MUZEU KOMBËTAR “ONUFRI” NË KALANË E BERATIT

MUZEU KOMBËTAR “ONUFRI” NË KALANË E BERATIT

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 28 korrik 2021

Muzeu Kombëtar në Berat mban emrin “Onufri”. Onufri ishte njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek.XVI, i cili ka lënë një fond mjaft të pasur në krijimtarinë ikonografike. Muzeu është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”, e cila gjendet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e qytetit të Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Ajo ngrihet në pjesën më të lartë të lagjes, e cila dikur përbënte një kompleks me godinat e mitropolisë.

Sipas kronikanit osman Evlija Çelebi i cili bën një përshkrim kalasë së Beratit përmend 8 kisha dhe njëra prej tyre (Kisha “Fjetja e Shën Mërisë”), thotë ai – është e stolisur shumë, e madhe, dhe e mbajtur mirë. (1) Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, dhe ka qënë katedralia e qytetit. Katedralia është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. (2) Katedralia (Muze) është bazilikë trinefëshe me thollo, me madhësi 23×77.20m. (3)

Në katedrale hyhet nëpërmjet një shkalle nga një portë në anën veriore dhe në anën jugore nga portiku. Një portë, që e lidh me rrugën, ka dhe muri rrethues i kësaj ane. Muzeu ka tri salla kryesore, në të cilat janë të ekspozuara veprat më të mira të autorëve të shumtë shqiptarë. Kompleksi muzeal përbëhet nga salla qendrore e kishës, mjedisi i altarit, si edhe nga një sërë mjedisesh ndihmëse njëkatëshe, në anën veriore, dhe dykatëshe, në anën perëndimore.

Në anën jugore të këtij mjedisi, ndodhet një portik i hapur me sistem harqesh e kolonash tërësisht të gurta. Në brendësi të kishës, në pjesën ballore ndodhet një ikonostas i gdhendur në dru me reliev të thellë dhe që daton në vitin 1806. Nga ana jugore bazilika rrethohet nga mure të larta ku ndodhet edhe hyrja kryesore. Në këtë anë të kishës është ndërtuar një hajat i hapur, mbuluar me çati druri të mbështetur mbi murin dhe një harkadë të bukur me harqe dhe shtylla guri. Ky ndërtim shquhet për ngritje në lartësi dhe përbën një variant të rëndësishëm të arkitekturës së kultit në fazën e kalimit nga shekulli XVIII në atë të shekullit të XIX. (4)

Fondi i muzeut “Onufri” është i pasur me objekte të shërbesës dhe vlera të papërsëritshme ikonografike mesjetare, të cilat janë dëshmi të vlerave kulturore dhe trashëgimisë artistike të një qyteti kaq të pasur në kulturë siç është qyteti – muze i Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV-XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonim. Ikonabartësin (në dru) të katedrales së Beratit e ka gdhëndur mjeshtri Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX-të. (5)

Ikonostasi i Katedrales “Fjetja e Shën Mëris”, i vitit 1807 bën pjesë në një nga realizimet më të mira të mjeshtrave shqiptarë të drugdhëndjes të shek. XIX. Ikonostasi është i vendosur në gjithë hapësirën tri nefëshe të interierit të katedrales, ai ka dy radhë ikonash, (12 ikonat e mëdha Mbretërore dhe 27 ikonat e vogla të Festave). Ka tri porta dhe është i gdhëndur në dru are dhe i larë në Ar, i praruar dhe i kompozuar si fasadë arkitektonike. Udhëheqësit e grupit që realizuan gdhëndjen e ikonostasit dokumentohen të jenë dy mjeshtrat, Usta Andoni dhe Stefani, ndërsa ikonografët grabovarë të (dinastisë) familjes Çetiri ose (Katro) nën drejtimin e mjeshtrit ikonograf Johan Çetiri, realizuan 27 ikonat e vogla të (Festave) dhe 7 ikonat e mëdha, (Mbretërore). (6)

Ajo që e bën këtë muze sa interesant aq edhe të vizitueshëm, është ekspozimi në ballë të hyrjes i ikonës së Shën Mërisë, një nga më të bukurat e fondit, vepër e mjeshtrit të madh Onufrit. Kisha ka dhe një Rozetë qendrore (si orë diellore) në dyshemenë prej guri të dekoruar në interierin e saj. Mendojmë se kjo Rozetë i përket një periudhe më të hershme, dhe jo i periudhës kur është rindërtuar kisha – në viti 1797. Ky element është trajtuar me shumë interes nga mjeshtrat e asaj kohe të cilët kanë dhënë zgjidhje me format dhe motivet simbolike të shumëllojshme, me variacionet e materialeve koloristikën e tyre për harmonizimin me volumin e përgjithshëm të interierit të objektit. (7)

Në muze, përveç ikonave të shumta, ndodhen dhe një numër i konsiderueshëm i objekteve kishtare, disa tekstile dhe objekte metalike, të cilat dëshmojnë për një traditë të zhvilluar artizanale të një niveli të lartë në rrethin e Beratit.

________

Literatura:

1. Një studim mbi Evlija Çelebiun mbi qytetin dhe kështjellën e Beratit, Tiranë, 1971, f.29

2. A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati, historia dhe arkitektura, Tiranë, 1988, f.61

3. Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, f.113

4. Nga biseda e autorit me Anila Robonikun, cicerone në Muzeun Kombëtar “Onufri”, 14 gusht 2012.

5. Muzeumetberat,net, Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”

6. Nga biseda e autorit me Anila Robonikun, cicerone në Muzeun Kombëtar “Onufri”, 14 gusht 2012./ Muzeumetberat,net, Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”

7. Dritan Çoku: Një Kalendar Julian në dyshemenë e një kishe në kalanë e Beratit.

__________

Muzeu “Onufri” në Berat

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura