MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARËT, BAJRAM BAHTIRI DHE ZIJA SHEMSIU (31)

Pashtriku, 15 janar 2020:
7.6 Bajram Bahtiri
U lind më 4 mars 1961 në Prishtinë, në një familje të varfër punëtore.
Ka mbaruar Shkollën e Mesme Ekonomike në Prishtinë.
Bajrami qysh në moshë të re, nëpërmjet vëllait më të madh, Rrahmanit, u inkuadrua në Lëvizjen Kombëtare. Si nxënës i Ekonomikut më 1981 ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave, pas të cilave qe i detyruar të hidhej në ilegalitet, sepse kërkohej nga policia.

Nëpërmjet Teuta Bekteshit dhe Teuta Hadrit, Bajrami kishte hyrë në radhët e OMLK-së dhe kryente me sukses aksione të njëpasnjëshme.
Shumë shpejt policia e arreston, por në mungesë të fakteve, dënohet vetëm me 60 ditë burgim. Më vonë do të arrestohet sërish, por Bajrami nuk ndalej në veprimtarinë atdhetare.
Veprimtari Bajram Bahtiri, pa u mbushur ende një muaj nga rënia e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, më 8 shkurt 1984 rrethohet në shtëpi nga forca të shumta policore dhe në përpjekje të armatosur me to, bie heroikisht në altarin e lirisë.

Bajram Bahtiri dhe Zija Shemsiu

7.7 Zija Shemsiu
U lind më 1 korrik 1950 në Përlepnicë të Gjilanit. Shkollën Normale e mbaroi në Gjilan.
Më 1968, bashkë me shumë moshatarë të tij, mori pjesë në demonstratat e nëntorit.
Mësuesi i ri, u detyrua të merrte rrugën e kurbetit, ku u njoh me veprimtarë të njohur, si Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla etj.
Zijahu ishte veprimtar në mërgatë, por edhe në Kosovë, sepse vinte shumë shpesh me detyrë organizative dhe për shpërndarjen e “Liria”-s e të materialeve tjera.
Më 9 tetor 1983, duke qenë në krye të detyrës arrestohet në afërsi të Beogradit, i shumëkërkuari Zija Shemsiu.
Në Burgun Qendror të Beogradit, ndonëse i torturuar rëndë, Zijahu i ri e me trup atleti, nuk jepej, por qëndronte heroikisht.
Zijahu qe nënshkruesi i parë i dokumentit “Letër Kryesisë së RSFJ-së”, të cilën e hartuan bashkë ai, Hydajet Hyseni, Gani Koci, Ali Lajçi dhe Bajram Kosumi. Në letër arsyetohej kërkesa për Kosovën Republikë dhe mbrohej çështja shqiptare.
Më 3 maj 1985 Zija Shemsiu, nga torturat vdes në burg, kurse më 6 maj, nën mbikëqyrjen e rreptë policore, varroset në vendlindjen e vet të dashur.
VIJON…
______________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARËT, NASER HAJRIZI DHE ASLLAN PIREVA (30)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9502

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura