Grabitja e Naftës dhe Gazit në Shqipëri!
NAFTA DHE GAZI NË SHQIPËRI
Nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici
Lexova në internet shkrimin me titull: “Programi i Partisë Socialiste Shqipëria 2030.”, botuar më 29 mars 2025, paraqitur nga kryeministri Edi Rama. Në këtë program janë shkruar pikat kryesore, se çfarë do të bëjë qeveria socialiste në çdo fushë, por për naftën, gazin dhe minierat nuk shkruhet asnjë fjalë, as për vendburimet që janë në shfrytëzim dhe as për kërkimet e mëtejshme.
Lexova në Gazeta Telegraf, më 20 prill, artikullin me titull: “Programi i gazifikimit të vendit është super korrupsion dhe tradhëti kombëtare”. Kryeministri Rama ka premtuar për gazifikimin e rrethit të Korçës, dhe më pas të gjithë Shqipërisë. Gazi do të merret nga Azerbajxhani, nëpërmjet gazsjellësit TAP. Çmimi i këtij gazi do të jetë i lartë. Populli do të varfërohet më tej.
Në Fier, që është rreth nafte, ministrja dhe zëvendës kryeministrja Belinda Balluku nuk premton asgjë për naftën, që po grabitet plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë. E megjithatë, njerëzit e mbledhur në miting hodhën valle me ministren Balluku.
Në Kuçovë, vend nafte, kryeministri Rama nuk foli asnjë fjalë për naftën, por foli për bujqësinë dhe turizmin. Kryeministri Rama, dhe qeveria e tij, nuk premtojnë asgjë për naftën, gazin dhe minierat, megjithëse janë në fushatë zgjedhore.
Pse ndodh kjo?
Nuk e di kryeministri Rama, se nafta dhe minierat po grabiten?
Ai e di shumë mire, por hesht.
Ligji famëkeq, numër 7746, datë 28 korrik 1993, është ky: “Për Hidrokarburet (Kërkim-Prodhim)”. Ky ligj ua heq shqiptarve të drejtën e bërjes së kërkimeve dhe shfrytëzimit të naftës dhe gazit, dhe ua jep vetëm të huajve. Ky ligj antishqiptar duhet anuluar sa më parë, por populli nuk e kërkon këtë me këmbëngulje. Populli hesht. Kjo është fatkeqësia jonë kombëtare. Nafta dhe gazi të jenë pasuri strategjike kombëtare (shtetërore). Zhvillimi i naftës dhe gazit, si pasuri shtetërore, do të zgjidhë të gjitha problemet e Shqipërisë. Si shembull për këtë kemi Norvegjinë.
Nuk e di kryeministri Rama, se Shqipëria Lindore dhe Kosova kanë perspektivë të jashtëzakonshme për naftë dhe gaz? Bëhet fjalë për naftë dhe gaz të kalibrit të Azerbajxhanit, Norvegjisë etj. Shqipëri-Kosova mund të furnizojnë edhe Europën me naftë dhe gaz. Për këtë, atje i ka librat e mi, në shqip dhe në anglisht.
Nuk beson kryeministri Rama?
Le të kërkojë mendimin gjeologjik të specialistëve shqiptarë ose të huaj, por ai këtë nuk e bënë. Ai hesht. Në librat e mi është shkruar se ku t’i gjejmë burimet financiare, për zhvillimin e naftës dhe të gazit (kërkim dhe prodhim).
Të gjtha qeveritë, pas vitit 1990, janë qeveri rrugësh!!
A duhen rrugët?
Po, por jo prioritare. Prioritet duhet të ketë zhvillimi i naftës dhe gazit. Nafta dhe gazi do të sjellin shumë para edhe për ndërtimin e rrugve. Pra, nafta duhet e para dhe jo rrugët. Të ndërtosh rrugët para naftës, është sikur të ndërtosh çatinë e shtëpisë para themeleve!!
Kryemonistri Rama, kur ishte kryetar Bashkie në Tiranë, u mor me rregullimin e fasadave (faqeve kryesore të godinave apo pallateve). Kur erdhi në krye të qeverisë, ai po merret me fasadën e Shqipërisë. Rrugët, tunelet, portet, aeroportet, ndërtesat e qyteteve etj., janë zbukurim i jashtëm i Shqipërisë. Ato janë zbukurim i fasadës së Shqipërisë. Shqipëria është bërë, siç thotë populli: “Lulja jasht dhe buba brenda”. Buba është mikrobi, domethënë papunësia, varfëria, korrupsioni, droga, krimet, emigrimi masiv dhe shpopullimi I Shqipërisë etj.
Cila është zgjidhja?
Në situatën e sotme, me një opozitë të përçarë, kryeministri Rama e ka të sigurt fitoren. Prandaj zgjidhja është bllokimi i plotë i votimeve më 11 maj. Të na qërohen nga sytë krerët antishqiptarë të Lëvizjes së Dhjetorit 1990, ku bënë pjesë edhe Edi Rama.