N.G.L HAMMOND – PELLAZGËT DHE ILIRËT

N.G.L HAMMOND – PELLAZGËT DHE ILIRËT

Nga Besnik Imeri, Pashtriku 26 Maj 2022

        Meriton përgëzime Moikom Zeqo për ekspozenë “Mitet Ilire dhe figura të lashta” publikuar në gazetën “DITA” datë 24 prill 2019, pasi ai shpesh herë, duke ju referuar figurave të ndryshme në arealin europian dhe më gjërë, hedh dritë mbi fakte dhe të dhëna interesante historike, gjuhësore, artistike dhe kulturore.

        Do të dëshiroja që ky shkrim të ishte një bisedë me refleksione mbi ato që thuhen në këtë ekspoze, ku unë të shpreh disa mendime në këndvështrimin personal, por edhe duke u përpjekur për të kuptuar dhe parë më qartë ato që thuhen aty. Për këtë, unë nxitem më shumë nga fakti, se z.Moikom Zeqo nuk jep ndonjë të dhënë sqaruese, që lexuesi të jetë në brendi të atyre që paraqiten aty.

        Aty, midis të tjerash thuhet: “…Një traditë më e hershme e quan Gjirin Jonian si Rheas Kolpos dhe Kronios Pontos. Meqë Rhea dhe Kronos kanë qënë prindër të Zeusit, perëndisë së veçantë të Grekëve, tradita na shtyn të mendojmë  se grekët kanë banuar në bregun e Gjirit Jonian përpara se Zeusi të lidhej me Dodonën në malin Olimp…”.

        Më duket se në këtë frazë të mjegullt me disa të panjohura, si argument për të na bindur që… grekët kanë banuar në në bregun e Gjirit Jonian…, pra në Epir, përdoret një e dhënë po aq e panjohur, ose e pafaktuar se…Zeusi, paska qënë një perëndi e veçantë e Grekëve… Gjë që nuk është e saktë. Së pari, pasi Zeusi, siç  na thonë të lashtët, para se të ishte një perëndi e grekëve, ka qënë një perëndi pellazge dhe si e tillë ka qënë perëndi e shumë popujve që luzmonin në brigjet e Mesdheut dhe më gjërë. Sa për ilustrim, p.sh. Zeusi Libian. Së dyti, nuk e di se si fjala ‘grekët’ është në origjinal, ‘grekët’, apo ‘helenët’, pasi në perëndim, ashtu si edhe tek ne, shpesh herë me fjalën ‘grekët’ nënkuptohen ‘helenët’. Mund të thuhet se çfarë rëndësie ka kjo. Ka, sepse koncepti ‘grekët’, në kuptim e vërtetë historic të fjalës, nënkupton popullsinë pellazge që ka banuar në prehistori pranë Dodonës. Prandaj edhe Hesiodi shprehet: Grekët, nëna e helenëve. Pra kemi dy gjëra të ndryshme. Më hollësisht këto dy koncepte, veç e veç, trajtohen tek libri “Epiri nga lashtësia deri më sot”. Në rast se Hammond me ‘grekët’ nënkupton grekët prehistorikë, të cilët perëndimi i quante edhe ‘graeci’, dhe, për dijeni të lexuesit, ata kanë folur në pellazgjisht, pra si mund të themi, në shqipen e moçme; pasi jo për gjë, por helenishtja, që në kuptimin e përgjithshëm njihet si greqishtja, nuk kishte lindur akoma. Në këtë kuptim, dhe vetëm në këtë kuptim, unë do të isha dakort me Hammondin, që grekët kanë banuar në bregun e Gjirit Jonian.

        Pra, Hammond sqaron një të panjohur me anë të një panjohure tjetër. Sofizma të tilla, të përshtatshme për helenët, mendoj se nuk i shkojnë për shtat një studjuesi të këtij niveli, si Hammond. Dihet që Hammond si studjues ka vuajtur nga një kufizim, i cili në mjaft raste, e zbehte mjaft shkëlqimin e studimeve të tija. Ai vuante nga filohelenizmi, një dashuri, e cila si çdo dashuri, dashnorit i errëson shikimin dhe i dobëson gjykimin (madje për shumë autorë dashuria është një gjëndje e sëmurë e organizmit të shëndoshë), gjë që nuk e lejonte të shihte qarte Helladën dhe procesin historic të saj, duke e hyjnyzuar atë. Kjo dashuri bënte që popujt e tjerë të shikoheshin me një indeferentizëm gati përçmues, në një shkallë më të ulët zhvillimi se ajo e helenëve, madje duke ju ngrënë atyre edhe ato merita që ata i zotëronin objektivisht.

 Sa për dijeni të lexuesit, nëqoftëse do të përdornim shprehjen kushtëzuese përcaktuese të Hammond, Gjiri Jonian është banuar nga grekët, vetëm pasi ai u aneksua prej tyre në fillimshekullin e XX. Madje, sot e kësaj dite, nga Parga deri në Igumenicë, territore të Çamërisë në Gjirin Jonian, banohen nga shqiptarë dhe atje flitet ende shqip. Për këtë mjafton t’u referohemi emisioneve televizive të gazetarit Marin Mema. Lexuesi mund të gjejë të dhëna interesante në vërtetim të këtij pohimi në librin “Epiri nga lashtësia deri më sot”. 

        Tani, në sqarim të lexuesit, lidhur me vendqëndrimin e Kronit, babait të Zeusit, mjaft autorë, por edhe Pilika i ynë, tregojnë trojet e Epirit pellazg, Dodonën dhe rrethinat deri në bregdet. Madje thuhet se stanet e Kronit kanë qënë në Palavli, në Delvinën e sotme. Aty ku ndodhet edhe një nga fortifikimet pellazgjike nga më të stërlashtat, Foinikja. Dhe, po t’i referohemi toponimisë, aty ndodhet edhe një katund me emrin Krongji, pra vendi i Kronit. Madje, madje, edhe ‘Rheas Kolpos’, shtatzanë me Zeusin, lindjen e ka realizuar aty, në stanet e burrit dhe jo në pallatin mbretëror në Dodonë.

        Kështu sipas legjendave Rea nuk e lindi të birin në Dodonë,  nga frika se mos e hante Kroni, pasi fatthënat kishin parashikuar që i biri do t’i merrte pushtetin, por në stanet e Palavlisë (fshat në Sarandën e sotme) në Foiniken e lashtë: “…Zeusi…u lind jo në Dodonë, në pallatet e t’et, Kronit, por në Palavli, ku qe një stan i Kronit. Prej andej u aratis nëpërmjet Onhezmit dhe u dërgua në Kretë, ku u rrit dhe mbretëroi në Epir dhe Thesali, e në gjithë Greqinë…”[1]

        Lidhur me këtë legjendë At Shtjefën Gjeçovi tek “Hylli i Dritës” shkruan:

“…e ndër hyjni të panjehuna, po i përmendi nja disa të cilave s’ua shkulë rraja nëne prej tokës shqyptare…Për nder të Kronit shqyptarët (Kaonët) ngrehen nji kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cili gjëndet në fushë t’Finikut ku u gjet edhe qytet i Kronit. Sot n’at vend asht fshati Krongji, në rrethinë të Delvinës. Përmbi fshat Krongji gjënden gërmadhat e montueme të kohës së pellazgëve.

        Zoti (Zeusi) pra, mbas gojdhanave epirote, nuk u lind në Dodonë në Pallat të Kronit, por në Palavli të Delvinës, ku ishin të banat (stanet) e Kronit, e prej këtu u dërgue në Butrint me lundër e në Kretë…shumë fshatna të Kretës kanë emnat e Toskënisë: Selinon, Selija e Delvinës; Svaqja, Sfaka e Gjirokastrës etj…le ta marr vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër i patën prej etënve t’onë Pellazgjve…”[2]

        Më poshtë Hammond na jep një përkufizim interesant: “…ndoshta etnogjeneza është më pak një dukuri raciale se sa një dukuri gjuhësore. Kështu britanikët janë një racë mjaft e përzier, e përbërë nga keltë, anglë, saksë, piktë e kështu më tej, por ata kanë një gjë të përbashkët – ata flasin anglisht…”. Kqyrim një herë këtë pjesë të parë të këtij pohimi për të vazhduar pastaj më tej me helenët. Dua të them, me keqardhje, se Hammond në këtë pohim nuk përdor rifiniturën, zmerilin, por gdhend trashë me zdrukth. Për dijeni të lexuesit, keltët, anglët dhe saksët nuk janë raca të ndryshme. Ata historia i njeh si popuj të ndryshëm, dhe mbase, siç thuhej në ato kohë, si fise të ndryshme. Pra shëmbulli është marrë gabim. Sh.B.A po. Ajo është e përzier nga raca të ndryshme: të bardhë, negër, dhe të verdhë; dhe të gjithë këta flasin një gjuhë, anglisht. Por asnjëherë nuk mund të pohojmë se kemi të bëjmë me një komb, një etni; ose siç shprehet Hammond, një etnogjenezë. Sepse, ju të dashur lexues, po të bëja një pohim të tillë, me siguri do të buzëqeshnit dhe do të thoshit, se mua më kanë ikur ca miza nga kosherja.

       Por, “halli” i Hammond është tjetërkund. Ai e ka me të dashurit e tij, helenët, të cilëve meqënëse sot u mungon etnogjeneza si ‘dukuri raciale’, pra uniteti etnik, ose homogjenia, siç e quajnë ata vetë;  mundohet t’i justifikojë me ‘dukurinë gjuhësore’,me greqishten e re, e cila për hir të së vërtetës, qysh nga 1830 është imponuar përdhunisht. Ata as në lashtësi dhe as në kohën që Hammondi i ndjerë ishte në këtë jetë, nuk kishin një etnogjenezë të vetme; por kishin një “dukuri gjuhësore” të vetme, helenishten, ose siç njihet rëndom, greqishten, të vjetrën në lashtësi dhe të renë në kohët moderne. Që të jem më i qartë për lexuesit po i drejtohem Elefterios Benizellos, ish kryeministër i Greqisë një shekull më parë, i cili ishte me gjak arbaniti, pra shqiptar. Ashtu siç janë edhe ‘Pangallot’. Elefterios thoshte: Nuk ka rëndësi se çfarë gjaku kam në deje, e rëndësishme se si e ndiej unë veten. Ajo që Hammond e cilëson si “dukuri gjuhësore”, por edhe kulturore. Pra Elefteriosi thoshte se unë jam grek, pavarësisht se në dejet e mi rrjedh gjak shqiptari, pasi unë flas greqisht dhe kam një kulturë greke. Tani më thoni ju dhe caktojeni ju, se çfarë kombësije, apo etnije, i përket ky burrë?!!! Por nuk është vetëm ky. Kjo gjë është pranuar nga vetë helenët e antikitetit, që ata nuk i përkisnin një etnie të caktuar, ose të vetme. Këtë na e thotë Isokrati 2400 vjet më parë.       

        Isokrati, gojtari athinas në vitin 380 p.e.s u drejtohej Athinasve dhe Spartanëve: “…Deri këtu qyteti ynë, Athina, është distancuar nga pjesa tjetër e njerëzimit në mendim dhe ligjërim, sa nxënësit e saj u bënë mësuesit e pjesës tjetër të botës. Athina ka bërë që emri ‘Helenë’ nuk hamendson më një racë, por një inteligjencë dhe se titulli ‘Helenë’ përdoret deri diku për ata që kanë një kulturë me ne, se sa për ata që kanë të njëjtin gjak me ne…”[3]

        Kjo thënie e Isokratit përmbledh gjithë esencën apo thelbin e helenizmit; ‘kultura’ dhe jo ‘gjaku’ të bën Helen. Pra Helen të bën gjuha helene, kultura helene dhe jo etnia, gjaku. Pra titulli ‘Helen” është një konvencion dhe Helenët nuk përfaqësojnë ose nuk formojnë një etni ose komb. Pra këtë ka dashur të na thotë Hammond në përkufizimin e lartëpërmendur. Por ne shqiptarët, siç dihet botërisht, kemi trashëguar brez pas brezi, si gjakun, etninë, ashtu dhe gjuhën. Pra, siç shprehet Hammond, ne shqiptarët kemi një etnogjenezë të përfaqësuara nga e njëjta ‘dukurinë raciale’ bashkëlidhur me ‘dukurinë gjuhësore’. Rrjedhimisht, kemi një etni, atë shqiptare, dhe kemi një gjuhë, gjuhën shqipe, të cilat janë të lidhura në një unitet të pashkëputshëm si “mishi me kockën”.

        Ndërsa, ajo që thotë Hammond se…edhe grekët e lashtësisë nuk kanë qënë më pak të përzier (jo shumë e saktë). Kur ata erdhën në vendin që sot e quajmë Greqi (mendoj se është e pasaktë), ata u shtrinë  mbi një popullsi të përzierë (jo e saktë), e cila ishte tashmë 4000 vjet e vjetër (mjaft saktë)…Po kjo gjë ishte e vërtetë për ilirët në shumë pjesë të tokave ku kanë hyrë (mendoj se është e saktë)…Me sa duket varrimi me tuma ka qënë i përbashkët si për pre-ilirët dhe pre-grekët në Shqipërinë Qëndrore (duhej thënë, në atë që sot quhet Shqipëria Qëndrore)…përgjithësisht, nuk është e qëndrueshme.

        Në rradhë të parë, grekët, ose helenët, nuk janë të ardhur në atë që do të quhej Greqi. Ata ishin autoktonë, kuptohet me përjashtime të vogla të lëvizjeve të popullatave, të cilat kanë ndodhur në çdo kohë, pa përjashtuar edhe ditët e sotme. Ashtu siç na tregojnë të lashtët, Herodoti, Tuqididi, Platoni, Straboni, etj, helenët rrodhën drejtë për së drejti nga pellazgët (për hollësi të mëtejshme shih “Epiri nga lashtësia deri më sot”). Pra, helenët kanë një origjinë pellazgjike.

       Nëqoftëse të ardhurit Danaj, ose Kadmej, do të merren si helene (apo grekë) është shumë gabim. Edhe këta kishin një origjinë pellazgjike dhe ndryshimi, p.sh. nga pellazgët e Atikës, ose të Thesalisë, ishte se ata ishin pellazgë nga Egjipti, ose nga Azia J-P; por të dyja palët të lagura nga Deti Mesdhe. Meqë është rasti unë do t’i referohem një vrejtje të hollë të eruditit Sami Frashëri, e cila si për çudi, nuk është parë, ose është anashkaluar, nga mjaft studiues akademikë shqipfolës. Ja se çfarë thuhet nga Samiu: “…po edhe këta helenë, q’erdhë n’atë vënde, ishinë prej fare me pelazgëtë…”[4] Ajo që Hammond e quan ‘popullsi e përzier” nuk janë gjë tjetër veçse fise të ndryshme pellazgjikë, të cilët banonin në Atikë, Beoti, Thesali, Thesproti etj.

        Përsa i përket ilirëve, Hammond, si edhe mjaft autorë të tjerë, ka mendimin që ata janë ardhës të hershëm në Ballkan (ashtu si edhe Trakasit), mendim të cilin unë nuk e kundërshtoj. Por këtu duhet të ndalemi, nëqoftëse ilirët dhe trakasit janë të ardhur, kush janë vendësit? Mua më lind e drejta të them se janë pellazgët. Pra, ilirët janë mbivendosur mbi pellazgët. Por këtu është e rëndësishme të themi për ilirët dhe trakasit, atë që kemi thënë për danajtë dhe kadmejtë; edhe ata kishin një origjinë pellazgjike në trojet nga ata vinin. Prandaj edhe këto ardhje, në mjaft raste, nuk kanë qënë të dhunshme dhe me luftë. Rasti më klasik është ai që përshkruan Eskili tek “Lutëset”, ku danajt i kërkojnë strehim mbretit të Argosit, Pelazgut. Pra, në të gjitha këto raste kemi ardhacakë me origjinë pellazgjike që mbivendosen në troje dhe popullata pellazgjike. Shprehjet pre-greke, ose pre-ilirë, nuk tregojnë gjë tjetër veçse popuj pellazgjike. Nuk ka pasur para helenë, as para ilirë (term që e përdorin mjaft akademikë shqiptarë). Ka pasur pellazgë dhe vetëm pellazgë.

        Sa për sqarim, unë nuk kam ndrojtje të përdor termin ‘pellazg’, i cili për hir të së vërtetës, është mjaft i anatemuar në Shqipëri. Tek ne studiusit kanë ‘frikë’ të flasin për pellazgët, ashtu si në mesjetë mjaft studjues dhe dijetarë kishin frikë të shkelnin dogmat e kishës. Studjuesit tanë kanë frikë nga ‘ç’kishërimi’, qoftë nga Kisha Perëndimore, qoftë nga ajo Lindore. Sa për dijeni të lexuesit, Krishtërimi ka qënë armiku më i madh i paganizmit, politeizmit dhe për rrjedhojë edhe i pellazgëve hyjnorë dhe të gjithëditur. Prandaj ata janë gati të flasin për parailirë, madje dhe për protoilirë, por për pellazgë, mos e dhëntë zoti. Unë meqënëse, si heretik dhe kundër dogmës, kam vendosur, madje kam bërë edhe kërkesë, për të hyrë në rrethin e gjashtë të Ferrit, atje ku janë edhe bashkëshokët e mi të tjerë heretic, nuk kam frikë nga ‘ç’kishërimi’. Madje nuk kam frikë as nga Teodosi dhe mbetem një ithtar pasionant i Akademisë Platonike të Athinës dhe i atij paganizmi të ndritur.

        Prova për këtë, vazhdojmë atje ku e lamë, që ka pasur pellazgë dhe vetëm pellazgë, është studimi i shkëlqyer i Aleksandër Stipçeviq, ”Ilirët”, ku të gjitha simbolet, gjetjet arkeologjike, shënjat, gjithëshka, jo vetëm tregon origjinën pellazgjike të popullatave që banonin në ato që quheshin troje ilire; por edhe barasvlefshmërinë me ato të pellazgëve të Anatolisë (Hititëve) dhe të Mikenës e Kretës (ku këto të fundit si  qytetërime, mjaft studiues i kanë quajtur parahelenike). Të dhëna të tilla interesante, që janë me këtë barasvlefshmëri, janë gjetur edhe në Dardani (Kosovë). Kjo vërteton faktin se në të gjitha këto territore ka pasur një kulturë të njëjtë pellazgjike, pavarësisht diferencave në kohë, kjo, siç thotë dhe Moikom Zeqo, që ato kanë lëvizur në drejtimin jugë-veri; por për mendimin tim, edhe në drejtimin lindje-perëndim dhe juglindje – veriperëndim, siç thotë edhe Hammond. Qytetërimet, për mendimin tim, kanë lëvizur në hapësirë dhe në kohë në formën e valëve. Konstatimi i Hammond në lidhje me tumat, që Moikomit i duket i jashtëzakonshëm, i parë në këndvështrimin e mësimpërm, është më se i zakonshëm.

         Megjithëse i kam përmendur edhe diku tjetër, mendoj se duhen thënë edhe këtu disa të dhëna brilante të konstatuara nga Stipçeviqi, të cilat vërtetojnë praninë e mbetjeve pellazge tek ilirët:

 “…Dodekapolitia (dymbëdhjetë vëllazëritë) te liburnët është mbeturinë e organizimit të vjetër shoqëror që u ruajt si një relikt mediterane së bashku me një varg elementësh të tjerë nga kohë të stërlashta…Përputhshmëria e dokeve të shumta të varrimit të të vdekurve te ilirët dhe te grekët e hershëm (pellazgët), përputhshmëria e simboliksës funerale (tumat që përmend Hammond)…flet për bazën shpirtërore që ka qënë e përbashkët për të dy grupet etnike…”[5]

        Nga ky paragraf përmbledhës, ndonëse Stipçeviq flet për ilirët, por ne na dalin pa dashur para syve pellazgët, pasi dihet që përdorimi i numrit dymbëdhjetë në organizimin shoqëror ka qënë një fenomen pellazgjik. Kujtojmë dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, dymbëdhjetë qytetet Joniane në Azi të Vogël, dymbëdhjetë trimëritë e Irakliut, dymbëdhjetë qytetet etruske në gadishullin Apenin etj etj. Pra Liburnët me Dodekapoliti-në (dymbëdhjetë vëllazëritë) trashëgojnë një organizim shoqëror pellazg. Prandaj edhe shumë autor Liburnët nuk i fusin tek Ilirët, ashtu si edhe Dardanët.

        Gjithashtu, fakti që autori i mësipërm i quan këto relike mesdhetare…të kohëve të stërlashta…që i kishin edhe grekët e hershëm, në të tria këto përcaktime, duam apo nuk duam përplasemi me pellazgët mesdhetarë, pasi nuk ka të tjerë. Parahelenët, parailirët ose protoilirët, nuk janë gjë tjetër veçse pellazgët.

        Më tej Stipçeviq na flet për simbolikën htonike dhe posaçërisht për kultin e gjarpërit, i cili paraqitet, aq sa një simbol  Ilir, po aq edhe Helen, më tej Epirot, akoma  më tej Dardan, dhe akoma më shumë Fenikas (Kananit), së fundmi edhe Hitit. Pra kulti i gjarpërit është një kult pellazgjik.

        Citojmë Stipçeviqin “…Paraqitja e gjarpërit, si material dëshmues e domethënës i kultit dhe i simbolikës së tij, në këtë pjesë të Europës, paraqitet shumë më herët se koha e formimit të fiseve ilire në këtë trevë …Ato janë të fazës më të lashtë të kohës së neolitit, e cila është dëshmuar më së miri në lokalitetin e njohur të Lepenski Vir në Gjerdap…ku objekti i gjetur në këtë lokalitet mund të  datohet në mbarim të mijëvjeçarit të VI p.e.r (pra, duam apo nuk duam ne, bashkë edhe me akademikët, kjo periudhë, nuk mund të jetë tjetë, veç periudhë pellazgjike)…

…Apollodori thotë se Kadmi, i biri mbretit fenikas Agenor, duke kërkuar motrën e vet, Evropën (këtë motër që kërkojmë sot me ngulm edhe ne shqiptarët, por ajo nuk na do), arriti së pari në Beoti dhe atje themeloi qytetin e Tebës, dhe pastaj, sipas dëshirës së orakullit, u nis tek ilirët. Pasi erdhi te ata bashkë me të shoqen e vet  Harmoninë u lindi i biri Illyrios-i, të cilin menjëherë pas lindjes e mbështolli gjarpëri, duke i trasmetuar kështu fuqinë e tij magjike. Kadmi dhe Harmonia në pleqëri u shndëruan në gjarpër

…Tregimi Hitit mbi luftën e gjarpërit Illujankash…hyn tek mitet më të lashta…por ai i lexuar në pllakat e argjilit të gjetura në Bogkhzkoy (Hatusha e lashtë Hitite) është krijuar në Azinë e Vogël…

…objekti prej argjili të pjekur ku paraqitet gjarpëri i mështjellë kutullaç i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës që i përket neolitit të vonë…Një figurinë shumë të rëndësishme analoge me këtë (të Prishtinës) e gjejmë në Mikenë…figura gjarpërinjsh prej dheu të pjekur të mbështjellë lëmsh…që i takojnë mbarimit të shekullit të XIII p.e.s, shumë më i vonshëm se ai i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës. Nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi që domethënia e kultit është identike, d.m.th, se paraqet mbrojtësin e vatrës familjare…dhe se është personifikimi i shpirtit të të ndjerit, kryetarit të fisit…”[6]

        Dhe së fundmi, lexojmë “…Lidhjet e Ilirisë së Jugut (ajo nga e nxjerrin origjinën e gjithë shqiptarëve “antipellazgjistët”) me botën Egjeo-Kretase kanë qënë tejet intesive për çka dëshmojnë objektet e shumta të gjetura kohët e  fundit në Shqipëri.Krh.M.Korkuti…Studia Albanica, 7, 1970, nr.2,fq,43-52…”[7]. Ja pra, edhe “antipellazgjisti” më fanatik dhe dogmatik, Krh.M.Korkuti, i pranoka lidhjet e Ilirisë së Jugut me kretasit e lashtë dhe mikenasit e lashtë. Por, që ata, kretasit dhe mikenasit e lashtë, janë pellazgë, ai nuk di gjë.

        Stipçeviq arrin në përfundime brilante kur thotë: “…Përputhshmëria e dokeve të shumtatë varrimit të të vdekurve tek ilirët dhe tek grekët e hershëm (që janë pellazgët),përputhshmëria e simbolikës funerale, siç mund të përcaktohet në bazë të dokumentacionit arkeologjik, përndryshe mjaft e pasur në trevën ilire, e tërë kjo flet për bazën shpirtërore që ka qënë e përbashkët për të dy grupet etnike…”[8]. Çfarë është kjo bazë shpirtërore e përbashkët? Ajo nuk është gjë tjetër, veçse: Qytetërimi Pellazg me një bazë unike në të gjitha brigjet e Mesdheut.

        Pra, Stipçeviq kur flet për këto simbolika, i vendos ato… shumë më herët se koha e formimit të fiseve ilire… në mbarim të mijëvjeçarit të VI p.e.r… Cila është kjo kohë? Pre-greke, pre-ilire, na thotë Hammond. Protoilire na thonë akademikët tanë. Po pse mos t’i quajmë me emrin e vërtetë: Pellazgjike?!!! Sepse, atëhere grekët e Hammondit dhe shqiptarët do të kishin një origjinë të njëjtë, atë pellazgjike. Atëhere europianët e sotshëm duhej të pranonin, përveç grekëve, edhe shqiptarët si burim të qytetërimit të tyre. Tjetër, shqiptarëve duhej t’u kthehej haku që u ishte ngrëne më 1878 dhe 1913. Tjetër, gjuha shqipe do të shikohej si një vazhduese e drejtëpërdrejtë e pellazgjishtes dhe do të hynte detyrimisht në gjuhët e kulturës botërore. Tjetër, grekët dhe shqiptarët nuk do të shikoheshin si dy popuj armiq, por si dy popuj vëllezër me një origjinë të përbashkët. E shikoni të dashur lexues, që pas pranimit të origjinës pellazgjike të shqiptarëve, ka “dava Janina”!

        Kthehemi tek tema. Nëqoftëse do të pranojmë që ilirët kanë ardhur në Ballkan në një periudhë të hershme, ma do mendja; së pari, nuk mund të themi që ata e gjetën atë bosh pa njerëz; së dyti, përsëri nuk mund të pohojmë, që ata i zhdukën vendasit, indigjenët pellazgë. Atëhere, rrjedhimisht dhe llogjikisht, ata u shkrinë, u tretën me pellazgët, me të cilët, për hir të së vërtetës duhet thënë edhe kjo, kishin pothuaj të njëjtën kulturë, madje edhe të njëjtën gjuhë, por me dialekte të ndryshme. Këtu na jepet rasti që të bëjmë një konstatim të nevojshëm, ku në ndihmë të të cilit na duhet të bëjmë edhe një pyetje. Kush zotëronte një kulturë, apo një qyterim më të lartë, pellazgët autoktonë, apo ilirët ardhacakë? Dukeqënëse qytetërimi pellazg njihet, ndërsa qytetërimi i ilirëve në zonat nga ata vinin, ndoshta nga zona stepike në veri të Detit të Zi, apo Detit Kaspik, nuk njihej; por, gjithësesi këto zona nuk kanë lindur një qytetërim më të lartë se ai pellazgjik mesdhetar; atëhëhere më lind e drejta të pohoj: Qytetërimi i vendasve pellazgë ishte më i  lartë nga ai i ilirëve të ardhur,ku të ardhurit morrën shumë nga vendasit, gjë që pasqyrohet edhe në ato simbolika që Stipçviqi paraqet në veprën e vet të lartëpërmendur.

        Në këtë rast, me të drejtë të zotit, unë mund të pohoj me plot gojën, se shumë nga ato simbole, shenja, gjurmë dhe mbetje arkeologjike prehistorike të përmendura më lart, kanë qënë të pellazgëve dhe janë trashëguar prej ilirëve ardhacakë. Shëmbull: Xhubleta. Nuk ka pikë dyshimi që është një veshje pellazgjike.

       Këtu po tregojmë edhe një fakt interesant të treguar nga Moikom Zeqo me arkeologun kroat Duje, i cili flet për një monedhë kalimtare, ku në një prej tyre…Faros ka pasur një prerje monedhe të vetën në shekullin e IV me tipin Zeus/dhi. Ajo që Duje e quan një monedhë kalimtare, unë do ta quaja kujtimin e fundit të Zeusit pellazgjik kokëdhi. Dhe së fundmi, për kureshtje të lexuesve kemi heroin legjendar kombëtar Skënderbeun, i cili edhe ai në kujtim të kësaj origjine pellazgjike zeusiane mbante në përkrenare një kokëdhi; madje i vishte vetes (kini kujdes këtu) një origjinë epirote, e cila, dihet, që ishte drejtëpërdrejtë pellazgjike. Ndërkohë, që ajo ilire ishte e mbivendosur mbi atë pellazgjike. Mendoj se kështu duhet shpjeguar dhe kuptuar historia.

        Atëhere këtu na del një problem i ri. Mirë që erdhën këta ilirët. Po ku u vendosën ata fillimisht. Llogjika e thjeshtë të shpie në atë që; nëqoftëse ata kanë ardhur si pushtues, atëhere kanë zënë tokat më të mira dhe pjellore, si edhe bregdetin; nëqoftëse kanë ardhur (si danajtë në Argos me lutje) në mënyrë paqësore, atëhere, janë vendosur në tokat moçalore në bregdet dhe ato djerrë, buzë përrenjve dhe lumenjve. Por fakti, që xhubleta por edhe shenja të tjera pellazgjike janë gjetur në thellësi të territorit dhe në malet e ashpra, si në Alpet Shqiptare, Dardani dhe Bosnje-Herxegovinë; tregon se ilirët në Ballkan nuk kanë ardhur në mënyrë të paqtë. Mbetja e xhubletës (si një dëshmi pellazgjike mijëvjeçare e ekzistencës së pellazgëve në atë që do të quhej Iliri) në zemër të Alpeve Shqiptare, krijon dyshimin, se atje nuk kemi pasur depërtim dhe ndikim të ilirëve (Një provë për këtë janë varret me simbole pagane në trojet shqiptare në Mal të Zi). Ashtu, si nuk patëm më vonë depërtim dhe ndikim të romakëve, bizantinëve, osmanëve, dhe të fundit të gjermanëve në L.II.Botërore, të cilët nuk i shkelën Alpet tona. Ja se si shkallët historike vërtetojnë njera tjetrën.

        Tani mua, përsëri me të drejtë të zotit, më lind një pyetje: Dialekti geg që flitet në atë që quhet Iliria e Jugut, ose në territorin e ‘ilirëve të vërtetë’, është një trashëgimi pellazge, apo është sjellë nga ilirët?!!! Fakti që e folmja në këtë dialect, është nga më të bukurat, nga më shprehëset, nga më të fuqishmet, nga më të goditurat dhe nga më lakoniket, flet për një të folme dhe për një gjuhë të stërlashtë të një populli me një kulturë të jashtëzakonshme, atë pellazgjike.

        Një fakt tjetër që flet për mbetjet pellazgjike pas invadimit ilir, janë perënditë pellazge që përmenden në Iliri si Zeusi, Artemisa, Apolloni dhe ndonjë tjetër si Poseidoni, që  Moikomi e paraqet në  formën …Kali lidhet me kultin e hyut të  detrave… Kujtojmë  këtu legjendën e garës midis Athinasë  dhe Poseidonit në  Pelargikon para banorëve vendas, ku Poseidoni goditi me thundrën e kalit shkëmbin e Pelargikonit, nga ku nxorri ujë  të  kripur. Pra në memorien e popullsisë pellazge të ilirizuar janë ruajtur perënditë e të parëve të tyre. Ndërkohë, nga ajo që thonë shumë autorë, përfshirë edhe Moikomin, ilirët kishin perëndi të emërtuara ndryshe nga ato pellazge. Emërtimi i perëndisë ilire të detit, Redon, ndryshe nga Poseidoni, që përdorej në Epir, flet për këtë. Në vërtetim të kësaj, një fakt tjetër mjaft interesant, është ai mikpritjes, që në të gjithë zonën e malësisë është i gjithëfuqishëm, deri në pritjen në shtëpi të hasmit; tregon gjithëfuqinë e respektimit të zakonit zeusian që shtëpia është e mikut dhe e zotit. Kujtojmë këtu pritjen e danajve nga mbreti Pelazgo i Argosit, i cili kundërshtimit të banorëve të vet për mospranimin e danajve u kundërvë Zeusin, i cili ndëshkonte ashpër jomikpritësit.

     Por nëqoftëse mund të pranojmë një mbivendosje të ilirëve mbi pellazgët autoktonë në ato territore që u quajtën ilire; në Epir nuk ka pasur mbivendosje ilire, apo trakase. Epiri ka vazhduar jetën e tij pellazgjike në mënyrë të pandërprerë. Kjo faktohet edhe nga ajo, që vetëm në Thesproti (Çamërinë e sotme) perënditë e ashtuquajtura greke: Poseidoni, Hadi dhe Persefona kishin vendbanimin e tyre; ndërkohë që Zeusi e kishte në Dodonë, Mollosi, madje edhe në Akrokeraunet Kaone, siç e tregon edhe Moikomi. Ndërsa që ka lindur në Palavli të Delvinës, e përmendëm më lart. Pra, perënditë më të rëndësishme pellazge, limeret e tyre i kishin në Epir. Kjo për mendimin tim mund të ketë sjellë edhe dallimin në toskë dhe në gegë, si dhe në dialektet e ndryshme me origjinë pellazgjike, toskërishtja dhe gegërishtja. Nëqoftëse nuk do të pranohet kjo, atëhere, detyrimisht duhet t’u jepet shpjegim këtyre dallimeve dhe origjinës së tyre, të cilat për hir të së vërtetës, nuk janë të vogla.

Besnik Imeri. Shën Gjergj 2019.

http://www.politologjia.com/2019/n.g.l.hammond-pellazget-dhe-iliret/

Dt. 30 prill 2019


[1] Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE,Tiranë-2005, f,173

[2] Muhamet Bela, Gazeta “Dita”, datë 27 prill 2018.

[3] Martin Bernal, Athina e Zezë, Bot.”55”-2009, Përkth. Angl.D.Thomollari+I.Angoni, f,138

[4] Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, Bot.Naim Frashëri, f,5

[5] Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 308

[6] Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 309, 314-315, 319

[7] Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 338

[8] Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 308

Total
0
Shares
1 comment
  1. Moikom Zeqo eshte si kokra e molles. Eshte ne SHbA e me gjere. Luajti rolin e tij.

    Per me shume ne lidhje me kete ceshtje: mentealternativa1.blogspot.com

    whale.to

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura