Prishtinë, 05. 06. 2014 – Fushata zgjedhore ka hyrë në ditët e fundit , që konsiderohen kritike për partitë politike, ndërsa premtimet megalomane të liderëve partiakë janë bërë demode, ashtu siç u ka dalë boja edhe muzikës pa nota të surlexhinjve dhe tupanxhinjve që po i mbështesin si logjistikë liderët politikë. Në këtë periudhë disa parti kanë hyrë në “Labirintet e Minotaurit” ku s’po mund ta gjejnë daljen, ndërsa disa të tjera po ekzaltohen, apo thënë ndryshe po masturbojnë para kohe, duke parë ëndrra se çka do të bëjnë në qeverisjen e re.
Duke u angazhuar i madh e i vogël në fushatë, punët në administratë kanë mbetur pezull, ndërsa ministrat në ikje jo vetëm gjatë ditëve të fushatës, por edhe dy tri javë më parë, i kanë çuar duart nga ministritë. Duke mos qenë në nivelin e detyrës, iu kanë krijuar infrastrukturë edhe zyrtarëve të tjerë që të funksionojnë me logjikën e kapadaiut, të shkojnë në punë dhe të dalin nga zyra kur t’iu…
Por, e keqja nuk përfundon këtu.
Dje në një katund të Pejës është varrosur një djalë 15 vjeç, F. Haxhiaj, i cili vdiq nga leukemia. Të gjithë e pranojnë faktin se vdekja është proces natyror, por ajo që të bën të ndjehesh keq si njeri, është se familja ka pritur nga dhjetori i vitit të kaluar që t’ia ndajnë mjetet për trajtim jashtë vendit. Dhe për çdo ditë, familjarët më kot kanë pritur lajmin kur këto para do të shkojnë në klinikën e destinuar për trajtim.
E kur kjo më në fund ndodhi, kur paratë shkuan, djali 15 vjeçar nuk arriti t’i mbijetojë sëmundjes.
Imagjinojeni çfarë arsyetimi erdhi nga zyrtarët e Qeverisë, se gjatë transferimit të parave paska ndodhur një gabim, në vend që paratë të shkojnë në xhirollogarinë e duhur kanë shkuar në llogari tjetër.
A kërkon koment kjo?
Si është e mundur që këto mjete ta ndërrojnë destinacionin, dhe askush të mos japë llogari, as nga Ministra e Shëndetësisë e as nga Ministra e Financave.
Duke pasur parasysh se sëmundja që ka pasur F. Haxhiaj ka qenë shumë e rëndë, e shumëkush mund të thotë se edhe në Gjermani njerëzit vdesin me të njëjtën sëmundje, por ajo që është e pafalshme, është neglizhenca institucionale dhe morale e zyrtarëve në Kosovë.
Tash a ka kush që ua heq dyshimin familjarëve se nëse këto para të ishin dhënë një muaj më parë, ndoshta gjendja do të ishte ndryshe.
Edhe pse populli thotë se kur të “thyhet kerri gjenden plot rrugë”, kjo neglizhencë të irriton maksimalisht, kryesisht ndaj njerëzve më me ndikim në politikë dhe qeverisje. Të gjithë ata që janë dhënë pas fushatës zgjedhore, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat…, pas vetes kanë lënë shumë pluhur si “Gjeneral Moisiu”.
Nëse kryeministri ka marrë vendim për t’i ndarë 5 milionë euro për trajtimin e fëmijëve të sëmurë me kancer, atëherë pse nuk e ka dhënë edhe një vendim që mjetet menjëherë të ndahen për njerëzit në nevojë. Të gjitha çështjet tjera presin, edhe fushata zgjedhore, por sëmundja nuk pret .
Vetë familjarët pas varrosjes së djalit të tyre , thanë se me ta mjekësia dhe qeveria është tallur. U është thënë: bëjini gati dokumentet për Gjermani, ndërsa më vonë u është thënë se për ju ka një zgjidhje tjetër, dërgojeni djalin në Turqi.
E Fidani nuk arriti të shkojë as në Gjermani, as në Turqi, as…. Për të dhe familjarët që me të drejtë akuzojnë se vdekja e djalit të tyre është dështim i Qeverisë, tashmë çdo arsyetim është i kotë.
————————————–
Në fshatin Bllagajë të Pejës është bërë varrimi i Fatlum Haxhiut, djaloshit 15 vjeç që vdiq nga leukemia, në pamundësi të trajtimit jashtë vendit!