MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARIN KADRI OSMANI, 1937 – 2012 (29)

Pashtriku, 31 dhjetor 2019:
7.14 Kadri Osmani (1937-2012)
Ka lindur më 23.1.1937 në Makresh të Artanës, në një familje të ndershme, arsimdashëse e patriotike dhe vdiq më 9.10.2012 në Prishtinë.
V
ëllai i tij, Ramizi dhe kushërinjtë, Shefkiu e Nuhiu, më 1949 u dënuan me burg të rëndë nga 8-20 vjet, si pjesëtarë të NDSH-së të Mulla Idrizit, Gjon Serreqit, Haki Efendisë e të Rexhep Dajkovcit. Vëllai më i ri, Begzadi ka qenë i dënuar më 1975 me 12 vjet burg, dhe i izoluar tri herë nga dy muaj.
Kadriu ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës dhe studimet pasuniversitare, ishte gjuhëtar risimtar.
Ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Ka filluar punën më 1960 si nëpunës në Entin Higjenik në Gjilan, arkivist-depoist, duke vazhduar mësimet pa shkëputje nga puna në Shkollën e Mesme Ekonomike, Seksionin Administrativ. Më 1963 shpërngulet në Prishtinë ku inkuadrohet në Kontabilitetin e Komunës, fillimisht tagrambledhës e mandej kontabilist. Më 1964 kalon te revista letrare “Jeta e Re”, si administrator-daktilograf, kurse në vitin shkollor 1965/66 shkon arsimtar në Shkollën Fillore “Rilindja” në Keqekollë. Më 1968 punoi përkthyes për gjuhët shqip-serbo-kroatisht, në Fabrikën e Mobileve “Napredak”, tani “Përparimi” në Prishtinë. Ka punuar arsimtar në Prishtinë, në Entin krahinor të Statistikës dhe në Gjimnazin “Boro e Ramizi” në Viti.

Në moshën 12-vjeçare ishte keqtrajtuar nga OZN-a. Për herë të dytë është burgosur dhe dënuar me një muaj burgim për grevat e punëtorëve në Ndërmarrjen e Mobileve “Napredak” në Prishtinë; për herë të tretë u burgos më 27 nëntor 1969, pas shpërndarjes së traktit në Prishtinë, Mitrovicë e Pejë, për njëvjetorin e demonstratave të vitit 1968 dhe dënohet me dhjetë muaj burg, kurse për herë të katërt në vitin 1974, kur u dënua me 9 vjet burg, si udhëheqës i Grupit Revolucionar të Kosovës. Për herë të pestë burgoset më 12 janar 1984, pasi bashkë me dy dëshmorët, Rexhep Malajn e Nuhi Berishën, më 1983 kishin themeluar Partinë e Luftës të Kosovës dhe u dënua me 15 vjet burg.
Po të mblidhen gjithë vitet e dënimeve me burg, që armiku ia shqiptoi Kadri Osmanit, bëjnë 25, prej të cilave i ka vuajtur 17 vjet. Derisa ishte në burg, me sjellje arrogante dallohej drejtori i burgut, Sherafedin Ajeti. Me një rast kur ai kishte kërkuar që Kadriu të rrinte gatitu dhe t’i raportonte, ky, pa një pa dy, e kishte goditur keq para gardianëve, të cilët ishin hakmarrë rëndë.
Veprimtaria e tij atdhetare zë fill që nga viti 1964/65 kur ka punuar bashkë me kolegun, Idriz Zeqiraj në Kolaj, e pastaj me Binak Ulajn, Zenel Ulajn, Xhafer Shatrin…
Ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968.
Në fund të vitit 1991, me disa bashkëveprimtarë formon Organizatën Revolucionare Shqiptare (ORSH), në të cilën zgjidhet kryetar. Organizata nxori revistën “Kushtrimi i lirisë”. I rrezikuar nga ndjekjet policore, kalon në Shqipëri, ku hyri në Partinë Socialdemokrate të Teodor Laços (1993-1994) dhe më vonë shkoi në Zvicër, ku ishte anëtar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë (1966) dhe sekretar i Bashkësisë Shqiptare prej vitit 1998 deri në fund të qëndrimit atje, më 2005.
Ishte zv. redaktor përgjegjës i revistës semestrale “Shqipëria Etnike”.
Ka botuar:
– “Shqipja e Lartësive” (kurorë sonetike), 1988;
– “Falë të qoftë gjaku!” (poemë), 1997;
– “Nënë Tereza e Shqipërisë” (kurorë sonetike) 1998;
– “Shqiptarët janë atje!” (Publicistikë) 1999;
– “Nuset tona” (Roman), 2003 dhe ka lënë mbi dhjetë vepra në dorëshkrim.
Në Konkursin Letrar të revistës „Spektri”, 1998, ka zënë vendin e parë për tregimin „Dyluftimi”. Po ashtu në atë konkurs ka zënë vendin e tretë për poezinë “Nëntori i flamurit shqiptar” dhe i janë marrë për botim “Poemë për Komandant Fehmiun” si dhe eseja “Diaspora dhe Atdheu, arritjet dhe mundësitë”. Në vitin 2003 në Konkursin Letrar të Universiteti Popullor në Gjenevë, ka zënë vendin e parë, me tregimin „Telegrami”. Në përmbledhjen me poetë të mërguar „Metafora e arratisur” (2003), është prezantuar me një cikël vjershash. Ka shkruar te “Jeta e Re”, te “Zëri i Rinisë”, te “Rilindja” etj. Në Shkollën 8-vjeçare “Rilindja” në Keqekollë (1965-1968), me të ndjerin Mehedin Dili, nxori revistën e nxënësve “Ylli i parë”. Në gjimnazin e Vitisë, nxori revistën e gjimnazistëve “Aroma” (1974), më 1995, në Tiranë, revistën “Arbëria”, ku ishte kryetar i pleqësisë. Një kohë të gjatë e udhëhoqi revistën e ilustruar “Shqipëria Etnike”.
Ka marrë mirënjohje nga Shoqata e Mërgimtarëve Shqiptarë “Avni Rrustemi” dhe Shoqata e Mërgimtarëve Shqiptarë “Bajram Curri” (Buchs), e cila e kishte shpallur anëtar nderi, në shenjë respekti për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare, kurse SHKA “Naim Frashëri” në Bernë, i jep mirënjohje për punë dhe angazhim në ruajtjen, rritjen dhe zhvillimin e folklorit burimor shqiptar.
***
Kadri Osmani në Grupin Revolucionar të Kosovës ka bashkëvepruar në udhëheqjen e Organizatës me Mehmet Hajrizin, Xhafer Shatrin, Binak Ulajn dhe Idriz Seferajn. Në celula ka punuar me anëtarët: Shaban Sadiku e Hamid Morina në Ferizaj. Shaban Sadiku i lindur më 1907 në Reçak të Shtimes ishte propagandist popullor shumë i efektshëm i Lëvizjes. Ai bashkë me djemtë, kishte strehuar në disa raste teknikë të Organizatës dhe literaturë të ndaluar. I biri i tij, Rexhepi ishte arrestuar dhe mbajtur në burg dhjetë ditë për të hetuar veprimtarinë atdhetare të familjes, kurse më 1989 mbahet në izolim në Vrajë. Edhe Shaban Sadiku është marrë në bisedë informative pas arrestimit të Kadriut, më 1974.
Pensionisti, Hamid Morina, i lindur më 1924 në Kopernicë të Dardanës, jetonte në Ferizaj me familjen, nga e cila dy djemtë e tij, Xhabiri dhe Agroni do të bëhen veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare.
Në një celulë tjetër Kadriu ka vepruar me Sami Dërmakun nga Prishtina, i cili u arrestua e dënua disa herë dhe Sherif Masuricën nga Gjilani, gjithashtu i dënuar politik. Ai bashkëveproi edhe me të bijën, Hidajete Osmanin. E shoqja e Kadriut, Shukrije Emërllah Bunjaku, kushërirë e kaçakëve të mirënjohur Lush Bunjaku,Vesel Bunjaku dhe Ajet Bunjaku-Kosovica, ndonëse formalisht nuk ishte anëtare e Organizatës i kontribuonte asaj dhe e ndihmonte të shoqin, të bijën Hidajeten dhe shokët e shoqet e tyre. Pas arrestimit të Kadriut, ishte kërcënuar dhe keqtrajtuar disa herë në polici, por asnjëherë nga ajo nuk kishin dalë denoncime për veprimtarët e shumtë që i njihte.
Nëpërmjet Kadriut, Lëvizjen e kohës e ka ndihmuar edhe Ibrahim Begolli, kryepunëtor, pleqnar dhe myezin nga Prishtina, i cili qysh nga viti 1968 ishte në kontakt me Hilmi Rakovicën, Adil Pirevën, Ilaz Pirevën, Kadri Osmanin, Xhafer Shatrin, Mustafa Ademin, Gani Sylajn, Irfan Shaqirin e të fejuarën e tij, Maxhiden etj.
Nëpërmjet Mustafa Ademit ai ishte i lidhur me GRK-në, për të përcjellë ndihmat për familjen e Kadri Osmanit të burgosur, afër së cilës punonte në një dyqan. Ibrahimi ka ndihmuar edhe familje të tjera të burgosurish, prandaj është arrestuar dhe dënuar, një herë 3 muaj e 7 ditë, herën tjetër 6 muaj burgim. Adem Krasniqi, shef në Sigurimin Social në Prishtinë, ka ndihmuar në veprimtarinë çlirimtare Kadri Osmanin dhe ka qenë simpatizant i Organizatës.
VIJON…
___________________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARËT – REXHEP MALAJ DHE NUHI BERISHA (28)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9477

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura