MEHMET HAJRIZI: ZGJERIMI I RADHËVE NË ORGANIZATË (13)

Pashtriku, 15 Korrik 2019: 

3.5 Zgjerimi i radhëve
3.5.1 Baza shoqërore e Lëvizjes
Qëllimi programor i Organizatës dhe karakteri çlirimtar i luftës që ajo përgatiste, presupozonin zgjerimin dhe masivizimin e saj në të gjitha shtresat e gjera popullore dhe në gjithë territoret e pushtuara shqiptare.

Në strukturën e shoqërisë kosovare numerikisht dominonte fshatarësia, nga e cila një pakicë e vogël mund të quhej e pasur, kurse pjesa tjetër e mesme dhe shumica dërrmuese e varfër. Tradicionalisht fshatarësia shqiptare kishte luftuar për tokën, qoftë si atdhe qoftë si burim jete, sepse pushtuesit e shpronësonin edhe nga prona e vet individuale, për t’ua dhuruar kolonëve sllavë që silleshin nga anë të ndryshme. Fshatarësia kishte qenë forca e rezistencës kundër pushtuesve ndër shekuj. Tradita e saj luftarake në betejat e pareshtura për lirinë e atdheut, për nderin e dinjitetin, për identitetin kombëtar e drejtësinë shoqërore, për jetën demokratike dhe prosperitetin, kishte edukuar ndër breza shpirtin fisnik, trimërinë e nderin, burrërinë e besën shqiptare, bujarinë dhe urrejtjen kundër armikut. Këto virtyte të gjithë popullit shqiptar, vinin nga thellësitë historike si një tufë margaritarësh të pazëvendësueshëm. Ndër fshatarë kishte shumë figura të shquara popullore, të cilët kishin ndikim të fuqishëm në opinionin publik fshatar, por që mbaheshin vazhdimisht nën kërcënimin e pushtuesit, qoftë për t’i përvetësuar qoftë për t’i neutralizuar.

Ndryshe nga periudhat e mëhershme, në vitet shtatëdhjetë Kosova kishte tashmë një shtresë të gjerë intelektualësh. Ndonëse e re, inteligjencia kosovare, e dalë kryesisht nga zonat rurale, ruante shpirtin atdhedashës dhe frymën luftarake të fshatarësisë. Studentët, arsimtarët, por edhe plejada të tëra krijuesish, të frymëzuar nga lufta me penë dhe pushkë e paraardhësve të tyre, sidomos e rilindësve shqiptarë, përpiqeshin në rrugë legale dhe ilegale t’i kontribuonin lirisë së atdheut dhe popullit të vet. Intelektualët shqiptarë të Kosovës, në përgjithësi, kanë reflektuar idetë e lirisë, në forma të ndryshme krijuese, por edhe të organizuar në Lëvizjen Kombëtare. Inteligjencia përparimtare ka denoncuar shtypjen dhe shfrytëzimin e Kosovës dhe me guxim e ka frymëzuar, edukuar e mobilizuar popullin e vet, sidomos rininë studentore për të rezistuar kundër robërisë.
Kosova tashmë kishte dhe një shtresë kryesisht të re shoqërore, që quhej klasë punëtore, pjesëtarët e së cilës shfrytëzoheshin deri në palcë, por kurrë nuk mund të siguronin nga paga ekzistencën e familjes. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shtrese vinte nga fshati, prandaj, me një status gjysmë punëtor gjysmë fshatar, merrej edhe me veprimtari bujqësore, për të plotësuar të ardhurat e mangëta nga rroga prej punëtori. Ndryshe nga kolegët e vet kudo në botë, punëtorët shqiptarë të Kosovës më të zhvilluar e kishin ndjenjën kombëtare sesa atë klasore. Mbi ta rëndonte diskriminimi shoqëror, por shtypja dhe robërimi kombëtar ishte burimi i gjithë fatit të tyre të keq. Më mirë se kudo, roli i punëtorëve të organizuar u manifestua në demonstratat e vitit 1981.
Potenciali më i madh politik i Kosovës ishte rinia. Kosova e një nataliteti relativisht të lartë dhe e moshës mesatare shumë të ulët, popullsinë e kishte të re dhe vitale. Rinia e viteve shtatëdhjetë, ndryshe nga brezat e mëparshëm, shkollohej më shumë dhe ishte në mundësi më të mira për t’u njohur jo vetëm me historinë e popullit të vet, por edhe me lëvizjet revolucionare e nacionalçlirimtare të popujve të robëruar në botë.
Rol të rëndësishëm në përgjithësi në sqarimin e masave kishte edhe kleri fetar i konfesionit mysliman dhe atij katolik, të cilët asnjëherë nuk e vunë në plan të parë përkatësinë fetare kundrejt asaj kombëtare.
Fatin e kombit s’kishte si të mos e përjetonte edhe shtresa e pasur ose siç quhej borgjezia e kuqe, që thellë ndër deje ruante gjakun e përkatësisë kombëtare dhe në një formë a tjetër, por pa rrezikuar pozitat dhe mallin, hidhte nga larg ndonjë gur në themelet e lirisë e përparimit të vendit. Kastën më të rrezikshme shoqërore e përbenin pa dyshim kolaboracionistët e niveleve të larta dhe shërbëtorët e tyre, që nuk ishin edhe aq të pakët.
Nga gjithë struktura shoqërore, vëmendje më e madhe i kushtohej punëtorëve dhe studentëve. E përbashkëta e tyre ishte jeta kolektive dhe organizimi fillestar i tyre për të mbrojtur të drejtat elementare. GRK, që me themelimin e tij, ishte orientuar me forma organizimi dhe me trakte e literaturë, pikërisht te studentët dhe punëtorët. Ata ishin thellësisht të diskriminuar me kolegët e tyre në ish Jugosllavi, kurse pakënaqësia dhe revolta e mbledhur te këto shtresa, shpeshherë manifestohej në lëvizje spontane për të drejta, por me ndikimin e organizatave ilegale këto manifestime mund të merrnin karakter politik dhe çlirimtar, siç ndodhi më 1981.
Organizata kishte parasysh edhe shtrirjen territoriale në të gjitha trojet shqiptare të aneksuara, duke përfshirë përveç Kosovës edhe rajone të tëra në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi e në mërgatë.
3.5.2 Kriteret e pranimit të anëtarëve të rinj
”Një dele e zgjebosur, dëmton tërë kopenë”, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Nisur nga ky rrezik, Organizata kishte instaluar brenda radhëve një sistem të tërë kriteresh për vlerësimin e secilit kandidat para se ta pranonte si anëtar të vet. Kriteret e anëtarësimit ishin mjaft të rrepta, sepse duheshin mbyllur dyert jo vetëm elementëve potencialë denoncues, por edhe gjithë atyre që rridhnin nga familje të komprometuara, me biografi të dyshimtë dhe që nuk kishin integritetin moral që kërkohej. Tre ishin kriteret bazë që duhej plotësuar për të qenë anëtar i Organizatës: Figura e pastër morale, guximi dhe besnikëria deri në vetëmohim, veprimtaria aktive dhe përkushtimi për zhvillimin e aftësive teorike e ushtarake. “Nëse zgjidhni mirë njerëz të ndershëm për kapedanë, njerëz të ndershëm do t’i ndjekin ata”, thoshte Oliver Cromwell.
Qytetarët e lidhur në një mënyrë a tjetër me Organizatën, ndaheshin në tri kategori: a) Simpatizantët apo ndihmësit e Organizatës, të cilët mund të dinin për ekzistencën e saj dhe e ndihmonin, qoftë me konsulencë, materialisht, me sigurimin e literaturës, materialeve ose mjeteve teknike, apo me shpërndarjen e shtypit klandestin; b) Kandidatë, të cilët ishin në një periudhë vlerësuese dhe sprovuese (të shumtën dyvjeçare) për t’u pranuar ose jo në cilësinë e anëtarit të Organizatës. Ata merrnin për lexim materialet interne të Organizatës, literaturën për ngritje teorike dhe edukim politik si dhe u besoheshin aksione të ndryshme praktike, nuk u thuhej hapur për ekzistencën e Organizatës, por e dinin se janë në njëfarë lidhjeje me Lëvizjen Kombëtare; c) Anëtarët, të cilët pasi kishin mbaruar suksesshëm stazhin e kandidatit dhe kishin shprehur vullnetin e anëtarësimit, pranoheshin solemnisht në Organizatë, me ç’rast duhej të betoheshin për përkushtimin, besnikërinë dhe gatishmërinë për cilëndo sakrificë që i kërkonte lufta për liri të atdheut.1
Sipas rregullit, anëtar i Organizatës mund të bëhej, biri ose bija e një familjeje të panjollosur me tradhti ndaj atdheut dhe vetëm pasi i verifikohej figura personale morale e patriotike. Veprimtari i Lëvizjes duhej të karakterizohej për vlerat e personalitetit të tij dhe mbi të gjitha për patriotizmin e flaktë, sepse siç thoshte Sami Frashëri, patriotizmi tregon vlerën e një njeriu.
Përvoja e Lëvizjes Kombëtare ka dëshmuar që sa herë janë injoruar kriteret e rrepta të përzgjedhjes së veprimtarëve që do të drejtonin proceset çliruese të popullit të robëruar, është paguar herë më pak e herë më shumë tagri i këtij gabimi, që si hije e ka ndjekur historinë shqiptare.
3.5.3 Figura morale e patriotike e veprimtarëve
Figura e luftëtarit të lirisë dhe e tribunëve popullorë, e portretizuar në artin e letërsinë shqiptare e botërore, e ruajtur në këngën e kujtesën e brezave, ishte ambicia dhe aspirata e militantëve të Organizatës në formimin e personalitetit të vet politik e kombëtar. Ata në ngritjen e në veprimtarinë e përditshme, edukoheshin dhe mishëronin virtytet më të larta të traditës luftarake të popullit shqiptar. Veprimtaria ilegale në Lëvizjen Kombëtare kërkonte mund e djersë, privacione të shumta dhe sakrifica që do t’i bënin vetëm njerëzit e atdhedashurisë së lartë dhe të guximit e trimërisë deri në shkallën e vetëmohimit.
Duke qenë kryesisht në moshë të re, anëtarët e Organizatës karakterizoheshin nga çiltëria dhe idealizmi, besimi i plotë te njëri-tjetri dhe kujdesi e solidariteti, nga thjeshtësia dhe ambiciet për të mësuar me pasion e për të ngritur nivelin e vet politik, teorik e kulturor. Ata ishin të dashur e komunikues mes tyre, por edhe të disiplinuar e kundërshtarë të rreptë të çdo prirjeje deviante të karaktereve labile, të pikëpamjeve pesimiste, disfatiste, konformiste e karrieriste. Ndërgjegjja e lartë që i karakterizonte këta veprimtarë, vendosmëria, konsekuenca dhe devotshmëria në qëllimet e veta, burimin e kishin në atdhedashurinë, drejtësinë e luftës dhe në besimin në forcat e veta e të popullit të organizuar, në bindjen për fitoren e sigurt mbi armikun.
Jeta revolucionare i bën njerëzit të notojnë çdo ditë kundër rrymës së forcës shtypëse, të cilën e njohin më mirë duke e provuar në lëkurën e vet, por që i kalit dhe ua rrit forcën e energjitë, bindjen e besimin. Të nisur nga bindjet e veta, ata nuk besonin demagogjitë e politikanëve zyrtarë, që hiqeshin si përfaqësues të popullit, po vepronin me fuqinë e mendjen që kishin dhe në të drejtën në rrugën e tyre. Në këtë rrugë, me plot të panjohura, bëheshin edhe gabime të shumta, por noti nuk mësohet pa hyrë në ujë.
Në këtë rrugë plot përpjekje, plot rënie e ngritje ata u poqën e u burrëruan, shumë prej tyre para kohe, duke u bërë tmerri i armikut dhe shpresa e popullit të shumëvuajtur. Kadri Luzha, një gjimnazist militant i Organizatës, kur doli para gjyqit bashkë me tetëmbëdhjetë bashkëveprimtarë të tij, më 8 korrik 1982, tha: “Dua të deklaroj para trupit gjykues që unë jam anëtari më i ri në moshë i kësaj Organizate, prandaj nuk kam shumë përvojë veprimtarie, por ju siguroj që juve dhe pushtuesit e popullit tim që ju mbajnë, ju urrej thellë në zemër që nga fëmijëria ime dhe ju betohem që do t’ju luftoj tërë jetën”. Gjyqtarë gojëhapur, spiunë e korrespondentë kalemxhinj të pranishëm i dëgjonin këto fjalë si prej topi nga një nxënës trupvogël, por me shpirt të pavarur. “Topi që shemb kështjellat më të forta është atdhedashuria”, thoshte Naim Frashëri.
Duke shkruar për të burgosurit e rinj shqiptarë të viteve ’80, Ukshin Hoti edhe vetë i burgosur atë kohë, nënvizonte: “Këta të rinj e kishin pasur shpirtin e pastër, të çiltër si rrezja e diellit në mëngjes. As në zemër dhe as në mendje nuk e bartnin të keqen. Ideali i tyre dukej sinonim me të mirën dhe me të bukurën. Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre të bukura, me idealet e tyre të mëdha. Ishte ajo një botë e barazisë së përgjithshme dhe të plotë, e zhveshur nga ligësitë e llojeve të ndryshme. E dëshironin një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njëjta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendta individuale dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues”2 Vladimir Sheks, i burgosur politik kroat, bashkëvuajtës i dënimit me shqiptarë të shumtë, në shkrimin e tij “Stara Gradishta” për ta ka thënë shumë saktë dhe shumë bukur: “…Asnjërit prej tyre nuk i vie burgimi i vështirë; ata njerëz të rinj, studentë akademikë…, kanë mbetur me bindjen e plotë se nuk po sakrifikohen kot dhe se idealet e tyre do të realizohen, prandaj me krenari i përballojnë dënimit” 3
3.5.4 Struktura e radhëve
Në radhët e Organizatës, siç rezulton edhe nga shënimet, militonin pjesëtarë të shtresave të gjera shoqërore, si studentë, intelektualë, punëtorë, fshatarë, nxënës etj. Kjo përbërje mjaft heterogjene sociale, duket krejt e natyrshme duke pasur parasysh karakterin nacionalçlirimtar të Organizatës. Radhët përbëheshin kryesisht nga të rinjtë, por kishte edhe të moshuar, kurse mosha mesatare e anëtarësisë sillej nga 25-26 vjeç. Rreth ¼ e anëtarëve të Organizatës ishin femra, që shprehte emancipimin e tyre dhe devotshmërinë në Lëvizjen Kombëtare. Ky numër i konsiderueshëm i femrave në Lëvizje, tregon përgjegjësinë që ndienin ato ndaj atdheut dhe vetëdijen që vetëm kështu do të ishin plotësisht të barabarta në shoqërinë e lirë të Kosovës.
Struktura organizative e Organizatës niste nga celula, si njësi bazë dhe deri te Komiteti Ekzekutiv e Komiteti Drejtues, si organe udhëheqëse. Këto organe kishin udhëheqësin e zgjedhur, kurse kryetari i Komitetit Drejtues ishte udhëheqësi i gjithë Organizatës.
VIJON …
_________________
Fusnotat:
1. Në projektin e formimit të Frontit të Republikës së Kosovës, më 1981, kriteret e pranimit në Front zbuteshin dukshëm, duke bërë të mundur që gjithë simpatizantët e Organizatës dhe qytetarë të tjerë patriotë të bëheshin anëtarë të tij.
2. Ukshin Hoti: Filozofia politike e çështjes shqiptare, UNIKOMB, Prishtinë, 1997, f 114
3. Cituar sipas, Xhafer Shatri: “Pse dergjet në burg Adem Demaçi?”, Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror, Bernë, 1990. F.165

***
MEHMET HAJRIZI: GRUPI MARKSIST-LENINIST I KOSOVËS, GMLK ( 12)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8949

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura