MIFTAR MEHANI: VËSHTRIM PËR SHFAQJEN ‘VETVETJA’ – PUNIM DIPLOME NË KOREOGRAFI

Prishtinë, 11 shtator 2019: Shfaqja koreografike me elemente teatrale “Vetvetja” e Besnik Grajçevcit kishte një kompozicion sa interesant aq edhe të ndërlikuar strukturor. E bënin të tillë gjakimi i artistit për artistiken në traditën e etnitetit të tij nacional, qoftë edhe si lexim tjetër fare i saj, si avancim artistik, si kreacion që duhet të mbaj vulën e pastër të autorësisë, në njërën anë, e nga ana tjetër mjetet skenike të ndryshme të ndërthurura në lajtmotiv: teatrale, koreografike, pastaj elemente të baletit, të pantomimës e tjerë.
Motivi i kurbetit sado një temë aq shumë e trajtuar artistikisht, në të gjitha zhanret artistike tek ne, Besniku e sjellë në skenë në mënyrën e vetë përjetuese duke vënë lojën e tij skenike mes dy auditorëve, atij të brendshëm me të cilin ishte në lidhje ndërvarësie, dhe atij auditori me të cilin kishte vetëm lidhjen emocionale, si bartje e mesazhit. Autori kurbetin na e shpalos përmes dihatjes, si ngarkesë fizike e shpirtërore, përmes thyerjeve, rënieve e ngritjeve. I vënë një kontest hapësinor ku të tjerët, të akomoduar, s’qanin kokën për njeriun e veshur me thurje dore, në një kontest kohor kur të tjerët nuk ia kishin as ngenë as disponimin për t’ia shtrirë dorën njeriut të zhytur në djersë. Elementët e skenës dhe rekuizitat, ashtu të kursyer, janë edhe në funksion të shfaqjes dhe e ngritin elementin e kryesor të skenës: lojën. Lojën të ndërlidhur mirë mes skenave dhe që e mbanë publikun të përqendruar në çdo detaj të saj.

Motivet skenike të traditës sikur nuk kanë patur mundësi të mungojnë në një shfaqje të këtij autori. Kreacionet e këtij autori janë të hershme dhe në të gjitha prej tyre skenat e traditës janë të pranishme. Ka një si mishërim me to, gjë që në të ardhmen priten projekte realizuese me temë nga lojrat skenike të traditës. Loja e kapuçave sado e thjesht dhe e ngurtësuar në pikëpamje ritmike, në natyrën e vetë origjinale, këtu në këtë shfaqje, bëhet më përmbajtësore e më dinamike, bëhet e denjë për skenë artistike. Edhe gjakimet tjera të traditës që autori u jep formën artistike veshën me elementë artistik të qartë, kreativ dhe autorial.
Kalimet prej skene në skenë, nga ato, të themi ‘trajtuese’ (kurbeti) në ato ‘përjetuese’ (dilema e individit) të personazhit janë me ndikim në lidhjen kompozicionale, por patjetër të domosdoshme në një shfaqje të tillë diplome, në të cilën artisti duhet të pershfaqë në dimensionet e tij të ndryshme artistike, madje edhe me transofrmime të sforcuara e të shpejta fizike e emocionale.
Duke qenë një kohë të gjata, me dekada, i brumosur në format skenike folklorike, lehtësisht, pa dashje, autori ka mundur të rrëshqas në forma të paraqitjes folklorike. Përshtypja u krijua, kur shfaqja u nis me motivet e traditës, porse, vazhdimi konfirmoi suksesshëm tejkalimin e kësaj mundësie. Një gjë e tillë pritje: Besniku solist duhej të tejkalohej nga Besniku koreograf.
Muzika e shprehur në masën e domosdoshme në shfaqjet e tilla me fare pak tekst, minor, ishte plotësisht në funksion të ideve skenike. Loja e katër djemve qe me shumë inovacion, porse vërehej nevoja e sinkronizimit të lëvizjeve të tyre, gjë që duhet të bëhet në raste se kjo shfaqje do të vihet edhe më tutje para publikut, gjë që e rekomandoj.
Miftar Mehani, shtator 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura