Prishtinë, 15. 02. 2017: Pra pajtimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia të pranojë gjykimin dhe dënimin e të dyshuarve për krimet dhe masakrat që kanë kryer në Kosovë dhe kur kjo Serbi, pranon të ofrojë asistencë në identifikimin e kriminelëve të dyshuar, punë kjo që vështirë mund të bëhet nga Beogradi edhe për një kohë të gjatë.
***
Krimet e luftës, dhunimet, keqtrajtimet, vrasjet, të zhdukurit, grabitjet dhe dëmtimi i pasurisë dhe pronave si dhe shumë krime të tjera, është dashur të jenë prioritet i të gjitha prokurorive kosovare, pas luftës. Fatkeqësisht politika e UNMIK-ut dhe servilizmi i njerëzve tanë kompetentë në fushën e drejtësisë, në të gjitha periudhat qeveritare pas luftës, ndikuan që krimet të anashkalohen qëllimisht. Të paktën deri tani.
Nëse asgjë s`do të kishin bërë prokuroritë komunale, atëherë për të lëshuar fletë arreste kanë mundur të veprojnë pa u penguar nga askush, kanë mundur të identifikojnë të gjithë kryesit, të dyshuarit, vrasësit e mundshëm. Ky është obligimi i tyre profesional, moral e kombëtar.
Askush nuk është kundër pajtimit ndëretnik, madje shqiptarët e Kosovës këtë e kanë dëshmuar e vërtetuar edhe në praktikë. Ua kanë zgjatur dorën edhe xhelatëve, vetëm që të ecet tutje, por pala e kundërt asnjëherë nuk tregoi gatishmëri e as nuk kërkoi falje për gjithë ato krime, për gjenocidin dhe dhunën që bëri në Kosovë, gjatë luftës.
Andaj, armiqësitë tejkalohen vetëm nëse thuhet e vërteta, vetëm nëse bëhen publike emrat e kriminelëve të dyshuar serbë. Është e dhimbshme dhe e papranueshme që pas kaq vitesh, Serbia po na sfidon në këtë drejtim, duke tentuar që t`i paraqes shqiptarët para botës si njerëz që kanë vrarë e dhunuar serbë, kurse injoron mijëra shqiptarë të vrarë, të zhdukur, femra të dhunuara e krime të tjera.
Kosova ka shumë argumente, prova e dëshmi për të bindur botën për të vërtetën që ka ndodhur këtu, por vetëm duhet guxim profesional nga prokurorët. Prokurorët janë fajtorët mbase kryesorë që kanë lejuar në heshtje të shuhen shpresat e familjarëve të vrarë e të zhdukur. Prokurorët e guximshëm dhe profesionistë ende kanë kohë ta dëshmojnë veten, ende kanë mundësi që t`i dalin zot kësaj pune. Ata vetëm duhet ta largojnë pluhurin prej mijëra dosjeve, qindra librave publicistik, mijëra lëndëve e faqeve që ekzistojnë të paprekura nga prokuroritë. Vetëm kur t`i shfletojnë këto dosje në sirtarët e tyre dhe t`i aktivizojnë këto lëndë, mund të themi se kemi kryer borxhin ndaj të viktimave.
Ndryshe, ky komision është themeluar ekskluzivisht për interesa të “viktimave” serbe dhe jo për të zbardhur vrasjet apo për të gjetur të zhdukurit shqiptarë.
Ky komision, që më shumë është ceremonial, nuk mund të jetë funksional pa u aktivizuar dosjet e luftës në Kosovë, pa u aktivizuar qindra fletë arreste kundër serbëve të dyshuar që kanë marrë pjesë në krimet e Kosovës.
Historia do ta dëshmojë se kemi “fjetur” para krimeve të shumëfishta dhe nuk kemi qenë në gjendje ta argumentojmë tërë atë gjenocid që ushtria, policia e shteti serb kreu në Kosovë.
Fatmirësisht ende ka dëshmitarë të gjallë të masakrave kryesore në Kosovë dhe ata duhet të shfrytëzohen sa nuk kanë ikur nga kjo jetë. Maksimalisht duhet të shfrytëzohen të gjitha materialet, fotografitë, incizimet, provat, faktet, deklaratat e dëshmitarëve të gjallë, librat e botuar, dëshmitë e komisioneve, dokumentacioni ekskluziv që posedon KMDLNJ etj.
Pra pajtimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia të pranojë gjykimin dhe dënimin e të dyshuarve për krimet dhe masakrat që kanë kryer në Kosovë dhe kur kjo Serbi, pranon të ofrojë asistencë në identifikimin e kriminelëve të dyshuar, punë kjo që vështirë mund të bëhet nga Beogradi edhe për një kohë të gjatë.