Mitrovicë, 01. 02. 2013 – (Pastaj, për arsye të lumturisë personale të tij, çdonjëri le të mendoj dhe le të përpiqet për lumturinë e përgjithshme (Imanuel Kant) – Tani dëmtuesit (armiqtë) tradicional të kombit shqiptar, Serbia me aleatët e saj janë duke bërë punën e tyre që e kanë profesion: dëmtimin dhe zvogëlimin fizik (ontologjik) të Kombit shqiptar, duke u bazuar në teori, strategji, e taktika të reja por me qëllime të vjetra. Tehu i sulmeve të tyre janë, përsëri, ri-përvetësimi i tokave shqiptare, ku e sa të munden. Aksioni aktual i Serbisë është sulm i paskrupullt ndaj substancave shqiptare, ndjekja shumëformëshe e shqiptarëve nga vendbanimet e tyre, trevat tradicionale shekullore dhe, pastaj, marrja e tokës së vendbanimeve të të shpërngulurve, siç ka bërë prej Mollës së Kuqe deri në lumin Ibër. Këtë spastrim etnik Republika e Serbisë e kreu dhe po e kryen edhe pas tri (3) luftërave çlirimtare shqiptare, njëkohësisht në dy troje shqiptare; në Kosovën Lindore dhe në Kosovën veriore. Tani kur Serbia është duke fituar, përmes dialogut, edhe de jure disa rezultate të spastrimit 14 vjeçar në këto troje, faktori shqiptar nuk është me një mendje, teori e strategji për vetveten, por po sillet, përsëri, gati si fëmijë, duke mos qenë i interesuar ta zgjidh problemin e truallit dhe të kombit të vet, pa ua lënë këtë pakicës kombëtare serbe (në fakt Republikës së Serbisë) e miqve ndërkombëtar, duke ia bërë si ai bariu që kur i kishte ardhur koha të hynte te nusja e tij që e priste kishte thënë; unë nuk di të hyjë te nusja, por të hyn baci, se ti di më mirë! Timonin a anijes kombëtare (sikur) nuk po jemi të aftë ta drejtojmë vet! Faktori politik zyrtar pushtetar shqiptar nuk ka politikë të përcaktuar dhe të qartë; njëherë është për integrime me të huajt pa menduar e planifikuar për integrim me vetveten, tjetër herë prononcohet për bashkim kombëtar, por përsëri, edhe pas festimit retorik të 100 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dëgjojmë një tezë publike shurdhuese se kryeqyteti i Prishtinës dhe Tiranës është dhe duhet të jetë Brukseli!!! (kur Brukseli ka qenë, është, dhe mund të jetë, edhe në ta ardhmen, në krizë financiare, për vete, dhe kur as ai nuk ka rend kushtetues, Kushtetutë të pranuar zyrtarisht nga të gjitha shtetet anëtare).
A nuk janë këto shenja se gjendja politike e kombit është një mjegulli shpirtërore reale, se shumica e shqiptarëve nuk e kanë as idenë e qartë se çka duhet të bëjmë tani, se cili është SAKT interesi kombëtar i sotëm dhe çka duhet të bëjmë sot, që mos të gjendemi në mjegulli edhe nesër, pa e ditur se ku jemi dhe çka po bëhet rreth nesh, pa e njohur mirë (me themel) realitetin politik dhe prapaskenat e tij. Duket sikur kombi ka humbur shqisat e të parit, të vëzhguarit, të nuhaturit, të mësuarit, të menduarit, të parashikuarit, qëllimin apo busullën kombëtare, pasi nuk po di të gjendet mirë në mjegullinën aktuale ballkanike- evropiane.
Dhe assesi shumica e shqiptarëve, as në këtë 100 vjetor të pavarësisë së një pjese të Shqipërisë, nuk po tregojnë as teorikisht as praktikisht se janë KOMB NË VETE DHE PËR VETE, por më shumë po tregojnë se janë të verbuar keq nga interesat personale e grupore, se në zemrën dhe kokën e tyre, egoizmi nuk i ka lënë vend shqiptarisë dhe atdhetarizmit. Kombi, sikur po shkon publikisht, më shumë, rrugës së turpit në rritje e sipër.
Shqiptarët pra nuk iu kanë kthyer ende vetes, ende nuk po e njohin veten as si shtet as si subjekt i ndodhive të veta përparimtare (historisë si ecje përpara, si zhvillim) dhe si subjekt i kuptimit dhe realizimit të interesit të tyre të përgjithshëm. Pra, nuk e kemi kuptuar ende mirë paarsyeshmërinë (absurditetin, anomalinë) e goxha shumë fenomeneve (vakive) kudërkombëtare që po na ndodhin sot (edhe me fajin tonë). Nuk e kemi kuptuar dhe parashikuar as arsyeshmërinë e asaj që duhet të ndodhë, së shpejti. Po ta kuptonim kthjelltë situatën e sotme kur pasiviteti ynë dhe indiferenca jonë (e shumicës sonë) ndaj kombit dhe interesat e një pjese të faktorit ndërkombëtar po ia ndihmojnë shumë Serbisë dhe disa shteteve fqinje, që ta rrezikojnë fizikun (ontologjinë), integritetin dhe personalitetin e kombit tonë.
Sot, kur publikisht, po shohim se një ushtri e rregullt e një Republike fqinje (Serbisë) po përgatitet nga krerët e këtij shteti (me mendësi millosheviqiane) për ta rrëzuar një vlerë shpirtërore të tri kohëve shqiptare, përmendoren e UÇPMB-së si dhe në kohën kur doli Rezoluta e Republikës së Serbisë, që zyrtarisht edhe njëherë shkel rendim kushtetues, kërcënon integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme për Kombin, të ndodhni këto ngjarje të domosdossshme dhe të arsyeshme:
a. të mos lejohet nga dy Republikat shqiptare që instrumenti i imponuar i dialogut me Republikën e Serbisë të kthehet në instrument prapakthyes, kundër interesave shtetërore e kombëtare të Republikës së Kosovës,
b. të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, në mënyrë që të pasurohet me
këto elemente të reja të domosdoshme siç janë: normëzimi aty i rolit dhe
rëndësisë së UÇK-së për Republikën e Kosovës dhe Kombit shqiptar, e
drejta e integrimeve shqiptare, para çdo integrimi tjetër me jo
shqiptarët, përcaktimi i pasurisë kombëtare të Republikës së Kosovës
dhe mbrojta e saj kushtetuese nga çdo tjetërsues, qoftë ai person fizik a
juridik, vendor apo i huaj,
c. inicimi i Referendumit gjithëpopullor për bashkim të Republikës demokratike të Kosovës me Republikën demokratike të Shqipërisë, në një shtet unik.
Po të jemi ne, faktori shqiptar, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e këtyre hapave kombëtar, që theksova më lartë, si dhe të jemi të paluhatshëm në realizimin e këtyre hapave, nuk do të mund të na pengojë askush sepse ne, herët a vonë, do të jemi të detyruar të ballafaqohemi, në të gjitha format e luftrave me çdokënd që është kundër këtyre të drejtave natyrore, të pashmangshme të çdo kombi.
Këta hapa dhe këto ngjarje të mëdha që do të ndodhin, patjetër, do të hiqnin iluzionin e ca shteteve fqinje ballkanike, se mund të na gllabërojnë ende ndonjë pjesë të fizikut tonë kombëtar dhe të qenies sonë shpirtërore shqiptare. Pa ndodhur këto gjëra thelbësore shqiptare, nuk do të ketë kurrë normalizim të vërtetë të marrëdhënieve me shtetet fqinje, integrim të vërtetë evro-amerikan, sepse siç ka shkruar, gjenerali i madh i kombit tonë, Kurdusi Lame (më 11 janar 2013 në Epokën e re) duke ikur nuk bëhemi kurrë miq me Serbinë.
Po përfundojmë këtu, duke shkruar se, nuk mund të ikim më nga trualli ynë, nuk mund të ikim më nga vlerat tona shqiptare. Nuk kemi nevojë të ikim nga vetvetja? Pse të ikim nga thelb i qenies sonë shqiptare, njerëzore? Askush nuk ka të drejtë të na sulmojë, rrënoj a të tentoj që të na shkatërroj qenien tonë. Ne ndaj askujt nuk kemi bërë dhe nuk bëjmë këso veprimesh jonjerëzore, por e lëmë në të drejtën e tij. Prandaj siç, ka shkruar Kudusi Lame “Kush nuk e do dhunën shqiptare le t’i lërë shqiptarët në të drejtën e tyre.“ (Epoka e re, datë 11 janar 2013,f.11)
Bota e di se shoqëria civile shqiptare ka disa gjene të veçanta konstante që janë krijuar nga historia e veçantë e kombit tonë. Një prej këtyre gjeneve është edhe kjo; kur politika zyrtare, elitat politike, nuk mund ta mbartin ndonjë proces, më të rëndë kombëtar, që kërkon hyrje në rrezik, atëherë del ndonjë krijesë vërtetë shoqërore vullnetare, ndonjë organizim i ri, që nuk mund të pengohet e ndalet nga asnjë sundues eventual i vendit dhe i hap (i qel) udhë procesit të domosdoshëm të shpëtimit të kombit. Prandaj, mund të bëjë edhe kjo vaki: derisa unë jam duke i shkruar këta rreshta, ose derisa Ju lexues i nderuar, jeni duke lexuar këtë sprovë të shkurtër, tashmë, mund të jenë nisur për udhë, mbrojtës vullnetarë, nga vise të ndryshme të trojeve tona etnike, të cilët edhe në Medvegjë, Bujanovc e Preshevë gjejnë vëllezër të tyre, të përgatitur, për ta shpëtuar nga rrënimi përmendoren e ushtarëve kombëtarë të UÇPMB-së, sepse dita e ultimatumit për rrëzimin e përmendores, të urdhëruar nga Republika e Serbisë, 17 janari 2013, po ofrohet. Patjetër që çdo sulmues do të sulmohet, dhe çdo rrënues do të rrënohet nga aty ku nuk i ka rrënjët shekullore. Po ta dinte këtë ligjshmëri, çdo sulmues dhe rrënues do të ikte nga kjo paturpësi dhe me këtë ikje do të tregonte një burrëri.