NIKO FERRO: JEHONA E VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË LONDRËS NË NËPREFEKTURËN E LUSHNJËS

Pashtriku.org, 30. 07. 2013 – (Lufta ballkanike dhe krijimi i shtetit shqiptar) – [Pas luftës me Italinë], pozita e Perandorisë Osmane në Ballkan u bë edhe më e vështirë. Ajo tregonte se parimi i integritetit territorial dhe status quo-ja .. nuk kishte për t’u respektuar gjatë.[1] Patriotët shqiptar [të vetëdijshëm ndaj rrezikut] të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, nisën të shqetësoheshin për herë e më shumë për fatin e Shqipërisë.[2] Problemi më evident që kërkonte zgjidhje të menjëhershme ishte ‘njohja e ekzistencës së Kombit Shqiptarë’ [3] dhe të drejtën e shqiptarëve për autonomi.
Shqetësimi për autonominë shqiptare nga ana e shteteve ballkanike nisi të manifestohej më hapur e më sheshit. [4] Lakmia për t’u zgjeruar maksimalisht në territore të banuara nga shqiptar dhe tek njëri tjetri e bënin të pashmangshme përplasjen.[5] Sakaq Perandoria Osmane [deklaronte haptazi se] nuk do të pranonte një ultimatum nga shtetet ballkanike, përkundrazi ishte e prirë t’u jepte Fuqive [të Mëdha] siguritë më serioze mbi çështjen e reformave. Por diskutimi për reformat përmbante rrezikun e zgjatjes; dhe në rast se Evropa vonohej akoma më shumë, zjarri do të përpinte gjithçka para se të arrinin zjarrfikësit.[6] Kur lufta ballkanike ishte gati të shpërthente qeveria franceze ndërmori një tentativë të fundit duke paraqitur një marrëveshje të mbështetur nga qeveria britanike dhe qeveria perandorake ruse.[Qëllimi i saj ishte] ruajtja e paqes dhe mbajtja e status quo-së në Gadishullin e Ballkanit, duke cilësuar ‘se vetëm një veprim kolektiv i Fuqive të Mëdha mund të parandalojë ngjarjet e rënda’, të cilat kërcënonin qetësinë dhe baraspeshën në Lindjen evropiane.[7] Më 7 tetor pas shumë përpjekjesh të qeverisë franceze u pranua propozimi nga të gjitha Fuqitë e Mëdha, [por] ndërhyrja evropiane erdhi tepër vonë pasi shtetet ballkanike nuk e pranonin më.[8] Megjithatë lufta nuk mund të shmangej. [9] Më 15 Tetor [Perandoria Osmane pranon kushtet e vendosura nga Italia, dhe po atë ditë shtetet ballkanike nxitojnë ti shpallin luftë asaj.[10] Pa dyshim në tragjedinë e Ballkanit, në nxitjen e ushtrive të aleatëve të vegjël, luajtën rolin e vet edhe Fuqitë e Mëdha, posaçërisht Rusia, [e cila kërkonte krijimin e një shteti të madh sllav]. Nuk ngelte prapa Austro-Hungaria, protektorët realë të shteteve të porsaformuar ballkanike.[11] Austria nuk mund të pajtohej me zgjerimin e shteteve ballkanike në kurriz të Perandorisë Osmane, kurse Rusia i trembej disfatës së tyre. [12] Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status-quo-së në Ballkan. Qysh në fund të tetorit në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshime territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë.[13] Lëvizja kombëtare shqiptare vihej përballë problemit të ngutshëm të përcaktimit të qëndrimit të saj si në raport me aleatët ballkanik ashtu edhe kundrejt [Perandorisë Osmane]. Sjellja e trupave pushtuese në tokat e banuara prej popullsisë shqiptare, masakrat dhe shpërnguljet në masë treguan edhe një herë se për lëvizjen shqiptare çdo kombinacion politiko-diplomatik ishte i mundshëm, veç jo bashkimit me “Lidhjen ballkanike”. Nga ana tjetër edhe të qëndruarit në suazën e Perandorisë [Osmane] nuk ishte rrugëdalje.[14] Lidhur me këtë po mbizotëronte ..mendimi se çdo zgjidhje e mesme në formën e autonomisë ishte kapërcyer ….dhe se e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë ishte shkëputja e çfarëdo lidhje dhe vartësie nga [Stambolli].[15] Ideja për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmin për mbledhjen e një kuvendit kombëtar u prit me gëzim kudo. Aspiratat shekullore të popullit shqiptarë për liri dhe pavarësi ishin drejt finalizimit.

Ndërkaq ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës, dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini, Lushnja.[16] Dhe më datë 28 Nëntor në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë.
Një nga detyrat e para të Qeverisë së Vlorës ishte përcaktimi i politikës së saj të jashtme. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali njoftoi për këtë akt historik qeveritë e Gjashtë Fuqive të Mëdha, Britaninë e Madhe, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermanin, Rusinë si dhe Portën e Lartë në Stamboll dhe kërkoi që atë ta njihnin [Pavarësinë e Shqipërisë].[17] Detyra e dytë që ndërmori qeveria e Vlorës, u shpall asnjanëse në konfliktin ballkanik. [18] duke mos pasur për qëllim tjetër veçse të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet fqinje.[19] Të tjera detyra që ndërmori Qeveria e Vlorës, përveç atyre me karakter ushtarak dhe politik, [ishin dhe] organizimi i milicisë, xhandarmërisë e policisë shqiptare.[20] [Gjithashtu Qeveria e Ismail Qemalit ngriti] administratën si në zonën e Vlorës ashtu edhe në krahinat e tjera, [21] Këshilli Kombëtar vendosi të linte në fuqi ligjet, rregulloret dhe formalitet e mëparshme dhe të mbeteshin në vendet e veta nëpunësit që do të ta njihnin dhe do ta pranonin Qeverinë e Përkohshme. [22] Nga Konferenca e Londrës tek pushtimi i Lushnjës
Në fillim të dhjetorit gjithë Shqipëria Veriore dhe e Mesme [mbahej e pushtuar nga] trupat serbo-malazeze. Në Veri vetëm Shkodra vazhdonte qëndresën [e saj heroike], por gjendej e rrethuar. Serbët, pasi kishin marrë Durrësin dhe Elbasanin, ishin ndaluar në bregun e sipërm të Shkumbinit. Në Jug trupat greke kishin rrethuar Janinën dhe po vërshonin në Shqipërinë Jugore.[23] [Synimi i tyre ishte të kapnin Beratin përpara mbërritjes së forcave serbo-malazeze]. Ndërkaq flota greke [mbante të bllokuar] gjithë bregdetin e Jugut, duke izoluar nga bota e jashtme dhe [kryeqendrën e shtetit shqiptarë] Vlorën. [24] [Mëvetësia e Shqipërisë] në vend që të shikohej si një proces i natyrshëm, i brendshëm e t’i lihej Lëvizjes së Pavarësisë ta perfeksiononte shprehjen shtetërore me mundësitë dhe me aftësitë e saj, organizimin.. si shtet më vete u kthye, midis shumë problemeve të tjera në një problem të forumeve ndërkombëtare të nivelit të lartë. [25] Nën presionin e ngjarjeve jo vetëm në shkallë gadishulli, por edhe brenda vendit, çështja shqiptare nuk mund të shtyhej më gjatë; ajo tani ishte pikë e nxehtë e politikës së Fuqive në zonën e Evropës Juglindore dhe rrjedhimisht priste një trajtim në thelb dhe një zgjidhje të shpejtë.[26] Propozimi konkret për mbajtjen e një konference u bë në dhjetor të vitit 1912 nga Anglia (Sir Edward Grey). Londra u zgjodh si më ‘neutrale’. Në gjysmën e dytë të dhjetorit 1912 në Kryeqytetin e Anglisë u mbajt Konferenca e Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha,[27] Aty [pa të rreshtuar dy blloqe të kundërta, Lidhjen Trepalëshe dhe Antantën]. Thelbi ishte, ‘rregullimi paqësorë’ midis palëve ndërluftuese. Ajo nuk mund të anulonte gjithë pasojat e Luftës në Ballkan.[28] Qëllimi i Konferencës ishte që të mos lejonte që këto pasoja të çonin në një përmbysje të strukturës së marrëdhënieve ndërkombëtare [dhe] të prishnin ‘ekuilibrin e forcave’[Kërkohej një zgjidhje që do ishte e pranueshme në radhë të parë nga Fuqitë e Mëdha të interesuar në rajon dhe në radhë të dytë e pranueshme edhe nga shtetet ballkanike]. Delegacionit shqiptarë nuk ju lejua të merrte pjesë. Pasi bisedimet zhvilloheshin në fshehtësi. Kërkesa e Qeverisë shqiptare në këtë Konferencë ishte: për një pavarësi sa më të plotë të Shqipërisë: kufi etnik, historikë e gjeografik sa më të gjëra. Kërkesa që ju drejtua Fuqive të Mëdha konsistonte në një Shqipëri jetëgjate dhe homogjene, gjë që do ta lejonte [në]marrëdhënie të mira me fqinjët. [29]
[Pas disa ditë punimesh të Konferencës] më 25 dhjetor 1912 mbërrin një telegram[30] dërguar nga Ministri i Brendshëm Myfit Libohova aty thuhej: edhe shtetet ballkanike e pranuan në parim Pavarësinë e plotë të Shqipërisë edhe aleatët ranë dakord që kufijtë e Shqipërisë të caktohen nga Fuqitë e Mëdha. Më 28 dhjetor, në Nënprefekturës e Lushnjës mbërrin një telegram ku ndër të tjera thuhej: [Konferenca e Ambasadorëve në Londër] “ka pranuar në parim Pavarësinë e Shqipërisë… Ky lajmë i gëzueshëm u brohorit nga të gjithë dhe mbetëm mirënjohës.[31] Ndërkaq në vazhdim të punimeve, Konferenca e Ambasadorëve u mor disa muaj më radhë me kufijtë e Shqipërisë qoftë në Veri, qoftë në Jug. Organizimi i brendshëm i shtetit shqiptar u la përkohësisht mënjanë.[32] Në mbledhjen e parë u arrit në një konkluzion të përgjithshëm, që mund të konsiderohet edhe si një marrëveshje paraprake, u vendos që kufijtë e Shqipërisë autonome, me Malin e Zi në veri dhe me Greqinë në jug, të ishin të përbashkëta. Kjo kishte të mirën se përjashtonte tërthorazi mundësinë e shtrirjes territoriale të Serbisë në drejtim të detit Adriatik, ku do të mund të realizohej vetëm nëpërmjet aneksimit të tokave shqiptare të Veriut nga ana e Serbisë. Po kjo nuk do të shmangte rrezikun e zgjerimit të Malit të Zi e të Greqisë në drejtim të Shqipërisë, përkatësisht në veri dhe në jug. Nga ana tjetër kërkesa e vjetër e Serbisë për një ‘dalje në Adriatik’ nuk u hodh krejt poshtë. Fuqitë ranë dakord t’i njihej Serbisë e drejta e ‘daljes tregtare’ në Adriatik.[33] Ndërkohë, pozita ndërkombëtare e Qeverisë së Ismail Qemalit [nuk ishte e mirë]. Asnjë nga shtetet evropiane nuk iu përgjigj njoftimit të kryetarit të qeverisë shqiptare për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, dhe njohjen e saj nga Fuqitë e Mëdha e nga shtetet e tjera. Ato prisnin përfundimet e Konferencës së Ambasadorëve. [34]
[Ndërkaq avancimi i ushtrisë serbe në afërsi të Lushnjës kishte ngritur shqetësimin e vendasve për ndonjë hakmarrje të mundshme ndaj popullsisë së pa mbrojtur] në një telegram dërguar nga Lushnja Qeverisë shqiptare thuhej : “….Serbia ka shkelur Durrësin, Elbasanin, Kavajën [ka arritur] deri në Peqin… Greqia po vazhdon luftën,[në Jug të vendit. Pasi] mori Korçën, hyri [dhe]në Kolonjë dhe po marshon drejt Beratit. Tërë populli është i alarmuar dhe i [demoralizuar]…. këtu jemi në rrezik. Nderi, jeta, pasuria, bir, bijë e familje, po ç’bien. S’ka fuqi populli të qëndrojë. [ai] ka nevojë për mbrojtje…Siç duket [Fuqitë] e Mëdha po tallen me ne…lufta e barbarizmat. Popullin duan ta shfarosin. Kërkojmë…intervenim sa më të shpejt. [35] ..Në Durrës e në rrethe, Serbët po bëjnë mizori. Pesë ditë përpara ranë në dorë shtatë katolikë dhe katër myslimanë nga malësia e Lezhës. Edhe dje kanë ndodhur përleshje afër Krujës; përfundimi nuk dihet. Serbia e ka shtrënguar parësinë të hartojë memorandume kundër Pavarësisë e në favor të Serbisë dhe po ja paraqesin Ministrisë së Punëve të Jashtme të Anglisë. U siguron udhëtim vajtje ardhje…. Ju lutemi.. të keni mirësinë dhe të na dëftoni ç’lajme kemi [nga konferenca e Ambasadorëve në Londrës].[36] . Më datën 3 Janar 1913 Kryetari i Qeverisë Shqiptare i dërgon Nënprefektit të Lushnjës Emin Vokopolës një telegram aty thuhej: [37] “Nga Londra s’ka shumë lajme, pasi bisedimet e Konferencës po bëhen në mënyrë të fshehtë. Sipas lajmeve të përhapura, të cilat konfirmohen prej lajmeve nga Stambolli, paqja do të mbyllet shumë shpejt.…Delegacioni shqiptarë i ka paraqitur Sir Edward Grey një memorandum, …ku ka kërkuar që Shqipërisë ti caktohen ato kufi që të sigurojnë pavarësinë e saj të plotë dhe t’i japin qeverisë së re mundësin e përparimit”.[38]
Më 27 shkurt Ismail Qemali njoftonte me telegram prefektin e Beratit Azis Pashën, rreth rrezikut serb “….Po vijnë lajme se ushtria serbe u nis nga Kavaja drejt për në Lushnjë. Këta e kanë syrin për të zënë Beratin dhe Vlorën…”[39] Për ti bërë ballë situatës tepër të rrezikshme nga avancimit i ushtrive serbe dhe për të organizuar administratën e qytetit, [40] Ismail Qemali i kërkonte Prefektit të Beratit që “Nënprefekturës së atyshëm t’ia dorëzonte një njeriu të zot, kryesin e Lushnjës.”[41] Më 2 mars 1913 në Qeverinë e Përkohshme mbërrin një telegram tepër urgjent nga Lushnja në të thuhej: “Patëm dëgjuar se Belshi dje ka ngritur flamurin e dorëzimit. Si morëm vesh nga kalorësit që erdhën tani prej andej, detashmenti i kalorësisë otomane që pati vajtur sot atje, kur po këshillonte popullin që të ulte flamurin në fjalë, ra në pushkë me serbët dhe në fund u zmbrapsën. Më vonë serbët bombarduan Belshin edhe pushtuan Rasën…. Situata e nënprefekturës [së Lushnjës]është në një rrezik të madh. Me siguri serbët do të sulmojnë këtë anë. Duket sheshit se po të bëhen kundërshtime nga ana e ushtrisë otomane, këto vise do të shkatërrohen fare. Presim në zyrën e telegrafike të na urdhëroni shpejt mënyrën e veprimit tonë.[42] Përqendrimi i forcave të reja serbe në Shqipërinë Qendrore u krye gjatë muajit mars 1913, qëllimi ishte për të parandaluar zgjerimin e kryengritjes shqiptare që mund të shpërthente eventualisht.[43] Pasi kapërcyen Shkumbinin, [ushtritë serbe] ….në formacion luftimi u përhap e u shtri përgjatë gjithë kodrave[të Darsisë], nga Dushku deri në Kosovë të Madhe.[44] Synimi ishte të pushtonin Gramshin, Lushnjën e Beratin.[45] Sulmi për pushtimin e Lushnjës u krye nga ana e Ballagatit, ku në fund të marsit dhe fillim të prillit u bënë luftime të ashpra për disa ditë rresht, dhe nga ana e Kozares, pushtimi i të cilave nga serbët bëri që edhe Lushnja të binte në duart e tyre[më datë 26 mars].[46] Një ditë para se të pushtonin qytetin e Lushnjës ushtritë serbe kryen krimin më monstruoz kundër banorëve të fshatit Gjuzaj, pasi morën 27 veta[47] të lidhur këmbë e duar i çuan në vendin me toponimin “Boka e Bardhë” aty i masakruan të gjithë.[48] Rënia e Lushnjës dhe arritja e trupave serbe në fshatin Kozare kërcënonin drejtpërdrejt edhe Beratin. [49] Për pushtimin e [e Lushnjës] komanda serbe, siç duket kishte hyrë në lidhje me atë greke për ti rënë Beratit nga disa drejtime.[50]“…në Lushnjë popullsia [për tu ruajtur nga kriminelët serb] kishte dalë në fusha dhe ndër vende të zbuluara. Situata [në qytet paraqitej] e rrezikshme në çdo pikëpamje”. [51] Më datën 26 mars Prefekti i Beratit në orën 22.°° telegrafonte [urgjentisht] Qeverinë shqiptare rreth gjendjes së krijuar në Lushnjë [pas pushtimit nga forcat serbe] [52] “Ju informojmë se që nga ora 8[e darkës] vija telegrafike e Lushnjës u pre”. “Lushnja…është e mbushur plot e për plot me ushtarë. Sendet e nevojshme si sheqer, kafe, sapun e vajguri mungojnë pothuajse fare. Gjithi drithi që ndodhet këtu mund të mjaftoj për afro një muaj dhe me vështirësi mund të bëjë ballë nevojës së ushtrisë dhe të popullit. Nga kjo gjendje në rast se zgjat edhe 15 ditë akoma, jo vetëm se do të vuajmë por, Zoti mos e dhëntë do të vijë edhe një katastrofë. Nuk ja pret mendja njeriut se çdo të bëhet dhe nuk kemi çfarë të bëjmë veçse ta kemi shpresën te Perëndia.[53] Trupat serbe u futën në Lushnjë nëpërmjet rrugës që të çon në fshatin Hajdaraj. Gjatë qëndrimit në Lushnjë ushtaret serbë vranë Azis Qerretin, Myrte Belshakun dhe një banor tjetër nga fshati Shegas.[54] Nëpërmjet një telegrami i cili mban datën 10 prill 1913 mësojmë rreth dëmeve të shkaktuara nga ushtria serbe në Lushnjë, aty thuhej “bastisën çdo fshat, çdo hambar dhe çdo shtëpi, duke rrëmbyer kuaj, ushqime, [madje dhe]orendi-t shtëpiake, dhe çdo objekt të çmuar që ju gjet banorëve të këtyre krahinave”. [55] Përpjekja e Qeverisë së Vlorës për të shtrirë autoritetin në vend
Pas largimit të forcat serbe, Qeveria Provizore Shqiptare dërgoi pa humbur kohë 100 xhandarë dhe nëpunësit e nevojshëm për në Lushnjë, për t’u kujdesur për mbrojtjen e rregullit dhe të qetësisë..[56] Ndërkaq Myfit Beu i kërkonte nënprefekturës së Lushnjës që “….deri në vënien në zbatim të ligjeve të reja, lihen në fuqi ligjet e rregulloret të qeverisë otomane.[57] Ndërkohë në Lushnjë ishte përhapur lajmi se vendimi i Konferencës e Ambasadorëve në Londër do i falte Greqisë territorin e Çamërisë. Menjëherë populli i Lushnjës dhe paria e tij më datë 5 qershor 1913, organizoj një miting të fuqishëm për të protestuar fuqishëm padrejtësitë që po i bëheshin kombit shqiptar. [58] Pas mitingut u dërgua dhe një telegram Fuqive të Mëdha, drejtuar në veçanti Kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve Sir Edward Grey. në të thuhej: Nga lajmet e gazetave mirret vesh se në Çamëri, e cila si nga pikëpamja e gjuhës ashtu dhe nga tradita nacionale e sidomos nga pikëpamja e jetesës, dhe nga pozita historike e gjeografike është pa dyshim Shqipëri, po caktohet një kufi që nuk është në interes të dy qeverive dhe që do të shkaktojë shkatërrimin e zhdukjen e këtij vendi. Kjo nuk pajtohet me qëllimin që kanë ç’faqur Fuqitë e Mëdha për të mbrojtur Shqipërinë. Të drejtat e Shqipërisë, që ekzistojnë brez pas brezi në këtë vend, nuk mund të zhvishen dhe të veçohen nga vendi, që e lidh gjaku dhe gjuha.[59] Të drejtat dhe kërkesat e popullit shqiptarë nuk u morën parasysh. Vendimit i 29 korrik të vitit1913, mbi organizimin e shtetit shqiptar, e shpallte Shqipërinë principatë autonome, sovrane dhe e trashëguar nën garancinë e Gjashtë Fuqive të Mëdha dhe që e shkëpuste atë nga çdo lidhje me Perandorinë Osmane.
Përfundimi
Lushnja si të gjitha qytete te tjera të Shqipërisë u tregua e gatshme të bashkohej në luftën për Liri dhe Pavarësi. Ajo pranoj pa asnjë hezitim autoritetin e qeverisë së Vlorës si të vetmin udhëheqës të vërtet të popullit shqiptar. Nuk duhet harruar se ky qytet nuk i kalonte as 1600 banorë më 1913, ai tregoj vendosmëri të madhe për t’ju kundërvënë vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve.
__________________
Bibliografia
1- A.Q.Sh
2-Arben Puto. Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit. Vëllimi II, Tiranë 1987
3- Arben Puto. Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha. 1912-1914. Tiranë 1978
4- Egidio Ivetic, Le guerre balcaniche, il Mulino – Universale Paperbacks, 2006. f. 70
5- Dorëshkrim i pa botuar i Ahmet Shehut 1963 një kopje ruhet në Muzeun Historik Lushnjë.
6- Historia e Popullit Shqiptarë .Vell II. Rilindja Kombëtare vitet 30’ të shek. XIX-1912. Botime Toena. Tiranë 2002
7- Harun. Greca “Darsia” Shtëpia Globus R. Tiranë 2010
8- Mareglen Verli. Kosova sfida shqiptare në historinë e një shekulli. Botipex Tiranë 2007
9- Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963
10- Kristaq Prifti. “Dervish Hima” . Shtëpia botuese “Elena Gjika” Tiranë 1993
11- IHSH.A.V.Lejnac. Konsulli I Austrisë Vlorë, Dosja 23/1 ¾ dok 101.200. 25 prill 1913.
12- R Fiçorri. Ushtritë e Huaja në Shqipëri 1912-1922 . Tiranë 2002
13- Raymond Poincare, “Lufta e I dhe e II Ballkanike si dhe Konferenca ë Londrës (1912-1913) Botim Logos-A Shkup 2005
14- Stavro Skëndi. Zgjimi Kombëtarë shqiptarë. (1878-1912) Shtëpia e Librit Phoenix. Tiranë 2000
15- Thoma Murzaku. Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913. Tiranë 1987

______________

Referencat:
[1] Stavro Skëndi. Zgjimi Kombëtarë shqiptarë. (1878-1912) Shtëpia e Librit Phoenix. Tiranë 2000 f. 401
[2] Po aty vep e cit f.402
[3] Po aty vep e cit f.402
[4] Po aty vep e cit f.403
[5] Mareglen Verli. Kosova sfida shqiptare në historinë e një shekulli. Botipex Tiranë 2007 f. 49
[6] Raymond Poincare, “Lufta e I dhe e II Ballkanike si dhe Konferenca ë Londrës (1912-1913) Botim Logos-A Shkup 2005 f. 226-228
[7] Raymond Poincare, “Lufta e I dhe e II Ballkanike si dhe Konferenca ë Londrës (1912-1913) Botim Logos-A Shkup 2005 f. 201
[8] Egidio Ivetic, Le guerre balcaniche, il Mulino – Universale Paperbacks, 2006. f. 70
[9] Mareglen Verli. Kosova sfida shqiptare në historinë e një shekulli. Botipex Tiranë 2007 f. 51
[10] Arben Puto. Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit. Vëllimi II, Tiranë 1987 f. 248
[11] Mareglen Verli. Kosova sfida shqiptare në historinë e një shekulli. Botipex Tiranë 2007 f. 49
[12] Po aty f. 51
[13] Historia e Popullit Shqiptarë .Vell II. Rilindja Kombëtare vitet 30’ të shek. XIX-1912. Botime Toena. Tiranë f. 508
[14] Arben Puto. Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit. Vëllimi II, Tiranë 1987 f 79
[15] Po aty vep e cit f.109
[16] Historia e Popullit Shqiptarë .Vëllimi II. Rilindja Kombëtare vitet 30’ të shek. XIX-1912. Botime Toena. Tiranë f. 510
[17]“Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f.8
[18] Po aty vep e cit f.9
[19] A.Q.Sh. F. 71, D. 1, Dok. Nr 42 103/12, kopje,. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 nëntor 1912-22 janar 1914) Tiranë 1963 f. 43
[20] “Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 nëntor 1912-22 janar 1914) Tiranë 1963 f. 15
[21] Po aty vep e cit f. 15
[22] Po aty vep e cit f. 15
[23] Arben Puto. Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha. 1912-1914. Tiranë 1978 f. 114
[24] Po aty vep e cit f. 114
[25] Arben Puto. Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit. Vëllimi II, Tiranë 1987 f 35
[26] Arben Puto. Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha. 1912-1914. Tiranë 1978 f. 10
[27] Po aty f. 148
[28] Po aty f. 148
[29] A.Q.Sh. F. 71, D. 1, Dok. Nr 50406, kopje, përkthim nga frëngjishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 82
[30] A.Q.Sh. F. 71, D. 1, Dok. Nr 9209, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 85
[31] A.Q.Sh. F. 71, D. 1, Dok. Nr 8259, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 91-92
[32] Arben Puto. Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit. Vëllimi II, Tiranë 1987 f 49
[33] Po aty f. 55
[34] Kristaq Prifti. “Dervish Hima” . Shtëpia botuese “Elena Gjika” Tiranë 1993 f. 313
[35] A.Q.Sh. F. 71, D. 1, Dok. Nr 8259, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 91-92
[36] A.Q.Sh. F. 71, D. 1, Dok. Nr 121, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar ë në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 95
[37] Emin Vokopola rrjedh nga një familje noteresh. Gjatë sundimit osman dhe në prag të shpalljes së pavarësisë ai ishte Kryetari i Gjykatës së Qytetit dhe njëkohësisht pas dorëheqjes së Eman Nailit me origjinë armene vula e Nënprefekturës ju dorëzua atij. Kështu ai mbajti dy funksione Kryetar gjykatës dhe nënprefekt i Lushnjës.
[38] A.Q.Sh. F. 71, D. 1, Dok. Nr 8312, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 104
[39]T. Hoxha. Ismail Qemali(Përmbledhje dokumentesh) 1888-1919. Tiranë f. 297
[40] Ismail Qemali vendosi që në krye të Nënprefekturës së Lushnjës të emërohej një tjetër Nënprefekt. Përsa i përket Emin Bej Vokopolës ai kaloi Zëvendës Nënprefekt.
[41] T. Hoxha. Ismail Qemali(Përmbledhje dokumentesh) 1888-1919. Tiranë f. 297
[42] A.Q.Sh. F 245, D. 56, f.21
[43] Thoma Murzaku. Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913. Tiranë 1987 f.246
[44] Harun. Greca “Darsia” Shtëpia Globus R. Tiranë 2010 f. 125
[45] Thoma Murzaku. Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913. Tiranë 1987 f.246
[46] Thoma Murzaku. Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913. Tiranë 1987 f.246
[47] U masakruan Tahir Islam Greca, Mustafa Islam Greca, Sulejman Demir Greca, Seit Hasan Greca, Murat Sali Greca, Xhaferr Mehmet Greca, Nuredin Mehmet Greca, Hasan Mehmet Greca, Beqir Sali Greca, Jaçe Sali Greca, Islam Halit Greca, Sulejman Zhyra, Sefer Zhyra, Sefer Zhyra, Qazim Zhyra, Sako Zhyra, Veli Zhyra, Mustë Veli Zhyra, Islam Veli Zhyra, Mersin Selman Çela, Elmas Adem Çela, Idris Zyber Çela, Selman Nuredin Alleshi, Islam Sali Alleshi, Islam Murat Vallja, Adem Vallja.
[48] Harun. Greca “Darsia” Shtëpia Globus R. Tiranë 2010 f. 127. Gazeta Atdheu 18 Janar 1913.
[49] Thoma Murzaku. Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913. Tiranë 1987 f.247
[50] Po aty vep e cit f 247
[51] A.Q.Sh. F. 71, D. 2, Dok. Nr 248, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 126
[52] A.Q:Sh. F 71, D 2 Dok Nr 11138 kopje përkthim nga turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963.
[53] A.Q:Sh. F 71, 2 Dok Nr 11138 kopje përkthim nga turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963
[54] Dorëshkrim i pa botuar i Mësuesit Ahmet Shehut shkruar në vitin 1963 një kopje ruhet në Muzeun Historik Lushnjë.
[55] Thoma Murzaku. Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913. Tiranë 1987 f.208
[56] IHSH.A.V.Lejnac. Konsulli I Austrisë Vlorë, Dosja 23/1 ¾ dok 101.200. 25 prill 1913.
[57] A.Q.Sh. F. 71, D. 2, Dok. Nr 11171, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f. 133
[58] A.Q.Sh. F.71, D.2, Dok. Nr 11255, kopje, përkthim nga Turqishtja. Ky dokument është botuar në librin “ Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe Veprimtaria e saj”. (28 Nëntor 1912-22 Janar 1914) Tiranë 1963 f.150
[59] R Fiçorri. Ushtritë e Huaja në Shqipëri 1912-1922 . Tiranë 2002 f. 38

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura