NDUE DODAJ: ‘REXHEP MALAJ ZJARR LUFTE QË NUK SHUHET’, NJË VEPËR ME RËNDËSI KOMBËTARE

Pashtriku.org, 20. 01. 2014 – Ne që jemi mbledhur sot këtu, për të qenë pjesë e suksesit të radhës të të nderuarit Agim Sylejmanit, i cili kaq shpejt po i hedh hapat e Tij të sigurtë, sa që ne nuk po mundemi dot ta ndjekim e për këtë i kërkojmë ndjesë, pasi hapat gjigantë që po hedh janë të pakapshëm për shumë nga ne, e kështu që na mbetet ta urojmë nga zemra e t’i urojmë suksese të metejshme dhe ne, miqtë dhe dashamirësit të ndajmë sukseset me të.
Libri “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet“ i përshkruar nga fryma atdhetare e shqiptarizmës është shkruar me një art plot dritë e mirënjohje që i ngjanë një rilindasi.
Libri që kemi në duar përbën një ngjarje në jetën tonë. Ai ka vlerën e një dokumenti politik e historik. Kjo shpjegohet nga vetë përmbajtja dhe vlerat e librit. Në libër përmblidhen materiale që pasqyrojnë në mënyrë shkencore rolin historik të figurës madhore të Rexhep Malajt në shërbim të Atdheut e të bashkimit të kombit shqiptar.
Brenda këtij libri do të gjejmë dhe luftën e punën titanike që ka bërë Rexhep Malaj në mbrojtjen e kauzës së drejtë të shqiptarizmës. Në libër trajtohet në gjerësi e në thellësi me argumenta shkencore roli historik i Rexhep Malajt si titan i mendimit e veprimit revulucionar, si një personalitet i madh i kombit shqiptar por edhe si një burrë shteti.

Ndue Dodaj – duke lexuar kumtesën gjatë promovimit të monografisë “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, në Prishtinë – 10 janar 2014.

Në libër pasqyrohet madhështore çdo arritje e sukses i Rexhep Malajt si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Çdo fjalë e shkruar në libër përshkruhet nga polemika e zjarrtë e shokut Agim Sylejmani kundër çdo pikëpamje apo veprimi antishqiptar.
Vlera e këtij libri rritet edhe për faktin se shkruhet nga Agim Sylejmani i cili vetëm pak kohë më parë në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë na dha në dorë edhe romanin historik për Rexhep Malajn: “ RRUGËTIMI I NJË VIGANI“ që historia do ta njohë si mbrojtësin më të madh, të vendosur e të zjarrtë. Për këtë do të mjaftonte vetëm fakti se ka qenë i burgosur politik dhe në një farë mënyre fatlum që kanë qenë të lidhur me pranga dorë për dore me heroin, pa përmendur gjithçka ka bërë në shërbim të Atdheut të tij. Unë këtë libër që pata fatin të njihem në promovimin që u bë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, në momentin që autori ma dhuroi e falenderova duke i thënë: “Faleminderit që ma dhuroni këtë manifest në kuadër të 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.”
Vlerat dhe mesazhet e librit që sapo do të marrim në dorë janë të shumta dhe më aktuale se kurrë për çdo individ dhe duhet të na shërbejë si një program i madh pune në vazhdimësi e përjetësi.
Ky libër bëhet i domosdoshëm jo për stoli por si një udhërrëfyes aktual për situatat në të cilat kalojmë. Ky libër na shfaqet si një vepër vazhdimësie, si një monument vezullues për Rexhep Malajn që me kalimin e kohës do të lartësohet, afrohet e shkelqejë në përjetësi. Ja pra që Agim Sylejmani në këtë prag shekulli të ri po na dhuron “ MANIFESTIN” tjetër. Faleminderit përsëri.
Le të na shërbejë ky libër si frymëzim e mobilizim për punë më të mëdha në të ardhmen edhe pse është i gjallë por i tillë duhet që të ndjehet tek ne.
Libri është një dritë që çanë terrin e unë do të thoja se është një libër i jashtëzakonshëm i një njeriu të jashtëzakonshëm. U shpreha kështu se kemi të bëjmë me një personalitet shkencor, me një patriot të flaktë të Atdheut, me një njeri realist, të guximshëm e mendjeartë.
Sapo mora në dorë këtë libër, e lexova me një frymë. Pasi e lexova mora drejtqëndrim gatitu, se përpara m’u shfaq Rexhep Malaj e unë, jo vetëm si shqiptar. por edhe si ushtarak kariere isha i detyruar të merrja drejtqëndrim gatitu, e jo vetëm kaq, por edhe të nderoja me grushtin lart. Më pas u ula përsëri, jo më për ta lexuar librin, por për ta studiuar atë. E gjatë studimit më rezultoi se ky libër është një enciklopedi e llojit të vet, mbi të cilën gjenë gjithçka, aty është historia, aty është arti, aty është kultura, aty është shkenca, aty është analiza, aty është homazhi por edhe mesazhi për sot e jo vetëm për sot por edhe për brezat që do të vijnë pas.
E thënë troç dhe shqip është një libër që e ka të madhe vlerën, e ka të gjatë jetën sa vetë jeta.
Jam vërtetë i mrekulluar nga niveli i lartë i këtij libri, nga faktet e shumta që na sjell, nga mënyra e të trajtuarit me gjuhën më të kuptueshme; nga analiza e thellë, nga vlera dhe aktualiteti për sot e të ardhmen. E thënë më qartë, në duart tona sot kemi librin që mua më ngjanë me historine e vërtetë.
Ky libër nuk është një libër i zakonshëm, e kur njeriu ka në biblotekën e tij dy librat e Agim Sylejmanit kushtuar revolucionarit Rexhep Malaj, pa patur frikë mund të them se në atë biblotekë kemi dy manifeste të këtij Shekulli të Ri.
Vërtetë mrekulli, në këtë libër vjen i gjallë para nesh, ashtu siç është Rexhep Malaj, këtu kemi kombin dhe Atdheun. Libra të tillë si ky që kemi sot në dorë mund të shkruajnë vetëm ata burra trima e të zgjuar, që zemra e tyre rreh një me zemrën e Atdheut e të mbarë Kombit tonë.
Ky libër është një dokument i kompletuar në të gjitha drejtimet, nëpermjet tij njohim të kaluarën tonë por shohim në të edhe të ardhmen.
Këtë monografi që shumëkush ose gjithkush do ta quajë histori sepse ka një vlerë të madhe, do ta ketë të gjatë jetën sa do të jetojë Shqiptaria.
Mua s’më mbetet gjë tjeter, veçse, me që m’u dha munësia për të folur sot para Jush, dua të thërras me zë të lartë se duhet ta lexojmë këtë libër se do të mrekulloheni, duhet ta lexojmë se do të mësojmë shumë nga ky libër, duhet ta lexojmë se do të frymëzohemi nga ky libër, duhet ta lexojmë se do të ndërgjegjësohemi, duhet ta lexojmë se do të angazhohemi për të kontribuar në lehtësimin e halleve dhe në shërimin e plagëve që ka sot Atdheu dhe i tërë Kombi Shqiptar.
Sa bukur na i pasqyron autori viganet e Revolucionit të Kosovës, e na njeh me jetën dhe veprimtarinë revolucionare dhe kryengritëse të këtyre viganëve.
Sa bukur e real e përshkruan kontaktin e Rexhep Malajt me villaun e Heroit të Popullit Myslym Keta, Hakiun, dashurinë e zjarrtë që krijon qysh në fillim për Qemal Stafën, Vojo Kushin e Kajo Karafilin. Sa domethënëse e kuptimplote është deklerata që Rexhep Malaj bën para Hysni Kapos: “ ….unë kam vendosur të rri të shkollohem e stërvitem ushtarakisht. Vetëm kështu mund t’i shërbej Kosovës.” Dhe ashtu u bë, Rexhepi u stërvit atje për të kaluar më pas në Kosovë. Njëri nga ata që e kanë stërvitur Rexhep Malajn ka qenë edhe Shaban Braha (vëllai i dëshmorit Meriman Braha) i cili ndërroi jetë para pak kohësh e në nderim të tyre erdhën edhe një numër i konsideruashëm deputetësh të Kosovës, ku nje fjale lamtumire mbajti edhe Hydajet Hyseni.
Autori na e sjell në libër edhe si kolos, se i tillë ishte, na e sjell edhe si mësues në ato fillime të punës së Tij në Marec ku iu mëson nxënësve këngë patriotike e për shokun Enver Hoxha. Meqë jemi në shkollë tek nxënësit dua të them se më ka tërhequr shumë vëmendjen takimi që bën Ilmi Ramadani në shkollë para nxënësve me Rexhep Malajn e kur u drejton pyetjen: “….pse Kosova ka ngelur me Jugosllavinë dhe si ka mbetur.” Të gjithë nxënësit ngrejnë dorën për t’u përgjigjur dhe kur njëri nga nxënësit përgjigjet: “Kosova ka mbetur nën Jugosllavi as me zor as me hatër, por me tradhëti.” Shokut Ilmi i vezulluan syte nga kjo përgjigje gjë që shihet edhe tani në sytë e Tij.

Shumë domethënëse edhe marrja e një çertefikate notash me 16 tetor 1973, e me këtë Rexhepi tregonte se e mora në këtë datë se ka ditëlindjen shoku Enver Hoxha.
Në libër pasqyrohet edhe lidhja e Rexhep Malajt me Kadri Zekën e madh dhe me revolucionarin e devotshëm, që për fatin e mirë edhe sot e kemi këtu mes nesh, të nderuarin Hydajet Hysenin; edhe krijimi i Grupit Revolucionar të Kosovës me shoket Kadri Osmanin, Mehmet Hajrizin, Xhafer Shatrin, Rexhep Malajn, Gani Sylën, Hydajet Hysenin, Ilmi Ramadanin, etj.
Në libër do të gjejmë gjithë aktivitetin e Rexhep Maljat që ka bërë me qindra e qindra veprimtarë të shquar që autori i përmend me emra, do të gjejmë të gjitha arrestimet e burgjet si dhe torturat që i janë bërë këtij Heroi. Më ka tërhequr vëmendjen edhe kontrolli dhe bastisja e dhomës së Rexhepit dhe aty do të gjendeshin Vepra e 16-të e shokut Enver e këtë do ta merrte përsipër Ilmi Ramadani për të lehtësuar Rexhepin, i gjendet edhe romani “Tradhtia“ si dhe “Materializmi Dialektik dhe Historik“ e për këtë arrestohen bashkë me Rexhepin e Ilmiun edhe Sylejman Sylejmani e Riza Rizai.
Më ka tërhequr vëmendjen edhe krijimi i tri grupeve për kryerjen e aksionit të 23 e 24 dhjetorit të vitit 1974. Në grupin e parë Rexhep Malaj e Ilmi Ramadani, në grupin e dytë Kadri Zeka e Hydajet Hyseni ndërsa në tzë tretin Gani Syla me një shok tjetër. Ky aksion ishte përgatitur nga Rexhep Malaj por sheshin me parulla e mbushi Ilmi Ramadani qe shkruante me brushë. Parullat ishin: “ Rroftë Shqipëria“, “Rroftë Partia e Punës“, “Rroftë Enver Hoxha“, “Rroftë Bashkimi i Atdheut“, “Lavdi M-L”, e tjera.
Një akt i madh është edhe veprimi që bën në burgun e Mostarit ku kishte marrë një jehonë te madhe dalja e veprës së shokut Enver Hoxha “Titistët” pikërisht me 24 shkurt 1983 formojnë në burg celulën e parë të OMLK-së me tre veta Rexhep Malaj, Skender Kastrati dhe Autori i librit ku bëjnë edhe betimin para Flamurit Kombëtar dhe fotografisë së Enver Hoxhës pikturuar nga Skender Kastrati.
Rrethimi i pavdekësisë së këtyre dy heronjve në Kodrën e Trimave më 12 janar 1984 që përsëritet si në Epopenë e Kamer Loshit, Qemal Stafës, Vojo Kushit, Kajo Karafilit e shumë e shumë të tjerëve për të përfunduar me Epopenë e lavdishme të komandantit legjendar Adem Jashari. Kundër këtyre dy luanëve regjimi serb përdori tërë arsenalin e tyre duke përdorur deri tek autoblinda e helikopterë se ndryshe nuk mposhteshin këta heronj.
Vrasja e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës në Kodrën e Trimave si sot e 30 vjet më parë, e këtyre dy heronjve të mëdhenj kalon gojë më gojë, zemër më zemër e skenë më skenë ku u këndohen këngë e himne të krijuara në nderim të tyre. Edhe sot Agim Sylejmani na vjen me këtë libër peër të na treguar se si sot e 30 vjet më parë u vranë heroikisht për të mos vdekur kurrë. Shqiptaria humbi dy bijtë e saj nga më patriotët, humbi dy udhëheqës të shquar, dy yjet e tij nga më të zjarrtët. Por ne atë ditë, si sot e 30 vjet me pare, Atdheu unë i dashur, Shqiptaria fitoi dy Male, Male Diellore të lidhur dorë për dore Rexhep Malaj e Nuhi Berisha të cilët dhanë dritë sa qenë gjallë, e japin më shumë tani.
Historia kombëtare me gdhendjen e emrave të Rexhep Malajt e Nuhi Berishës në panteonin e saj ka fituar një lulëzim të ri e krenari të re, kemi fituar dy flamuj të përjetshëm kombëtar.
Lavdi këtyre flamujve !
Duke përkujtuar me dhimbje e krenari njëherësh 30 vjetorin e vrasjes së tyre na vjen në duar ky dokument i madh historik.
Rexhep Malaj e Nuhi Berisha kishin vetëm një mësues, e ai ishte heroizmi i popullit tonë në shekuj, e këtë e shikonin vetëm tek Atdheu.
Si Anteu në tokë ne do të marrim forcë tek Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, tek Gërvallët e Kadri Zeka, tek Afrim Zhitia e Fahri Fazlliu e deri te komandanti legjendar Adem Jashari. Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe drejtuesin e Rinisë së Shqipërisë Qemal Stafën e deri tek jeta e vepra legjendare e Komandantit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të ushtrisë shqiptare – Enver Hoxhën para të cilës ishin betuar të gjithë.
Ne bijtë e shqiptarëve do të dimë të organizohemi e të bashkojmë zemrat dhe grushtet tonë, do të dimë të ngrejmë lart Flamurin tonë kombëtar.
Orteku ynë kurrë nuk do të ndalet por gjithmonë do të rritet me fuqi tronditëse e gjëmonjëse duke krijuar tmerr për këdo që do të guxojë të prekë në interesat e larta kombëtare. E në këtë ortek të fuqishëm, në marshimet tona triumfonjëse do të jetë prezent edhe Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. Autori e shkruajti librin e dytë të titulluar: “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”, edhe për faktin se Rexhep Malaj e Nuhi Berisha shkruan me gjakun e tyre Epokën e Lavdishme në Kodrën e Trimave e këto ishin vetëm dy zemra që po na shfaqnin një Legjendë të Kuqe të gjallë.
E unë si një shqiptar do ta propagandoj këtë libër ku të mundem sepse është një vepër me rëndësi kombëtare, është një libër i artë e me vlera të pakrahasueshme.
Gjithkush që do ta ketë fatin që të lexojë e studiojë këtë libër, do të ketë fatin e madh se do të takohet e do të ballafaqohet me të madhin Rexhep Malaj, do të njihet me të vërtetë me njeriun zjarr i cili kurrë nuk shuhet siç e pershkruan edhe autori, por veçse ndizet e bëhet më i ndritshëm në zemrat tona.
Duke studiuar këtë libër ne do të njihemi me të vërtetë me Rexhep Malajn e madh dhe se do të jetë një nder për ne, që do ta njohim nga afër këtë njeri të madh te popullit e të atdheut.
Vëllezër e motra!
Duke perfunduar, edhe pse mendja po më thotë qe mos e zgjas më, por zemra po më tradhton e po më thotë foli edhe dy fjalë, e unë po i bindem zemrës, sepse do të kaloj në një degë tjetër por që i përket të njëjtit trung të kësaj peme gjigande. Dihet se jetojmë në kohën e internetit, e në kohën që unë po shkruaja këtë material më vjen një pëlqim nga një shok, mik e vëlla që sot ndodhet midis nesh. Shikoj se çfarë ka pëlqyer, konstatoj se ka pëlqyer një koment që e kisha bërë kohë më parë në një fotografi që Ai më kish dhuruar mua, e kjo fotofrafi ishte pikërisht fotografia e 23 majit 1983 që është shkrepur nga aparati fotografik, ku fikson të pavdekshmin Rexhep Malajn, ditën që ka dalë nga burgu. E para, asaj fotografije, shoku, miku e vellai im më kishte folur sa e sa herë edhe si poet, edhe si shkrimtar, edhe si patriot, edhe si atdhetar, edhe si shqiptar por edhe si artist i madh sepse kur ai më fliste për veprimtarinë e torturat çnjerëzore deri në gjakosjen e mureve të burgut, iu mbusheshin sytë me lotë dhe i gjithë mishi i bëhej puprra puprra, e ku njëri si për koincidencë ka të njëjtin mbiemër me autorin e librit, pra ky është Ismet Sylejmani, të cilin e falenderoj nga zemra sepse u bë shkaku që atë koment të shkruar shumë kohë më parë ta bëjë pjesë të pandarë me Ju.
Në atë koment shënoi: “Rexhep Malaj është një figurë e madhe historike, një gjigand i trimërisë dhe heroizmit, e Ai qëndron madhështor në Panteonin e Lavdisë. Rexhep Malaj është si Dielli i Galektikës sonë hyjnore, që i jep tokës jetë e shkëlqim. Ky Diell derdh në zemrat e të gjithë shqiptarëve një dush rrezesh krenarie e atdhedashurie, gëzimi, trimerie e shprese; sepse na tregon Nordin qe te mos humbim rrugën në errësirat që mund të krijohen, por kurrë nuk do të pengohen rrezet e këtij Dielli. E ashtu si Dielli që ringjallë jetën në pranverë pas dimrit të egër plot ngrica, ashtu edhe Rexhep Malaj shpresat e lirise do të ringjallë. Rexhep Malaj është një figurë kombëtare me përmasa epokale, ishte e mbetet një patriot e atdhetar brilant; do të jetë në përjetësi një simbol i luftëtarit për bashkimin e Kombit Shqiptar e pikërisht për këtë Ai shkëlqen si njëri prej pishtarëve më të mëdhenj të kombit tonë. Lavdi Rexhep Malajt!
Dy fjalë për autorin!
I pajisur me zemërgjerësinë e shqiptarit, zgjuarsinë e lindur, dashamirësinë e bujarinë e pashoq, me drejtësinë dhe trimërinë e kreshnikëve të Kosovës, sot po na bën që të ndjehemi të priveligjuar që kemi fatin ta kemi shok e mik e të jemi pjesë e suksesit te tij.
I uroj nga zemra suksese të metejshme në të mirë të Kombit.
Ju Faleminderit! Ndue Dodaj, Prishtinë 10.01.2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura