Në 24 vjetorin e rënies
NDERIM, DHIMBJE E MALLËNGJIM PËR HEROIN E KOSOVËS, ISA KASTRATI
Nga Xhafer Shatri, Pashtriku 21. 04. 2023
Sot u mbushën 24 vjet nga rënia e Isa Kastratit, mikut tim të paharrueshëm të burgjeve e të prangave. Isai ishte një personalitet krejt i veçantë i Kosovës: intelektual par excellence, njeri bujar, shok besnik e atdhetar i paepur.
Pse ishte i veçantë Isa Kastrati?
A.
Në fillimvitet shtatëdhjetë, kur rifilloi organizimi ilegal i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës në grupe e me emra të ndryshëm, Isai ua bëri me dije dy shokëve të tij të ngushtë: “Nuk jam kundër organizimit ilegal, sepse ne ndryshe nuk mund të çlirohemi, por unë kam vendosur t’i përkushtohem shkencës, meqë në këtë fushë ne jemi shumë mbrapa. Lufta jonë për liri është shumëdimensionale dhe ne duhet ta bëjmë atë në të gjitha rrafshet e frontet e mundshme. Por, në çdo kohë që ju e shihni të nevojshme implikimin tim të drejtpërdrejtë në organizim, dijeni se unë jam këtu dhe i gatshëm për çdo gjë.“
Asokohe kishte pak njerëz që kishin këtë vizion dhe ndërshmëri.
I bindur në misionin e tij, Isai i regjistroi përnjëherë dy fakultete, njërin prej të cilëve e kreu për dy vjet dhe me notën mesatare 10! Nuk është çudi, sepse ishin të paktë ata që kishin talentin dhe një përgatitje të tillë akademike.
Pavarësisht kësaj, pavarësisht kujdesit maksimal për të mos ia dhënë UDB-së asnjë mundësi për t’u shfry në të, një natë të vitit 1973, udbashi Selim Brosha me dy kolegë, e kidnapuan Isa Kastratin, e futën në gepek të veturës dhe e quan te kufiri me Bullgarinë…
“I ke dy rrugë, i tha Selim Brosha, ose duhet të bashkëpunosh me ne ose merre kacinë e hape vorrin tënd…!“
“Bone tandën, Selim Brosha, se t’ka ardhë dita, por, qe besa, sa t’jam gjallë kurrë argat yti nuk bahem!“
Isa Kastrati (1947 – 1999)
B.
Në vitin 1975, UDB, ndërmori një aksion të gjerë arrestimesh të studentëve dhe intelektualëve gjithandej në trojet shqiptare në Jugosllavi. Mbi 500 shqiptarë u arrestuan, mes tyre edhe Adem Demaçi, i cili vetëm para një viti ishte liruar nga burgimi 10 vjeçar… u burgos edhe kryefjala e këtij shkrimi, Isa Kastrati.
Pas hetimesh e torturash mizore, u organizuan 3 procese të mëdha politike, dy në Prishtinë e një në Vranjë. Dhe u dënuan rreth 50 shqiptarë me gati një shekull e gjysmë burg.
Isain e ka torturuar Muharrem Dana, një kriminel i njohur, që pas Luftës u bë mik për kokë i cubave të SHIK-ut.
Gjatë torturave, vetë Dana, ia ka përsëritur me dhjetëra herë Isa Kastratit e jo vetëm atij:
“E dimë se jeni të pafajshëm, por po ju rrahim për pikë të qejfit…!“
Isai i u dënua me 6 vjet burg.
Pasojat e torturave ishin të rënda, sepse ia kishin dëmtuar rëndë rrjetin e përçimit nervor: Ai në pikë të verës, edhe kur ishte temperatura 35 °, mbërdhinte dhe detyrohej t’i mbathë dy palë çorape dhe t’i vërë dorëzat…
C.
Duke pasur një natyrë kryengritësi të paepur, Isai nuk e honepste dot keqtrajtimin e përditshëm që aplikohej sidomos ndaj të burgosurve politikë shqiptarë.
Kështu, në një kryengritje të provokuar nga UDB dhe drejtoria e ndëshkimores së Spuzhit (Danilovgradit), Isai u plagos rëndë dhe memzi shpëtoi sepse kishte humbur shumë gjak.
Pas disa muajsh, atë dhe tre shqiptarë të tjerë i nxorën para gjyqit dhe i dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg. Isait burgimi nga 6 iu rrit në 9 vjetë.
Pak para se të lirohej, në vitin 1984, Isain e dënuan edhe me 3 vjet të tjera, për shkak të disa shkrimeve, që iu gjetën në vendin e punës…
Ç.
Isa Kastrati kishte një dhunti të jashtzakonshme për gjuhët. Pa asnjë dilemë ai në këtë fushë, ishte gjeni. Sa ishim bashkë në Ndëshkimoren e Spuzhit më tregonte se gjuhën e romëve e kishte mësuar në vendlindje dhe disa fjalë të saj i përdorte si çelës për të zbërthyer fjalë të ndryshme gati në të gjitha gjuhët indoevropiane.
Në Mitrovicë të Sremit, ai e kishte mësuar me lehtësi të çuditshme hungarishten dhe, në rrethana burgu, projektonte një studim të gjerë për dallimin e hungarishtes, si gjuhë jo indoeuropiane nga gjuhët indoeuropiane dhe përpiqej t’i gjejë epokën e ndarjes dhe vegëzat lidhëse.
Kur fliste për gjuhët, Isai ishte aq i thellë, aq kompetent, e aq konkret sa që të linte pa frymë…
E them pa asnjë teprim, se me burgimin e Isa Kastratit, kuislingët e Kosovës, jo vetëm e kanë shkatërruar një njeri absolutisht të pafajshëm, por e kanë bërë krimin më të madh që dikush ia ka bërë ndonjëherë gjuhës shqipe dhe gjuhësisë në përgjithësi: E kanë shkatërruar një supergjeni.
D.
Në Spuzh kishte edhe të burgosur nga Malësia, Ulqini e Tivari. Për të mos i rrezikuar vendosëm që t’i mbajmë në distancë. Mirëpo me një rast, derisa isha në sallën e ngrënies, njëri prej tyre, një burrë jashtëzakonisht i zgjuar, m’u afrua dhe më tha të vogël:
“Ju të dy, por edhe këta 7-8 të të burgosur të tjerë që janë nga Kosova, po na bëni të ndihemi krenarë me qëndrimin dhe unitetin tuaj… Ruajuni se nuk i njihni rrethanat këtu. Prandaj edhe jeni të rrezikuar seriozisht…“
Nuk vonoi shumë dhe u bindëm. Krejt ndëshkimoren e lamë me gjakun tonë.
Pas një kohe, Isai përmes një malazezi e futi brenda një tranzistor. Herë njëri e herë tjetri e ndëgjonim Radio Tiranën, Zërin e Amerikës dhe Radio Vatikanin. Asokohe Radio Tirana kishte emisione të gjata në të cilat lexoheshin faqe të tëra nga libri i Enver Hoxhës “Shënime për Kinën“.
Pas dy emisionesh u ulem të bisedojmë për to. Sepse kishte diçka që nuk shkonte: Aty flitej për një periudhë që, dikur, propaganda shqiptare e ngriste në qiell politikën e Kinës dhe sidomos Revolucionin kulturor, ndërsa tash, po për të njëjtën periudhë nuk lënte gjë pa thënë.
Prandaj vendosëm që të hulutojmë më shumë në këtë drejtim: Ai e mori ta lexonte Engelsin ndërsa unë Hegelin. Kur i përfunduam librat, dyshimet tona morën përmasa heretike. Pas një debati të gjatë erdhëm në një përfundim se toericienët e komunizmit, duke u thirrë në dialektikë, e kishin tredhur thelbin e saj.
Si mund të ketë politikë, të mbështetur në dialektikë dhe të ndalohet e të luftohet debati si në kohën e inkuizicionit?
Si mund të ketë zhvillim ekonomik pa pasur konkurrencë në treg?
Kur e kujtoj këtë debat heretik që na ndau përgjithmonë nga Enver Hoxha, e kur Isai dridhej i tëri prej së ftohtit; dhe sidomos kur i kujtoj krismat e prangave në këmbët e tij që, në mëngjesët e ftohta ushtonin, në kështjellën e Kotorrit, duhet ta dija qysh atëherë, se jeta e tij nuk mund të përfundonte ndryshe, pos nga plumbat serbë dhe dikund në malet e Kosovës.
Në malet me lisa shekullor ku nuk është ndalur kurrë pushka për liri.