MONEDHA E VARFËRISË SHQIPTARE

MONEDHA E VARFËRISË SHQIPTARE

“Cinizmi është e vetmja formë, me të cilën shpirtrat e rëndomtë i qasen ndershmërisë.”

Friedriche Nietzche

Nga Ahmet Sali Çollaku, Tiranë 02. 02. 2022

I

Kam vite që vras mendjen të gjej arsyen nga vjen kjo varfëri e mallkuar. Kemi ar të zi dhe ar të verdhë, krom dhe hekur; fusha dhe male, lumenj dhe det; kohë të nxehtë dhe kohë të ftohtë; vajza të virgjra dhe sokolesha, kemi një Skënderbe dhe një Nënë Terezë si asnjë komb tjetër; kemi humor dhe raki. Çfarë nuk kemi?!

Më duket se e gjeta sekretin nga na vjen gjithë kjo varfëri shqiptare. Fajin e kësaj varfërie të gjatë e kanë disa eksponentë të naftës në bazë së bashku me ata shtetëror, të cilët janë lidhur bashkë si Karboni me Hidrogjenin. Cinizmi i specialistëve të naftës lëshohet si meteor nga persona të veçantë, pa cipë dhe pa moral dhe bie poshtë, duke vrarë e bërë kërdinë. Kurse ai shtetëror nëpërmjetë zyrtarëve administratorëve, vrasin këdo gjithë popullin. Lartë është ai cinizmi që dogji Cakranin, miliarda $. E ku pyet cinizmi shtetëror çfarë bëhet me naftën dhe naftëtarët, me këtë pasuri të parinovueshme?!

Ky koeficient i ndyrë, (specialist-shtetëror) stimulohet direkt dhe indirekt nga partitë, qeveritë, nga sistemet tona primitive dhe cinike. Më kot ne i biem më qafë Evropës së Bashkuar, Greqisë, Serbisë apo klerikëve të tyre. Ekuacioni i varfërisë shqiptare është cinizmi në gjak i këtyre specialistëve, profesorë-doktorëve, për të sharë njëri – tjetrin, nga mania që ta bëjnë këdo katran, që të mos u lënë asnjë të mirë. Pa dyshim këto mesazhe jepen me Nick naime, apo nëpërmejtë të tjerëve.

Pra, e keqja e varfërisë sonë është lufta që specialistët e naftës bëjnë kundër njëri-tjetrit; cili të shtiret më i zgjuar, më dinak; të shajë sa më egër, të përbuzë më shumë shokët dhe kolegët, të llomotisë më fort, se “X” është bosh, kurse “Y” spiun; se ai atje ka qenë servil; se ai përskaj ka qenë ekspertizier e me radhë. Sikur të gjithë këtë energji të këtyre specialistëve ta vinim në popull, pa dyshim që ne do të kishim një ekonomi për zili.

Pa dyshim, ne jemi më keq se në vitin 1913, sepse këtë herë të huajt na pushtuan me operacione nga brenda, me forma moderne robërimi pacifiste, me koncesione, me Marrëveshje Hidrokarbure 100 – vjeçare, me FMN, me Korpuse bamirësie etj.

Pyetja bëhet, cilët ishin ata që bënë këto marrëveshje dhe firmosën? Kolegë tanë u lëshuan si qenë qeveritarë të zhgrapsin këto traktate pushtimi. Tani këta djajë, fshihen pas qeverive, sikurse qeveritë fshihen pas tyre.

Më tregoni emrat dhe firmat e atyre specialistëve, që kanë firmosur këto marrëveshje djallëzore?! Hë, ua mban bytha?! Të gjithë drejtorët e Institutit të Naftës cinikë, nga i pari deri tek ky i fundit, ai i gjati që tani jep leksione!

Miqtë e mi, llogarisni sa tonë naftë na kanë grabitur deri më sot të huajt?!

Cili specialist i Lartë ka bërë thirrje të mbrojmë naftën tonë?!

Asnjë.

Iku koha e armëve.

Tashmë armë e sofistikuar është cinizmi që qëllon nga të gjitha anët dhe depërton deri në ADN.

Më vjen të shqyej veten kur në një libër të huaj lexoj për vendin tim “Albania is one of Europens poorest nations”. (Shqipëria është një nga kombet më të varfra të Evropës).

Pa dyshim, cinikë të shkallës së parë janë ata të graduarit me medaljet që i ruajnë, për evenimente. Këta inkubatorët e kësaj demokracie, si L. e T. duan të ngjiten më lart se ata me Çmime Republike. Por ç’e do?! Sa më shumë që vrapojnë, aq më shumë u zbulohen ligësitë.

Ky cinizm është më i keq se ai i Rufos tonë që bëri kërdinë. Rufua mbyllej në nevojtore për të memorizuar formulat. Në ndërmarrjen time ligjet shtetërore dhe shoqërore i bënin tre inxhinierë komunistë-cinikë. Organizatat nuk pranonin komunistë të tjerë, sepse “prishej raporti”.

Njerëz të tillë cinikë, grasatuan monizmin sepse ishin të gjithë të përpunuar nga hetuesia dhe përdoreshin për qëllimet e saj. Në një proces gjyqësor tepër të montuar, cinikët bënë kërdinë. Konkretisht, njëri nga 27 dëshmitarët, thotë: “Koçua e Protokua kanë përdorur prepotencën. Koçua vinte me vonesë në mbledhje. Beqiri nuk ka shkuar për të dhënë llogari në Organizatën – Bazë të Partisë të sektorit më të rëndësishëm. Unë kam qenë sekretari i Organizatës – Bazë në Institut. Të pandehurit e grupit sabotator kanë mënjanuar rolin drejtues të organizatës-bazë të partisë. Të pandehurit Beqir, Protoko, Koço, Milto, thoshin se nuk duhet t’i shtrojmë në organizatë çështjet teknike, por t’i diskutojmë me gjeologët…”

Tani, këta të demokracisë, mbahen me serume, sepse nuk kanë thyer asnjë majë lapsi për një korelim sizmik dhe as kanë marrë një busull të shkojnë në terren, të masin një kënd rënieje të shtresës. Tepër “elokuentë” dhe banditë, cinikët e naftës nuk lënë specialist të thjeshtë pa sharë, pa poshtëruar, pa i vënë një bisht. I shikoni me kujdes. Janë të gjithë ata të cilët shkatërruan Industrinë e Naftës dhe, bashkë me të, edhe Shqipërinë.

Ata janë deputetët e pasuruar me naftën dhe që kanë bërë e bëjnë me të, mëkatet më të mëdha, janë të gjithë ish-drejtorët, kryeinxhinierët, sekretarët e partive të ndërmarrjeve me në krye, atë në majë të KQ, pranë Enver Hoxhës. Cinikët mos i kërkoni larg. Një i tillë, “i përkryer” nga të gjitha anët, ka qenë gjeografikisht ngjitur me mua, gati dy – tri metra larg. Ky prototip, me dinakërinë magjike të albpetrolcinizmit privat dhe shtetëror, shkatërroi gjysmën e Industrisë së Naftës.

Ky “elitar” ka nxitur dikë të shkruaj në Internet: “Prof. Dr. X Y është gjeolog i paarritur deri më sot në Shqipëri, sepse ka zbuluar dhjetëra vendburimeve nafte dhe gazi”. Po kujt ia thotë këto proçka ky derdimen?! Mua?! Ky monstër ka bërë jashtë shtetit dhjetëra udhëtime. Shkoi me sebepe dhe pa sebepe: herë me familje, herë me kompani. Të gjitha këto pas viteve 1990. Paguan populli. Mirë thoshte poeti i persekutuar NB, atje në Fierin tim të dhimbshëm: “Ku je, o Enver Hoxha?!”

II

Miqtë e mi, mos sakrifikoni të ngjiteni në majë të Everestit, të gjeni nga i vjen varfëria kësaj Shqipërie. E kemi afër vullkanin shqiptar që derdh cinizëm, llavë radioaktive. Këta cinikë të lindur, vatrat e tërmeteve sintetike të kompanisë “Banker’s Petroleum” nuk i kërkojnë në babëzitjen e kompanisë për të vjedhur naftë, po diku nga Afrika, kurse sizmografët i vendosin për të kontrolluar urrejtjen tonë.

A ka gjë më të ligë sesa lufta e specialistëve shqiptarë kundër njëri – tjetrit?! Shumica e atyre që bëjnë dhe stimulojnë këtë lloj cinizmi janë specialistët që shtiren si elitë e naftës. Megjithëse janë pak, fare pak. Ka edhe të tjerë, të fshehur, që nuk ndjehen, por këpusin fjalët më të këqija kundër shokëve poshtë shkrimeve në Internet. Siç duket, ky lloj printimi u shkon shumë bizneseve të gazetave. Sepse ka edhe gazeta cinike proqeveritare.

Të gjithë stafet e gazetave kanë biznese të mëdha, ndërsa atë punën e gazetave e kanë “hob palestre”, për të djegur kaloritë. Ata marrin aq shumë nga reklamat. Disa merren me biznesin e ndërtimeve, disa me atë të naftës, disa me bizneset e qeveritarëve, disa me biznesin e deputetëve, vjen fjala, ku do çojnë Vaskën e Sizmikës.

Çfarë të mira printojnë gazetat shqiptare?! Në majë të çdo gazete shqiptare i bie të ishte një pus nafte dhe përbri tij të shkruhej emri i një specialisti. Të gjitha gazetat janë zëdhënëse të qeverive shqiptare, sepse bëjnë sikur investigojnë, sikur kritikojnë. Më thoni, cili nga këta gazetarë shqiptarë zhbiron tmerret e naftës shqiptare?! Pra, opinionet, printuar nëpër gazeta “online”, janë fushat ku shqiptarët grijnë fshehurazi njëri-tjetrin. Sikur këto opinione të printoheshin në gazetat e tezgave, gazetat do të shtypeshin miliona kopje dhe do të shiteshin për pesë minuta. Këto janë gazeta antishqiptare dhe, si për dreq, të tilla ka shumë.

Cinikë nafte ka edhe nëpër institucionet shkencore-shtetërore e private, në këshilla dhe borde institucionesh, në Albpetrol, në Akademi, në fakultet, kryesisht janë ata të vjetrit, nga ata me ilaç moleje nëpër xhepa. Cinikët ia dinë horrllëqet njëri – tjetrit, prandaj rrinë e përgjojnë llogoreve, për një Luftë të Ftohtë pa limit. Cinikët si gjarpërinjtë, parandjenjë tërmetet, prandaj kërcejnë pas zgjedhjeve popullore (herë këtu dhe herë atje). Pehlivanë cirqesh. Ata marrin zjarr si evgjiti, vetëm kur ndiejnë ndonjë pickim, por kurrë nuk hidhen përpjetë, të mbrojnë shokët dhe kolegët apo naftën tonë. Seneka thotë se ajo që na kushton më shumë nuk është uria, por lakmia. Cinikët kanë stomak të madh dhe të zi. Ata hanë edhe gurë. Provoni të shkruani në një gazetë një shkrim për naftën. Do t’ju gjuajnë me “Katiusha”. Kjo është arsyeja që disa specialistë të naftës stepen të debatojnë me qeveritë. Kur unë pyes një botues gazete se kjo puna e opinioneve poshtë artikujve është me zarar dhe poshtëruese per ne, ai më thotë: “A nuk e ke parë se edhe mua më shajnë?!” Po, i them unë, por nuk është njësoj, sepse nafta është armë, gjak, vaj kuzhine, ndërsa gazetat i merr era. Dhe që atëhere, drejtuesi I asaj gazete, nuk me boton asnjë shkrim, edhe të jem Nobelist. E keqja në Shqiperi stimulohet nga gazetat, se bëjnë sikur shajnë… Pra, neve naftëtarëve na janë mbyllur dyer e gazetave, gazetat preferojnë të printojnë femra nudo, çdo lloj pornografije, por kurrë spektrin e naftës, anje pus, as nje foto te Cakran-12.

Po le të skanojmë disa modele të thjeshta dhe reale të cinizmit dhe Albpetrolit. Pyes shokun tim “X”, Prof. Dr., i njohur në shkencat e naftës: Ku bëhet Prof. Dr. “Y” – i, sepse kam kohë që nuk kam dëgjuar gjë për të?.

-Ç’më pyet?! – ma kthen ai menjëherë, – Ai, ish – presidenti i “Albpetrol” – it, e sponsorizoi mirë e mirë PD – në për fushatën e zgjedhjeve, prandaj për këtë gjë Berisha e zgjodhi këshilltar personal.

Më pas bisedoj me një shok për rezultatet pozitive të pusit “X”, i citoj emrin e një kolegu që pretendon se e njeh atë zonë.

-Ç’thua, bre burrë i dheut?! – ma kthen ai fët e fët – Ai është një UFO, nuk ka haber se ç’bëhet në atë zonë. Ai ka qenë spiun komunist. E beson ti atë?!

Kurse një koleg më shkruan: “Nuk pashë një komentator me mend. Merren me “hiçe”. Kolegët tanë janë egërsira, edepsëzë, nuk kanë pikë konsiderate për ne. Kjo është mendësia e kolegëve tanë, prandaj jemi të mjeruar. Na ofendojnë në maksimum, na poshtërojnë. Unë nuk merrem më me ta dhe as me popullin. Populli le t’i zgjidhë vetë hallet e veta… Si nuk gjen një komentator me mend?”. Po ky koleg në fund të “e – mal” – it të tij, shton: “Ju lutem, i fshini të gjitha këto që ju thashë dhe mos i bisedoni me asnjeri tjetër”.

Trishtohem dhe them me vete: “Ja heronjtë e mi!”. S’ka të mbaruar egoizmi dhe cinizmi ynë kundër njëri – tjetrit. Ne, vetëm ne specialistët e naftës, e kemi në dorë këtë vend, sepse ne e njohim mirë naftën shqiptare, por ne nuk bëjmë asgjë, për të zgjuar aftësitë e kolegëve tanë. Ne nuk hedhim asnjë vezë kundër atyre që shkatërruan Industrinë e Naftës dhe pushuan nga puna kolegët tanë. Disa prej nesh bënë ekspertizën kundër kolegëve tanë, i balsamosën nëpër qelira dhe tani shtiren sikur nuk kanë bërë asgjë. Duan të lajnë mëkatet me fjalët: “Më fal, z.Petraq..!

Ja çfarë ka deklaruar vite më parë një zyrtar nafte: “Gjatë kohës që unë kam qenë në naftë në Institut dhe më vonë sekretar i Komitetit të Partisë në Fier, kam konstatuar se të pandehurit kanë sabotuar në Industrinë e Naftës. I pandehuri Lipe Nashi, mashtronte duke thënë se kam biseduar me udhëheqjen e Partisë e të Shtetit. I pandehuri shprehej “gjeolog si ju, jam edhe unë”. Ai ka dhënë pika të ndryshme për shpime. Kështu, në Sarandë u bënë shumë shpenzime, u dërguan sondat, makineritë”. Në vitin 1973 në Institut, u bë një debat lidhur me Vendimet e Plenumit të Tretë. I pandehuri Beqir Alia tha: “Ne nuk mund të ecim kudo me kompleks punimesh, sepse kështu nuk mund ta realizojmë metrazhin”. I pandehuri Protoko tha se “edhe vendimi i Byrosë Politike na lejon që të hidhemi me guxim edhe në vendburime të reja”.

III

Cinikët kanë vrarë shokët dhe kolegët tanë, kanë lënë stafetën te njëri-tjetri dhe tani duan dëmshpërblim, sepse kanë qenë “të persekutuar” (!) Tani po bëhen ekspertiza të tjera (më të ndyra) nëpër opinione. Shajmë shokët dhe kolegët, naftën ua japim të huajve. Pra, Albpetrolcinizmi është në kulm të lulëzimit të tij. Disa ndërrojnë karrige dhe departamente. Atyre nuk u bën syri tërr për të gjithë këto poshtërsi, kurse koncesionistët që firmosin, vazhdojnë të pasurohen me batakçillëqe. Cinikët jetojnë më gjatë. Kanë armë të kibernitike ciniket, konkretisht, kur njërit me dashamirë thashë kujdes se ti nuk I njeh mire ato gjera, se asnje here nuk ke projektuar, ai ma tha se e kam qëlluar keq, prandaj plunbin do ta nxjerrë me plumb (!)

Ja produkti I demokracisë shqiptare, me hormone e cinizmit.

Sikur të mos ishin djegur institucionet e naftës dhe fshirë specialistët e naftës, ne do të kishin zbuluar disa vendburime nafte. Nëse do të ketë ndonjë rezultat pozitiv në kërkimet për naftë nga kompanitë e huaja, kjo nuk është meritë e tyre, por e “rilindësve” të naftës sonë, të cilët janë plakur dhe nuk kanë më fuqi, ndërsa për duel as që bëhet fjalë, sepse janë grirë dhe ngrirë nga cinizmi i ndërsjellët.

“Tashmë nuk kam fuqi dhe dëshirë të përplasem, sepse kam familje, kam fëmijë”, më thotë një specialistë i vjetër, diku në një cep të kësaj bote, kur unë e pyes pse nuk reagon për naftën tonë.

Kohë më parë u botua libri “Nafta dhe Politika”, ku, autori Prof. Dr. Maksim Shuli, i bën radiogarfi korrupsionit qeveritar, libër që lexohet me një frymë, sepse ka vetëm fakte dhe të dhëna. Është ekuacion. Numura dhe perqindje, data dhe emera, squfur dhe helm…

Aty është mishi dhe brinjët e naftës tonë. Pyes disa shokë nëse e kanë lexuar atë libër dhe çfarë mendimi kanë. Të gjithë më thonë se nuk dinë gjë të jetë botuar një libër i tillë dhe as që janë kuriozë ta lexojnë(!?). Të gjithë kolegët dhe shokët e mi janë cinikë ndaj naftës dhe ndaj këtij autori, sepse ata kurrë nuk mund të ngrihen në këtë nivel e të shkruajnë një libër të tillë. Të shkruash një libër për naftën tonë, së pari duhet burrëri, duhet t’u rezistosh plumbave (jo gome), që vijnë nga të gjitha anët. Cinikët duan vetëm përmbytje, të djegin gjithë specialistët e tjerë. Nuk japin asnjë mendim profesional për naftën, thonë se nafta jonë është “mace e zezë”.

Bëhen zgjedhje, ndërrohen parti, cinikët po aty, vetëm se ndërrojnë pelerinat. Tani afër njëri me kapele, që shtirej si mbrojtës I naftës, ja mbathi ne Albpetrol, u ngjt si shushunjë në prapanicën e bordit te Alpetrolit.

Këta cinikë shkojë deri në skajet më të largëta për të mbledhur të dhëna kundër shokëve dhe kolegëve të vetë. Për këtë qellim nuk lënë pa hapur asnjë zyrë kuadroi nëpër ndërmarrjet. Kjo ndodh sepse ata nuk kanë punime të mirëfillta, nuk kanë dinjitet, janë pa moral. Petrolcinizmi profesional është në unitet me cinizmin shtetëror, ngaqë ky shtet nuk mund të ekzistojë, pa luftuar specialistët dinjitozë. Ministri ynë i kalon kufijtë e cinizmit kur thotë në një përballje se ne nuk kemi specialistë nafte për të zgjidhur këto punë. Dhe ne ngurojmë t’i kundërvihemi.

Në analizën e punës së Kompanisë “Albpetrol”, kohë më pare ky ministër bëri lojë fjalësh. Ai u hodh sa në një degë, në tjetrën, pa cituar asnjë emër. Këta “rilindës” gjatë fushatës elektorale premtuan se do të anulojnë koncesionet, por shumë shpejt e kthyen timonin, pasi ky veprim gjoja ka kosto të lartë edhe kur koncensionistët kanë bërë shkelje të rënda ligjore. Ata e dinin këtë gjë. Kjo u bë për të gënjyer popullin, sepse ata janë ortakë me këto koncesione. Ky është veprimi gërryes i cinizmit qeveritar; gjithë mashtrim dhe fodullëk. Kurse kolegët e mi kanë shkuar të blejnë uturakë të importit.

Cinizmi ynë shtetëror u pa ato ditë të vizitës së kryeministrit grek Antonis Samaras, kur ai deklaroi se shteti grek mund të këtë të ardhura në vlerë 150 miliardë Euro (Euro!) për një periudhë 25 – 30 – vjeçare nga zbulimi i Hidrokarbureve në Greqinë Perëndimore, në Epir dhe zonën detare të Jonit dhe se, për të realizuar këtë gjë, qeveria greke do të hartojë një strategji të re kombëtare.

Po ne, çfarë strategjie kemi për Hidrokarburet?! Ne, me naftën tonë, Greqinë do ta përmbytnim disa herë. Ne shesim detin, ne bëjmë marrëveshje koncensioniste 100 – vjeçare në disfavor të Shqipërisë, ne nuk japim shifra.

Ja produkti i Albpetrolcinizmit shtetëror, që vret me disa firma një komb të tërë, me rrënjë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e gjetkë. Me këtë deklaratë, kryeministri grek do të thotë që shqiptarët të mos lëvizin asnjë presje nga “Marrëveshja Detare”, sepse Greqia me atë “Pakt” ka projektuar edhe të ardhmen e Shqipërisë, sepse “ne do t’ju gremisim edhe në Komunitetin Evropian”. Pra, nuk prish punë, nëse do t’ju hipim pak…”.

Ndërkohë, ministri ynë i Financave, gjatë një prononcimi për “Reuters”, thotë se qeveria do të marrë 500 milionë euro borxh vitin tjetër në formën e kredisë ose Eurobondit. Ai shpjegon se Shqipëria ka marrë 331 milionë Euro borxh nga FMN dhe 220 milionë $ nga Banka Botërore. “ Ne e dimë se e kemi të domosdoshme të marrim 300 milionë euro borxh. Por ne mund të marrim deri në 500 milionë. Kjo do të varet nga situata. Shqipëria mori borxh 300 milionë euro si “Eurobond” në vitin 2010, me një përqindje prej 7.5%”. Ku t’i kërkojmë rrënjët e tua, varfëri?!

Një muaj më parë, Prof. Dr. “X” më shkruan kështu: “Derrat duan plumb dhe jo pambuk. Kush do ta bëjë këtë?! Askush, sepse burrat te ne kanë vdekur. Ne jemi zezakë të bardhë, bile shumë më keq; se zezakët e Nigerisë po luftojnë kundër grabitjes së naftës, po hedhin depot e naftës në erë, po shkatërrojnë tubacionet. Zezakët tribalë të Sudanit të Jugut bënë luftë kundër grabitjes së naftës… Ndërsa populli ynë shet identitetin dhe votat, ndërkohë që ne, cinikët e Naftës, e shikojmë marrëveshjen detare si një lojë “ping – pongu”. Jemi me bisht! Ne jemi si të droguar; mbushim defterët e dyqaneve private ushqimore me borxhe, vetëm për bukë. “Zezakët” tanë vetëm flenë. Shqipëria, vend i bekuar i njerëzve të mallkuar! Ti ke shumë të drejtë. Specialistët e naftës janë vetëm për të sharë njëri – tjetrin dhe për të pirë nga një gotë. Kolegët tanë nuk kanë ndjenjën e patriotizmit, prandaj nuk ngrihen kundër këtyre maskarallëqeve. Nafta u shitet drogaxhinjve vendas dhe të huaj… Cinizmi I elitës së naftës është virus më I keq, sepse ndryshe Shqipëria nuk do të ishte në këtë mjerim.

Cinikët e të dy krahëve janë “gay”. Ndryshimi midis tyre është se këta të fundit, të Albpetrolit, vijnë pak erë nafte. “I vetmi mëkat që unë njoh është cinizmi”, thotë Henry L.Stimson. Realisht, nëse cinikët të lavdërojnë, edhe të vrasin, këta të Albpetrolcinizmit të djegin fare; nuk të lënë as hi. Ja, kështu jemi ne specialistët e naftës; të gjithë të infektuar nga virusi cinizmit, kush të bëhet sa më I pasur, sa më I zi, me kapele 25 dollarshe.

Gjuhëtarët bëjnë peticion për Gjuhën Shqipe, për një zanore: si ta zëvendësojmë “ë” – në me dy pika në kokë. Ambientalistët mbjellin lule dhe pemë në oborret e tyre. Ekologjistët nuk pranojnë devijimin e lumenjve etj, etj. Po ne, naftëtarët, çfarë duhet të kishim bërë për naftën tonë, për moralin tonë?!

Shqipëria është në dorë të Albpetrolcinizmit tonë privat dhe shtetëror. Për naftë kombet po hanë njëri – tjetrin. Tash për tash nafta jonë është robërimi ynë, ndërsa Albpetrolcinikët janë mercenarët tanë në shërbim të të huajve. Sa e gjatë do të jetë kjo situatë?!

Një Zot e di.

Total
3
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura