NEXHAT REXHA: ROLI I VEPRIMTARIT NË FUNKSION TË SHTETFORMIMIT

Drenas, 24 shtator 2017: Hysen Ibrahimit “Vepra – 2 (Arsimi shqip në Suedi)”, Botoi, SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi-Prishtinë, 2017, faqe 376
Rrethanat shoqërore në botën njerëzore krijojnë situata nga më të ndryshmet, ato vijnë bashkë me preokupimet e përkushtimet e tija. Kur njeriun e braktisin objektivat e mundshme për të arrirë synimet e tija, ai gjen shtegdalje për të mundur braktisjen. Në këto rrethana më të pakuptimta u gjend edhe intelektuali ynë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Faktori politik antishqiptar gjithnjë ka krijuar skena dhe ndjekje të vazhdueshme për njeriun tonë, sidomos atij që synonte daljen e popullit të tij nga errësira sunduese, ata vazhdimisht krijuan situata pashtegdalje për veprim të mundshëm në vendin e tij.
Në këto kondita të kohës shumë shqiptarë u detyruan të largohen në vendlindja e tyre. Ajo që dallon nga bota Ballkanike te popujt tjerë është se shqiptarët sikur kurbeti i rinjohu në mes vete. Në këto rrethana të reja ata u shpërndanë nëpër vende të ndryshme të Evropës. Mërgata shqiptare që u vendos në shtetet Skandinave e sidomos në Suedi, sikur më shumë barti mbi supet e tija barrën e rëndë të ndjekjes e nëpërkëmbjes së tij. Nëpër këto shtrirje e shkapërderdhje kurbetçarët tanë arritën të homogjenizohen dhe të njohin kulturën, gjuhën dhe karakterin e shtetit ku filluan jetën e re, ata krijuan edhe përshtypjet e para për kulturën e zellin e tyre për pune e jetë. Shteti Suedez si të gjithë popujve që i lejoi vendqëndrimin aty, i dha mundësi për veprim e ruajtje edhe të kulturës së tyre. Mirëpo, krejt kjo nuk mjafton për të njohur e rinjohur veten,sepse edhe në vendet tjera të Evropës kishte shqiptarë që mërguan edhe më shumë,por ajo që dallon këtë vend janë dy elemente më të favorshme: e para kultura e një shteti, e dyta njohja e vlerës njerëzore dhe intelektuale për njerëzimin.

Në këto predispozita të kohës, shqiptarët këtu e patën më vështirë se të tjerët të vepronin, sepse lobi serb kishte krijuar shumë me herët çerdhet e veta, e ato çerdhe ruanin frymën dhe karakterin antishqiptar. Kjo rrethanë ngadalësoi procesin e unifimikit të çështjes shqiptare në Suedi. Mirëpo, kur bashkohet mendja dhe dashuria e ruajtur e ninullës së kënduar në djep, atëherë bashkëjeton ëndrra për liri dhe copat e atdheut sikur arnohen kudo që janë. Duke e lexuar librin e Hysen Ibrahimit “Vepra-2 (Arsimi shqip në Suedi)”, domosdo fitohet përshtypja më konkrete për rrugën, zhvillimin dhe ruajtjen e arsimit shqip në Suedi. Libri hapet me shatë thënie nga Hysen Ibrahimi. Nga këto thënie më si miri i përshtatet librit e kohës,thënia: ”Formulat për të gjetur detyrat për kombin janë para syve tanë, ato presin që ne t`i zbulojmë dhe t`i zbatojmë”. Nga ky mesazh vjen edhe tërësia e mbarshtrimit të librit, sepse intelektuali ynë në këto hapësira, me kohë ka hyrë në rrjedhat e të ardhmes. Librit i paraprijnë parathënie e autorit ,fjala e redaktorit Prof. Bedri Paci dhe recensë e prof. Migena Orllati, të cilat në mënyrë telegrafike shpalosin brendinë e librit. Libri “Vepra-2 (Arsimi shqip në Suedi)”, ka konceptim në gjashtë kapituj, nëpër të cilët kalojnë emrat e mësimdhënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nëpër qytete të ndryshme të Suedisë nga viti 1968-2017. Me korrektësi janë shënuar edhe 262 strehimore,çerdhe shkollash me zhvillim të mësimit shqip, çka shihet se këto shënime kanë rëndësi të madhe ,sepse ato dëshmojnë ekzistencën e fillimeve të para të vendqëndrimit të jetës për qytetarin tonë. Në këtë kapitull, autori ka shpalosur rolin dhe rëndësinë institucionale të shtetit Suedez,ndaj arsimit e kulturës shqiptare. Vlen të theksohet se falënderimi mirënjohës për drejtoreshën Maj Beijer në Entin për Zhvillimin e Arsimit të Suedisë, paraqet fillimin e mbarë, e që me kontributin e saj ajo krijon klimën për punë e suksese. Duke i shënuar këto rrjedha të kohës me protagonistët e tyre,libri komunikon më bukur dhe i jep vlerën e qëndrueshme këtyre rrethanave të shekullit të kaluar dhe si i këtillë krijon mundësinë e modelit mirënjohës dhe afirmativ të kulturave të ndryshme.
Në kapitullin e dytë, radhiten shkrimet që specifikojnë fillimin e vendosjes dhe shkollat e para shqipe në Suedi. Në vitin 1968 hapet Shkolla e Parë në qytetin Malme, me mësuesit e parë Bejzad Beqiri, Faredin Isai, Sadulla Zendeli-Daja e tjerë. Autori me shënime të dokumentuara shënon vendosjet e grupeve të para në Suedi. Ato kanë fillimin e grupit të parë, fill pas Luftës së Dytë Botërore, grupi i dytë është vendosur në vitet e 70-ta dhe kështu vazhdon vendosja e shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981 e deri te ndjekja e largimi më i instrumentalizuar në fillim të viteve të 90-ta,kur haptazi ndjekej dhunshëm intelektuali shqiptar. Në këtë pjesë të librit Hysen Ibrahimi ka sjell shkrime e dokumente të rëndësishme historike të kohës, të cilat ruajnë autencitetin e tyre, sepse ishte shumë e vështirë për intelektualin e asaj kohe të hedhë hullinë e parë identifikuese për origjinën dhe kulturën e tij gjuhësore. Kur dihej se lobi serb kishte shtrirje të gjerë në shtetin Suedez. Prandaj ,roli i veprimtarit shqiptar të asaj kohe kërkonte me shumë sakrifica, sepse ndjekja e tij bëhej edhe atje. Por shtresa e mërgimtarëve të vendosur nëpër qytetet të ndryshme , luajti rolin më progresiv të tij. Ata konfirmuan origjinën kombëtare dhe gjuhësore,duke dëshmuar nivelin intelektual, dëshirën e vullnetin për të njohur, ruajtur shtetësinë e panjohur të tyre ndërkombëtarisht. Kështu pjesa më e madhe e tyre, organizoi vetë shkollën shqipe për dy vite në mënyrë vullnetare, por njëkohësisht punuan pandërprerje për njohjen e shtetit të Kosovës dhe kështu arritën të artikulojnë zërin e tyre në mjedise njerëzore dhe institucionale me përkrahje të parezervë të faktorit vendor. Në këto angazhime, shpaloset identiteti dhe karakteri i fuqishëm i veprimtarit tonë, i vënë në funksion të shtetformimit dhe ndërkombarizimit të tij.
Në kapitullin e tretë , autori ka sjellë faktorgrafi nga takimet e mbajtura në atë periudhë, të cilat janë dëshmi dhe ata saktësojnë rolin e veprimtarëve të asaj periudhe komplekse. Procesverbalet e parashtruara në libër janë autenciteti i veprimit konkret në formimin themeltar të organizimit në kuvendet e para të arsimit , si: Kuvendi i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri” në Suedi, me këto mekanizma krijohet e ruhet lidhja me vendlindjen. Hysen Ibrahimi në këto rrethana të vështira viziton e njihet përsëafërmi me vështirësitë e Arsimit në Kosovë, e sidomos në Mitrovicë e rrethinë. Në faqen 102 të librit janë paraqitur me saktësi ndihmat e bashkatdhetarëve nga Suedia ,dedikuar Arsimit në Republikën e Kosovës, Në këtë kapitull është me rëndësi të veçantë faktografia e shënuar nëpër këto procesverbale,sepse lexuesi takon me respekt njerëz e miq të devotshëm, të cilët kanë kontribuar në ndërtimin, ngritjen e avansuar të shtetit të Kosovës. Pastaj në këtë pjesë mësojmë se sa me përkushtim e profesionalizëm është punuar në hartimin e Planprogrameve për mësuesit e mësimit plotësues, për ciklin e ulët dhe ciklin e lartë për disa lëndë mësimore. Këto shënime janë bazament i rëndësishëm për kohën dhe ato shërbejnë edhe për të ardhmen si dëshmi e faktorizim që prek e dikton të ardhmen e njeriut tonë, sepse kështu ruhet e pasqyrohet historia reale e shtetit tonë.
Në kapitullin e katërt, hapësirë të rëndësishme dhe të gjerë i jepet rolit dhe punës shumëdimensionale të intelektualit e atdhetarit Bedri Paci. Në këtë kapitull janë dhënë dokumente të rëndësishme, të cilat janë dokumentaritet për të afirmuar punën, veprimin në krijimin sa më institucional për të ardhmen e Kosovës. Pra, vitet e 90-ta shpalosin të vërtetën e dhunës serbe në Kosovë. E këtë shpalosje e shkundje të pluhurit e bëjnë me vetëmohim veprimtarët ,atdhetarët që punuan, vepruan në shtetin e Suedisë. Ky angazhim e solidarizim gjen përkrahje të pranueshme, vetëm përmes punës këmbëngulëse të tyre. Konsiderojmë se kapitulli i katërt është pasqyra më rëndësishme e librit, sepse Hysen Ibrahimi ka radhitur e fokusuar ngjarje e personalitete të dalluara, të cilët me angazhimin,vullnetin ,dijen dhe tërë bagazhin e tyre e kanë funksionalizuar në shërbim të atdheut. I tërë ky angazhim, kërkonte sakrificë dhe njohje depërtuese, të cilët arritën të kanalizojnë rrugëtimin me bindje se roli i tyre është pjesë funksionale e mekanizmave që vejnë në lëvizje institucionet Suedeze për shtetin e Kosovës.

Në kapitullin e pestë, në mënyrë telegrafike janë dhënë shënime për ligjërimet e disa intelektualëve të Kosovës e Shqipërisë. Mirëpo, do të ishte me interes të botoheshin edhe fjalimet e tyre, për dëshmi e vizionin e tyre intelektual në afirmimin e përkrahjen e të ardhmes sonë. Pastaj është paraqitur edhe mbajtja e Konferencave arsimore në Suedi.
Kapitulli i gjashtë përmbyll librin, e në të janë radhitur shkrimet me intervista dhe portrete, të cilat afrojnë informacion të mjaftueshëm për organizimin e rrjedhën e Arsimit shqip në Suedi, vendosja e familjeve nëpër qytete të Suedisë etj. Autori i librit në këtë pjesë ka radhitur pesë intervista të periudhës më të re, të cilat janë zhvilluar me bashkëveprimtarët e atyre periudhave, në të cilat shpalosen ngjarje e kujtime domethënëse. Në pjesën e fundit të librit ,autori ka radhitur shkrime arkivore, të cilat janë autentike si dokumente të ruajtura në procesverbale. Libri në përmbyllje ka ilustrime me fotografi e dëshmi të ndryshme, si nga shtypi Suedez i kohës,poashtu, duke paraqitur edhe dëshmi për grumbullimin e mjeteve financiare të 3%-shit, si dhe për zhvillimin, organizimin e arsimit e të jetës kulturore. Duke lexuar librin “Vepra-2 (Arsimi shqip në Suedi)”, arrijmë të mësojmë se mësimi plotësues në shkollat Suedeze ka arritur intergim të suksesshëm dhe si i tillë ai ka përfaqësuar, e përfaqëson kulturën shqiptare në mënyrë të suksesshme. Kurse njeriu ynë ka dëshmuar me angazhim e vetëmohim punën e tij, si dhe ka arritur në kohë të duhur të orientojë drejtë të ardhmen tonë. Nga ky libër dhe libra tjerë që ka botuar Hysen Ibrahimi dhe mërgata jonë në shtetin e Suedisë ,mësojmë se veprimtarët e çështjes kombëtare më mirë se çdo kund në mërgatë kanë arritur të bashkojnë vullnetin,dijen dhe intelektin e tyre ta vejnë në shërbim të shtetformimit të shtetit të Kosovës. Kështu përmes punës së bërë, rezultatet janë të lakmueshme në të gjitha fushat e nevojshme të kohës dhe kështu me angazhimet e tyre ata funksionalizuan kohën, kur atdheu ynë kishte nevojën më të madhe. Pra, intelektualët e kësaj kohe me krenari e sakrificë, ditën e mundën kohën anitikohë. Librat e këtillë janë mëse të nevojshme për ne sot, e për gjeneratat që vijnë pas nesh. Vetë problematika e shtruar brenda kopertonave flet për veprimtarët dhe veprimet e tyre, të cilat argumentojnë se shqiptarët kur janë bashkë në një mendje, dijnë të bëjnë punën siç është më së miri. Dhe vërtet libri të jep këto mbresa brenda kopertinave të tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura