MUHARREM ABAZAJ: KUPTIMI I EMËRTIMIT ILIRIA

Tiranë, 06. 10. 2016: Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe në të dhënat arkeologjike si dhe në ato gjuhësore, rezulton se trualli historik i ilirëve përfshinte tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja e lumenjve Moravë e Vardar në lindje, e deri në brigjet e Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga lumi Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë në jug. Brenda këtij territori të gjerë banonin një numër i madh fisesh ndër të cilët: albanët, ardianët, antitanët, dalmatët, dardanët, desaretët, desidiatët, dokleatët, dorsejt, enkelejt, eordejt, epirotët, japigët, japodët, kaonët, labeatët, istrët, liburnët, mesapët, molosët, paionët, partinët, pirustët, penestët, taulantët, thespprotët.
Tek seicili nga këta fise do të jetë vërejtur ndonjë tipar i veçantë që është bërë shprehës i emërtimit të tyre. Kështu fisi i adianëve ka patur si tipar dallues aftësi, dituri të rralla për arat, për bujqësinë, mesapët e kanë marrë këtë emër nga vendodhja e tyre pranë “mesit të hapur” Kanali i Otrantos, enkelejt e kanë marrë emrin nga cilësit e tyre të rralla morale, si ëngjëllorë, ( të ardhur nga qielli. (en = ven, kel> qel > qiell) etj.
Po cili ka qenë ai tipar apo ajo veçori e përbashkët që i ka përfshirë të gjithë këta fise në një emërtim të vetëm në emrin ilir?
Cili të jetë kuptimi i këtij emërtimi?
Edhe autorët e antikitetit nuk e sqarojnë përmbajtjen e tij. Edhe ata mbështeten në gojëdhana. Ja si shkruan Arriani. “Këtë emër e mori ky vend, siç thonë, nga Iliri, i biri i Polifemit. Polifemi ka patur tre djem: Keli, Ilir dhe Gat (Veprat Historia e Romës. Illyrike..3 Autorët e antikitetit. f.250.

Janë dhënë mendime të ndyshme Ne do të përpiqemi të zbulojmë kuptimin e emrit ilir bazuar në ato njohuri që kemi për gjuhën pellazgo – iliro – shqipe. Veçoria kryesore e kësaj gjuhe ka qenë se fjalët e saj kanë qenë të gjitha njërrokëshe. Ato kanë patur trajta të ngurta, pasi asaj i kanë munguar mjetet gramatikore: parashtesat, prapashtesat, mbaresat nyjet. Kjo mangësi mjetesh gjuhësore është bërë shkak për formimin e emërtimeve me anën e përngjitjes së fjalëve njërrokëshe.
Emri Iliria
Në zanafillë ka patur trajtë Ilir, pasi (ia) duke qenë prapashtesë, nuk ka qenë pjesë e tij. Ajo i është shtuar më vonë këtij emërtimi, atëhere kur pellazgjishtja bëhet gjuhë flektive, kur lind emërtimi gjuhë shqipe. Emërtimi Ilir mund të jetë formuar në dy mënyra: nga përngjitja e fjalëve njërrokëshe I – lir ose nga përngjitja e fjalëve il – ir.
Do t’i analizojmë veçmas.
1. Formimi nga përngjitja e dy fjalëve njërrokëshe: i – lir. Fjala e parë i është identike me nyjen e përparme i të shqipes. Fjala e dytë lir përqaset me mbiemrin i lirë të shqipes. Kuptimi i emërtimit del “I lirë”.
Pse të jenë emërtuar si të tillë, të lirë?
Ku janë vënë re tipare të tilla?
Nga shumë autorë të antikitetit është vënë në dukje se fiset ilire kanë qenë fise barbare, të cilët nuk e kanë pranuar kurrë vartësinë nga të tjerë. Varësinë ata nuk e kanë pranuar as brenda fisit. Këtë pavarësi kanë arritur ta ruajnë duke ruajtur pronësinë mbi tokën. Ky fakt na bëhet i njohur nga autorë të lashtësisë. Plini: “…keraunët, të ndarë në njëzet e katër dekurie, daversët në shtatëmbëdhjetë, desidatët në njëqind e tre, dokleatët në tridhjet e tre, deretinët në katërmbëdhjetë, deraemistët në tridhjetë, dindarët në tridhjetë e tre, naresët në në njëqind e dy (në vazhdim numërohen mjaft fise të tjerë )”. Historia e Natyrës.lib.III.23(26) Ilirët dhe Iliria Autorët Antikë f.194.
Jo vetëm kaq por edhe brenda këtyre dekurive ka patur ndarje të tjera. Straboni: ”Është një gjë e veçantë e dalmatëve që ta ndajnë tokën çdo tetë vjet.” Gjeografia.Lib.VII,5,( Ilirët dhe Iliria. Autorët Antikë.f. 155).
Kjo ndarje periodike e tokës duhet të jetë bërë me qëllim për ruajtjen e proporcionalitetit të pronësisë mbi tokën sipas numrit të personave të shtuar. Duke ruajtur këtë pronësi të barabartë mbi tokën, praktikisht ata kanë realizuar sigurimin e pavaruar të ushqimit të tyre, kanë siguruar jetesën, kanë siguruar pavarësinë, lirinë.
Mundet që kjo veçori, pavarësia, dëshira për të qenë i pavarur, i lirë, mund të jetë marrë si tipari diferencues për popullsinë e këtyre territoreve. Kuptimi i të qënit ”i lirë“ duket i pranueshëm për këtë emërtim, por vëmë re disa kundërshtime. Po qe se kjo ndarje periodike do ishte një tipar i përbashkët për të gjitha fiset që përfshin territori i Ilirisë, do ta gjenim të dokumentuar edhe për fiset jugore. Edhe nga ana gjuhësore. nuk përligjet plotësisht formimi i këtij emërtimi nga përngjitja e fjalëve I – lir, pasi pellazgjishtja mbiemrat e nyjshëm i ka shprehur njësoj si të panyjshmit. sh. bar = i bardhë, zi = i zi, kuq = i kuq, për rrjedhojë edhe mbiemri i lirë do të ishte shprehur vetëm me fjalën njërrokëshe lir.
2. Nëse emërtimi do të jetë formuar nga përngjitja e fjalëve: il – ir, do të kishim: -il përaset me emrin yll të shqipes; -ir përqaset me emrin hir të shqipes. Kuptimi del: “Yll me hir/ Yll i bekuar“.
Si ta kuptojmë këtë emërtim?
Ky emërtim, me sa shihet, lidhet me një yll, i cili duhet të ketë qënë me një vlerë të jashtëzakonshme për ta, përderisa është mbiquajtur prej tyre yll me hir, i bekuar, i shenjtë. Të gjitha fiset ilire pothuajse kanë qenë shtrirë për gjatë bregdetit lindor të Adriatikut dhe Jonit, gjë do të thotë se jeta e tyre ka qenë e lidhur fort me detin. Ilirët e lashtë, ashtu si i përshkruajnë edhe autorët e lashtësisë, kanë qenë detarë të zotë. Polibi Historia lib.II.2.” Agroni, mbreti i ilirëve, i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin patur mbetërit e mëparshëm të ilirisë”. (Ilirët antikiteti dhe Iliria te Autorët e Antikitetit.f.44).
Ata mund të kenë udhëtuar nëpër shumë dete, por Adriatiku dhe Joni do të jenë rrahur prej tyre pandërprerje. Këto lundrime me ato mjete primitive, me shpejtësi të vogël, të shtyra vetëm me forcën e krahëve dhe të erës, do të kenë zgjatur për ditë dhe netë të tëra. Udhëtimet gjatë netëve, në mungesë të plotë të instrumentave orientuese do të kenë qenë torturuese. Por për fat të tyre ishte një objekt qiellor, një yll shumë i shndëritshëm që ishte shpëtimtari i tyre në çdo moment. Ky ishte Ylli Polar i cili ndodhet saktësisht mbi një vijë imagjinare që lidh Polin e Veriut me atë të Jugut dhe me shkëlqimin e rrallë të tij bëhej orientuesi më i sigurtë për ta.
Këtë shërbim jetësor të këtij ylli ata e kanë parë si një dhuratë të Hyjit, si një yll të bekuar, yll me hir. Do të ketë qenë vështirë që kjo fjalë “yll hir” të mos jetë artikuluar herë pas here nga çdo banor i kësaj anëdetje. Dhe si një fjalë e përdorur masivisht prej tyre, ajo do të jetë bërë si një element dallues për banorët e këtij territori.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura