NIKOLLË IVANAJ: ‘TURQIT NUK MUND TË NA MARRIN MË TRI GJËRA: NDËRGJEGJEN, ZEMRËN DHE ARMËT TONA!’ (LE TEMPS, GUSHT 1912

Francë, 4 Nëntor 2017: Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të mërkurën e 21 gushtit 1912, në faqen n°2, deklaratën e patriotit shqiptar nga Tuzi, Nikollë Ivanaj, në lidhje dy qëllimet kryesore të lëvizjes shqiptare për pavarësi si dhe me problematikën e krijuar nga korrespondentët e gazetave të huaja, të cilët shkruanin se mes shqiptarëve kishte mosmarrëveshje.

Cilat kanë qenë këto qëllime? A kishte mosmarrëveshje mes shefave shqiptarë? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Korrespondenti ynë në Sofje na telegrafon:

Agjitatori shqiptar Ivanaj Beu, i cili mori pjesë në rolin e sekretarit në një konferencë të rëndësishme në Prishtinë, sapo ka mbërritur në Sofje me misionin për të marrë pjesë në komitetet maqedonase. I pyetur për situatën në Shqipëri, ai na dha deklaratën në vijim:
“Kemi çdo arsye për të qenë të kënaqur me rezultatet e arritura nga lëvizja jonë. Siç ju thashë vitin e shkuar, ne po procedojmë sipas etapave.
Qëllimi ynë i parë ishte aktivizimi i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare mes popullit tonë, duke e futur atë në konflikt me turqit, ku një traditë e gjatë e bëri të dukej si vëllezër me ta. Partia Bashkim dhe Progres, nëpërmjet çmendurive terroriste të shovinizmit të saj dhe manisë centralizuese të politikës së saj, na i ka lehtësuar shumë gjërat. Aktualisht, për patriotët tanë, Turku nuk është më, si dikur, vëlla në fe dhe aleat në sundim; ai është armiku i vdekshëm i racës sonë dhe aq i urryer sa që urrejtja jonë për të është tani pjesë e përpjekjes që na çon drejt lirisë.
Qëllimi i dytë i lëvizjes sonë ishte diplomatik, ne kemi dashur të paraqesim problemin shqiptar përpara Evropës; tashmë është bërë. Ne ishim në pritje të kushteve ligjore për përfundimin e rilindjes tonë kombëtare nëpërmjet shkollës dhe për organizimin e forcave tona popullore në mënyrë që të fitonim pavarësinë. Ky ështe qëllimi i kërkesave që kemi bërë aktualisht dhe ku disa prej të cilave do të pranohen domosdoshmërisht nga Porta e Lartë.
E di fare mirë që shkruajnë se udhëheqësit shqiptarë nuk janë dakord për qëllimin që duhet arritur dhe se ka pasur të paktën tre parti. Madje është thënë se shumë nga bashkëkombasit e mi dëshironin kthimin e Abdul Hamidit. Këto thashetheme janë përhapur nga korrespondentë, ku nuk dyshoj në qëllimin e tyre, por dua t’ju shpjegoj keqkuptimin e tyre.
Shqiptarët nuk janë të ndarë nga parimet, por nga oportunizmi. Ata janë të bashkuar me pasion idealit të vetëm për pavarësi, megjithatë, hamendja e tyre e përbashkët u thotë që të moderojnë kërkesat e tyre për momentin për t’i bërë ato të realizueshme. Kjo arsye praktike është veçanërisht e dukshme në mesin e shefave të moshuar, si Isa Boletini, i cili kombinon instinktin e thellë politik me njohurinë e madhe që ka ndaj turqve. Pra, korrespondentët e huaj, sipas faktit që janë njohur me intelektualë, ku ëndrra kombëtare është plotësisht e afirmuar, apo me udhëheqësit e vjetër të lëvizjes, të rezervuar, ata kanë marrë më vete përshtypje të ndryshme.
Çfarë mendoj për qeverinë e re turke? Është e pamohueshme se ajo përbëhet nga burrështetasit më të mëdhenj të Turqisë; por këta shtetas janë turq, dhe kjo është e mjaftueshme për të na bërë skeptikë ndaj tyre. Ne kemi qenë aleatë të opozitës, po, por për një vendim paraprak : shpërbërjen e Dhomës Parlamentare, në të cilën ne pamë një pengesë ligjore për suksesin e kërkesave tona. Ajo nuk ekziston më, aq më mirë; por kjo nuk është e mjaftueshme për ne që të dorëzojmë armët.
Lufta do të përfundojë vetëm kur Shqipëria të administrohet nga zyrtarë shqiptarë, të arsimuar në gjuhën e saj dhe të lirë në zhvillimin e saj drejt kulturës kombëtare. Ne kemi planifikuar çdo gjë, madje edhe një humbje. Turqit mund të shkatërrojnë përsëri shtëpitë tona. Por ka tri gjëra që ata nuk mund ti marrin më : ndërgjegjen, zemrën dhe armët tona !”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.

_____________________________________
Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura