BEDRI ISLAMI: ILIR KONUSHEVCI DHE ARDIAN KRASNIQI SË BASHKU ME TË TJERË, I VUNË THEMELET UҪK’së. IBRAHIM KELMENDI: ILIRI KISHTE GOXHA ANKIME KUNDËR XHAVIT HALITIT DHE AZEM SYLËS!

Pashtriku.org, 13. 03. 2016: /VIII. Përgatitja e luftës dhe fillimet e saj/ (Bedri Islami – B.I.) – Emrat e Ilir Konushevcit dhe Ardian Krasniqit janë ndër më të njohurit sot. Jo thjeshtë sepse u vranë në aksione të ndryshme apo se ishin miq të afërt. Mendoj se ata janë dy nga njerëzit që, së bashku me të tjerë, i vunë themelet ushtrisë. Kur jeni njohur për herë të parë me Ilirin dhe Ardianin?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Për njohjen me Adrianin rrëfeva, kurse takimi i parë me Ilirin mund të ketë ndodhur në janar 1997, por qysh në shkurt 1998, kur me Rifat Hamitin (Mitrovicë / Kiel të Gjermanisë) shkuam në Tiranë për qëllime biznesi, kisha takime më të shpeshta.
(Bedri Islami – B.I.) – Iliri ka dërguar edhe një letër në adresën e organizatës, letër, e cila ndodhet në arkiv, por pjesë të saj janë bërë të njohura. Aty ai shfaq mendimin dhe idetë e tij për ristrukturimin e luftës dhe hovëzimin e saj. Ti di për këtë letër, besoj. Por edhe jeni takuar disa herë me Ilirin. Fakt është se ai, në rrugë normale dhe të drejtpërdrejtë, ka propozuar që ti të jesh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Kjo edhe nga besimi tek ti, por, dihet se ai ishte njëri ndër njerëzit më të afërt të vëllait tënd, Qerimit. Më intereson të di, nëse keni qenë në dijeni të veprimtarisë së Ilirit në fushën e logjistikës, si keni krijuar lidhjet me të dhe përgjithësisht me Grupin e njohur si Linja e Llapit, ku drejtonte Zahir Pajaziti?

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Siç thashë, me Ilirin e me shokun e tij të ngushtë, Dilaverin, jam njohur në shkurt të vitit 1998, përmes Qerim Kelmendit. Iliri dhe bashkëveprimtarët e Tij në atë kohë po ndihmoheshin shumë edhe nga Perlat Gojçi dhe Isni Neza (nga Qeremi, gjegjësisht Leniqi i Malësisë së Gjakovës / Tropoja). Këta dy malësorë patriotë kanë ndihmuar shumë Ushtrinë tonë. Që nga njohja e deri sa u ktheva në Gjermani, në prill të vitit 1998, për të marrë pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme dhe për t’u mobilizuar në mbledhje të ndihmave financiare, pothuajse përditë, kisha kontakte pune me Ilirin dhe Dilaverin, sepse bashkërisht merreshim edhe me strehimin dhe sistemimin e ushtarakëve që na kishin ardhur në Tiranë nga Bosnja, Kroacia e Sllovenia. Përkushtimi, angazhimi dhe përvoja e Ilirit dhe Dilaverit me patën fascinuar, me patën dhënë energji të reja për angazhim. Se Iliri paskësh kërkuar që unë të bëhem pjesë e shtabit të përgjithshëm, me beso, e dëgjoj për herë të parë. Por, ai duhet ta ketë bërë këtë kërkesë, meqë qe angazhuar me përkushtim që shtabi vërtet të formohej e të konsolidohej, sepse e dinte se kishim shtab jo sa duhej efektiv, në emër të të cilit thirreshin e shpërdoronin sidomos Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Këta përpiqeshin ta mashtronin Ilirin se ekzistonte shtabi, se Iliri ishte anëtar i tij, sikundër e thashë më herët, por ai nuk kishte marrë pjesë në ndonjë mbledhje të shtabit dhe nuk kishte si të merrte pjesë, përderisa ai ishte fiktiv.
(Bedri Islami – B.I.) – Të kuptohemi drejtë. Në Letrën e tij, siç shkruan ai vetë, shokëve të tij të idealit, letër e cila gjendet në arkivin e Organizatës, Iliri, ose Mërgimi, si e kemi njohur, në asnjë rast dhe në asnjë vend, nuk bën fjalë për Shtab fiktiv. Problemet që ai ngre, për momentin kur janë ngritur, janë të rëndësishme, sidomos për fuqizimin e luftës. Por ai, edhe pse herë-herë e ka ndjerë veten të mënjanuar, nuk ka ngritur probleme të fiktivitetit ose të mosfunksionimit të Shtabit Qendror, siç është quajtur deri në mars të vitit 1998. Në të kundërtën, ai bën fjalë për Zahir Pajazitin, si udhëheqësin e tij dhe drejtuesin e Shtabit Operativ Qendror, shtab i cili, në kohë të ndryshme, ka ekzistuar dhe vepruar krahas Shtabit Qendror. Zahiri ishte njëri nga anëtarët e dyfishtë të strukturave drejtuese dhe njëkohësisht, ishte edhe drejtuesi më i drejtpërdrejtë i Ilir Konushevcit, Demës, Ardianit e shumë të tjerëve. Kjo do të thotë se Shtabi nuk ka qenë krejtësisht fiktiv, por, për vetë kohën kur janë zhvilluar ngjarjet, dinamizmin dhe përvojën, shumë gjëra mund të bëheshin ndryshe, çka do të thotë, mund të bëheshin më mirë. Por, më mirë, le të vazhdojmë me përgjigjen tënde.

Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi (1997)

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Sërish e njëjta paqartësi. Unë i kam kaluar pothuaj dy muaj me Ilirin dhe gati ditë për ditë jemi takuar. Për këtë mund të dëshmojë Dilaveri, Qerimi, Bislim Zyrapi dhe shumë të tjerë. Por, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka se Ilirit i ka ardhur vështirë të përdorë terminologjinë time, ama unë i dija shqetësimet e tij. Pastaj ai nuk i ka pasur informatat e as njohjet që kisha unë. Unë, natyrisht, atyre nuk u tregoja gjë, sepse nuk doja t’i demoralizoja. Për mua në atë situatë emergjente kishte rëndësi, që ata, me atë vullnet, përkushtim e guxim, të futnin në Kosovë sa më shumë armë e municion, meqë vetëm ata kishin rrjet përmes të cilit fusnin armë në Kosovë. Për ta bërë sektorin logjistik të UÇK-së në Shqipëri, Iliri bashkë me Bislim Zyrapin e ushtarakë të tjerë, patën bërë një projekt të detajuar. Në praninë time Iliri ia ofroi atë Xhavitit për prezantim (nga mesi i prillit 1998), me kërkesë që të mblidhej shtabi për ta shqyrtuar. Xhaviti ia grisi duke murmuritur ca të shara nëpër dhëmbë kundër oficerëve “titistë“. Isha i pranishëm. Nuk na erdhi mirë, por e ruajtëm qetësinë. Megjithatë, Iliri po e menaxhonte logjistikën e Ushtrisë mbi mundësitë reale, sepse Azemi dhe Xhaviti, sipas bindjes sime, nuk po e mbështesin si duhet, për të mos thënë se po e sabotonin.
(Bedri Islami – B.I.) – Nuk e kuptoj, cili ishte qëllimi i Xhavitit ose i Azemit që të sabotonin një linjë që i shërbente luftës. Në planin organizativ, ata, të dy, ishin të caktuar nga Kryesia e Organizatës; në linjë ushtarake, që të dy ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, pasi ishin anëtarë të Sektorit të Veçantë, asnjëri dhe as tjetri, nuk besoj se mendonin se Iliri mund t’i spostonte dhe jam i bindur se as Ilirit nuk i ka shkuar në mendje kjo gjë. Nganjëherë kemi të dhëna jo të mjaftueshme dhe formohet një mendim jo i plotë. Jam i bindur se Iliri, po të kishte mundësi më të mëdha, do të kishte bërë mrekulli. Edhe grupi që vazhdoi punën pas vrasjes së Ilirit, po ashtu, mori barrën kryesore të logjistikës. Mirëpo duhet një logjikë tjetër që të mendosh se dy njerëz, të caktuar nga Organizata, duan të prishin punët e një tjetri, i të njëjtës linjë me ta. Ndoshta të kujtohet, kur ishim në Tiranë, mësuam për konfliktin mes Zekës dhe Raifit. Informacioni i parë ishte po ashtu, se Zeka po e pengon Raifin dhe nuk ka më kontakt me të. E shtruam në mbledhje. Nuk ishte e saktë. Zeka i kishte dhënë Raifit mjete të ndjeshme për logjistikën dhe ai ende nuk kishte bërë raportimin për justifikimin e mjeteve. Në këtë rast është e drejtë të thuhet, “justifiko mjetet që more e pastaj flasim për të tjera”. Nuk dua të justifikoj Zekën e aq më pak Azemin, mirëpo nuk dua as të hyj në hakun e askujt. Edhe mundësitë, deri në prillin e vitit 1998, kanë qenë shumë të pakta. Ato ishin vetëm një rrëkezë, mund të them, në krahasim me atë që duhej.

– Zahir Pajaziti –

 

Tiranë, nëntor 1996: Zahir Pajaziti dhe Qerim Kelmendi.

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Nuk e sqarojmë dot këtë tematikë Ti dhe unë. Informata dhamë për aq sa mund të jepen në një bashkëbisedim, të tjerët le t’i vlerësojnë këto të dhëna. Argumenti juaj se Lëvizja i kishte caktuar ata në ato pozicione është i saktë, por ama nuk do të thotë se individët që ka zgjedhur e ngarkuar Lëvizja kanë qenë çdo herë më të qëlluarit dhe më të merituarit. Për këta të dy kisha dhe kam bindjen se kam gabuar që i kam votuar, sepse nuk paskëshin qenë njerëzit e duhur, për vendin e duhur. Mbase do të bindeshit po të kishit qenë më herët në rrjedhë të ngjarjeve. Sa për atë takimin me Raifin e Xhavitin, mundet ta keni fjalën për një takim që mbajtëm në fund të qershorit, ose në fillim të korrikut në ambientet e Hotel “Dajtit”. Aty u kërkuam llogari për dy rrjete furnizuese, sepse për shkak të përplasjeve, i kishim ndarë në dysh. Për atë që e kishte bazën në Hoxhaj të Tropojës, i cili udhëhiqej nga Gani Nuhaj pas vrasjes se Ilirit, na erdhi për të dhënë llogari Raif Gashi, kurse për tjetrin Azem Syla. Raifi paraqiti shënime të detajuara që ishin mbajt në Hoxhaj, kurse Azemi nuk paraqiti asnjë shënim, por belbëzoi, se për shkaqe sigurie nuk po mbante shënime rrjeti që udhëhiqte ai diku në Has.
E përse ata të dy, Xhaviti e Azemi pra, përse sabotonin e komplotonin, duhet ta dinë vetë ata më së miri. Unë u mundova të shpjegoj më herët, se ata kishin tjetër koncept për luftën (vetëm si llafe, asgjë nuk kishin të projektuar në letër), sepse përmes mjeteve financiare donin ta kishin nën komandim të tyre gjithë Ushtrinë. Fatmirësisht shumë shpejt ata u nxorën si “tepricë teknologjike”, nëse mund ta përdor gjuhën teknike, nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Pra, shkaqet mund të jenë gjithfarësoj, pse mund të pengohet një njeri, një grup e të mbështetet një grup tjetër. Disa prej atyre shkaqeve edhe Ti i din. Askush nuk e ka dëgjuar Ilirin të ankohet për çështje personale e subjektive, nëse ka pasur ndonjë ankim, e kishte vetëm për hir të luftës. E ai ka pas goxha shumë ankime kundër atyre të dyve.
Për të mos e zgjatur me rrëfimin për angazhimet e heroit markant, më 9 maj 1998 Iliri u vra në pritë nga kriminelët mercenarë të Tropojës. Hetimet për vrasjen e tij u sabotuan. Ndoshta me urdhër personal të kryeministrit Nano!
Përse?
Ndoshta do të sqarohemi ndonjëherë. Hetimet fillestare i pat sabotuar edhe Raif Gashi, i cili nuk depononte ato që dinte, ta zëmë emrat e njerëzve që e shoqëronin në atë rrugëtim Ilirin me Dr. Malën, ndihmësin e Ilirit,i cili gjithashtu u vra nga kriminelët në atë pritë. Vrasja e Ilirit në pritë, në Qafëmal të Tropojës, jo vetëm që ishte goditje dhe humbje e madhe për Ushtrinë, por e kam përjetuar edhe si goditje të rëndë shpirtërore. Dyshimi im i kohës ishte se vrasësit e Ilirit duhet t’i kishin informuar ata që i dinin lëvizjet e tij, sidomos në ditët e fundit. Dhe këta njerëz nuk kanë qenë të shumtë. Por rëndësia e zbulimit qëndron, kush i angazhoi dhe pagoi vrasësist, sepse kriminelët nuk duhet të kenë bërë vrasjen për qëllime plaçkitëse (meqë as të hollat që kishte në xhep Iliri, nuk i ishin plaçkitur.). Uroj që organet përkatëse në Shqipëri të rinisin hetimet, sepse prova e dëshmitarë ka dhe, po të duan, mund ta ndriçojnë rastin, duke zbuluar se kush i kishte paguar vrasësit mercenarë (ndërkohë edhe ata të vrarë). Por këtë temë, edhe Ti e ke filluar në librin “Enigma e një vrasje të trefishtë”, pra nuk je i panjohur me ngjarjet, për të mos thënë se mund të dish edhe gjëra të tjera, qoftë edhe nga fakti se ke drejtuar Komisionin e veçantë që u ngrit për hetimin e këtyre ngjarjeve.
(Bedri Islami – B.I.) – Më përpara se të bëj pyetjen tjetër, dua të të tregoj për natën e fundit të Ilir Konushevcit, ashtu si më është thënë nga Halil Selimi. Është e natyrshme që të kemi folur për Ilirin, sidomos pas botimit të librit tim “Enigma e një vrasje të trefishtë”. Halili më tregonte se, natën kur është nisur për në Tropojë, në bazat e logjistikës, ai ka qenë në Durrës, në shtëpinë e Haxhi Babës, ku ishte, si të thuash, njëra nga qendrat e njohura. Si duket kishte parandier diçka, pak para se të nisej, e ndan Halilin mënjanë dhe i jep 30 mijë dollarë ose diçka më shumë. I thotë t’i mbajë ai, sepse po niset për rrugë, rreziku është në çdo kthesë dhe nuk do që, së bashku me të, t’i ngjajë diçka edhe mjeteve që kanë dhënë njerëzit për luftën. Më kupton drejt besoj, vetëm një njeri i përmasave tepër njerëzore, por edhe jashtëzakonisht atdhetare, në një moment të tillë, mendon për vazhdimin, për sakrificat e të tjerëve, mundimet dhe përkushtimin. Në shtëpi ai kishte një vajzë të porsalindur, sepse, në mos gaboj, e bija e Ilirit, Nertila, ka lindur më 5 mars 1997, dhe mendimi i tij nuk është aty, ku në fakt ka qenë zemra e tij, por tek ëndrra për Kosovën.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Akoma më shumë e më konkretisht do të mund të thoshin Raif Gashi, dy oficerët shoqërues dhe shoferi i kamionit, por ja që hetimet, si unë mendoj, i ka ndaluar vetë kryeministri Nano dhe mjerisht nuk po i vazhdojnë as të tjerët.

Ilir Konushevci, Mujë Kraniqi, Rexhep Selimi, Lahi Ibrahimi, Qerim Kelmendi etj.

(Bedri Islami – B.I.) – Në dhjetor të vitit 1997 Zahir Pajaziti dhe Qerim Kelmendi, i plagosur, do të vijnë në Shqipëri. Ky do të jetë udhëtimi i fundit i Zahirit drejt Shqipërisë. Të dhëna të sakta nuk kam, por nga intervistat e bëra me drejtues dhe anëtarë të Lëvizjes, në kuadrin e Komisionin të veçantë për verifikimin e ngjarjeve të Luftës, të cilin e kam drejtuar, ka të dhëna se ti je takuar në këtë periudhë më Zahirin. Nëse kjo është e vërtetë, çfarë është biseduar, si qëndron në mendimin tënd figura e tij?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Me Zahirin jam takuar, por nuk kemi pas asnjë bisedë e njohje konkrete. Ka qenë takim i rastit, siç uleshin bashkëveprimtarët në lokale të Tiranës. Ka qenë tepër i heshtur dhe prandaj nuk ma ka tërhequr vëmendjen. As Qerimi, i cili, pas plagosjes kishte ardhur në Tiranë për t’u mjekuar, nuk më pat treguar me kë isha takuar dhe cili ishte ai. Ishin edhe disa veta në tavolinë, pos ne të tre vëllezërve. Dhe kjo ndodhte për shkak të konspiracionit strikt. Më vonë, kur kam dëgjuar për bëmat e heroit Zahir, nuk do mend të thuhet se kam pasur admirim të madh dhe vrasja e tij ka qenë goditje e rëndë për Ushtrinë dhe për Kosovën.
(Bedri Islami – B.I.) – Besoj, dhe deri diku jam i bindur, se lidhja jote me Grupin e Drenicës dhe me Adem Jasharin ka ardhur përmes Fehmi Lladrovcit. Pastaj do të jetë zhvilluar përmes Iliaz Kodrës, i cili, pas Grevës së urisë në Bonn, do të kthehet në Kosovë. Kjo është e përgjithshmja. Më intereson të di më shumë hollësi për këtë lidhje, e cila, megjithëse ishte nga larg dhe jo drejtpërsëdrejti, shpesh herë ka qenë e vyer.
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Njohje dhe komunikim personal me heroin e shquar, Adem Jasharin, nuk kam pasur. Më lejo, të shfrytëzoj rastin për sqarim, përse nuk po e quaj “legjendar”, si të tjerët, meqë e pata sqaruar në fjalën që pata mbajt në Muzeun Kombëtar në Tiranë, në tubimin që u organizua disa ditë pas vrasjes. Në fjalorët e gjuhës shqipe cilësimi legjendar bëhet për heronj që nuk u dihen bëmat, por që kanë ngelur në legjendat e bartura nga brezi në brez. Kam bindjen se shpesh shqiptarët, për Lekën e Madh, për Gjergj Kastriotin, për shumë të tjerë, i cilësojnë si heronj legjendarë. Për Ademin nuk ishte nevoja, pos nëse nuk i dihej ose nëse synohej falsifikimi i biografisë së tij. Legjenda është gojëdhënë me mistere e fantazi, me hiperbola e trille. Tek Ademi çdo gjë ishte e madhërishme, pikërisht sepse ishte tokësore e njerëzore. Është punë tjetër ajo kur akti sublim pastaj përthith atributet e mitit. Unë e di që Komunikatën për shpalljen e Adem Jasharit si Komandant i përgjithshëm legjendar, fillimisht e ke shkruar Ti, sipas vendimit që mori Kryesia e Organizatës, dhe u habita, kur një ditë më pas, thuajse e njëjta erdhi nga Kosova, por ishte hequr passhtesa “i përgjithshëm”, si për të dashur të lënë vetëm legjendën e jo të vërtetën. Le të kthehem të njohjet dhe lidhjet. Unë jam informuar konkretisht për Adem Jasharin në një mbledhje të Kryesisë së Nëndegës në Gjermani, në vitin 1996, kur Fehmi Lladrovcit pat bërë kërkesë për t’i dërguar ndihma atij dhe bashkëluftëtarëve të tij, për të cilët gabimisht përdorej identifikimi “Grupi i Drenicës”. Me atë rast Fehmiu pat shpjeguar përse dhe kujt i dedikohen ndihmat që kërkoheshin. Kryesia e Nëndegës, ku ishe edhe Ti, pat miratuar qëndrimin që të ndihmojë sa herë që veprimtarët dhe çlirimtarët në Kosovë të kërkojnë ndihma. Vetëkuptohet, nëse do të kishim në Nëndegë. Menjëherë u dërgua një shumë simbolike, meqë për momentin nuk kishim më shumë. Koordinatori i Sektorit të rëndësisë së veçantë (Xhavit Haliti – sh.b) qe hidhëruar, duke më fajësuar mua se po prishja “disiplinën” dhe kompetencat, meqë mjetet duheshin dërguar vetëm përmes atij Sektori. Tek në mars të vitit 1997 Kryesia e KP me thirri në mbledhje që të jap llogari. Besoj, nuk është koha t’i rrëfej përplasjet që patëm (ato duhet të jenë të arkivuara), por unë u largova nga ajo mbledhje me shpjegimin se sa herë që do të na kërkojnë mjete nga Kosova, do t’i dërgojmë, sepse është dëshmi që ose janë shkëputur lidhjet, ose Sektori i rëndësisë së veçantë i nuk i dërgon ku duhet mjetet qendrore. Me atë rast pata raportuar për ndihmat që kishim dërguar, jo vetëm në Drenicë, por edhe në zonat e Llapit e të Dukagjinit. (***)
(Titulli dhe ilustrimet janë të pashtriku.org)
(***)
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Kapitulli VIII. Përgatitja e luftës dhe fillimet e saj”, faqe 300 – 309)

___________
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – për UҪK’në dhe bartësit e luftës: (Pjesa 1)
IBRAHIM KELMENDI: “FEHMI LLADROVCI PARASHIKONTE FILLIMIN E LUFTËS” & BEDRI ISLAMI: “NUK E KAM KUPTUAR KU QËNDRON KOMPLOTI I XHAVIT HALITIT”
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5109
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – për UҪK’në dhe bartësit e saj: (Pjesa 2)
BEDRI ISLAMI: KRYESIA E LPK’së NDËRTOI SEKTORIN E RËNDËSISË SË VEҪANTË & IBRAHIM KELMENDI: XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA NUK U DËRGONIN FINANCA ZONËS SË DRENICËS, DUKAGJINIT DHE TË LLAPIT!
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5112

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura