Pashtriku.org, 15. 06. 2105 – Në maj të vitit 2009, studiuesi ynë i njohur Niko Styllo, i është drejtuar me një kërkesë dekanatit gjegjësisht Dekanit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Prof.Dr.Shezai Rrokaj. Ҫka kërkon Niko Stillo?!
I nderuar zoti Rrokaj!
Dekanatit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit – Tiranës 19/05/2009 – KËRKESË – Unë i nënshkruari Niko Stylos, lindur e rritur në Çamofshatrat e Prevezës dhe prej vitit 1973 me banim në Gjermani, pas një pune shumëvjeçare në përpjekje për të dëshmuar se arvanitasit, d.m.th. folësit e dialektit shqip në Greqi, janë banorë të stërlashtë të këtij vendi dhe jo emigrantë para pak qindravjeçarësh, siç na do krahu zyrtar grek, u mora me mbishkrimet e palexueshme parakristiane të hapësirës së sotme të ashtuquajtur greke. Mbishkrime, që janë gjetur dhe gjenden vazhdimisht në vende, që banohen nga arvanitët dhe për të cilat studiuesit grekë jo vetëm që pranojnë se nuk janë greke, por vijojnë të mbështetin se gjuha e tyre është e panjohur.
Si njohës i mirë i gjuhës greke, apo më mirë si njohës i gjithë trajtave të folura dhe të shkruara, domethënë dimotikes (greqishtes popullore), katharevusës (greqishtes ish zyrtare), kishtares dhe greqishtes së lashtë, nga fjalët e shumta shqipe, që gjejmë te shkrimtarët e lashtë grekë me përkthimin e tyre dhe për të cilat ndërsa konsiderohen të huaja, sistematikisht shmanget të thuhet cila është kjo gjuhë, jo vetëm u sigurova se arvanitasit janë një popull i lashtë, po edhe u binda se të thënat zyrtare të universitetit të Athinës i janë përshtatur propagandës etnike greke.
Me këtë besim dhe përpjekje shumëvjeçare arrita me dialektin tim amtar të gjuhës shqipe të lexoj shumë prej këtyre mbishkrimeve dhe jo vetëm nga hapësira e sipërpërmendur greke, por dhe jashtë saj, e konkretisht nga Italia dhe Turqia dhe më 2003 qarkulloi në Athinë libri im “Elemente prehistorikë në tekste shumë të lashta shqipe”, i cili në përkthim me titullin “Historia e shenjtë e Arvanitëve” qarkulloi në Prishtinë, botuar nga MKRSÇJR, Departamenti i çështjeve Jorezidente.
Meqë problemi i leximit të këtyre mbishkrimeve, që një sërë studiuesish mbështetin se janë shkruar në gjuhën shqipe, ka si pikënisje alfabetin apo më mirë alfabetet dhe kryefilli fjalët, që nuk gjenden në fjalorët e sotëm të shqipes zyrtare, u ktheva në tekste dhe fjalorë të ndryshëm më të vjetër ku kemi fjalë dhe germa, si p.sh. ϋ që përdor Marko Boçari dhe të cilën Dhaskal Todri e shkruan, që na ndihmojnë të lexojmë mbishkrimet e lashta të quajtura të palexueshme.
Në përpjekjen për të sjellë më afër studiuesit apo më mirë të jap mundësinë e përdorimit të fjalëve të shkruara me alfabete më të vjetra, më 2007 qarkulloi në Tiranë libri me titull “Fjalori i Marko Boçarit”, ku përveç një punimi, që le ta quajmë hyrje në problemet e alfabeteve të gjuhës shqipe, është transkriptuar edhe pjesa shqip e këtij fjalori me alfabetin e sotëm. Veç kësaj prej shumë kohe merrem me Fjalorin Greqisht-Shqip të Panajot Kupitorit, ku për shkak të germave më të shumta që ai përdor, kam aritur në një lloj qorrsokaku dhe pres përgjigje në ndihmën, që kam kërkuar nga albanologë të ndryshëm mbi këtë problem.
Meqenëse konstatoj se synimi i organizmave zyrtare greke është zhdukja me kohë të dialektit arvanitas, i cili mund të them me pikëllim të madh, që ndodh jo thjesht nga shkujdesja e plotë, por edhe prej shpërfilljes nga pala shqiptare, në një përpjekje të fundme do të doja t’ju lutesha dhe natyrisht jo që të njihni veprën time të shkruar, por të tregoni të paktën një çikë interes jo vetëm për veprat e panjohura të arvanitasve, por edhe të përfshini në fjalorin e madh përmbledhës edhe fjalët shqipe të këtij dialekti, se unë personalisht e ndjej për turp që fjalë, të cilat i gjejmë në apominaret e shkruar të Anastas Kulluriotit, fjalë që i pagoi me jetën e tij për luftën e nxënies së kësaj gjuhe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë t’i ketë mënjanuar.
Nuk e di nëse është shumë, që duke mos qenë qytetar shqiptar të kërkoj ngritjen në Universitetin e Tiranës të Katedrës së Arvanitologjisë (Αρβανιτολογίας), por pa droje si arvanitas dhe madje si çam i diasporës, ju kërkoj të përfshini në punimet diplomatike dhe didaktorike të universitetit tuaj edhe tema shkrimtarësh që kanë shkruar në të shkuarën në dialektin arvanitas, nga që në këtë kohë janë tepër të shumtë fëmijët e emigrantëve në Greqi me njohje të përkryer edhe të gjuhës greke.
Niko Stylos: N.Stylos@ t-online.de
============================
SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
KUSH ËSHTË NIKO STILLO
Niko Stillo u lind më 1946 në fshatin Ftinë në Qarkun i Prevezës. Ai është i quajtur ndryshe si djali i Ftinës të Çamofshatrave mbi Prevezë dhe është endur nëpër disa vende evropiane duke iu futur studimeve ekonomike derisa përfundon në Gjermani si mjeshtër i interierëve të brendshëm të restoranteve. Prindërit e tij flisnin në gjuhën shqipe në familje. Gjuhën greke Niko e mësoi në një moshë pak të rritur, gjatë kohës që filloi të ndiqte shkollën fillore, shkollën e letrave, siç i thoshin shqiptarët e Greqisë, gjuhës zyrtare greke vite të shkuara. Në krahinën e tij, njëri fshat dallonte nga fshati tjetër në gjuhë. Diku flitej shqip, diku greqisht edhe me tutje vllahisht. Me idenë e një gjuhe të përbashkët, fanatikët të udhëhequr nga mësuesit e shkollave, gjetën terren për realizimin e qëllimeve të tyre. Mësuesit grekë numëronin fjalët e dëgjuara nga fëmijët që vinin nga familjet me origjinë shqiptare në gjuhën shqipe dhe i qëllonin me shkop në duar. Me gjithë kërkesat dhe metodat e rrepta për të mos folur gjuhën e prindërve, moshatarët e Niko Stilos e mësuan gjuhën e prindërve, shqipen. Kur ishte në gjimnaz e mundonte pyetja se, ç’janë këta shqiptarët, këta arvanitasit. Me vite, njëra-tjetra, librat, ambienti i ndryshëm nga ai familjar dhe shkollor etj, dhanë një përgjigje. Gjeti shkrime 500, 800 vite para Krishtit. Mësoi se ajo gjuha e vjetër është shqipja. Duke lexuar gramatikat më të lashta greke të mbijetuara, i bëri përshtypje që në 12 vjetët e shkollës nuk kishte dëgjuar qoftë edhe një fjalë për to. Duke u angazhuar gjithnjë e më tepër me temën e arvanitasve (shqiptarëve), gjeti fjalorin më të vjetër të gjuhës shqipe të Frang Bardhit “Dictionarium Latino-Epiroticum”. Arriti në përfundimin se librat me të cilat ishte informuar në shkollë, jo vetëm nuk shkruanin të vërtetën, por përpiqeshin edhe ta mbulonin atë. U njoh me epigrame të palexuara të pellgut Mesdhetar të shkruara me alfabetin grek, prej atyre që perëndimorët i quajnë etruske, e vetëm një pakicë studiuesish i konsiderojnë ato se bëhet fjalë për gjuhën e shqiptarëve. Në shtator të vitit 2004 mori pjesë në Simpoziumin shkencor për arvanitasit si dhe për të botuar librin e tij të parë në gjuhën shqipe “Historia e shenjtë e arvanitasve”. Libri flet për historinë e shqiptarëve në kohën antike. Në veçanti, në libër shkruhet për mumien e Egjiptit që ndodhet në muzeun e Zagrebit. Niko Stillo “devijon”, drejt një kauze tjetër duke ndenjur afër Spiro Muselimit, në rrugët e mërgimit i kushtohet përfundimisht studimit të historisë, gjuhës së popullit të vet, Çamërisë, Shqipërisë dhe lashtësisë së tyre. Si autodidakt, arriti të bëhej një studiues i mirëfilltë, duke kulmuar me veprat “Historia e shenjtë e Arvanitëve” dhe “Fjalori i Marko Boçarit”. Në jetëshkrimin për të shkruhet se “ai ecën në gjurmët e Aristidh Kolës, të cilin e ka pasur mik të dashur e shok të ngushtë jo vetëm në fushën e letrave, por dhe të veprimit.
NIKO STILLO- NJERIU AKADEMI (1 – 3)
……………………………………………………………………………
Paraqitje e shkurtër e librit: “Fjalori i Marko Boçarit” të Niko Stilos:………………………………………………………………….
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)