. Sipas shënimeve që kishte KQFK, në Kosovë kishin nevojë për asistencë sociale mbi 100.000 familje.
5. Zi buke nuk do të ketë, “Fjala”, dhjetor 1992, Prishtinë.
6. Po aty
7. Po aty.
8. Mehmet Hajrizi, Ismail Kastrati, Bajram Shatri: Këshilli Qendror për Financim i Kosovës, Libri Shkollor, 2007, Prishtinë, f. 114.
***
– Kumtesë e mbajtur në Tryezën shkencore për shënimin e përvjetorit të ‘Këshillit Qendror për Financim të Kosovës’. Prishtinë, më 6 mars 2015.