BLEDAR KOMINI: MARRËVESHJET GREKO – TURKE PËR SHKËMBIMIN E POPULLSISË SHQIPTARE (ҪAME) NË GREQI ME ATË GREKE NË TURQI (1925 – 1928)

Tiranë, 10. 06. 2015 – Marrëdhëniet e “përzemërta” që u vendosën ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë në vitin 1923 do të prisheshin (ngrinin) shumë shpejtë, pasi politika e Ahmet Zogut gjatë viteve 1924-1925 tentoi të orientohej nga Jugosllavia. Ky nuk do të ishte shkaku i vetëm i cili do të ndikonte në shkëputjen e marrëdhënieve mes tyre. Një tjetër shkak do të ishte edhe indiferentizmi i treguar prej qeverisë dhe diplomacisë turke në lidhje me “Çështjen çame”. Siç dihet qeveria turke nuk pranoi sugjerimet e qeverisë shqiptare, për të mos shkëmbyer popullsinë çame me atë greke që jetonte në Turqi, por ajo ndërsa i deklaronte Tiranës se nuk do të pranonte shkëmbimin e kësaj popullsie, nga ana tjetër vazhdonte t’i vendoste emigrantët çamë që shpërnguleshin me dhunë nga tokat e tyre në rrafshnaltën e pabanuar të Anadollit.
Nisur nga këto akte në 14 nëntor 1925 Mit’hat Frashëri i dërgonë një letër Presidentit të Komisionit Mikst të vendosur në Stamboll, në emër të qeverisë shqiptare, në të cilën ai kërkon që të ndalohen të gjitha përpjekjet për transportimin me anije të popullsisë shqiptare prej Epirit drejt Turqisë. Për këto akte ai akuzoi drejtpërdrejtë veprimtarinë e Komisionit Mikst si dhe presidencën e komisionit.
Përpjekjet për të ndaluar më tej shkëmbimin e kësaj popullsie me atë greke, nuk pushuan prej qeverisë së Tiranës. Përpjekjet vazhduan edhe gjatë viteve 1926-1927, shumë herë Tirana zyrtare iu drejtua si organizmave ndërkombëtare (Lidhjes së Kombeve), kryesisë së Komisionit Mikst, ashtu edhe qeverisë turke. Një rol aktiv në këtë çështje luajti edhe Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Ankara Rauf Fico, i cili iu drejtua shumë herë drejtpërdrejt instancave më të larta të qeverisë turke që të mos pranonin më shkëmbimin e popullsisë çame me atë greke. Pas demarsheve të tij qeveria turke dhe Ministri i Punëve të Jashtme Tefik Ryzhdiu i dhanë fjalën R. Ficos se nuk do të pranonin më kësi lloj shkëmbimesh.

Mund të thuhet se vitet 1926-1928 ishin vite përpjekjesh intensive të qeverisë shqiptare pranë asaj turke për të ndalur shkëmbimin e popullsisë shqiptare në Greqi me atë greke në Turqi. Gjatë gjithë kësaj periudhe marrëdhëniet shqiptaro-turke do të konturoheshin vetëm rreth kësaj çështje pa pasur mundësi të zgjeroheshin edhe në fusha të tjera. Kjo, pasi çështja çame ishte një preokupim serioz për të gjitha qeveritë shqiptare të kësaj kohe, si dhe për të gjithë ambasadorët shqiptarë në Greqi dhe Turqi. Megjithatë edhe pas këtyre përpjekjeve kjo çështje do të mbetej pezull për vite dhe dekada të tëra.
Duhet theksuar këtu se Shqiptarët e Epirit dhe Çamërisë që u larguan me forcë prej trojeve të tyre nuk ishin të vetmit që u vendosën në fillim të shek. XX në Turqi, por në zona të ndryshme të Anadollit ashtu si dhe në gjithë territorin turk ishin vendosur edhe mijëra shqiptarë të tjerë që vinin prej Kraje, Peje, Hoti, Gjakove, Manastiri, Presheve, Tetove, Prishtine etj., si shkak i represionit serbo-grek ndaj tyre. Të gjithë këta ishin pjesë e një vale genocidi dhe dhune që ishte ushtruar mbi popullsinë autoktone shqiptare që kishte mbetur jashtë kufirit shqiptar pas vitit 1913.
Edhe pse asnjëherë nuk ka pasur statistika të sakta për numrin e popullsisë shqiptare të vendosur në Turqi, mendohet që ai (së bashku me popullsinë shqiptare që ishte vendosur aty para shek. XX) deri nga vitet 1970-1980 të këtë arritur deri në rreth 2 milionë banorë. Të gjithë këta shqiptarë që u strehuan në Turqi edhe pse u gjendën në një ambient të huaj, brenda një kohe të shkurtër, arritën të marrin vende dhe poste të rëndësishme në drejtimin e shtetit, administratës, pushtetit legjislativ etj.
Sipas të dhënave të fund-nëntorit 1924 që jep Ministri Fuqiplotë shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri, numri i shqiptarëve otodoksë që ishin vendosur në Turqi gjatë kohëve të fundit arrinte deri në 10.000 veta me kapital disa miliona franga ari. Prej tyre vetëm një numër i pakët afro 800 veta ishin regjistruar dhe kishin marrë dokumenta nënshtetësie. Turqia, shqiptarët ortodoksë i njihte si grekë dhe kjo rriste mundësinë që ata të shkëmbeheshin me turqit e Greqisë sipas marrëveshjes së Lozanës.
Emigracioni antizogist shqiptar në Turqi nuk ishte i organizuar në forma të tilla si organizata apo shoqëri politike dhe për këtë arsye ai u dallua shumë pak në veprimtarinë antizogiste në krahasim me emigracionin politik të vendosur në Itali, Francë, Jugosllavi, Greqi etj.
Prej emigracionit politik shqiptar të përtejkufirit (që kishin mbetur jashtë trojeve shqiptare pas vitit 1913) që ishte vendosur në Turqi, mund të përmendim edhe emrat e Rexhep Mitrovicës, Riza Çitakut, Fadil dhe Hajredin Bytyçi etj. Më i njohuri ndër ta ishte R. Mitrovica atdhetar dhe politikan i njohur në skenën shqiptare të viteve 1920 me fjalimet e tij të zjarrta, më pas emigroi dhe u vendos në Turqi përkohësisht për t’u kthyer më pas në Shqipëri nga fundi i viteve tridhjetë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura