MERIMAN BRAHA: SHQIPTARËT DUHET TË PUNOJNË PARRESHTUR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR

Pashtriku.org, 17. 03. 2014 – “Shqiptarët duhet të bashkohen, sa me parë aq më mirë, sepse bashkimi i tyre është një e drejtë dhe detyrë historike e tyre, por edhe e atyre që kanë vendosur më parë për ndarjen. Duhet të jemi të vetëdijshëm, se bashkimi i shqiptarëve nuk është çështje vetëm në dorën e shqiptarëve, është poashtu në masë të madhe edhe në duar të qendrave të vendosjes ndërkombëtare. Megjithatë Shqiptarët duhet të punojnë parreshtur për bashkimin kombëtar dhe këtë çështje asnjëherë nuk duhet ta heqin nga tavolina e punës, sepse bashkimi nuk mund të rregullohet me shkop magjik, ai duhet të ndërtohet dhe duhet të vijë si gjë krejt e natyrshme, që edhe kur të ndodhë të mos shkaktojë tronditje tek ne.” – kështu ka deklaruar intelektuali dhe veprimtari i Lëvizjes sonë Kombëtare, Meriman Braha – në një intervistë të zhvilluar nga aktivistja Shemsie Elshani.
* * *
Pashtriku: Me cilat ngjarje mund të përshkruhet vendosja e kufirit Shqiptaro – Shqiptar?
M.BRAHA:
Në fillim të shekullit XX’të filloi shthurrja definitive e Perandorisë Osmane, që rezultoi me kryengritje të shumta të popujve që ishin nën robërinë e saj, ndër ta edhe e popullit shqiptar. Rrethanat politiko-ushtarake të krijuara me rrënimin e kësaj perandorie ishin të volitshme për të ndërmarrë veprimet e duhura për çlirim kombëtar, kështuqë elita patriotike shqiptare do të bëjë përçapjet e duhura për të krijuar dhe shpallur pavarësinë e Shqipërisë, që do të përfshinte në veten e saj territoret e banuara me shqiptarë.
Por të njejtat rrethana po krijonin kushte të volitshme për realizimin e apetiteve të shteteve ekzistuese për gllabërimin e territoreve të huaja, në këtë rast të popullit shqiptar, duke pamundësuar krijimin e shtetit të ri shqiptar. Përpjekjet kryesore për ta penguar themelimin e shtetit shqiptar do ta bëjë në rend të parë Serbia, pastaj Greqia dhe Mali i Zi, duke qenë edhe fqinjët e parë të Shqipërisë.

– Meriman Braha – 

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28. 11. 1912, nxiti me të shpejtë ndërhyrjen ushtarake të Sërbisë, Malit të Zi dhe të Greqisë, duke okupuar pjesën dërmuese të territorit shqiptar dhe duke zëvendesuar një okupator qindra vjeçar me tre okupatorë të rinj shumë të egër dhe gjakatar.
Lufta e parë dhe e dytë Ballkanike shkaktoi viktima të panumërta nga radhët e popullit shqiptar, i cili tashmë po përballej vendosmërisht me okupatorët e rinj.
Viti 1913 do të sjellë në qendër të vemendjes çështjen shqiptare në Konferencën e Londrës, ku më në fund u vendosën kufinjtë e shtetit të ri shqiptar, duke bërë një padrejtësi historike karshi popullit shqiptar. Aty u vendos që kufiri i shtetit të ri shqiptar të bie pikërisht nëpër mesin e trungut shqiptar, duke lënë në këtë mënyrë nën robërinë sllave dhe greke gjysmën e popullit e të territorit shqiptar. Edhe vetë Komisioni i përcaktimit të kufinjve, si dhe vetë kryetari i Konferencës së Londrës, ser Edurd Grey, ishin të vetedijshëm se po bënin një padrejtësi historike për popullin shqiptar, por po e bënin »për interes të paqes në Europë».
Cila ishte ajo paqe që u mbrojt në Evropë me sakrifikimin e shqiptareve?
Lufta e Parë Botërore?
Lufta e Dytë Botërore? Sa cinike dhe të padrejtë kanë qenë, ndërsa vendosnin për të ardhmen e miliona njerëzve!
Pashtriku: Si e keni përjetuar ju dhe familja juaj e madhe, vënien e këtij kufiri?
M.BRAHA:
Ashtu si i gjithë populli shqiptar, reagoi edhe familja ime, e cila që në tërheqjen e vijës së kufirit, pati fatin e zi që të ndahet në dy pjesë, gjysma në liri, gjysma tjetër në robërinë e re serbe. Natyrisht, okupatorët e rinj nuk u pritën me lule, por me një rezistencë të përgjithshme, e cila, ndonëse pati shumë viktima e sakrifica nga populli shqiptar, duke përfshirë edhe sakrificat e shumta të familjes sime, për fat të keq, e me dëshirën e qendrave të vendosjes, nuk rezultoi me sukses. Një tragjedi e paparë kolektive do bie mbi kurrizin e popullit.
Pashtriku: Ku ju gjeti juve dhe familjen tuaj kjo ndarje kufiri ?
M.BRAHA:
Gjysmën në Shqipërinë e Pavarur dhe gjysmën tjetër nën robërinë serbe.
Pashtriku: Sa i ka dëmtuar shqiptarët dhe çështjen shqiptare në tërësi – kjo ndarje?
M.BRAHA:
Asnjë robëri në botë nuk sjell zhvillim dhe lumturi, pra as popullit shqiptar, sepse pjesa që ka mbetur nën robërinë e re do t´ju nënshtrohet represaljeve të papara dhe në masë të madhe do të bëhet përpjekja e gjithanshme e okupatorit serb që të bëjë pastrimin etnik, duke shpërngulur shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë për në Turqi dhe duke sjelle në vend të tyre kolonistë serbë nga viset e ndryshme të Sërbisë e më vonë të Jugosllavisë.
Pashtriku: Kush nga familja juaj mbeti andej dhe kush këndej kufirit?
M.BRAHA:
Në këtë anë ka mbetur familja ime dhe shumë të afërm tjerë, ndërsa në anën tjetër kanë mbetur të afermit tjerë. Më vonë, në bazë të projektit të kolonizimit të Kosovës, shumë prej familjeve shqiptare të mbetura nën Serbi, janë dëbuar me dhunë nga pasuritë veta, nder to edhe një pjesë e madhe e familjes sime, të cilës iu morë pasuria dhe iu dha kolonistëve serbë.
Pashtriku: A kishte dhe familje të tjera që u ndetyruan të ndahen?
M.BRAHA:
Shumë familje shqiptare janë shpronësuar dhe janë dëbuar me dhunë, poashtu janë ndarë me dhunë, disa pjesë duke i degdisur në Anadoll, disa në Shqiperi e disa edhe në vende tjera.

– Shemsie Elshani dhe Meriman braha –

Pashtriku: Si keni komunikuar në mes vete?
M.BRAHA:
Komunikimi i pjesëve të të njëjtit trung familjar, i degdisur në anë të ndryshme ka qenë i pamundur, për shkak të cenzurës dhe represionit të pushtetit ndaj cilitdo që do të tregonte interesim për kontakte me pjesën tjetër të familjes ose farefisit. Në shumicën e rasteve komunikimi është ndërprerë me vite të tëra, shpesh me dekada. Në rast të funksionimit të linjave postare janë këmbyer letra shumë të rralla, plot emocione e dhembje, të cilat ishin rreptësisht të cenzuruara, që shpesh edhe nuk arrinin në destinacion, ka pasur raste shumë të rralla të thirrjeve telefonike, e akoma më rrallë ndonje lajm i shkurtër me ndonjë vizitor të rastit. Psh. Nëna ime e ka parë djalin e vet pas 25 vjetësh dhe nuk e ka njohur, ndërsa vëllau – vëllaun e ka parë pas 45 vjetësh, aq i egër dhe i pamëshirshëm ka qenë kufiri shqiptaro-shqiptar.
Pashtriku: Kur jeni parë për herë të parë me anëtarët e mbetur në anën tjetër të kufirit – a keni ndonjë moment që ju ka lënë mbresë ?
M.BRAHA:
Pas rrënimit të Murit të Berlinit dhe rënies së perdes së hekurt, sikur filloi edhe një hapje dhe mundësi e re komunikimi në mes të dy pjesëve të kombit. Në këtë kohë kam pasur rastin edhe të takohem me pjesëtarët tjerë të familjes sime që jetonin matanë kufirit, në pjesën e lirë, pra, në vitin 1991. Natyrisht, takimet e tilla janë të pashlyeshme nga kujtesa, e mbushur me emocione të jashtëzakonshme.
Pashtriku: Si u zhvilluan ngjarjet andej dhe këndej kufirit?
M.BRAHA:
Ngjarjet e zhvilluara në të dy anët e kufirit morën rrjedhën e vet, njëra në drejtimin e ruajtjes dhe ndërtimit të shtetit të lirë dhe prosperues, ndërsa në anën tjetër, këndej nga ne, morën drejtimin e shthurjes se kompaktivitetit etnik dhe territorial të popullit shqiptar të kësaj ane, duke krijuar edhe rrethana dramatike ekonomike e ushtarake në rrezikimin e ekzistencës së shtetit shqiptar, duke synuar që ta përfshijë në gjirin e vet, ose në ndarje me Greqine.
Pashtriku: Disa ngjarje që e përkufizojnë rënien e kufirit, siç janë, Lufta e UҪK – familja Jashari – aksioni Shigjeta në Pashtrik, etj.
M.BRAHA:
Rënia e kufirit shqiptaro-shqiptar nuk ka ndodhur, ai është aty ku ka qenë dhe ndërkombetarisht është i njohur si i tillë, ndonëse është lehtësisht i përshkueshëm, ndërsa lëvizja e lirë e mallërave, njerëzve, ideve zhvillohet konform konventave e rregullave ndërkombëtare. Fakti që ai kufi ekziston, qoftë edhe me vetëm dy policë e ushtarë tregon se nuk është bërë korrigjimi i gabimeve historike ndaj popullit shqiptar. Sakrificat e shumta të popullit shqiptar nën robërinë e Jugosllavisë, jo për dy vjet apo për pesë vite, por gjatë tërë shekullit të kaluar, (vetëm pas Luftës së Dytë Botërore janë vrarë rreth 80.000 shqiptarë), duke kulmuar me lëvizjen e fundit çlirimtare dhe sidomos me krijimin e kushteve të volitshme ndërkombëtare, të luftave të shumta të padrejta të zhvilluara nga Serbia, të politikës së saj shfarosëse të të gjithëve që nuk janë serbe, dëbimi i mbi një milion shqiptarëve nga vatrat e veta, vrasja e mbi 20.000 civilëve shqiptarë, djegia e mbi 140.000 shtëpive të tyre, sakrifikimi i familjes Jashari dhe e shumë familjeve tjera, por edhe qëndresa heroike e luftëtarëve të vërtetë të popullit, janë disa nga faktoret vendimtarë që sollën edhe deri te intervenimi ndërkombëtar, që solli kapitullimin e forcave serbe në Kumanovë (9 qershor 1999) dhe dëbimin fizik të tyre nga Kosova.
Pashtriku: Ҫfarë ka ndryshuar pas rënies së kufirit deri më tani?
M.BRAHA:
Janë krijuar parakushtet e një jete normale, që njerëzit të jenë të lirë për të lëvizur drejt njëri-tjetrit, të rinjihen pjesët e ndara në mes vete, të zhvillojnë e shkëmbejnë aktivitete të ndryshme ekonomike e kulturore, të ketë vizita të rregullta familjare, zyrtare e turistike dhe në fushat të tjera.

Pashtriku: Shqiptarët do të bashkohen – por, kur…?
M.BRAHA:
Shqiptarët duhet të bashkohen, sa me parë aq më mirë, sepse bashkimi i tyre është një e drejtë dhe detyrë historike e tyre, por edhe e atyre që kanë vendosur më parë për ndarjen. Duhet të jemi të vetëdijshëm, se bashkimi i shqiptarëve nuk është çështje vetëm në dorën e shqiptarëve, është poashtu në masë të madhe edhe në duar të qendrave të vendosjes ndërkombëtare. Megjithatë Shqiptarët duhet të punojnë parreshtur për bashkimin kombëtar dhe këtë çështje asnjëherë nuk duhet ta heqin nga tavolina e punës, sepse bashkimi nuk mund të rregullohet me shkop magjik, ai duhet të ndërtohet dhe duhet të vijë si gjë krejt e natyrshme, që edhe kur të ndodhë të mos shkaktojë tronditje tek ne. (Meriman Braha – Prishtinë, më 20. 04. 2012)

**********************************
Tropoja -Meriman Braha në themel të shqipes:

* * *
Lexoni një punim hulumtues:
SHEMSIE ELSHANI: GRENZE KOSOVO – ALBANIEN – 2012
* * *
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/grence-kosovo-albanien-2012.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura