PASHTRIKU: GAZETA ‘DNEVNIK’ – ISMAIL QEMALI SHPALLI PAVARËSINË E SHQIPËRISË ME KUFIJTË E SAJ ETNIK

(Pashtriku.org, 17. 02. 2013) – Më 28 nëntor të vitit 1912 Ismail Bej Qemali ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik, e jo në kufijtë që i ka sot Shqipëria londineze. Kështu vlerëson historiani Skënder Hasani, duke komentuar intervistën e parë që ka dhënë Ismail Qemali pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – më 28 nëntor 1912. Një pjesë të kësaj interviste të dhënë për mediat italiane, historiani Hasani e ka gjetur të transmetuar në gazetën bullgare “Dnevnik” të 29 nëntorit të vitit 1912, ndërkaq me këtë rast pashtriku.org e sjell tekstin e parë të shkruar për Pavarësinë e Shqipërisë.
“Është intervistë e Ismail Qemalit dhënë për gazetat italiane, ndërsa e interpreton ose huazon gazeta bullgare e kohës, apelin e Ismail Qemalit për njohjen e shtetit shqiptar. Në këtë gazetë jepet në tërësi deklarata e Pavarësisë dhe orientimi i popullit shqiptar që të jetë i barabartë me popujt e tjerë të Europës dhe civilizimin europian dhe njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Që do të thotë se është ekskluzive se jepet në tërësi jo vetëm deklarata e Pavarësisë, por bëhet apel që të njihet shteti etnik i shqiptarëve, e jo shtet parcial”, thotë Hasani, duke shtuar se shtetet fqinje megjithatë nuk kanë respektuar këtë apel dhe i janë vërsulur territoreve shqiptare duke okupuar një pjesë të madhe të tyre.

Në vazhdim mund ta lexoni tekstin e plotë të botuar në këtë gazetë:
Pas shpalljes së pavarësisë shqiptare, Kuvendi i delegatëve iu qas themelimit (zgjedhjes) së qeverisë së përkohshme: u zgjodhën, për kryetar Ismail Bej Qemali, mysliman, nënkryetar Nikolla Kaçoro nga Durrësi, përfaqësues i komunitetit shpirtëror katolik dhe sekretar Ludoviko Gurakusha (Luigj Gurakuqi), katolik. Mbi dhomën dhe hapësira të tjera është vendosur flamuri shqiptar. Pas marrjes së lajmit për okupimin e Durrësit dhe Elbasanit nga serbët, qytete të cilat ishin shpallur si të pavarura, Ismail Bej Qemali dërgoi atje urdhëresa telegrafike që të mos kundërshtohet, sepse Shqipëria paraprakisht llogaritet si shtet i pavarur, të cilën fuqitë e mëdha do ta mbrojnë në bazë të parimit të kombeve, të përcaktuar për çështjet ballkanike.
Apeli i Qemajl Beut – Ministri i punëve të jashtme pranoi depeshen që vijon nga ana e kryetarit të qeverisë së përkohshme shqiptare, Ismail Bej Qemali: Kuvendi popullor i përbërë nga delegatë nga gjithë krahinat shqiptare, pa dallim feje, i mbledhur sot në qytetin e Vlorës, shpalli pavarësi politike të Shqipërisë dhe themeloi (zgjodhi) qeveri të përkohshme, të ngarkuar që të mbroj të drejtat për mbijetesë (ekzistencë) të popullit shqiptar dhe të çliroj tokën mëmë, nga pushtimi i ushtrive të shteteve aleate.
Duke informuar për atë si për Shkëlqesinë tuaj, kam nderin që të lus Qeverinë e Perandorisë Suaj dhe Shkëlqesinë mbretërore të njoh këtë ndryshim të jetës politike të popullit shqiptar, i inkuadruar në familjen e popujve lindor evropianë dhe ndjekës i të vetmit qëllim: Të jetojë në paqe me të gjithë shtetet ballkanik dhe të bëhet element i barabartë ndërmjet tyre. Jam i bindur se qeveria e Perandorit dhe Shkëlqesia Mbretërore, si edhe gjithë bota e civilizuar, do ta mirëpresin popullin shqiptar – bekojnë, duke e mbrojtur nga shkelja e përhershme mbi ekzistencën nacionale dhe kundër copëtimit të territoreve të tij. Nga Roma raportohet se kjo depeshë i është dërguar edhe ministrit të punëve të jashtme italiane.

Gazeta “Dnevnik”, 29.11.1912: Flet Ismail Qemali për

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnik.

*   *   *

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura