MR.ELIFE PODVORICA: TË FALEMINDERIT – ENO KOÇO!

Prishtinë, 30. 11. 2014 – …..E kështu…z.Koço! Ju urojmë rrugë të mbarë, shëndet dhe punë krijuese edhe më tutje në vitet në vijim, duke ju falemideruar nga zemra për këto ditë të bukura që na i dhuruat këtu në kryeqytetin tonë, Prishtinën, e cila këtyre ditëve, me prezencën tuaj, ishte më e bukur, më artistike, më krijuese dhe shumë më e çmuar!
Ishin këto fjalët përshëndetëse që i ndërruam pak çaste më parë me dirigjentin dhe maestron e madh të fushës së artit muzikor, z.Eno Koço, i cili pas një jave provash e pune me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, erdhi dhe momenti i ndarjes nga Ay – ashtu siç kishte qenë dhe momenti i takimit në aeroport, para një jave kur po e prisnim ardhjen e tij! Dhe ardhja e tij, të qenurit e tij këtyre ditëve rrugëve të Prishtinës që i pëlqente aq shumë, duke shprehur admirim për rrugicat, lagjet e sheshet e saj, puna e tij, të folurit dhe debatatet që zhvilloheshin midis miqëve të tij, sikur në vete në çdo moment, në sfondin e gjithë kësaj, përmbante vetvetiu dhe prezencën e nënës së tij, sopranon dhe zonjën e madhe – Tefta Tashkon, e cila me krijimtarinë e saj artistike, la gjurmë të pashlyeshme në faqet e historisë së artit muzikor shqiptar, por edhe atij europian, sepse Tefta kishte studiuar nëpër kryeqendrat më eminente europiane, siç ishte Parisi dhe Milano!
Ishte fillimi i viteve ’30 i shekullit të kaluar, ku ajo me një plejadë artistësh të tjerë shqiptarë siç ishte Marije Kraja, Lola Gjoka, Tonin Guraziu etj., kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm krijues në ruajtjen e vlerave unike të këngës së mirëfillt artistike dhe në promovimin e saj. Por, jeta e saj e bujshme, nuk ishte rastësi. Tefta përbëhej nga një familje intelektualësh e patriotësh, të cilët përveç arsimimit të tyre të cilin e kishin të marrë hiç më pak se në Universitetin e Harvard-it (në atë kohë!!!), që të dy vëllezërit e saj. Babai – Athanas Tashko, ishte patriot i shquar, i cili kishte dhënë kotribut të çmuar në shumë fusha për avancimin dhe integrimin e popullit shqiptar në rrjedhat kombëtare, e sidomos në proceset ndërkombëtare të kohës! Andaj, jeta dhe veprimtaria e tyre familjare, e Tefta Tashkos në veçanti, është një kontribut që rrjedhat historike të kombit tonë, e kanë ruajtur si visarin më të çmuar që një popull mund ta ketë fatin, që në gjirin e tij të përmbajë intelektual dhe artistë të përmasave siç ishte familja Tashko!

E ne, këtyre ditëve në mesin tonë kishim djalin e saj të vetëm Enon, të cilit ajo mundi t’i këndojë ninullat e para me atë zërin e saj lirik që i kishte rrëmbyer edhe skenat europiane, si dhe pak vite fëmijërie, sepse vdiq në moshën kur Eno kishte vetëm pesë vjet! Dhe për të gjithë ne që e dinim këtë fakt, sikur na imponohej që kujdesin ndaj tij ta kishim më të veçantë se sa që e kemi çdoherë, sepse midis nesh frymonte evladi i saj! E ai mahnitej, kënaqej shumë me kujdesin tonë, me mikëpritjen që i bënim, shprehte admirim në mënyrën më të sinqertë për gjithëçka këtu tek ne! Dhe nuk përtonte ta shprehte orë e çast se kishte përjetuar diçka shumë të veçantë lidhur me përparimin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, punën e zellëshme që bëhej aty, se kënaqej me jetën në qytetin e Prishtinës, se i pëlqente tepër kujdesi i njerëzve që tregonin ndaj tij me ato ftesat e panumërta që i bëheshin nga miq e kolegë të shumtë që kishte këtu tek ne, se Prishtina dhe jeta në të po frymonte shumë më ndryshe se në ato vitete “70 kur z. Eno kishte vizituar për herë të parë Kosovën në turneun e tij artistik! Ne ndjeheshim tepër mirë për përjetimet e tija dhe kënaqeshim vërtetë kur në fytyrën e tij qelte buzëqeshja dhe dëgjonim atë të folur Korçe me atë muzikalitet e sharm poetik! Me një sharmë të tillë që të bënte për vete, fliste e sqaronte edhe parmbrëmë në Pallatin e Rinisë, në të cilën, realizoi një mbrëmje shumë të suksesshme koncertale me vepra të kompozitorëve shqiptarë nga Kosova, para një numri të madh të artdashësve kosovarë!
Ajo që e bëri të veçantë këtë mbrëmje, ishte ai pasioni i tij në interpretimin e veprave, para se të fillonte orkestra ekzekutimin e tyre! Shihej dhe vëhej në pah, mjeshtëria e tij analitike ndaj veprave që kishte studiuar me aq zell dhe sens krijues, duke iu dhënë gjallëri dhe më shumë motiveve krijuese të të tre kompozitorëve të mbrëmjes, e që ishin veprat e kompozitorit dhe intelektualit të shquar shqiptar z.Zeqirja Ballata, pastaj kompozirorit të ri e shumë premtues në rrafshin krijues Kreshnik Aliçkaj, dhe në veçanti kompozitorit Rexho Mulliqit, të cilit ai i kushtoi vëmendje të posaqme në rrëfimin e krijimit të veprës nga spektri artistik i saj, që sipas z. Koço, ishte e begatuar me motive të mrekullueshme të folklorit tonë tradicinal shqiptar të Kosovës!

Në realitet, këto tri mbrëmje, ishin në kuadër të festivalit ”Ditët e muzikës Kosovare”, festival ky që kishte ekzistuar qysh moti në vitet e para luftës në Kosovë, e i cili i “riaktualizua” prap këtyre dy-tri viteve të fundit, me kthimin e z. Zeqirja Ballata nga Sllovenia, i cili jetoi, punoi dhe shënoi aktivitete të panumërta në Slloveni gjatë punës së tij krijuese si kompozitor, dhe pedagog i shquar atje! Të tri mbrëmjet, në vete kishin të mpleksur vetëm krijimtarinë e artistëve shqiptarë nga Kosova, mbrëmje këto, që qitën në pah vlerat e mirëfillta tradicionale artistike kosovare!
….Po – tha! Po iku dhe pas pak orësh do të jem në një ambient dhe mes miqësh krejtësisht të tjerë, mirëpo këtë që mora këtu gjatë këtyre ditëve, dashurinë e respektin e shprehur në mënyrë aq të sinqertë nga të gjithë ju, gadishmërinë tuaj që të më bëni sa më të bukur qëndrimin tim këtu, do të më japin forcë, kurajo dhe ngrohtësi shpirtërore dhe për një kohë të gjatë, që unë të vazhdoj të ndjehem një artist që i takoj edhe popullit shqiptar të Kosovës, dhe se populli im pavarësisht ndarjes fizike që ka pasur për një shekull me radhë, ka të njëjtat thesare. Këto ditë i përjetova sikur të isha në vendin e origjinës sime, në Korçë!
Dhe gjersa aeroplani po ngrihej mbi re, pas nesh la nuanca përjetimesh dhe mendimesh se ja, shumë e shumë intelektualë shqiptarë ndër vite, e deshtën dhe e çmuan kombin në mënyrat e tyre të veçanta, duke u bërë kështu shtylla të paluhatshme kombëtare ndër stuhi e ngjarje historike dhe duke e mbrojtur e ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën tonë ndër shekuj, dhe me aftësinë e bagazhin e tyre intelektual, duke e promovuar atë para popujve të tjerë, qofshin ata edhe armiqtë më të përbetuar të popullit tonë!
Ishin këto momente e përjetime të artistëve, që shkëmbenin midis tyre, këtyre tri ditëve artistike shqiptare – kosovare, të cilët në mënyrë tejet modeste, nëpër salla të ftohta e kushte të mjerueshme, u munduan që publikut dhe artdashësve t’u ofronin ngrohtësinë e krijimtarisë dhe punës së zellshme të krijuesëve shqiptarë të Kosovës!

Po kush është maestro Eno Koço?
Me prejardhje nga Korça, Eno Koço është legjenda e gjallë e botës muzikore shqiptare. U lind në Tiranë, në gjirin e një familjeje me tradita muzikore, në vitin 1943. I ati ishte bariton, ndërsa e ëma soprano lirike, Artiste e Popullit. Në moshën 7 vjeçare nisi të studjojë violinë në Liceun Artistik të Tiranës, më vonë në Leningrad, përpara se të diplomohej në ILA të Tiranës, më 1966. Pas përfundimit të studimeve për dirigjim më 1977, një vit më vonë emërohet dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTVSH. Me këtë orkestër, përveç numrit të madh të koncerteve simfonike e vokale, bëri regjistrime të këtij repertori, të muzikës së filmave dhe këngëve të Festivaleve në Radiotelevizion, dhe zhvilloi turne në Kosovë (1979) dhe Turqi (1983). Drejtoi Orkestrën Simfonike të Kairos në Egjipt (1986) dhe u atashua pranë Orkestrës RAI dhe Operas Regio të Torinos (1989). Gjate periudhës që bashkëpunoi me Universitetin e Leeds-it, Angli (1992-2010), vepra artistike e Eno Koços në fushë të muzikologjisë, mori zhvillim të madh. Kontributi i tij për afirmimin e vlerave tona në përmasa botërore, është i jashtëzakonshëm!

………………………………………

Tefta Tashko’Koco – Kroi i fshatit tonë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura