Pashtriku, 15 korrik 2020:
7.47 Fazli Abdullahu
I lindur më 20.1.1952 në Shurdhan të Gjilanit. Ka mbaruar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pedagog.
I martuar, tre fëmijë.
Ka punuar në arsim. Gjatë viteve 1990-1993 ishte bashkëpunëtor i KMDLNJ-së për Gjilanin, kurse nga fillimi i vitit 1994, koordinator rajonal. Ka marrë pjesë në fushatën e pajtimit të gjaqeve në Kosovë.
Ishte veprimtar politik në LDK.
Ka qenë i organizuar në GRK me veprimtarët Rexhep Malaj, Ilmi Ramadani, Nazmi Hoxha, Sadri Sherifi, Jetullah Arifi, Preshevë (Ranatovc). Ka bashkëvepruar edhe me Niazi Korçën, Shemsedin Hoxhën, Shefqet Hoxhën, Xhavit Dërmakun, Fatmir Salihun, Irfan Shaqirin etj.
Më 1968 bashkë me Rexhep Malajn etj., ka qenë organizator i demonstratave në Gjilan.
Në shtator 1971 me Niazi Korçën ka qenë në Shqipëri, kurse më 1973 me Rexhep Malajn ishte në Zvicër, ku siguruan mjete për Lëvizjen.
Fazliu ishte arrestuar më 1971 dhe dënuar me 20 ditë, më 7.11.1975, për t’u dënuar me 6 vjet burgim dhe tri herë të tjera, më 1986, 1989, 1999, duke e mbajtur nga 40-60 ditë në burg.
7.48 Tone Buzhala-Gashi
E lindur më 17. 8. 1963 në Çabiq të Klinës.
Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Filologjisë, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në Prishtinë.
E martuar, nënë e tre fëmijëve.
Punon tek Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, zyrtare për plane dhe programe mjedisore, Prishtinë, Kosovë.
Nga 2002-2007 ka punuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, zyrtare e lartë në Njësinë për Edukim dhe Vetëdijësim.
Gjatë periudhës 2000- 2002 ka punuar në radion ”Kosova e Lirë” në Prishtinë, gazetare dhe folëse.
Në vitet 2000-2001 ishte e angazhuar në Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca e Gruas së Kosovës (AGK), zëdhënëse, kryetare e AGK-së.
Si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në vitet 1987–1993 ka punuar në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi “ në Klinë.
Me veprimtari çlirimtare ilegale është marrë që nga viti 1979, si nxënëse e Shkollës së Mesme “Luigj Gurakuqi“ në Kijevë, duke filluar me Prend Buzhalën, i cili ishte edhe profesor i gjuhës shqipe në shkollën ku mësonte ajo, si dhe me profesorin e saj të kimisë, Azem Sylën. Anëtarë të tjerë të Organizatës me të cilët ka bashkëvepruar në vijim ishin: Milaim Zeka, Sokol Krasniqi, Vezire Maloku, Sabrie Krasniqi, Servete Krasniqi, Musë Buzhala, Haki Morina, Tafil Morina, Mikel Lleshi, Nexhmije Millaku Habib Morina, Zahide Krasniqi dhe Naim Morina.
Ajo ishte duke i përgatitur për anëtarësim edhe kandidatët: Ton Buzhala (tani i ndjerë), Sevdije Gashi, Argyl Kelmendi, Lon Karrica, Nazmi Gashi, Fitore Kryeziu dhe Asllan Gashi, por për shkak të zhvillimeve më 1981, nuk ia arriti. Nëpërmjet saj, simpatizantë të Organizatës ishin: Tushe Mahmutaj, Lekë Lekaj, Hamdi Veselaj, Zoje Buzhala, Pashk Buzhala, Nikollë Buzhala Rozë Buzhala, Ibrahim Gashi, Shefqet Krasniqi, Ragip Krasniqi dhe Prekë Gjetaj.
Në fillim nga Prend Buzhala dhe Azem Syla ka marrë literaturë patriotike të ndaluar, të cilën e shpërndante në konspiracion të thellë, në fillim te të afërmit, pastaj te shokët dhe shoqet e klasës dhe në radhët e organizuara.
Ngjarjet e vitit 1981, shkollën e saj e gjetën të përgatitur. Falë angazhimit të Azem Sylës dhe përkrahjes së Prend Buzhalës, Anton Kolës dhe disa profesorëve të tjerë, ajo ishte ndër shkollat e para që iu bashkëngjit masivisht demonstratave të marsit e të prillit të atij viti. Vajzat qëndisnin flamurin kombëtar e parulla të ndryshme, të cilat pastaj viheshin në vende të caktuara publike. Kjo shkollë nga pushtetarët e atëhershëm u cilësua vatër e rrezikshme zjarri, që po shpërndahej me shpejtësi edhe në qendrat tjera të komunës së Klinës. Disa prej këtyre veprimtarëve janë torturuar shumë herë nga sigurimi shtetëror serb dhe falë qëndresës së tyre e në mungesë të fakteve janë liruar, ndërsa Haki Morina me të vëllanë dhe me kushëririn Habibin janë dënuar edhe me burg. Servete e Sabrije Krasniqi, shumë herë janë marrë në polici, ku janë torturuar rëndë. Po ashtu Musë Buzhala, Naim Morina dhe Asllan Gashi disa ditë rresht janë torturuar në mënyrë të vrazhdë. Edhe profesorët e saj, Azem Syla dhe Prend Buzhala u izoluan nga sigurimi serb në Burgun e Pejës dhe pas 6 muajsh në mungesë provash u liruan si të pafajshëm .
Pas daljes të Azemit dhe Prendit nga burgu ajo ka vazhduar në konspiracion të thellë aktivitetin politik me Azemin. Tonja ka qenë ndërlidhëse midis Azemit me Prendin dhe me Anton Kolën. Ky aktivitet ka vazhduar deri në kohën kur Azemi arrestohet sërish në fund të vitit 1981.
Aktivitetin e ka vazhduar me Milaim Zekën, me të cilin e kishte lidhur Azemi, derisa ai u detyrua të arratisej jashtë atdheut
Pas pushimit të veprimtarisë së OMLK-së, në nëntor të vitit 1983 bie në kontakt me Sabit Tahirin, kurse më vonë edhe me Xhavit Hazirin (tani i zhdukur), Bashkim Mazrekun, Halit Krasniqin etj, me të cilët vazhdon veprimtarinë politike në LRSSHJ (1983-1984) e cila më vonë u shndërrua në LPRK, ku ajo veproi më 1985-1986.
7.49 Remzie Limani
E lindur më 3. 3. 959 në Pograxhë të Gjilanit.
Ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
E martuar, nënë e tre fëmijëve
Është edukuar me atdhetarizmin e të parëve dhe të xhaxhait, Sinanit e të bashkëpunëtorëve të tij si Metush Krasniqi, Rexhep Dajkovci, Fehmi Qerimi Saraçi, Ramiz Cërrnica, por edhe të vëllezërve, Nazimit e Avdiut, të dy pjesëmarrës të demonstratave të 1968-ës, ndërsa Avdiu i burgosur nga ngjarjet e 1981-ës. Rol të veçantë në formimin e saj ka luajtur Radio Tirana.
Aktivitetin për herë të parë e fillon në vitet 1974-1975. Ende pa u organizuar në treshen ilegale, së bashku me motrën, Saimen i kishte thyer fotografitë e Titos, Kardelit, Karagjorgjeviçit në shkollën e fshatit Pograxhë. Për këtë shkak të nesërmen është mbajtur mbledhja e komitetit në Gjilan ku u pat vendosur që të ndërpritet mësimi për katër ditë në mënyrë që të merren masat për zbulim, si kontrolli i shkollës në tërësi e deri te marrja e shenjave. Mirëpo, asnjëherë nuk është marrë vesh se kush i ka bërë thyerjet.
Më 1979 anëtarësohet në Organizatë dhe vepron bashkë me Teuta Hadrin,Teuta Bekteshin e Hasan Malajn. Mbante lidhje edhe me bashkëpunëtorë, si Skënder Berisha nga Prizreni, Shemsi Syla nga Gjilani, Gonxhen dhe Mejremen nga Dibra dhe Mira nga Peja. Me shumicën prej bashkëpunëtorëve të jashtëm njiheshin vetëm përmes nofkave.
Aksioni i parë i saj ishte në vitin 1980, kur së bashku me Teuta Hadrin i patën shkruar nëpër korridoret e konvikteve III dhe IV parullat: “Poshtë Titizmi”, “Kosova Republikë”, “Trepça është jona”. “Rroftë Shqipëria”, “ Bashkim me Shqipërinë”, “Lironi Shokët nga burgu” etj. Hasan Malaj i kishte mësuar përdorimin dhe mirëmbajtjen e armës, por e kishte ngarkuar shpesh me detyrë të bartjes së materialeve propagandistike, të cilat i kamuflonte ose i fuste në kuti të zbrazët të radios.
Ndër aksionet ishte edhe prishja e parullës “Tito Partija Jugosllavija” e shkruar me shkronja gjigante 6 metërshe të punuara prej gurësh të mëdhenj, në Malin e Kamenicës. Këtë e kishte bërë me Teuta Hadrin dhe Hasan Malajn. Këtë aksion e kishin përsëritur sepse autoritetet e rregulluan.
Më 1981 kur filluan demonstratat, së bashku me shoqet ishte në radhët e para dhe e maskuar si punëtore ka hipur në një bli së bashku me Hydajet Hysenin, i cili iu pat drejtuar masës. Meqë e kërkonte policia, ajo u detyrua të kalonte në ilegalitet të thellë.
Pasi e kishin arrestuar dhe dënuar me tetë vjet burg të vëllanë, Avdiun, një ditë derisa po lëvizte me të motrën, e arrestojnë edhe Remzien, me ç’rast dënohet me 6 muaj burg nën hetime dhe tortura, kurse motrën e saj Saimen e lirojnë me kusht.
Pas lirimit e vazhdoi aktivitetin. Së bashku me motrën, Hanife Malaj dhe me Myrvete Abdullahun në shkollën e fshatit Pograxhë e shkruajnë parullën e madhe “Kosova Republikë”. Pas dy ditësh policia arrestoi të vëllanë Nazimin, i cili pas torturave lëngoi një kohë të gjatë në shtrat. E kishin arrestuar edhe vajzën e vëllait të saj, Shqipen 14 vjeçe, të cilën e mbajtën tri ditë në burg duke e shtrënguar të pranonte atë që kishte parë. Myrvete Abdullahun, të cilën gjithashtu e kishin marrë, pas torturave inspektorët serbë e dërgojnë në spital për shërim.
Pas vitit 1981, kushtet e veprimit për Remzijen u vështirësuan shumë; Hasan Malaj emigroi në Zvicër, ajo vetë u martua, ndërsa shoqet Teuta Hadri dhe Teuta Bekteshi ranë në burg. Me Hasan Malajn e Kadri Abdullahun kishte mbetur një lidhje nëpërmjet Ilfi Agushit, i cili sillte materiale dhe literaturë nga jashtë për ta shpërndarë në Kosovë.
Më 8 janar 1983 ajo dënohet edhe një herë me një vit e gjysmë burg, për veprimtari propagandistike, të cilin nuk e mbajti, sepse djalin e kishte të vogël dhe se ishte shtatzënë.
Aktivitetet e saj shtohen pas lirimit të Rexhep Malajt nga burgu. Shtëpia e saj në Ferizaj u bë baza e shpërndarjes së pamfleteve që vinin nga Zvicra.
Nuk kalon shumë kohë kur Rexhepit i duhet të kalojë në ilegalitet të thellë, kurse ajo bëhet urë lidhëse mes tij dhe familjes.
Gjatë kësaj kohe, nëpërmjet Rexhep Malajt, kishte pasur takime edhe me Hidajete Osmanin, Nuhi Berishën, Bajram Shabanin në Pograxhë etj.
Pas rënies së veprimtarëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha aktiviteti i saj shuhet gradualisht. Bashkë me familjen emigron në Zvicër.
7.50 Sabri Sherifi
Është lindur më 11.10.1959 në Qarr të Bujanocit.
Ka studiuar në Fakultetin Elektroteknik.
I martuar, ka 4 fëmijë.
Punëtor në elektroteknikë në Zvicër.
Në edukimin e tij patriotik kishte ndikuar familja dhe burgu i dajave të tij.
Në vitin 1979 edhe vetë për herë të parë përjeton burgun dhe dhunën serbe.
Me dyshimin se mbi fshatin ku jetonte kishte fshirë emrin “Tito”, të shkruar me gurë të ngjyrosur e në vend të tij kishte shkruar emrin e Enver Hoxhës, u arrestua dhe u dënua me 2 muaj e gjysmë burg.
Pas lirimit organizohet me bashkëfshatarët, Hasan Ramadani dhe Mefail Bajrami. Ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981. Ka kryer një varg aksionesh për shkruarje të parullave, shpërndarje të shtypit klandestin e të literaturës së ndaluar. Në një aksion të tillë, kapet në flagrancë bashkë me të miturin Ali Malajn, të birin e Hasan Malajt dhe dënohen, ky tri vite, kurse Aliu dy vite burg.
Ende pa e vuajtur dënimin e shqiptuar, Sabriut i rihapen hetimet, por kësaj here për “bashkim për veprimtari armiqësore” bashkë me dy shokët e tij, Hasan Ramadani dhe Mefail Bajrami, të cilët ishin burgosur pak ditë më parë. Pas këtij procesi dënohet me gjithsej pesë vjet burg.
Pas lirimit, familja e tij ishte vazhdimisht nën presionin policor, prandaj shpërngulet nga fshati dhe vendoset në Prishtinë, por mbasi edhe aty ndiqej, më 1991 Sabriu emigroi në Zvicër, ku jeton edhe sot.
Atje angazhohet në LPK dhe për fondin “Vendlindja Thërret”.
Aktualisht është kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër.
VIJON…
__________________
Mehmet Hajrizi: Shenime për veprimtarinë e Fehmi Plakut, Halil Malajt, Haqif Krasniqit, Nexhmedin Ahmetajt, Shaqir Selajt, Niazi Idrizit, Sheqir Zenelit dhe Xhevat Ajvazit (59)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10247