BEHXHET SHALA BAJGORA: NË MUNGESË TË PASTËRTISË, LOJËRA TË NDYRA PËR ATA QË NUK KANË FYTYRA!

Prishtinë, 30 gusht 2017: (Seanca e 24 gushtit, a ishte e dështuar apo e planifikuar) – Ishte një pritje që në seancën konstituive të 24 gushtit do të zhbllokohej , në radhë të parë Kuvendi duke zgjedhur organet drejtuese e pastaj edhe formimi i Qeverisë së Kosovës me kryeministrin që e siguron shumicën e votave. Pritjet ishin të mbështetura në premtime të deputetëve që shfaqën gatishmëri për ta zhbllokuar procesin por doli e kundërta . Në momentin e fundit , duket se kishte ndërhyrje nga lart dhe procesi dështoi për t’u shndërruar në arenë ku “gladiatorët e politikës“ nxorën armatimin verbal për të pushkatuar armiqtë politikë dhe për ta demonstruar një patriotizëm, me një adrenalinë falco , të stërpërsëritur dhe demode , deri në neveri. Të tillët edhe flamurin kombëtarë e kanë shndërruar në një diçka për përdorim të çastit e që ndërlidhet me nevojën e tregimit të forcës apo kur iu duhet për të fituar forcë në ndërkohë që të gjitha të mirat i gëzojnë nga Kosova, qoftë ato materiale ( në radhë të parë) por edhe ato afirmative sikur edhe përfundimin e kursit të gjeografisë (duke e shetitur botën) me paratë e këtij vendi të cilit shumë herë i kanë vurë flakën! Fjalë të rënda nga karrieristë të pangopur për pushtet. Kryesuesi i seancës nuk arriti ta ruajë paanshmërinë politike (së paku për aq kohë sa është kryesues ) dhe i diskriminoi subjektet tjera politike duke ua dhënë fjalën në mënyrë selektive . Natyrisht, së pari i dha fjalën gurusë së tij politik i cili pati një fjalim puro politik , të përgatitur mirë dhe goditës dhe që nuk i takonte shkaku se kjo ishte seancë konstituive, pa debate politike dhe të tjera por ishte lëshim i kryesuesit i cili vazhdimisht thoshte se nuk lejohet debati kurse foltoren e Kuvendit e shndërroi në në duel krejtësisht të panevojshën për natyrën e seancës midis Albin Kurtit dhe Kadri Veselit , i pari anëtar – kryetar i LV kurse i dyti kryetar i PDK–së dhe PAN-it . Fjalët ishin shumë të rënda , si për deputetët ashtu edhe për opinionin . Në situata normale do të ishte më mirë që Kadri Veseli të mos përgjigjej fare , në rrethana aktuale kjo ka qenë gjuha e vetme e komunikimit që është dashur të përdorej . Askush në Kosovë nuk ka pronësi mbi patriotizmin dhe lufta për liri nuk ka filluar , as me Kadri Veselin e as me Albin Kurtin dhe sigurisht se nuk do të përfundojë me këta. Asnjëri nga ta nuk e ka shkruar historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës ndonëse ka përpjekje të rishkruhet historia që nuk është herë e parë që bëhet kjo. Nëse këtë rishkrim ka dashur ta bëjë Davutogllu i Turqisë , pse mos ta bëjnë Veseli dhe Kurti . Në Kuvend , por edhe në institucionet tjera duhet të përdoret një gjuhë pa urrejtje , jo nga pozita e mujsharit por nga forca e argumentit . Nuk e di pse shpenzohet kohë në përpjekje që të ndërhyhet në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit i cili , deri më tani ka qenë proces i natyrës teknike. Përpjekja që me çdo kusht të kushtëzohet se kush do të jetë kryetar apo nënkryetar i Kuvendit është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 e që është mbështetur pikërisht në këtë Kushtetutë , e cila mund të mos iu pëlqejë disa subjekteve politike apo individëve që e duan pushtetin me çdo kusht , por , deri sa nuk të ndryshohet kjo Kushtetutë , gjendja është si është. Të gjithë e kanë të qartë se pa zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit të Kosovës , nuk mund të bëhet hapi tjetër , formimi i qeverisë së Kosovës dhe zgjedhja e kryeministrit por vazhdimisht po këmbëngulet në insistime se kush mund të jetë kryetar i Kuvendit e kush nuk mund të jetë .

Në këtë drejtim , duke e përdorur apo keqpërdorur kushtëzimin si mjet tjetër të luftës , LV dhe LAA janë bllokues të formimit të institucioneve . Në anën tjetër , duke mos e përdorur të drejtën kushtetuese për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit , si e drejtë ekskluzive kushtetuese e PAN-it , PAN po bëhet lojtar aktiv dhe përcaktues për bllokimin e formimit të institucioneve. Me një fjalë , askush , madje as Labinot Tahiri dhe Behgjet Pacolli , nuk kanë vullnet të formohen institucionet e Kosovës , ndonëse po derdhin lot krokodili më shumë se të gjithë krokodilët e lumit Nil. Labinot Tahiri është shndërruar në hermafrodit politik dhe , disi është bërë pjesë e serialit Utaran , ku luan disa role; e përkrah Ramushin deri në hyjnizim kurse nuk e voton kur duhet të votohet ! Situatë interesante dhe e ngatërruar , edhe për Frojdin e lëre më për mua që jam injorant në politikë! Se “ banda “ politike Boni dhe Klajd e luajnë rolin që e luajnë , aspak nuk më vjen çudi sepse këtë rol të përshtatjes politike apo çergarizimit politik e kanë përvetësuar, deri në përsosmëri ! Në këtë seancë ku nuk lejohet debati dhe ku pati pushkatime politike , njerëzore , morale dhe kombëtare , rënd u godit edhe Isa Mustafa , pikërisht nga Albini i cili e krijoi një raport sado – mazokist përballë Isës; në një anë e dhunon në çdo aspekt pastaj i shfaq dashuri duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit ! Tash , kjo e tejkalon Frojdin dhe kalon në kompetencë të Niçes . Isaja , si i pushkatuar dhe dhunuar në çdo aspekt e ka humbur arsyen sepse kërkon përgjegjësi nga PDK që e ka votuar mocionin e mosbesimit por se nuk e ka dhunuar fizikisht , as Isa Mustafën e as familjen e kryeministrit në detyrë . Isa Mustafa , të kaluarën e ka lënë peng për bashkëpunim me LV duke kërkuar sqarime për 72 dosje ( tash kompetencë e prokurorisë ) , sqarime për sulmet që ia bëri LV dhe sqarimet pse e cilësuan si tradhëtar. Këto janë krejtësisht të natyrës personale dhe Isaja, personalen e ka ngritur mbi LDK-në dhe institucionet . Tash, askush nuk po e përmend si kusht të bashkëpunimit me LV , vlerësimin për figurën dhe rolin e Ibrahim Rugovës por se personaliteti i Isës po del të jetë më i rëndësishëm. Adem Mikullovci , në një seancë ku nuk lejohet debati përveç se për Albin Kurtin dhe Kadri Veselin nuk vlen ky rregull , ia mohoi këtë të drejtë Avdullah Hotit i cili , pa asnjë dyshim do ta mbronte personalitetin e Isës kurse me emënakun tim me gj të butë ( Begjën ) u soll keq duke i thënë se me 3-4 stolica – karrike nuk i takon fjala . Kështu përfundoi edhe kjo seancë destruktive kurse deputetët , që sipas kushtetutës duhet të gjejnë zgjidhje për ta zhbllokuar situatën , para Festës së Kurban Bajramit , po e bëjnë kurban buxhetin e Kosovës duke e shpërdorur për veprimet destruktive dhe promovimin e anarkisë e cila , lehtësisht mund të përfundojë me një luftë qytetare ! Kanibalizmi verbal është pjesë hyrëse e menysë së kanibalizmit të vërtetë dhe po të mos ishin ndërkombëtarët në menynë do të kishim specialitet si : biftek Haradinaj , virshlle Kurti , Isa Burger , omlet Vetëvendosje , proshutë Veseli , ramstek ala Hashimo , turli Pacolli me mëlmesa të hidhura dhe të serta , Donika dhe Besa , Ganja dhe Blerta , Timja dhe Kimja dhe kombinime të tjera. Në këtë meny problem duket të jetë vetëm deserti sepse e gjithë oferta po thjeshtësohet në një , pudingu i Dudes .
Më pyeti kojshia, a po ndërtohet apo po rrënohet shtëpia
Ka mendime të ndryshme se kush mund ta bllokojë apo zhbllokojë situatën. Bllokuesit janë tashmë të njohur , janë të gjithë , pa përjashtime, Kurse zhbllokuesit nuk janë askundi përveç se e bëjnë një delikt verbal e pastaj radhiten të bllokuesit. Dikush thotë se situatën e zhbllokon Pacolli dhe Labinot Tahiri pasi të tjerët nuk po e duan Kosovën sa e duan Begja dhe Labi. Rrenë qoftë! Mirëpo , nëse i referohemi Kushtetutës aktuale dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 faktori vendimtar , i pashmangshëm dhe përcaktues për formimin apo bllokimin e institucioneve është koalicioni PAN. Pavrësisht skemave sado – mazokiste dhe pavarësisht kontratës për koalicion që mund ta nënshkruajnën Albin Kurti dhe Isa Mustafa + Behgjet Pacolli + Boni dhe Klajd ( tezja e Gadafit dhe shoqëruesi i saj ) , edhe nëse kësaj marrëveshjeje i shtohet nënshkrimi i Stoltenbergut të NATO-së apo Mogerinit ( shoqes së Hashimit dhe A. Vuçiqit ) , këta nuk mund ta japin kryetarin e Kuvendit dhe pa zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit , Albini, Dulla , Begja , Limoza por askush tjetër nuk ka gjasa të bëhet kryeministër. Çelësi është te PAN-i e jo te Papë Albani. PAN mund ta propozojë sa herë të dojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe kjo nuk mund të votohet nga këta të opozitës . PAN duhet ta propozojë kend të dojë për kryetar të Kuvendit kurse deputetët e votojnë. Nëse gjendja mbetet 60 me 60 vota atëherë , sa është përgjegjësi e PAN që nuk e siguron shumicën është edhe përgjegjësi e opozitës që nuk e voton pakon e drejtuesve të Kuvendit . Kadri Veseli tha botërisht se nëse Albin Kurti i siguron 61 vota atëherë , si kryetar i PAN-it do të nënshkruaj që Albini ta udhëheq Kuvendin dhe qeverinë. Kadriu nuk është Kushtetuta dhe nuk është mbi Kushtetutën . Ai , sipas Kushtetutës aktuale nuk mund që me një nënshkrim të vendos për kryetarin e Kuvendit. Ka të drejtë të bëjë propozim por nuk ka gjasa që dikush jashtë koalicionit PAN të bëhet kryetar Kuvendi. Edhe nëse vepron ndryshe , Kushtetuta do ta rrëzojë këtë vendim . Opozita , nëse e siguron shumicën parlamentare mund ta japë kryeministrin dhe ta formojë qeverinë gjë që po më duket si mision i pamundur . Nëse hyhet në votim të kushtëzuar me largimin e Kadri Veselit , atëherë PAN duhet të kushtëzojë që , nëse koalicioni LV dhe LAA e fiton të drejtën për formimin e qeverisë atëherë Albin Kurti , Avdullah Hoti , Behgjet Pacolli apo të tjerët nuk mund të jenë kandidatë për kryeministër . Kushtëzimi prodhon kushtëzimin. Për këtë arsye , PAN dhe Kadri Veseli nuk kanë pse të takohen me tezen e Gadafit në Kosovë as me Lilirin shkaku se ata po e duan kokën e Kadrisë e jo zhbllokimin e situatës. Gjithashtu , nuk duhet të dërgohet asnjë ofertë për serialin Utaran ( Lami , Korbi , Labi dhe Begja ) e që këta pastaj të llogariten si shpëtimtarë të Kosovës sepse nuk janë të tillë e as që mund të bëhen të tillë! Me miell ta kallamoqit , nuk mund të gatuhen simite ! Po të isha në vend të Kadri Veselit dhe Isa Mustafës , do të hiqja dorë nga të qenit pozitë dhe pushtet dhe do të kaloja në opozitë . Po këta nuk e bëjnë këtë prandaj do të kalojnë të zinjt e ullirit. Politikisht dhe strategjikisht është shumë më e favorshme dhe e dobishme të kalohet vullnetarisht në opozitë kur jeni në pushtet se sa të nxirreni në opozitë me votën e qytetarit.
LDK është duke u përballur me “vdekjen e bardhë” ku, mortaliteti politik është më i lartë se nataliteti . Injektimi i disa të rinjve pa kurriz, vetëm sa e shpejton këtë vdekje .
PDK ka probleme të regjenerimit të kuadrove . Deri më tani kanë qenë disa babaxhanë të parapaguar për poste , nëse nuk bëhesh deputetë atëherë bëhesh ministër , nëse nuk bëhesh as ministër atëherë bëhesh drejtor bordi apo kryeshef i ndërmarrjeve anipse jeni krejtësisht i paditur për postin që e keni dhe se e falimentoni ndërmarrjen apo aty ku ju kanë vendosur pa pasur dy koqe mend . Disa politikanë në PDK e kanë luajtur rolin e klloqkave por , në vend se të qelin zogj ( politikanë të rinj ) , ata i kanë shkatërruar vezët duke bërë furrikë mandate e mandate të tëra. Në PDK , rryma titiste në një kohë ka qenë politikbërëse kurse krahu i luftës ka zbatuar politikat e tilla. PDK ka nevojë që së paku 8 vjet të bëjë përpjekje të rikuperohet , ta bëjë plotësimin e partisë me kuadro që marrin erë nga politika , që kanë projekte zhvillimore ( kjo është më patriotikja sot ) , të lirohet nga ashtëzimi reumatik i kuadrove që nuk kanë të bëjnë aspak me partinë në fjalë , ta ngrejë një rini me edukim politik e jo që funksionon sipas disa sloganeve , t’i pastrojë listat nga të gjithë të inkriminuarit e që e ka filluar dhe ta forcojë shtyllën politike të një partie me orientim perëndimor dhe me përmbajtje kombëtare. Është sfidë por jo edhe mision i pamundur mirëpo me këtë formacion dhe përbërje që e ka sot , PDK nuk do të ringjallet dhe , nga vdekja klinike do të kalojë në vdekje faktike kurse nekrologun do ta shkruaj KQZ . Mbetja në pozitë me çdo kusht do t’i forcojë partitë rivale por jo edhe PDK. Prandaj , kalimi në opozitë është aparati më i mirë për ringjallje për PDK. E thashë këtë pa pretendime se jam i pagabueshëm !
LV është shumë e interesuar për pushtet kurse pushteti sot më së shumti e dëmton pikërisht LV . Shpejt u rritën dhe patën një të kaluar kur e pësuan nga dhuna por edhe ushtruan dhunë mbi të tjerët . Është kohë shumë e shkurtër të transformohen në paqësorë nga jopaqësorë që ishin deri dje. E fituan Prishtinën por e mbijetuan mandatin me gurabijat që ua la Isa Mustafa. E rritën tatimin në pronë 100% por nuk rritën edhe cilësinë e shërbimeve të ofruara. Në mesin e tyre e kanë edhe Mr. 200.000 euro me të cilin duan ta luftojnë korrupcionin. E kanë bërë lëmsh komponentën kombëtare me ate titiste. Çdo individ me përcaktim të pastër kombëtar , ose e kanë larguar ose e kanë margjinalizuar. E duan ideologjinë socialdemokrate por e duan më shumë hedonizmin . Pushkatimin publik e kanë mjet kryesor për eliminim të kundërshtarëve deri sa t’u kthehet si bumerang. Nëse Prishtina merret si shembull përparimi dhe i mirëqeverisjes e që në kontekstin global është si fshati Makondo i Markezit , Kosova do ta kishte perspektivën e Venezuelës së Nikola Maduros sot . LV duhet të distancohet nga pushkatimi publik dhe veprimeve të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës ( që nga ministri e deri te drejtori ) , të trajtojë me dinjitet prokurorët dhe gjyqtarët që i fyen çdo herë kur ka mundësi pa e kuptuar se me qëllim apo pa qëllim po e fyen shtetin dhe pushtetin që po e gjakon, të lirohet nga ekstremistët dhe anarkistët që shumë e dëmtojnë pikërisht LV , të kuptojë se po jetojnë në Kosovë dhe se atdheu i tyre për momentin është Kosova , të mos manipulojnë për bashkimin kombëtar kur nuk po punojnë në atë drejtim , ta lënë flamurin kombëtar aty ku e ka vendin dhe ku e duan të gjithë, të punojnë për Kosovën dhe të mendojnë dhe ta duan Shqipërinë dhe shumë të tjera për të cilat mund të shkruaj më vonë.
Zgjedhjet lokale
U bënë publike emrat e kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale. Në Prishtinë , nëse funksionon koalicioni kundër Shpendit , Shpendi i humbë zgjedhjet. Mitrovica u bë interesant me kandidaten e PDK dhe të LV. Kandidaten e PDK e sulmuan se ka zgjedhur partinë e gabuar duke pretenduar se të gjithë ata që nuk janë LV , janë në parti të gabuar . Valdetja dhe Fehmiu janë favortit për faktin se Agim Bahtiri diplomoi dhe tash mund të ketë angazhime akademike në Universitetin e Prishtinës që ka aq nevojë për kuadro të tilla. Unë jam për Valdeten dhe Fehën. Në Gjilan Luta është favorit , Zenuni është pajisur me vizë transit kurse Samiu e ka vështirë të fitojë. Prizreni është atraktiv shkaku se thuaja të gjithë kandidatët , hiç Zafirin legjendar , garojnë për herë të parë. Në Gjakovë Limoza do të bëhet limonatë dhe vetëm koalicioni i duhur mund t’i ndihmojë asaj. Peja nuk ka favorit të theksuar, koalicionet vendosin për fituesin. Fatoni në Ferizaj mund të ndahet më dhëmbë të mpirë . Në disa qytete LV ka top garues , në disa ka garues arrnues. LDK po luan me veteranë që e kanë fituar statusin në bazë të rezultateve të mëparshme e që nuk garantojnë se do të mbetet kështu edhe pas zgjedhjeve lokale. Ia punuan Ismetit në Prishtinë duke e eliminuar me një votim të fshehtë gjë që nuk e bënë kur ishte në pyetje Terr Manaj në Prizren me Hatim Baxhën. Zvatim tipik i standardeve të dyfishta dhe haram i qoftë Ismet Beqirit nëse nuk kalon në Nisma për Kosovën apo AKR. PDK ka kandidatë shumë të mirë mirëpo ka dështime siç ishte dorëzimi në Skënderaj si dhe , sipas mendjes sime dështimi në Lipjan , Besianë dhe Gjilan . AAK luajti me lojtarë që i ka në dispozicion dhe këta janë më të mirët në këtë moment. Ka kohë për analiza.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura