MONIKA SHOSHORI’STAFA: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT PAVARËSISË(I)

(Tiranë, 25. 09. 2012) – Ekziston një dallim i madh midis historisë së shtetit dhe historisë së pavarësisë. Sepse pavarësia ka të bëjë me njohjen ndërkombëtare të së drejtës së një kombi, një populli, për t’u vetëqeverisur; kurse historia e shtetit është shumë më e hershme në kalendar se pavarësia. Asnjë shtet nuk është shpallur e njohur i pavarur pa pasur një traditë shtetërore të mëhershme. Dhe Shqipëria jo vetëm nuk bën përjashtim, por, për fat, në raport me shtetin dhe shtetësinë, ka një zhvillim të njëkohshëm me atë të vendeve të Perëndimit, siç është vënë në dukje prej historianësh autoritarë, si A. Buda.
Pjesa e Parë
I

Ringrihen në skaje kur bien në qendër: kështu është thënë filozofikisht për perandoritë e mëdha të të gjitha kohërave. Edhe perandoria e selçukëve osmanë nuk bën përjashtim. Mbijetoi në kufijtë më të largmë, deri në shekullin e 20 dhe së fundmi, edhe kur ra, mbeti përsëri Europë. Nëse shekulli i romantizmit dhe i lindjes së kombeve në gjithë Ballkanin erdhi vonë, për shqiptarët erdhi edhe më vonë. “Megali idea”, projekti romantik grek i rikthimit tek fuqia e Bizantit, ishte shpallur qysh në vitin 1833, nga Ioannis Kolettis. “Naçertania” serbe ishte shpallur një dekadë më vonë, më 1844, nga Ilija Garashanin, ndërsa traktatit ideologjik nacionalist të shqiptarëve, projektit të Shqipërisë si shtet, veprës së Samiut “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, do t’i vinte ora në vitin 1899. Deri në dekadën e fundme të shekullit të 20, Shqipëria ishte shteti më i ri në Ballkan. Secesioni në ish-Jugosllavi çoi në lindje shtetesh më të rinj. Shqipëria feston 100-vjetëshin e vet kur të tjerë presin jubileun e dekadës së parë ose pagëzimin me emër të ri. Tradicionalisht për këtë vonesë përtej vonesës ballkanike janë bërë fajtorë: Europa (me të gjitha ndajshtesat e mundshme), Perëndimi lanet, shtatë krajlitë dhe diplomacia e tyre, ekspansioni i fqinjëve, shtypja e kryengritjeve dhe e mendimit shqiptar prej pushtetit ushtarak perandorak. Të gjitha këto janë pjesë ndikimi në ardhjen e vonuar të vetëdijes kombëtare shqiptare. Por pyetja themelore është: shqiptarët vetë çfarë bënë për ta ndryshuar fatin e tyre? Dhe kur u kujtuan të merren me vetveten?

II
Ekziston një dallim i madh midis historisë së shtetit dhe historisë së pavarësisë. Sepse pavarësia ka të bëjë me njohjen ndërkombëtare të së drejtës së një kombi, një populli, për t’u vetëqeverisur; kurse historia e shtetit është shumë më e hershme në kalendar se pavarësia. Asnjë shtet nuk është shpallur e njohur i pavarur pa pasur një traditë shtetërore të mëhershme. Dhe Shqipëria jo vetëm nuk bën përjashtim, por, për fat, në raport me shtetin dhe shtetësinë, ka një zhvillim të njëkohshëm me atë të vendeve të Perëndimit, siç është vënë në dukje prej historianësh autoritarë, si A. Buda. Nuk është vendi këtu për të folur për mbretëritë dhe mbretërit ilirë; madje dhe për mbretëreshat, si Teuta; rezidencat dhe varret monumentalë të të cilëve gjenden përgjatë faqes bregdetare të vendit, prej Drinit deri në krye të Adriatikut. Familjet patronimike shqiptare: Arianitë, Muzakaj, Bua-Shpataj, Skuraj, Balshaj, Topiaj, Mazrekë dhe shumë të tjerë, ishin formacione parashtetërore të botës shqiptare; Familjet patronimike janë familje shtetformuese. Ato kishin stemat e tyre, kanceleritë, bibliotekat e dorëshkrimeve, përkthyesit, noterët, zyrat e komunikimit me jashtë. “Shteti i Arbnit”, për të cilin në vitet 1970 Dh. S. Shuteriqi pati gjetur edhe inskripcione e emblema në gur, ekzistonte qysh në prag të Rilindjes Europiane, siç ekzistonte thema e Durrësit. Arbëria në këtë kohë ishte organizuar si shtetet perëndimore, me dukate dhe konte; me zotër fisnikë. Kjo është koha kur pjesa më e madhe e qyteteve bregdetare, prej Durrësit, Krujës, Lezhës, Danjës, Shkodrës, Drishtit, Shasit, Ulqinit e Tivarit, Kotorrit, kishin arritur në një rregullim të tillë të jetës urbane, sa të kishin statute dhe rregullore, që ishin kushtetuta të modelit të Rilindjes Europiane, një përpjekje për t’u kthyer tek burimi, tek modelet e republikave dhe demokracive antike helene dhe romake.

Këto kushtetuta parashikonin detyrimet e shtetasve ndaj qyteteve-komuna; kishin magjistratët e tyre, gjyqtarët, si dhe sundimtarin. Shumë konflikte shqiptaro-veneciane janë provokuar kryesisht prej ngulmimit të shqiptarëve për të përdorur statutet e tyre. Kështu ndodhi në Durrës në shekullin e 13. Mjafton të përmendim faktin që prijësi i shqiptarëve në luftën antiosmane Gjergj Kastrioti – Skënderbeu kishte ambasadorët e vet në Perëndim, kishte këshilltarë e sekretarë, kishte gjithashtu titujt e nderit. Ai njihet si “Dominus Albaniae”, pastaj edhe si “Epirotarum Rex” dhe me shumë tituj të ngjashëm. E tillë ishte në atë kohë edhe Europa vetë, Europë e mbretërve dhe e sovranëve që sundonin vendin me kurorë të trashëgueshme. Nëse në periudhën e humanizmit u shfaqën shenjat e para të vetidentifikimit etnik dhe të kombësisë gjithashtu, bashkë me to u shfaq dhe prirja drejt shtetësisë, prirje që nuk u shua as në periudhën osmane. Nuk është e rastit që shqiptarët u bënë shumë shpejt faktor parësor në qeverisjen e perandorisë. Kur ajo hyri në një prej krizave më të thella, ishte dinastia shqiptare e Qyprillinjve, dinastia më e gjatë në historinë e perandorisë, që e shpëtoi atë nga rrënimi, duke propozuar si fillim ndarjen e sulltanatit nga vezirati dhe reforma të tjera. Një Qyprilli komandonte ushtritë osmane drejt Vjenës në fund të shekullit të 17. Shqiptarët në perandorinë osmane u bënë vezirë e grandvezirë, governatorë e kryegovernatorë. Janë mbi 40 vezirët shqiptarë që mbajtën baraspeshën e qeverisjes osmane.
III
“Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq / Kujto vendin tek ke lerë e tek heq!”. Me këto vargje u drejtohej njëri prej poetëve më në shenjë të romantizmit shqiptar bashkatdhetarëve të vet, Çajupi. Në “Enciklikën” e tij, qysh në vitin 1846, Veqilharxhi kishte shpallur etnicitetin e të krishterëve shqiptarë. E vërtetë: shqiptarët historia i dëshmon si një popull me zotësi shtetformuese të shkëlqyera. Kapedanët e revolucionit kombëtar helen, emra të ndritur të historisë së Greqisë së re, si: Jorgo Kundurioti, Kiço Xhavella, Andoni Kryeziu, Teodor Kollokotroni, Marko, Kiço e Noti Boçari, Laskarina Bubulina, Anastas Gjirokastriti, Kostandin Kanari, Jorgo Karaiskaj, Odisea Andruço, Andrea Miauli, Nikolao Kryezoti, Hasan Bellushi, Ago Vasiari, Gjeko Bei, Myrto Çali dhe shumë të tjerë – moraitë, soliotë dhe çamë thesprotë – qenë ata që mahnitën me trimëritë e tyre romantikët e lektisur të Europës.

Shqiptarët që themeluan shtetin grek!

………………………………..

Kur, më 1827, u formua Parlamenti i parë i Greqisë së pavarur, në verbalet e bisedimeve flitej edhe gjuha shqipe. Rreshtat bosh në këto verbale përbri emrave të kapedanëve arvanitë tregojnë se sekretarët nuk e njihnin gjuhën e tyre, gjuhën amtare shqipe. Thuajse në po atë kohë, më 1811, Mehmet Ali Pasha, së bashku me krerët e mamlukëve egjiptianë, do të themelonte shtetin e tyre të pavarur. Në kujtim të vendlindjes së tij shqiptare edhe sot kryeqendra e Kajros quhet “Zemblak”. Veprimtarë protagonistë të Rilindjes shqiptare kishin qeverisur me paqe e rend rajonet më të vështira të perandorisë. Mjafton të kujtohet emri i Vaso Pashë Shkodranit dhe “sundimi i tij i artë” në Libanin e gremisur prej konflikteve fetare, pikërisht në vitet që shkruante poezinë e njohur “O moj Shqypni e mjera Shqypni” (1880). Dy vjet më parë, Italia fqinje festoi 150-vjetorin e bashkimit. “Garibaldi, trim me fletë / Skënderbeut tonë i ngjet”, shkruanin poetët. Dhe me të vërtetë, “garibaldinët shqiptarë”, këmishëkuqët arbëreshë, qenë faktor i njohur përparimtar i Rinascimento-s italiane.
Vijon…

………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura