LIRI LOSHI: ME USHTARËT E UÇK-së

Pashtriku, 21 korrik 2020: Më lejoni të ju kërkoj falje të gjithë atyre ushtarëve dhe komandantëve të devotshëm e të ndershëm të UÇK-së që e gjejnë veten të fyer kur unë kritikoj komandantët milionerë! Dua të ju them se nuk ka asnjë gjë me të cilën krenohem më shumë se me luftën e UÇK-së.
Por, në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë gjë që më bën të turpërohem dhe indinjohem më shumë sesa komandantët milionerë, të cilët abuzuan me gjakun e deshmorëve dhe me mundin tonë të përbashkët, pra tuajin the timin, që ata vetë të ngritën në maje të pasurisë dhe të politikës prej nga kontrollojnë jetërat tuaja dhe frymën që ju e merrni.
Edhe njëherë po ju them, këta janë komandantë dhjetëherë mercenarë dhe kundër tyre do të jem gjithmonë, pavarësisht se ata sot janë edhe në krye të shtetit. Lufta e UÇK-së kurrë nuk do të identifikohet me ta, sepse vlerë e vërtetë e UÇK-së janë vetëm ata ushtarë dhe komandantë që nuk abuzuan me luftën dhe me frytet e saj dhe kjo vlerë përfshin 90 përqindëshin tonë.

Ju ftoj të qëndroni sa më larg komandantëve milionerë, aq larg sa t’i izoloni plotësisht, sepse ne bashkë jemi krenaria e këtij vendi e ata bashkë dhe të veçuar nga ne, janë turpi ynë dhe i vendit tonë. E di që e keni të vështirë të shkëputeni nga ta, por provoni ta bëni këtë për hirë të ardhmërisë tuaj dhe të familjeve tuaja!
Nëse ju nuk i izoloni, ata gjithmonë do të ju shfrytezojnë juve për ta trashur pasurinë dhe për t’ju dhënë votën atyre dhe fëmijëve të tyre që t’ju mbajnë nën kontroll dhe në shërbim të tyre tërë jetën. Në këtë rast edhe ju e bëni veten përgjegjës për shtetin tonë të degraduar, për Kosovën që pas njëzet vitesh lirie fëmijët tuaj duan ta braktisin, jo vetëm pse nuk mund të jetojnë në mirë, por edhe pse nuk mund të mbijetojnë.
Unë jam aleat i juaj dhe kurrsesi armiku që ata ju sugjerojnë! Unë edhe në luftë kam pasur guximin t’i kundërshtoj dhe do t’i kundërshtoj gjithmonë dhe nuk kam asnjë arsye të frikësohem nga mercenarët si ata. Ne jemi shumicë dhe ne do të fitojmë.
Hapi i parë është që të provoni shkëputjen nga ta. Kështu do të ndikoni që partitë tona politike, sepse ata janë gjithkund, të reformohen dhe të integrojnë kapacitetin e madh njerëzor që deri tash ka mbetur anash për shkak të hapësirës së pushtuar nga komandantët milionerë dhe hijerëndë.
Mos lejoni që as Gjykata speciale të ju zbus zemrën, sepse ata tash kanë rastin që të veshën me rrobat e viktimës dhe të ju shfrytëzojnë edhe disa dekada tjera.
Edhe njëherë po ju them shikoni veten tuaj dhe fëmijët tuaj dhe krahasojeni pozitën tuaj me të tyre dhe do të kuptoni se në çdo rrethanë të raportit me ta, ju do të mbeteni viktimë e jo ata. Ata janë dhunuesit tuaj dhe dhunuesit e lirisë dhe të pavarësisë sonë. Dhe saherë që dhunuesi dhe viktima mbesin pranë njeri tjetrit industria e dhunës dhe e pasojave nga ajo nuk do të pushojë.
——————-
Publikuar më 1 nëntor 2018, në FB 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura