MR.BEDRI ZYBERAJ: FENOMENI HOTI DHE ZVARRITJET SHQIPTARE

Prishtinë, 14. 05. 2013 – …në atë vit (1981) u ngrit Ukshin Hoti dhe mori nën mbrojtje studentët. Duke mbrojtur ata, mbronte edhe kërkesën ,,Kosova-Republikë”. Për më tepër, ai edhe e arsyetonte atë. Vitet që pasuan lirimin e tij nga burgu, e që siç e dimë shteti dhe pushteti i atëhershëm ia kishte dhënë si shpërblim ndaj këtij akti, dëshmuan se Ukshin Hoti nuk kishte vepruar ashtu për hir të shqiptarëve që u përkiste për nga kombësia, as për inat të serbëve që mund të ketë menduar dhe pandehur dikush se i urrente. Zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve ndriçoi shumë aspekte në lidhje me këtë figurë tonën kombëtare e, mbi të gjitha, dëshmoi mbi etikën e tij prej një intelektuali që për fat të keq, ne shqiptarët i kemi pasur me deficit qoftë për cilësinë profesionale, qoftë për vlerat morale.
Në historitë e popujve të ndryshëm, nuk është i pakët numri i atyre njerëzve të cilët me qëndrimin e vet u kanë rënë ndesh rrymave të kohës, qoftë edhe atëherë kur një gjë e tillë shpaguhej me jetë. Në rastet e tilla, pala që dispononte forcën dhe gjykonte përmes saj, mbronte obskurantizmin e llojit të caktuar, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë, edhe nëse nuk merrte pjesë në linçimin e atij që ngritje kundër rrymës, bënte sehir. Kjo kategori sehirxhinjsh, pasi e jetonte jetën në mënyrën e vet, në mënyrën që e kishte zgjedhur, shkonte, ashtu me ndërgjegje të “qetë”, ndërsa pasardhësit e saj, më vonë (pra me vonesë), fillonin ta kuptonin rëndësinë e qëndrimit të njerëzve që dikur ishin linçuar. Në sytë e këtyre brezave, tani ata bëheshin të admiruar, fitonin një peshë të re dhe bëheshin gjithnjë e më të rëndësishëm. Bëheshin të admiruar, sepse me qëndrimin e tyre, varësisht nga konteksti historik në të cilin kishin jetuar dhe vepruar, kishin ndikuar dhe ndihmuar për krijimin e hapësirës për mendim të lirë; për thyerjen e monopolit dhe dogmatizmit mbi të vërtetën; për tejkalimin e obskurantizmit të ngjyrave të ndryshme që rëndom buron nga ata që përpiqen të ndikojnë dhe të diktojnë kahet e proceseve përmes të vërtetës së fuqisë e jo fuqisë së të vërtetës dhe në fund jo vetëm për zgjerimin e hapësirës për mendim të lirë, por edhe për veprim të lirë.

Të gjitha këto, për një dhe të vetmin qëllim: zgjerimin e mundësive për zhvillim më të shpejtë. Të gjitha këto, në një formë ose në një tjetër, janë manifestuar si dukuri më të theksuara në pjesën perëndimore të kontinentit tonë – Evropës dhe niveli i zhvillimit të sotëm të kësaj pjese u atribuohet këtyre faktorëve dhe individëve të tillë që i përshkruam më lartë, pa çka se në momente të caktuara, disa sosh kanë pësuar edhe me jetë.
Për fat të keq, në kohën e re, fati historik ne na shkëputi nga këto procese të zhvillimit të kontinentit mëmë dhe sot, për shumëçka, kemi ngelur prapa saj dhe proceset e domosdoshme për zhvillim duhet t’i përfundojmë po ashtu me vonesë.
Robëria 500-vjeçare e Perandorisë Otomane, përmes dhunës dhe formave tjera të presionit që kishte ushtruar mbi ne, jo vetëm që na e zgjati në një farë forme periudhën e mesjetës, por njëkohësisht edhe na e kishte molisur bërthamën e etnitetit shqiptar. Kjo pastaj rezultoi me një deformim që mund të quhet kompleksi i inferioritetit. Ky deformitet u shfaq sidomos në prag të shkatërrimit të kësaj Perandorie dhe, atë, pikërisht në kohën kur mbi gërmadhat e saj po krijonin shtetet e tyre popujt që deri në këtë kohë kishin qenë nën robërinë e kësaj perandorie. Pengimi i zhvillimit të natyrshëm kishte sjellë si rezultat jo vetëm paaftësinë orientuese, por edhe zvogëlimin e aftësisë organizuese të shqiptarëve. Prandaj jo rastësisht në romanin e Kadaresë ,,Viti i mbrapshtë”, që bën fjalë për kohën fill pas largimit të Perandorisë së osmanlinjve nga këto anë, ne gjejmë këtë të vërtetë të shprehur përmes gjuhës së artit. Në të ne gjemë dhe nuk e kemi atë organizim dhe qëndresë që e gjejmë në veprën tjetër të po këtij autori, në romanin ,,Kështjella”, në të cilin trajton kohën e fillimit të sundimit të kësaj perandorie.
Edhe më keq gjendja do të katandiset në vitin 1981, të cilën kohë Kadareja do ta trajtojë në novelën ,,Krushqit janë të ngrirë”. Martin Shkreli, si tipizim i inteligjencës shqiptare, edhe pse intimisht e përkrah kërkesën e studentëve për ,,Kosovën – Republikë”, në të njëjtën kohë ai është i dëgjueshëm dhe i disiplinuar ndaj urdhrave që nxjerr pushteti – shteti. Një sjellje e tillë që shquhet për dëgjueshmëri dhe bindje ndaj urdhrave të pushtetit, e sidomos të armikut, siç është rasti me ne, më shumë se asgjë tjetër tregon për molisjen e atij kombi. Mirëpo, për fat tonin, si për t’ia ndërprerë hovin kësaj paradigme dezorganizuese, në atë vit (1981) u ngrit Ukshin Hoti dhe mori nën mbrojtje studentët. Duke mbrojtur ata, mbronte edhe kërkesën ,,Kosova-Republikë”. Për më tepër, ai edhe e arsyetonte atë. Vitet që pasuan lirimin e tij nga burgu, e që siç e dimë shteti dhe pushteti i atëhershëm ia kishte dhënë si shpërblim ndaj këtij akti, dëshmuan se Ukshin Hoti nuk kishte vepruar ashtu për hir të shqiptarëve që u përkiste për nga kombësia, as për inat të serbëve që mund të ketë menduar dhe pandehur dikush se i urrente. Zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve ndriçoi shumë aspekte në lidhje me këtë figurë tonën kombëtare e, mbi të gjitha, dëshmoi mbi etikën e tij prej një intelektuali që për fat të keq, ne shqiptarët i kemi pasur me deficit qoftë për cilësinë profesionale, qoftë për vlerat morale. Mirëpo, sikur të mos mjaftonte ajo kohë me iracionalitetin që e shquante, për ironi të fatit, stoicizmi i tij prej intelektuali dhe njeriu të paepur, e solli atë shpesh në situata paradoksale edhe pas vitit 1990, kur u bënë ndërrimet demokratike.
Derisa në kohën e monizmit e cilësonin dhe vlerësonin si ,,armik” të sistemit dhe të popullit, më vonë, nën ndikimin e të njëjtëve, atë do ta akuzonin për ithtarë të sistemit të përmbysur. Por, Ukshin Hoti, përkundër këtyre akuzave, ngeli i tillë çfarë ishte. I pathyer dhe i panënshtruar, edhe atëherë kur individë dhe qarqe të caktuar me sjellje prej kameleoni e akuzonin për ,,komunist” dhe ithtar të komunizmit. Dhe kush e akuzonte kështu? Pikërisht shumica e të cilëve, që deri në këtë kohë, i kishin mbajtur ison dhe i kishin thurur elozhe komunizmit dhe të tjerë që në rastet më të rralla kishin heshtur përballë dogmës së tij duke vazhduar deri në fund të shijonin frytet e tij. Në këtë mënyrë, këta të fundit i ishin përmbajtur me rigorozitet thënies “Urtë e but, tigani plot”. Kur panë se perëndoi koha e këtij sistemi, edhe këta sikurse të parët, ndërruan gëzofin dhe filluan sharjet. Por sharjet e tyre nuk mjaftoheshin vetëm me sistemin, por sidomos drejtoheshin kundër atyre që kishin ngritur zërin pikërisht atëherë kur ai sistem ishte ende i fortë. Kështu ndodhi me Ukshin Hotin në fillim të viteve 90-të, kur menduam se po bënim hapat e parë të demokracisë. Edhe përballë këtyre akuzave, U. Hoti vazhdoi rrugën e vet dhe asnjëherë nuk dha shenja të stepjes përballë tyre dhe të joshjes për të dhënë deklarata pa mbulesë për hir të duartrokitjeve të masës.
Këtë nuk ia lejonte niveli dhe etika intelektuale.
Ai nuk vuante për autoritet, por për të vërtetën.
Ai nuk e kundërshtonte tjetrin për inat të tij, por për hir të të vërtetës.
Nuk e bënte këtë për dëshirë të vet, por nga bindja se e vërteta dhe lufta për të është gjëja më e çmuar që duhet të shquaj intelektualin.
I tillë ishte Ukshin Hoti.
Rezonimi i tij politik prej një eksperti të politikës ndërkombëtare zuri të mos pëlqehej, sepse ai zbulonte të vërtetat e hidhura që të tjerët i fshihnin, e në rastet më të shumta nuk u kuptua fare. Në këtë përplasje kundërshtarët e mendimit të tij (nëse mund të quhen kundërshtarë, pasi këtë nuk ua mundësonte as përgatitja shkollore, as niveli intelektual dhe as përvoja e kaluar), në bazë të përvojës gjysmëshekullore dhe të mendësisë në të cilin ishin krijuar, edhe kur nuk kishin të drejtë, e diskreditonin atë me anë të akuzave dhe të etiketimeve. Sikurse në kohën e monizmit, ata hapnin sirtarët dhe nxirrnin që andej etiketat për t`ia veshur këtij njeriu. Por, Hoti prapë nuk jepej. Nuk hidhërohej dhe dëshpërohej pse nuk i thureshin himne dhe këngë, por nga kasollja e tij e vogël në Krushë të Madhe, të cilës si me qesëndi i rrinin përreth shtëpitë grandioze me rrethojat e betonuara, vazhdonte të jepte porosi dhe mësime për rrugët të cilat shpinin kah zgjerimi i hapësirës së mendimit dhe veprimit të lirë. Për të gjithë ata që nuk e kuptonin dhe që e akuzonin, ndiente keqardhje. Por më shumë se keqardhja për ta, shpirtin e tij ia rëndonte dhe lëndonte brenga për ardhmërinë, sepse ishte i bindur se armiku më i egër i saj ishte injoranca dhe joparimësia. Për të tillët, sytë e tij dukej sikur nganjëherë shqiptonin atë thënien e lashtë të Jezu Krishtit ,,Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”.
Kjo sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me faktorin e brendshëm.
Ai ishte i tillë edhe kur ishte në pyetje liria kombëtare.
Qëndrimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare nuk konsistonte në inatin kundër serbëve për ato që na kishin bërë ne si komb në përgjithësi dhe atij si individ në veçanti. Këtë qëndrim ai e manifestonte duke iu dhënë mbështetje zgjidhjeve, të cilat ishin domosdoshmëri e kohës, e që serbët nuk i pëlqenin. Ai, më bukur se askush dhe më me sinqeritet se asnjë tjetër, u tregoi atyre rrugën përmes të cilës mund të liroheshin nga mania e të qenit më i forti; apo imitimit të ,,fuqisë së Ballkanit”. Duke u liruar prej saj, ata do të mund ta çlironin veten dhe të tjerët dhe do të mundësonin krijimin e kushteve dhe të rrethanave që, në harmoni me të tjerët, ta ndërtonin ardhmërinë evropiane të kësaj pjese të Evropës. Mirëpo nga ajo që shihet deri tani, këta nuk e kanë ndërmend t`ua vënë veshin këtyre mësimeve. Për më tepër dhe për më keq, aktivizuan gjithë mjetet policore në ndjekje të këtij njeriu dhe nuk po e lënë të qetë për asnjë moment.
Tri herë e burgosën.
Një herë e rrahën për vdekje në rrugë.
Por as këto masa prof. Hotin nuk e ligështuan. Ai, edhe më tej, po qëndron i paepur për hir të parimeve. Në saje të karakterit të tij stoik, gjithmonë të vërtetat e veta i mbështeti në logjikën e argumenteve shkencore dhe të njëjtat përpiqet t’i shpërndajë gjithandej për t’i armatosur njerëzit me to.
Duke qenë i këtillë, ai sot përfaqëson tipin e një intelektuali unikat në hapësirën shqiptare dhe ballkanike. Pikërisht për këto, mendoj se do të vijë një ditë kur edhe ky do të përfshihet në morinë e përfaqësuesve të shquar të mendimit njerëzor. Dhe brezat e asaj kohe (të kohës që do të vjen pas kësaj të sotmes sonë) do të ndihen krenarë për të.
Mirëpo, kundërshtarët e tij nuk do të jenë, që t’u skuqet faqja e t’i mbulojë turpi për luftën e paskrupullt që kanë bërë kundër tij derisa ai ishte gjallë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura