DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (11)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-21-

Relacion

Gjendja dhe probleme të popullsisë shqiptare në Jugosllavi

Borgjezia serbomadhe dhe pasardhësit e saj revizionistët jugosllavë, për vite me radhë nuk kanë lënë gjë pa bërë për të treguar se territoret e banuara prej popullsisë shqiptare në Jugosllavi janë toka serbe, bile sipas tyre, Krahina e Kosovës e Metohisë është “djepi i Serbisë”, ose siç e quajnë në histori “Serbia e vjetër” dhe se elementi shqiptar që banon këtu është i ardhur “mysafir”. Për të mbrojtur këto teza shoviniste, si borgjezia serbe ashtu edhe revizionistët, kanë bërë dhe po bëjnë një punë sistematike e cila konsiston në dy drejtime kryesore. Nga njëra anë bëhen të gjitha përpjekjet për të vërtetuar historikisht pretendimet e tyre shoviniste dhe nga ana tjetër përdorën të gjitha metodat për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare dhe për serbizimin e këtyre krahinave.

Për të vërtetuar nga ana historike karakterin serb të territoreve të banuara nga shqiptarët, borgjezia shoviniste serbe dhe revizionistët jugosllavë kanë aktivizuar një sërë historianësh, gjeografësh etj., të cilët në shkrimet e tyre duke përdorur argumente pseudoshkencore dhe duke bërë falsifikime historike të nxitur nga ndenja shoviniste, kanë ngritur një sërë tezash dhe pretendimesh absurde dhe të pabaza mbi këtë çështje. Një nga këto personalitete që njihet si shtylla e gjithë literaturës serbomadhe, ka qenë gjeografi serb J. Cvijiq (1900-1920) dhe që vazhdon të njihet edhe sot si autoritet nga revizionistët . Për të njohur qëndrimin antishkencor dhe shovinist të Cvijiqit mjafton të përmendet pikëpamja e tij se, studimi i çështjes së kombësive të Ballkanit vështirësohet nga fakti se këtu na qenkan vetëm tri kombësi të dalluara dhe të individualizuara mirë, në territore të përcaktuara (serbët, grekët dhe bullgarët), se ndryshe qëndron puna me shqiptarët, maqedonasit etj., të cilët akoma në shekullin XX qenkan kombësi në lëvizje, të paformuara akoma. Sipas Cvijiqit, çdo luftë krijon amalgamomi të popullsive, shkakton ndryshimin e ndërgjegjes kombëtare dhe të gjendjes etnike. Siç shikohet prej kësaj teze, Cvijiqi nxjerr si përfundim se për karakterin etnik të popullsive të Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk mund të thuhej akoma gjë me siguri, me që lufta (këtu është fjala për luftën ballkanike 1912-1913, kur Serbia pushtoj krahina të gjera me popullsi josllave), do të bëhej faktori vendimtar për përcaktimin definitiv të kombësisë së banorëve të tyre.

Për të mohuar karakterin shqiptar të territoreve të banuara prej shqiptarëve në Jugosllavi dhe për të mbrojtur pretendimet shoviniste mbi këto toka, pseudoshkencëtarët serbomedhenj si Cvijiqi me shokë dhe nxënësit e tyre të sotëm, si: Vukosavljeviq, Ostoiq, Trifunofski, Mirkoviqi etj., të cilët përkrahen dhe nxiten nga regjimi në fuqi, në shkrimet e tyre kapen pas problemit të prejardhjes së popullsisë në këto krahina dhe krijojnë tezën sipas së cilës popullsia shqiptare këtu u shfaq shumë vonë dhe vetëm nga fundi i shekullit XVII dhe duke përfituar nga kryengritjet e dështuara serbe kundër turqve të viteve 1690 dhe 1737 ku shqiptarët patën mundësi t’i “invadojnë” këto krahina të favorizuara nga sunduesit turq, për arsye të besimit të tyre mysliman. Ata pranojnë se në këto krahina ka banuar dikur popullsia ilire porse ky element, sipas tyre, u zhduk krejtësisht me ardhjen e sllavëve, se në shekullin XIV befas dhe sporadikisht shfaqet përsëri elementi shqiptar në këto krahina dhe zhduket përsëri për t’u shfaqur po aq befas në fund të shekullit XVII dhe gjatë shekullit XVIII. Siç shikohet, në letërsinë historike serbe vendin kryesor lidhur me prejardhjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi e zë teza e emigrimit të saj nga brendësia e Shqipërisë, sidomos nga viset malore, në këto krahina në kohën e okupimit të tyre nga turqit dhe të disfatave të kryengritjeve serbe.

Një sërë të dhënash historike hedhin poshtë këtë tezë shoviniste, e cila ka për qëllim të mohojë ekzistencën e vazhdueshme të elementit shqiptar në këto krahina dhe të argumentojë karakterin serb të tyre. Dihet se popullsia sllave që zuri vend në këto krahina, si dhe në shumë krahina tjera të gadishullit, nuk gjeti një popullsi në përgjithësi trake, ilire ose romake, siç mund të kishte takuar edhe në krahina tjera të gadishullit, por gjeti një popullsi që paraqiste tipare të veçanta, karakteristike për atë formacion etnik të ri që quhet albane-shqiptare. Dihet gjithashtu se kolonizimi sllav mbuloi një pjesë të madhe të popullsisë së vjetër të gadishullit, një pjesë të së cilit ai e asimiloi krejtësisht, siç ndodhi me thrakët dhe me një pjesë të madhe të popullsisë ilire. Por, aty ku popullsia e vjetër kishte ruajtur pak a shumë kontakte, mundi t’i qëndrojë sllavizimit dhe jo vetëm kaq, por të asimilonte edhe popullsinë sllave që u vendos në afërsi të saj. Dëshmi për këtë është ruajtja e popullsisë greke si dhe qëndresa e popullsisë iliro-shqiptare.

Pra në territorin e banuar që prej së lashti prej shqiptarëve, bënin pjesë edhe krahinat shqiptare që sot ndodhen jashtë kufijve tonë shtetërorë. Elementi shqiptar në këto krahina nuk mund të ketë origjinën në emigracione të mëvonshme siç përpiqet ta paraqesë literatura serbe, por konsiderohet si vazhdimi direkt i një popullsie të vjetër shqiptare, e cila jetoi si pjesë e zonës kompakte shqiptare e rrethuar nga një ambient sllav. Ndërsa, ky element shqiptar në pozitat e tij më të ekspozuara, u asimilua nga ambienti sllav në Dalmacinë Jugore, Bosnjë dhe në viset e brendshme të Malit të Zi. Ai u ruajt sidomos në zonat malore në Rrafshinën e Dukagjinit, në Kosovë, Maqedoni si dhe në brezin jugor të Malit të Zi, duke përfshirë Ulqinin dhe malësinë midis lumenjve Zeta dhe Lim.

Një nga pasojat që pruri okupacioni turk, ishte islamizmi i popullsisë së krahinave të pushtuara. Fenë e re së pari e përqafuan përfaqësuesit e klasës feudale dhe më vonë me zgjerimin e pushtimit dhe me dështimin e kryengritjeve të popullsisë, islamizmi përfshiu edhe masat e fshatarësisë. Ky proces mori një zhvillim para së gjithash në Shqipëri dhe Bosnjë, vende me kushte shoqërore e gjeografike të ngjashme. Në pellgun e gjerë e pjellor të Rrafshit të Dukagjinit dhe Kosovës që shërbente për depërtimin e mëtejshëm të sunduesve turq, ky proces u zhvillua relativisht shpejt. Me gjithë pasojat e këtij procesi, elementi shqiptar në këto krahina nuk u zhduk. Për këtë flasin një varg burimesh historike të udhëtarëve perëndimorë që kanë kaluar në këto krahina si dhe udhëtari i njohur turk i shekullit XVII, Evlia Çelebia, i cili thotë se popullsia e Shkupit flet shqip dhe shpeshherë rumelisht, ndërsa P. Mezreku, thotë se më 1623, qyteti i Prizrenit kishte 12 000 banorë myslimanë, gati të gjithë shqiptarë dhe se Shkupi në këtë kohë përbehej prej 20 000 myslimanë, shumica e të cilëve me origjinë shqiptare.

Ky numër kaq i madh i popullsisë shqiptare në këto qendra kryesore qysh në çerekun e parë të shekullit XVII tregon se teza kryesore e autorëve serbomedhenj dhe revizionistët mbi emigrimin e shqiptarëve pas kryengritjes së dështuar serbe të 1960 dhe 1737, nuk mbështetet në asnjë bazë. Në një varg rastesh, popullsia shqiptare ka ruajtur traditën e emigrimit, por duhet thënë se në këto raste popullsia shqiptare e këtyre krahinave e konsideronin vetën si vendase dhe nuk ruan asnjë gjurmë kujtimi të një emigrimi. Emigrimi i elementit shqiptar që ka ndodhur gjatë shekujve dhe që ka kontribuar për forcimin e popullsisë së vjetër shqiptare në këto krahina, në asnjë mënyrë nuk është në kundërshtim me ekzistencën latente të një popullsie autoktone shqiptare, vazhduese e popullsisë së vjetër dardane-ilire. Këtë tezë e ka formuluar më së miri albanologu i njohur J. G. Hahn. Kur keni një kufi gjuhësor dhe etnik – thotë Hahn – që i cakton njërës gjuhë dhe popullsi, malësinë dhe tjetrës fushën pjellore, kjo flet për një gjendje të krijuar prej një pushtimi. Në malet është strukur popullsia më e vjetër, e dëbuar nga pushtuesit, kurse popullsia e re pushtuese ka zënë fushën. Kjo është pikërisht gjendja në Kosovë. Kjo pasqyron padyshim gjendjen e krijuar nga kolonizimi sllav. Ndryshe do të ishte e pakuptueshme pse popullsia shqiptare që kishte fenë sunduese myslimane që i jep asaj të gjitha të drejtat politike po të kishte ardhur për herë të parë në shekullin XVII, të ketë zgjedhur pikërisht malësitë e ashpra dhe të linte tokën pjellore të fushave. Vetëm me emigrimin e mëvonshëm filloi vendosja e popullsisë shqiptare nëpër fushat, pranë elementit serb. Një tjetër argument që rrezon tezën e historianëve serbomedhenj dhe revizionistëve dhe që vërteton karakterin autokton të popullsisë shqiptare të Kosovës, mund të nxirret nga studimi dialektologjik i të folurit të tyre. Po qe se kjo popullsi të ishte shkëputur kaq vonë nga territori shqiptar që ndodhet sot brenda kufijve shtetërorë, atëherë të folurit e saj duhet të ishte thjeshtësisht një vazhdim i të folurit të Shqipërisë së Veriut. Por, që dihet se të folurit e Kosovës ka një varg tiparesh të veçanta. Po kështu, edhe nga pikëpamja etnografike, folklorike dhe muzikore, kulturore e popullsisë shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit dhe Kosovës, përbejnë një grup më vete në gjirin e kulturës së popullit shqiptar, pjesë integrale e të cilit është.

Shekulli XIX ishte periudha e lëvizjeve kombëtare në Ballkan për çlirimin nga zgjedha turke. Si rezultat i këtyre lëvizjeve dhe faktorëve të tjerë të jashtëm, u krijuan shtetet nacionale serbe, greke, bullgare. Megjithatë, çështja e bashkimit kombëtar të popujve të Ballkanit nuk u realizua plotësisht për shkak të Fuqive të Mëdha si dhe nga pretendimet e shteteve të porsaformuara në këtë zonë. Kështu shikojmë që midis Serbisë dhe Greqisë, më 1867 u nënshkrua në qytetin Moedling pranë Vjenës, marrëveshja për copëtimin e Shqipërisë. Për të mbështetur pretendimet territoriale karshi Shqipërisë, borgjezia serbe në këtë periudhë prodhojë një literaturë të gjerë me anë të së cilës përpiqej të siguronte “bazat” historike dhe etnografike të nevojshme, duke e quajtur këtë territor të banuar nga shqiptarët si “Serbia e vjetër”.

Megjithatë, një varg autorësh historianë, gjeografë e diplomatë të shekullit XIX, si: Y.G. Hahn, A.Bone, Cuniberti, Fritzmauri Maoromatis etj., në shkrimet dhe veprat e tyre përfshijnë Shqipërinë edhe krahinat shqiptare të mbetura jashtë kufijve tanë shtetërorë. Kështu, p.sh. Lordi E. Fritzmaurice, komisar special anglez në Stamboll, në korrespodencën e tij me Ministrinë e Jashtme britanike, thekson gjithnjë karakterin shqiptar të këtyre krahinave. Më 1880, E. Fritzmauri që i bënë të ditur ministrit të Jashtëm anglez, Granvile, se “territori i përfshirë nga kjo shprehje gjeografike (Shqipëri) koincidon kryesisht në dy vilajetet: Shkodrës dhe Janinës, por shtrihet edhe në drejtim lindor dhe përfshinë dhe pjesë të vilajeteve të Manastirit dhe Prishtinës dhe Kosovës… Vilajeti i Kosovës me përjashtim të një distrikti serb në lindje të Mitrovicës është shqiptar”. Edhe E. Maoromatis, konsull grek në Shkodër, në vitet 1876-1888, në disa artikuj të botuar në gazetën “Akropolis” të Athinës, e përfshinë Kosovën në Rrafshinën e Dukagjinit si “Shqipëri Verilindore” dhe Dibrën si “Shqipëri Lindore”. Për atë kohë ai jep shifrën e banorëve shqiptarë të rretheve: Prizren, Gjakovë, Pejë, Tetovë, Prishtinë, Gjilan, Vuçitërnë, Mitrovicë, Novi Pazar, Vrajë, Shkup e Kumanovë, në 319 500 frymë, duke mos llogaritur në këtë shifër popullsinë shqiptare që banonte në territoret që sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit iu dhanë Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.  Populli ynë u ngrit kundër planeve që po kurdisnin prapa shpinës së tij në Kongresin e Berlinit. Krahinat e Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit u bënë qendra e kësaj lëvizjeje të madhe patriotike, që rrëmbeu në vitet 1878-1881 tërë Shqipërinë dhe që si rezultat i saj, më 1878 u krijua “Lidhja e Prizrenit”, organizata e parë politike që përpiqej të realizonte kërkesat kombëtare shqiptare, ruajtjen e integritetit tokësor dhe sigurimin e autonomisë. Lidhur me këtë situatë të krijuar, Lordi Frtizmaurie, i raportonte qeverisë së tij nga Stambolli se “Këtu besohet përgjithësisht se këto krahina (Kosova e Metohia) janë tani qendra e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”. Ai theksonte se “Ligji i ri” (d.m.th. turk), duhej zbatuar në mënyrë të barabartë mbi Shqipërinë Verilindore dhe mbi Shqipërinë e Jugut, sepse i gjithë vilajeti i mëparshëm i Prizrenit dhe Prishtinës, është krejt i dalluar nga krahinat sllave në lindje dhe në jug të tij, ka kryesisht karakter mysliman shqiptar dhe prandaj duhej përfshirë në vilajetin e përbashkët shqiptar që kërkonin Fuqitë e Mëdha e patriotët shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit. Mbas Kongresit të Berlinit, Qeveria serbe shpërthen një fushatë të tërbuar kundër popullsisë shqiptare që banonte në territoret që iu lanë asaj. Ajo i shtroi vetës si detyrë që në këto territore të mos mbetej asnjë shqiptarë. Për këtë politikë flet mirë dr. Jovan Haxhi-Vasiljeviq, në veprën e tij “Lidhja shqiptare” 1909, në të cilën botohet edhe urdhri i dhënë nga Qeveria, organeve ekzistuese: “sa më pak (shqiptarë dhe turq) të mbeten në vendin tonë, aq më i madh do të jetë shërbimi që do t’i bëhet atdheut” dhe “sa më shumë shqiptarë që do të shpërnguli ndokush, aq më shumë merita do të fitojë kundrejt atdheut”. Edhe në vitet që pasuan më vonë, krahinat e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit mbeten qendra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Këtu u zhvilluan luftimet kryesore kundër pushtuesve turq në vitet 1903 deri 1905 dhe 1909 deri 1912. Me kryengritjet e Kosovës dhe kërkesat e paraqitura prej tyre u bashkuan edhe krahinat e tjera të Shqipërisë. Është i njohur sidomos roli që luajti kryengritja e madhe që shpërtheu në Kosovë në vitin 1912 kundër regjimit të xhonturqve. Kryengritjet shqiptare përgatitën terrorin për luftën ballkanike dhe për likuidimin e sundimit shekullor turk në Gadishullin Ballkanik.

Kur më në fund në vjeshtën e vitit 1912, për popullin shqiptar u duk se erdhi dita e çlirimit, në këtë kohë politika e egër imperialiste dhe e monarkëve shovinistë ballkanikë, përgatiti një zgjedhje të re për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, u ndeshen me ashpërsi nga njëra anë kërkesat e drejta të popullit shqiptar për bashkimin e tij kombëtar dhe nga ana tjetër synimet grabitqare të qeverive shoviniste ballkanike dhe kontradiktat e blloqeve imperialiste, duke u kthyer kështu çështja e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë në një pazarllëk për të zbutur kontradiktat e tyre.

Pjesëmarrësit në këtë pazarllëk ishin të ndërgjegjshëm për karakterin e padrejtë të veprimeve të tyre. Ambasadori rus në Konferencën e Londrës deklaronte se “duke marr parimin etnografik si bazë, sado që është i drejtë, për të caktuar gjendjen e ardhshme të Shqipërisë, çështja bëhet pothuajse e pazgjidhshme” dhe se për ta zgjidhur, duhesh arritur medoemos në një kompromis. Ideja e kompromisit d.m.th. e një zgjidhjeje që kishte për qëllim ta shtynte akoma për disa kohë shpërthimin e një konflikti botëror, sa kohë që fuqitë kryesore imperialiste nuk ishin përgatitur akoma për të, dominojnë gjithë Konferencën e Ambasadoreve në Londër. Ministri i Jashtëm anglez, Sir E. Grey, deklaronte në Parlament, më 12 gusht 1913, në lidhje me çështjen e caktimit të kufijve të Shqipërisë dhe situatën ndërkombëtare: “Unë jam plotësisht i qartë se kur të shqyrtohet e gjithë çështja (e kufijve shqiptarë) kundër saj mund të drejtohet nga shumë pika një kritikë e ashpër prej gjithë atyre që e njohin vendin dhe që e shohin atë thjeshtësisht nga pikëpamjet e vendit…. por duhet pasur parasysh se duke bërë këtë marrëveshje qëllimi i parë dhe kryesor ishte për të ruajtur marrëveshjen midis Fuqive të Mëdha në vete. Dhe në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë e ka arritur këtë, atëherë ajo ka kryer punën që është më e rëndësishme në interes të paqes në Evropë”.

Mbas Konferencës së Londrës dhe si siguroj zotërimin e tokave të pushtuara, Qeveria serbe iu përvesh punës për të realizuar në çdo mënyrë shkombëtarizimin e krahinave shqiptare. Ndërsa, në vitit 1878 ajo u kufizua në dëbimin e popullsisë shqiptare nga tokat e pushtuara, tashti ajo i vuri vetës për detyrë të arrinte një ndryshim rrënjësor të gjendjes, d.m.th. të zhdukte fizikisht elementin shqiptar. Si shkas, ajo mori kryengritjen e shtatorit 1913, që shpërtheu në krahinën e Dibrës dhe Prizrenit. Në atë kohë, deputeti socialist serb, deklaronte: “Kryengritja shqiptare u mbyt në gjak nga ana e Serbisë. Në një vend, ushtria serbe u vuri zjarr 35 fshatrave shqiptare pa u lejuar banorëve të dalin prej andej. Ushtria serbe në urdhër të Qeverisë ka masakruar 120 mijë shqiptarë. Ndërsa, gazeta socialiste serbe “Radnicke Novine” botonte një letër të një ushtari ku thuhej “gjithçka është kthyer në pluhur, hi dhe kufoma. Ka fshatra me 100-150-200 shtëpi, ku nuk ka asnjë njeri, fjalë për fjalë, asnjë njeri më”.

Edhe mbas Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes në Paris, nuk ndryshoi kufijtë e vitit 1913, të cilët u aprovuan definitivisht më 1921. Krahas terrorit kundër popullsisë shqiptare dhe ndjekjeve për në Turqi, Qeveria serbe mbas vitit 1920 vazhdoi me një ritëm shumë më të madh kolonizimin e këtyre krahinave me popullsi serbe, malazeze dhe boshnjake, të filluar qysh më 1912-1913. Për të ilustruar pasojat e këtij kolonizimi, mjafton të citojmë disa shifra që jep G. Kristiq, komisar i reformës agrare, në librin me titull: “Kolonizimi i Serbisë Qendrore”, botuar në Sarajevë, më 1928. Duke folur për Krahinën e Kosovës, ai thotë: “Në 25 407 familje në Krahinën e Kosovës, më 1919, vetëm 6 311 ishin serbë” dhe më poshtë “Përqindja e elementit të ndryshëm për të njëjtin vit paraqitej si vijon: 24% serbë, 72% myslimanë (shqiptarë, sepse në Kosovë nuk ka turq…), 3.5% ciganë dhe 0.5% izraelit”. Pastaj, ai vazhdon: “Statistika jonë mbi Kosovën tregon se neve kemi pasur, në pikëpamje nacionale, rezultate të mëdha. Kjo nuk është akoma gjë, sepse në fund të vitit 1927, elementi jonë nacional në Krahinën e Kosovës (Distrikti i Prishtinës) ka mundur të rritet nga 24% që ishte më 1919, në vetëm 37% të popullsisë totale. Mbi 24 444 familje, ka 10 286 serbë, 59% myslimanë, 3.5% ciganë dhe 0.5% izraelit”. Politikën shoviniste që ndoqi borgjezia serbomadhe karshi popullsisë shqiptare në Jugosllavi, e vazhdoi me zell dhe klika revizioniste e Titos menjëherë mbasi erdhi në fuqi. Metodat e shkombëtarizimit dhe të serbizimit të këtyre krahinave, ajo i vuri në zbatim në përshtatje me konditat e reja të krijuara si në situatën e brendshme të vendit, ashtu edhe në atë të jashtme. Nga ana tjetër, ajo përdori demagogjinë e pafund dhe egërsinë e madhe shoviniste, e cila u shfaq me të gjithë ashpërsinë e saj, sidomos pas largimit të reparteve të ushtrisë sonë nga Kosova.

Të shumta janë provat që vërtetojnë masakrat në masë që kanë bërë repartet speciale jugosllave dhe organet e UDB-së mbi popullsinë shqiptare në Jugosllavi pas çlirimit. Nën pretekstin gjoja të spastrimit të elementit reaksionar, me dhjetëra mijëra shqiptarë, gjetën vdekjen në mënyrë më mizore. Po përmendim disa shembuj nga kjo kasaphane. Në Mitrovicë kur hyri Brigada VI e Kosmetit, u pushkatuan mbi 200 veta, prej qytetit dhe katundeve të afërta. Në qytetin e Vuçitërnës u gjeten 400 vetë të vrarë. Në nëntor të vitit 1944 prej Kosove deri në Tetovë u pushkatuan më shumë se 1 000 vetë, duke u lënë arave dhe hendeqeve. Në Gostivar oficerët e UDB-së mbasi i nxorën nga kazermat vranë 300 shqiptarë. Në muajin dhjetor 1944, po në këtë qytet u arrestuan 70 vetë të cilët u pushkatuan me një kodër të quajtur Gradishtan. Më 17 nëntor 1944 në stacionin e monopolit të duhanit në Tetovë, u grumbulluan rreth 10 000 shqiptarë dhe në të njëjtën natë nga këta u pushkatuan 1 200 vetë, kurse të tjerët u pushkatuan pjesë-pjesë më vonë. Në katundin Kërçovë u vranë 320 burra. Nga Shkupi u morën 300 djem shqiptarë me pretekst se do t’i dërgonin në një repart ushtarak, porse nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Në Gjilan u pushkatuan 1 000 vetë, ndërsa në Skënderaj u gjenden 250 shqiptarë të varur dhe të vrarë dhe në katundin Pojat, të Ferizajt, u pushkatuan 28 vetë përpara familjeve të tyre. Afër Prishtinës në vendin e quajtur Taukbashqe, u pushkatuan mbi 200 vetë kurse në një ditë brenda në Prishtine 70 vetë. Në Pejë, prej dhjetorit 1944 deri në fillim të vitit 1946, u vranë 200 burra shqiptarë.

Në rrethin e Shkupit u bënë masakra të mëdha. Në katundin Bojanë të këtij rrethi u vranë 76 burra dhe 30 gra e fëmijë, ndërsa në katundin tjetër Bllacë të gjithë burrat (160 vetë) dhe 50 fëmijë, ku thuhet së këtij katundi mbas masakrave iu vu zjarri. Më së fundi është njohur krimi që u bë mbi mijëra shqiptarë gjatë rrugës Prizren-Ulqin. Por, masakrat dhe terrori i viteve 1944-1946 kundër popullsisë shqiptare në Jugosllavi nuk ishin as të parët dhe as të fundit. Ata kanë vazhduar edhe më vonë dhe në vitin 1955/56 të marrin formën e tyre më të ashpër. Nën pretekstin e grumbullimit të armëve, Qeveria jugosllave në dimrin e vitit 1955/56 filloi një terror tjetër në Kosovë ku popullata shqiptare iu nënshtrua torturave në masë dhe me këtë rast u likuiduan fizikisht mjaft njerëz. Këtë e vërtetojnë shumë deklarata të bëra nga shqiptarë të larguar ose arratisur nga Jugosllavia. Ja disa prej tyre: në stacionin e Kryqishtit të Rugovës, oficeri i UDB-së mblodhi burrat e 6 katundeve dhe mbasi i rrahu veç e veç duke iu kërkuar armë, i liroi me urdhër që nesër në darkë të mblidheshin përsëri. Mbasi u mblodhën, të nesërmen ata u torturuan deri në mesnatë dhe pas kësaj në mes të dëborës dhe akullit i futen në një kanal me ujë për një kohë të gjatë. Përveç torturave në masë, në mënyrë individuale gjatë këtij terrori, u bënë shumë krime të shëmtuara. Shqiptarët për të shpëtuar nga këto reprezalje shisnin gjithçka për të blerë armë nga serbët që t’i dorëzonin në UDB. 

Popullsia shqiptare në Jugosllavi dhe shtrirja e saj

Ashpërsimi i kontradiktave midis Fuqive të Mëdha dhe kërkesat shoviniste që shpërthyen nga shtetet e porsa krijuara të Ballkanit në shekullin XIX, u bënë shkak që në këtë periudhë të shtohen publikimet mbi problemin e kombësive në Gadishullin Ballkanik. U botuan harta etnografike nga një varg shkencëtarësh me origjinë franceze, angleze, gjermane, ruse, italiane, serbe, bullgare etj., dhe krahas tyre u dhanë edhe një varg tabelash statistikore mbi popullsinë e këtyre krahinave. Meqenëse statistikat zyrtare në atë kohë mungonin dhe se nga ana tjetër pjesa më e madhe e këtyre botimeve ndiqte një vijë dhe interes të caktuar, midis tyre kishte kontradikta të mëdha. Por, me gjithë pikëpamjet dhe interesat e kundërta që mund të kenë hartuesit e këtyre hartave dhe tabelave statistikore, shumica e tyre konkurrojnë me faktin që e konsiderojnë territorin prej Dibrës e deri në Tetovë, Prishtinë dhe Mitrovicë dhe prej këndej në Plavë, Guci e deri në veri të Ulqinit, si territor të banuar kryesisht prej popullsisë shqiptare. Në Jugosllavi, regjistrime të plota të popullsisë janë bërë në vitet 1921,1931,1948 dhe 1953. Meqenëse si nga regjistrimet e vitit 1921, ashtu edhe nga ato të vitit 1931, nuk mund të nxjerrim një pasqyrë pak a shumë të saktë të gjendjes dhe shtrirjes së popullsisë shqiptare në Jugosllavi, për arsye të mungesave të mëdha që paraqesin këto regjistrime, si bazë do të marrin regjistrimin e 15 marsit 1948. Sipas këtyre regjistrimeve popullsia shqiptare në Jugosllavi është e përqendruar në zonat që vijojnë:

Zonat ku popullsia shqiptare përbënë shumicën e popullsisë

Nr.    Rrethet         Shqiptarë     Serbë      Malazezë     Maqedonas

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

 I. Krahina Kosovë e Metohi

 1. Drenicë             31 010        3 078        875

 2. Gjakovë           49 591          1 717       4 429  

 3. Gjilan             35 860           1 762       369

 4. Gore             12 048           8 075        –

 5. Gracan            23 851           11 183      1 029

 6. Istog             21 161            9 227      3 957

 7. Kamenicë          24 355           15 321        –

 8. Llap              35 028           7 538       1 959

 9. Nerodime         40 605           15 721       427

 10. Pejë             26 812           5 802       5 867

 11. Podrime         36.504           4.945       1.077

 12. Sitnice          27 356           11 562        768  

 13. Suvereç         22 313            3 555         –

 14. Sharplanin       27 025            5 980         –

 15. Vuçitërnë         24 436            8 533        1 163

 16. Mitrovicë (qytet)   7 491             4 724        830

 17. Pejë (qytet)      10 608             2 785       3 185

 18. Prishtinë (qytet)   11 442            5 119        1 142

 19. Prizren (qytet)    15 499            4 291       272

II. Në RP Maqedonisë

  1. Gostivar        39 345           180           –          13 091
  2. Gorce Petrovski  14 295            472           –           5 521
  3. Tetovë          41 611            717           –          19 467
  4. Tetovë (qytet)     9 975             384           –           5.992

III. Në Serbinë e ngushtë

  1. Bujanovc       27 174            25 143

         Zonat ku popullsia shqiptare përbënë pakicën

Nr. Rrethet      Shqiptarë         Serbë       Malazezë        Maqedonas

I. Në Kosovë e Metohi

  1. Sveçan         15 247           23 826           –                –

II. Në RP të Maqedonisë

  1. Dibër         7 485           14 516
  2. Kiçevë        12 402          22 738
  3. Krushev        2 335           4 149
  4. Kumanovë       17 669          7 835           31 544
  5. Prilep            4 518          45 531
  6. Shkup           16 123          5 202           37 936
  7. Strush           11 380          20 637

III. Në RP Malit të Zi

  1. Bar             10 450             –            25 111  
  2. Titograd          6 542             –            330 188

Për sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare që banon në Jugosllavi, megjithëse janë bërë dy regjistrime të përgjithshme të popullsisë para Luftës së Dytë Botërore (1921,1931) dhe dy regjistrime mbas luftës (1948,1953) për një gjë të tillë nuk mund të flitet në mënyrë të saktë mbasi të dy regjimet në fuqi që i kanë bërë këto regjistrime, të nisura nga qëllime të caktuara shoviniste, kanë bërë të gjitha përpjekjet që një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare ta konsiderojnë turke. Duke u nisur dhe nga rrethanat politike të asaj kohe, supozohet se të dhënat që kanë dalë nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë të 15 marsit 1948, mund të paraqisnin pak a shumë një pasqyrë më të saktë të numrit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, në krahasim me regjistrimet e tjera. Këto rezultate u botuan në librin “Konacni rezultati popisa stanovnistva od 15 marta 1948-Knjiga IX-Stanovnistvo po narodnisti – Beograd 1954”. Shifrat që jepen në këtë botim mbi popullsinë me kombësi shqiptare në Jugosllavi, në krahasim me ato të regjistrimit të përgjithshëm të 31 marsit 1953, janë dokumente të pakontestueshme për të demaskuar politikën shkombëtarizuese që ndjekin revizionistët jugosllavë në Kosovë.

Sipas regjistrimit të popullsisë, bërë më 15 mars 1948, numri i popullsisë shqiptare në Jugosllavi ishte 750 431 vetë dhe përbente pakicën kombëtare më të madhe në Jugosllavi, duke zënë 4.8% të numrit të përgjithshëm të gjithë popullsisë së Jugosllavisë. Popullsia shqiptare në republikat e ndryshme ndahej si vijon: në Serbi 532 011 vetë, ose 70.9% e të gjithë shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi, dhe që zinin 8.2% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Serbisë. Nga ky numër, në Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë, kishte 498 242 vetë që përfaqësonin 68.4% të gjithë banorëve të kësaj krahine dhe 66.4% të numrit të përgjithshëm të shqiptareve në Jugosllavi. Në Maqedoni jetonin 197 389 vetë dhe që zinin 17.1% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së kësaj republike, ose 26.3% të numrit të popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Në Mal të Zi jetonin 19 427 vetë që përfaqësonin 5.2% të popullsisë së Republikës dhe 2.6% të shqiptarëve në Jugosllavi. Në republikat e tjera të Jugosllavisë dhe në këto regjistrime numri i shqiptarëve ishte nderë 1 000 për çdo republikë.

Në librin “Popis Stanovnistvo 1953 – Knjiga i vitalna i etniçka obelezja”, që u botua në Beograd në vitin 1959, jepen të dhënat mbi rezultatin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Jugosllavi të bërë më 31 mars 1953. Ky regjistrim i popullsisë u bë në një kohë kur politika e shkombëtarizimit të pakicës shqiptare dhe territoreve që ajo banon, ishte intensifikuar më shumë nga ana e revizionistëve, gjë që nuk mund të mos pasqyrohej edhe në rezultatin e regjistrimit, bile në këtë drejtim ishin dhënë edhe udhëzime të posaçme. Si përfundim, gjendja e popullsisë shqiptare nga regjistrimet e 15 marsit 1948, në atë të 31 marsit 1953, ndryshoi si vijon: më 31 mars 1953, në gjithë Jugosllavinë kishte 754 245 shqiptarë, që zinin 4-5% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit. Nga ky numër, në Serbi jetonin 565 513 vetë, ose 8.1% e popullsisë së republikës. Në Maqedoni jetonin 162 524 vetë, ose 12.5% të popullsisë së kësaj republike. Në Mal të Zi jetonin 23 460, ose 5.6% të popullsisë së republikës. Numri i shqiptarëve në republikat e tjera ishte ndër 1 500 vetë për secilën.

Gjendja e pakicës turke në Jugosllavi sipas këtyre dy regjistrimeve paraqitet si vijon: në regjistrimin e 15 marsit 1948, kishte në gjithë Jugosllavinë 97 954 vetë të kombësisë turke që zinin 0.6% të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe si kombësi vendin e katërt. Pjesa më e madhe e tyre jetonte në Maqedoni (95 940), ose 97.0% e të gjithë turqve në Jugosllavi dhe që zinin 8.3% të popullsisë së kësaj republike. Në Serbi në atë kohë banonin 1 914 turq. Kjo gjendje e pakicës turke në regjistrimet e 31 marsit 1953, ndryshoi si vijon: Numri i përgjithshëm u rrit në 259 535 vetë dhe që zinte 1.5% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Nga këta, në Serbi jetonin 54 526 vetë dhe në Maqedoni 203 938 vetë. Nga krahasimi i këtyre të dhënave dalin këto përfundime: prej vitit 1948 deri në vitin 1953, popullsia me kombësi shqiptare në Jugosllavi u shtua vetëm në 3 814 vetë dhe përqindja e pjesëmarrjes në saje me numrin e përgjithshëm të popullsisë ra nga 4.8% në 4.6%, ndërsa popullsia me kombësi turke gjatë të njëjtës periudhë u shtua 161 581 vetë dhe përqindja e pjesëmarrjes së saj në numrin e përgjithshëm të popullsisë u rrit nga 0.6% në 1.5%. Sipas republikave, gjendja e popullsisë së këtyre dy kombësive gjatë kësaj periudhe u ndryshua si vijon: në RP të Serbisë, numri i popullsisë së kombësisë shqiptare u shtua në 33 502 vetë, ndërsa popullsia e kombësisë turke nga 1 914 u shtua në 52 612 vetë. Në RP të Maqedonisë numri i popullsisë shqiptare u pakësua 34 865 vetë dhe përqindja e pjesëmarrjes së saj në popullsinë e republikës u rrit nga 8.3% në 15.6%, duke rënë kështu vendin e parë të kombësive në këtë republikë.

Gjendja e popullsisë në Krahinën e Kosovës sipas këtyre dy regjistrimeve paraqitet si vijon: më 15 mars 1948, Krahina e Kosovës kishte një popullsi prej 727 820 banorësh. Sipas kombësive ky numër ndahej në këtë mënyrë: shqiptarë 498 242 vetë, serbë 171 911 vetë, malazezë 28 050 vetë, kroatë 5 290 vetë, jugosllavë të papërcaktuar 9 659 vetë, turq 1515 vetë, ciganë 11 250 vetë. Më 31 mars 1953 gjendja kishte ndryshuar si vijon: popullsia 808 141 banorë, nga këta shqiptarë 524 559, serbë 189 869, malazezë 31 343, kroatë 6 201, jugosllavë të papërcaktuar 6 241, turq 34 583, ciganë 11 90. Nga të dhënat e lartpërmendura, del se prej vitit 1948 deri 1953 popullsia shqiptare e Kosovës pati një shtesë prej 26 317 vetë, ndërsa popullsia me kombësi turke që sipas të dhënave të vitit 1948 në këtë krahinë ishte 1 315, u rrit në 34 585. Statistikat që u përmenden më lart mbi gjendjen e popullsisë shqiptare dhe turke në Jugosllavi, tregojnë fare qartë punën që bëjnë revizionistët jugosllavë për ta shndërruar popullsinë shqiptare në atë e kombësisë turke. Për të justifikuar falsifikimet që janë bërë në këtë drejtim në regjistrimet e 31 marsit 1953, revizionistët në botimet që u përmendën më lart deklarojnë se gjoja në regjistrimet e vitit 1948, një numër i konsiderueshëm turqish u deklaruan si shqiptarë, ndërsa në atë të vitit 1953, u deklaruan ashtu siç ishin, turq. Kuptohet se një justifikim i tillë është absurd dhe pa asnjë bazë.

      Zgjerimi i shqiptarëve jashtë dhe brenda Jugosllavisë

Shkombëtarizimi i territoreve të banuara nga shqiptarët me anë të emigracionit në masë të popullsisë jashtë Jugosllavisë ka qenë një nga metodat më të preferuara si të borgjezisë serbe ashtu edhe për revizionistët e sotëm. Ky emigracion është bërë në drejtim të Turqisë, në marrëveshje me Qeverinë turke dhe nën maskën e emigracionit nga Jugosllavia të popullsisë me kombësi turke. Në këtë drejtim është shfrytëzuar akoma çështja e besimit. Mbasi konsolidoi pushtetin e vet në krahinat e Kosovës me anë të terrorit, Qeveria serbe, pas vitit 1924, krahas metodave të vjetra të shkombëtarizimit ndërmori edhe aksionin e ndjekjes së popullsisë shqiptare nga tokat e tyre. Për këtë qëllim u shfrytëzua marrëveshja që lidhi Qeveria serbe me Qeverinë turke në vitin 1926, mbi riatdhesimin e popullsisë turke nga Jugosllavia, në kuadrin e së cilës mijëra shqiptarë u detyruan të shkojnë në Turqi duke u konsideruar si turq. Kjo ishte shpërngulja e parë e madhe e shqiptarëve për Turqi. Sipas shtypit turk të datës 7 prill 1926, në bazë të kësaj marrëveshje nga Jugosllavia duhej të emëroheshin në Turqi 3-400 000 vetë. Sipas një llogaritje të bërë nga Legata shqiptare në Ankara, në vitin 1928, në Turqi gjendeshin 27-30 mijë familje shqiptare të shpërngulura nga Kosova, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.

Shpërngulja e madhe e lartpërmendur u pasua mbas 10 vjetësh nga një tjetër, pas nënshkrimit të marrëveshjes së re turko-jugosllave në vitin 1938, në bazë të së cilës parashikohej riatdhesimi i 250 000 vetave të ashtuquajtur turq. Gazeta turke “TAN”, e datës 12/VII/1938, me rastin e mbylljes së kësaj marrëveshje publikonte një komunikatë zyrtare si dhe një artikull në të cilin thuhej se 250 000 emigrantë do të arrijnë nga Jugosllavia dhe se transporti i tyre do të fillonte pas 6 muajsh. E njëjta gazetë botonte edhe një deklaratë të delegacionit jugosllav që nënshtroi marrëveshjen, në të cilën gjithashtu përmendej shifra e lartpërmendur si dhe njoftime të tjera mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.

Shpërngulja e tretë e madhe e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi u bë në 1948 dhe sidomos duke filluar nga vitet ‘51-‘52. Nuk është bërë e mundur akoma të dihet me siguri përfundimi i një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Jugosllavisë mbi këtë çështje porse supozohet se një marrëveshje e tillë të jetë përfunduar, ndryshe një emigracion kaq masiv nuk mund të kuptohet.

Sipas statistikave zyrtare turke, njoftuar nga Legata jonë në Ankara, del se në Turqi jetojnë 280 000 shqiptarë të ikur nga Jugosllavia, të vendosur kryesisht në Stamboll, Izmir, Ankara e gjetkë. Duke marrë parasysh numrin e emigranteve që është dhënë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të vitit 1926, 1938 si dhe emigrimet mbas Luftës së Dytë arrihet në përfundim se numri i shqiptarëve të emigruar nga Jugosllavia në Turqi duhet të jetë shumë më i madh nga sa jep statistika zyrtare turke. Gazeta turke “Xhumhurjet” datë 6/IV/1957, njoftonte se 200 000 emigrantë të rinj të ardhur nga Jugosllavia në Turqi, janë vendosur në vilajetin Nush. Nga të dhënat që kanë organet tona si dhe legatat në Beograd e Ankara, rezulton se emigrimet më të shumta të shqiptarëve për Turqi bëhen nga krahinat e Maqedonisë. Kështu p.sh. vetëm në 14 katunde të rrethit të Dibrës së Madhe (Koxhaxhik, Dallgash, Trebisht, Beleten, Vidush, Rostush, Haxhivejih, Janco, Prisejnico, Kosovrasti, Probrenice, Belance dhe Reshnica) që kanë pasur gjithsej rreth 1 150 familje, deri në fund të vitit 1958 janë shpërngulur 352 familje për Turqi. Nga qyteti dhe katundet e Ohrit janë shpërngulur rreth 1 500-200 familje. Sipas një informate në Manastir ka ngelur vetëm 1/4 e shqiptarëve, kurse nga katundet Vranovci, Mallnica Dusellakova dhe Segle të komandës Cashka rrethi i Velesit dhe që banoheshin prej rreth 1 550 familje shqiptare, 80% e tyre kanë emigruar në Turqi. Nga Gostivari deri në vitin 1956, kanë ikur 200 familje, ndërsa nga Tetova 300 familje. Nga të njëjtat burime rezulton se edhe nga Krahina e Kosovës, megjithëse më pak, kanë emigruar për Turqi. Kështu p.sh. nga rrethi i Prizrenit janë larguar 500 familje dhe vetëm nga katundi Mamushë 150, nga rrethi i Gjilanit më shumë se 80 familje, nga i Prishtinës rreth 500, ndërsa nga Mitrovica 900 vetë dhe Peja 200 vetë. Sipas një informate në janar të vitit 1956 u nisen nga stacioni i trenit të Shkupit me tren ekspres përnjëherësh 200 familje shqiptare. Gjatë një vizite që bënë më 1956 shokët e Legatës sonë në Beograd, në Bitol vizituan një shkollë 8-vjeçare dhe drejtoresha e shkollës, Shaje Sulejmani, u tha se kishin vështirësi, sepse gjatë vitit u janë larguar për Turqi mjaft nxënës dhe arsimtarë.

Përveç këtyre pak të dhënave që u përmenden më lart të marra nga burime të ndryshme, mbi këtë çështje ekzistojnë edhe burime zyrtare jugosllave. Kështu p.sh. deri në vitin 1958, gazeta “Nova Makedonia” që del në Shkup, çdo ditë botonte në faqet e saj njoftimet e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë, mbi kërkesat që i ishin bërë nga persona të ndryshëm për t’i liruar nga shtetësia jugosllave me qëllim emigrimi. Sipas një analize të bërë nga Legata në Beograd, numri mesatar i këtyre kërkesave për çdo muaj arrinte në 900-1 000. Botimi i këtyre njoftimeve u ndërpre në vitin 1958 kur shtypi jonë foli mbi këtë çështje. Veç kësaj, edhe gazeta “Rilindja” në disa raste dhe në forma të ndryshme në vitin 1957 ka trajtuar këtë problem. Është interesante të përmendet me këtë rast edhe një letër anonime me firmë “populli” që i është dërguar Legatës në qershor 1956, ku midis të tjerave thuhet: “Për hir të kombësisë shqiptare të bëni intervenim me këmbëngulje. Në bazë të çfarë forme po ndërrohet kombësia shqiptare në kombësi turke”. Organet jugosllave u japin të gjitha lehtësitë shqiptarëve që kërkojnë të emigrojnë në Turqi, duke shpejtuar formalitetet e lënies së shtetësisë jugosllave, njohin dokumentet false që lëshon konsullata turke në Shkup dhe që shqiptarët i nxjerrin duke paguar ryshfete etj. Kohët e fundit si duket për të lehtësuar dhe nxitur sa më shumë emigrimin, taksa për lënien e shtetësisë jugosllave u ul nga 12 000 dinarë që ishte më parë, në 2 000 dinarë për person. Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të shqiptarëve si dhe përbërjen patriarkale të familjeve të tyre, kjo është një lehtësi e madhe. Në shkombëtarizimin e krahinave shqiptare të Jugosllavisë, një vend zë edhe nga njëra anë nxitja e emigrimit të shqiptarëve në krahina të tjera të Jugosllavisë dhe nga ana tjetër kolonizimi i ri i krahinave shqiptare me elementin sllav. Gjendja e mjerueshme ekonomike ka ardhur si rezultat i prapambetjes industriale dhe pronësisë shumë të vogël të tokës e ka detyruar gjithmonë shqiptarin kosovar të emigrojë për punë në krahina të ndryshme më të zhvilluara dhe më të pasura të Jugosllavisë. Por, megjithëse shovinistët e djeshëm dhe të sotëm jugosllavë, mundohen që këtë situatë ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre, mund të thuhet se në këtë drejtim nuk kanë shënuar shumë rezultate dhe kjo për një sërë arsyesh. Shqiptari largohet nga vendlindja vetëm si punëtor sezonal, ai është i lidhur shumë me pronën e tij të vogël dhe me farefisin, aktualisht ai mund të përdoret vetëm si punëtor krahu, prandaj është i vështirë instalimi i përhershëm në krahina të tjera. Në qytete të ndryshme të Jugosllavisë, si: Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë etj., ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të cilët në përgjithësi merren me punë të rënda krahu, si: hamaj, druvarë, qymyrxhinj, fshesaxhinj etj., porse një pjesë e mirë e tyre nuk është instaluar definitivisht në këtë qendra dhe familjet i kanë në vendlindje.

Kolonizimi i ri i krahinave shqiptare me elementin sllav është një proces i vazhdueshëm dhe mjaft i rrezikshëm që po përdorin revizionistët. Ky proces zhvillohet në dy drejtime: në qytetet dhe qendrat industriale popullsia sllave po shtohet duke sjellë këtu nga vende të tjera personel inxhinierë-teknikë, forcë punëtore të kualifikuar si dhe kuadër bujqësor, arsimor, shëndetësor, oficerë dhe personel administrativ të cilët me një punë paraprake mund të sigurohen edhe në vend, por që me qëllim në këtë drejtim nuk merën masat e duhura. Kolonizimi i fshatit që është proces më i vështirë aktualisht bëhet me rastin e emigrimeve të shqiptarëve për Turqi, tokën e të cilëve e blejnë ekonomitë sllave.   

              Pasqyrë e shkurtër e gjendjes ekonomike në Kosovë

Sipërfaqja e territorit të Krahinës së Kosovës arrin në 10 690 km2, nga kjo 35% është e punueshme, 46% janë pyje e male dhe 19% e papunueshme. Sipas regjistrimeve të vitit 1953, Krahina e Kosovës kishte 808 141 banorë, ndërsa në vitin 1958, sipas një deklarate të Fadil Hoxhës kishte 910 000 banorë. Megjithëse që nga çlirimi i Jugosllavisë kanë kaluar 15 vjet. Krahina e Kosovës që është aq e pasur nga burimet natyrale, ka mbetur në një nga krahinat më të prapambetura, me një nivel jetese shumë të ulët etj. Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, 70% e popullsisë merret me bujqësi, ndërsa popullsia aktive është 33.2% në krahasim me 46.3% që është mesatarja jugosllave dhe 48% ajo sllovene. Në një intervistë me gazetarët e huaj në vitin 1959, Fadil Hoxha deklaroi se struktura e popullsisë së krahinës është më e dobët se në të gjithë vendin dhe mund t’i ngjasë afërsisht asaj të Birmanisë dhe Mallajes.

Për shumë vjet me radhë, revizionistët nuk i kushtuan asnjë kujdes zhvillimit industrial të kësaj krahine porse vetëm shfrytëzuan ato pak ndërmarrje që ekzistonin qysh para lufte dhe sidomos industrinë minerale. Si rezultat i kësaj politike në Kosovë, deri në vitin 1958, industria jugosllave zinte vetëm 2.0%, ndërsa në Serbi 35.3%, Kroaci 23.3%, Slloveni 20.3% dhe Bosnjë-Hercegovinë 11%. Sipas statistikave zyrtare në Jugosllavi 14.3% e popullsisë punon në sektorin shtetëror, por në republikat e ndryshme kjo përqindje lëviz nga 24.7% në Slloveni gjer në 11.0% në Mal të Zi. Në Kosovë vetëm 5.6% e popullsisë punon në sektorin shtetëror, d.m.th gati sa gjysma e asaj të Malit të Zi, megjithëse dihet mirë ndryshimi që kanë këto krahina nga ana e pasurive natyrale. Numri i punëtorëve dhe nëpunësve në vitin 1959 në Kosovë sipas një deklarate të Fadil Hoxhës, arriti 50 000 vetë. Pjesëmarrja e gruas në punë në këtë krahinë është shumë e vogël. Mesatarja e pjesëmarrjes së gruas në punë për gjithë Jugosllavinë është 27.0%, ndërsa sipas republikave, ajo lëviz nga 36.0% në Slloveni dhe 20.0% në Bosnjë-Hercegovinë në vetëm 15.4% në Kosovë.

Me gjithë ato të dhënat e përmendura për gjithë krahinën nuk paraqesin gjendjen reale të popullsisë shqiptare, sepse në ndërmarrjet industriale dhe ndërmarrjet e tjera shtetërore në radhë të parë preferohet elementi serb dhe malazez. Ja dy shembuj: në kombinatin e tjerrjes në Prishtinë punojnë 640 punëtorë nga të cilët vetëm 89 janë shqiptarë. Teknikët në këtë fabrikë janë të gjithë serbë dhe ka vetëm dy mjeshtër shqiptarë. Në qendrën e manipulimit të duhanit në Gjilan, nga 800 punëtorë vetëm 90 janë shqiptarë. Kjo gjendje ka krijuar një papunësi kronike në këtë krahinë gjë që nuk e fsheh as vetë shtypi i vendit. Qendrat që janë prekur më tepër nga papunësia janë: Gjakova, Peja, Prizreni, Gjilani, Istogu etj. Thuhet se në Pejë, Prizren e Gjilan, numri i të papunëve arrin në rreth 2 000-2 500 vetë në vit. Në Ferizaj çdo ditë qëndrojnë 300 vetë para zyrës së punës. Kësaj gjendjeje revizionistët kërkojnë t’i japin një zgjidhje të përkohshme duke hapur punime publike siç është p.sh. rregullimi i sistemit rrugor në këtë krahinë dhe objekte të këtij lloji.

  Niveli i jetesës në këtë krahinë është shumë i ulët sidomos në elementin shqiptar. Përveç vëzhgimeve direkte që kanë bërë shokët e Legatës në raste udhëtimesh, këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare. Kështu p.sh në vitin 1957 qarkullimi vjetor i mallrave në Jugosllavi arriti në 45 000 dinarë për frymë dhe sipas republikave, kjo lëvizi nga 74 000 dinarë në Slloveni në 35 000 në Mal të Zi, ndërsa në Kosovë ishte vetëm 17 000 dinarë që i bie 38% e mesatares së vendit, ose 50% e Malit të Zi që kishte qarkullimin më të ulët nga republikat e tjera. Gjendja e fshatarësisë në Kosovë dhe veçanërisht ajo e fshatarit shqiptar paraqitet shumë e varfër. Ekonomia bujqësore pothuajse është më e shpërndarë në gjithë Jugosllavinë për shkak të dendësisë së madhe të popullsisë në këto krahina që është 75.5 për km, 2.30% e të gjithë ekonomive bujqësore kanë vetëm nga 2 hektar toke, ndërsa 9% e ekonomive nuk kanë fare tokë.

       Ashtu si në sektorin e industrisë edhe në bujqësi gjatë këtyre 15 viteve nuk është marrë ndonjë masë e rëndësishme për të nxjerrë ekonominë bujqësore të kësaj krahine nga prapambetja dhe në përgjithësi punimi i tokës bëhet në një mënyrë primitive. Sipas të dhënave të shtypit të krahinës, 42.1% e ekonomive bujqësore nuk kanë asnjë kafshë pune, dhe për punimin e tokës bëhen spekulime të mëdha nga ana e ekonomisë, e konsiderohen kulakë. Në këtë mënyrë, rendimenti për hektar në kulturat bujqësore në këtë krahinë është me i ulëti nga republikat e tjera. Kështu p.sh. për vitin 1957, ndërsa të ardhurat e përgjithshme për anëtarët e ekonomive bujqësore për gjithë Jugosllavinë ishin 65.3% dhe për republika nga 90.5% në Slloveni, në 50.2% për Malin e Zi, në Kosovë ato ishin 41.5%.

Sektori kooperativist në Krahinën e Kosovës është fare i parëndësishëm. Ai numëron 141 kooperativa dhe zë vetëm 3.4% të sipërfaqes dhe është shumë i dobët ekonomikisht. Kështu p.sh. nga 20 kooperativa në rrethin e Prizrenit, vetëm 6 prej tyre kanë bilanc pozitivë. Në një gjendje të tillë edhe mekanizimi ka mbetur shumë mbrapa. Deri në vitin 1951, në gjithë krahinën kishte vetëm 68 traktorë, ndërsa sipas statistikave zyrtare, numri i traktorëve në vitin 1950, u shtua deri në 356 copë. Si rezultat i kësaj gjendjeje, jeta e fshatarit shqiptar në Jugosllavi është e mjerueshme. Atë e mundon uria, sepse nuk siguron dot bukën. E mundon skamja dhe sëmundjet. Gjatë vizitave që kanë bërë nëpër Kosovë shokët e Legatës, në disa qytete kur ka qenë ditë pazari, kanë parë këtë gjendje të vajtueshme. Gjendja shëndetësore e popullsisë shqiptare në Jugosllavi dhe veçanërisht ajo e popullsisë fshatare është mjaft e keqe. Të përhapura janë sidomos sëmundjet ngjitëse, midis të cilave tuberkulozi. Gazeta “Rilindja”, datë 10/II/1957, shkruante se tuberkulozi është shumë i përhapur në krahinë dhe se po vjen duke u shtuar gjithnjë e më tepër, ndërsa ajo e datës 15/III/57, thoshte se “Nuk ka pasur nevojë që ekspertët të çajnë kokën aq, për të zbuluar shkaqet e kësaj gjendjeje, ushqimi i dobët, banesa jo higjienike dhe prapambetja kulturore “Përveç tuberkulozit, në këtë krahinë sëmundje të përhapura janë edhe malarja, dizenteria, tifoja, sëmundjet e lëkurës etj. Edhe në sektorin e shëndetësisë, Krahina e Kosovës gjatë këtyre 15 viteve ka mbetur shumë prapa në krahasim me rajonet e tjera të vendit. Kështu p.sh. sipas statistikave zyrtare, në gjithë krahinën në fund të vitit 1957, ka pasur vetëm 1 spital tuberkular, me 136 shtretër, ndërsa në Vojvodinë ka pasur 21 spitale, me 6 940 shtretër, dhe në Mal të Zi që ka gjysmën e popullsisë së Kosovës kishte 13 spitale me 2 103 shtretër. Edhe numri i kuadrit mjekësor është shumë i vogël. Në fund të vitit 1957, kishte gjithsej 70 mjekë, që i takon 1 për rreth 12 000 banorë, ndërsa në Vojvodinë kishte 291 dhe në Mal të Zi 93, që i takon 1 përreth 5 000 banorë. Kuadër mjekësor të mesëm kishte 101, ndërsa të ulët 217.

       Si rezultat i kësaj gjendjeje, përqindja e mortalitetit në popullsinë shqiptare të Jugosllavisë është shumë e lartë dhe përfaqëson më se dyfishin e mesatares së gjithë Jugosllavisë (mesatarja Jugosllave 10.2 në 100 fëmijë, ndërsa në shqiptarët 29.3 në 100 fëmijë 1-14 vjeç). Në gjithë Kosovën, në vitin 1957 kishte vetëm 6 maternitete dhe 12 shtëpilindje me vetëm 216 shtretër. Nga fëmijët e lindur vetëm 16.5% e tyre kanë lindur në maternitete, ndërsa mesatarja jugosllave është 37.6%. Udhëheqësit jugosllavë vetëm vitet e fundit filluan të tregojnë njëfarë interesimi për zhvillimin ekonomik të Krahinës së Kosovës. Nuk mund të mos vihet në dukje se ky interesim u duk pikërisht kur propaganda jonë bëri të njohur prapambetjen e madhe të kësaj krahine dhe qysh prej asaj kohe, herë pas here drejtues të Federatës, të Serbisë dhe të Krahinës si dhe gjithë aparati propagandistik jugosllav, janë mobilizuar dhe po bëjnë një zhurmë të madhe mbi realizimet e arritura dhe sidomos mbi perspektivat. Në këtë fushatë një vend të rëndësishëm zënë investimet që parashikohen në planin pesëvjeçar, 1957-1961. Sipas të dhënave të botuara në shtypin jugosllav në Kosovë, prej vitit 1947-1955, u investuan gjithsej 62 314 milionë dinarë (sipas çmimeve të vitit 1956), nga të cilat 50% për zhvillimin e industrisë dhe minierave. Në planin perspektiv 5-vjeçar 1957-1961, në Kosovë parashikohen të investohen 102 898 milionë dinarë. Prej këtyre, 84 098 milionë dinarë destinuar për sektorin ekonomik. Nga këto investime, 50 miliardë do të sigurohen prej fondit federativ, ndërsa pjesa tjetër do të përballohet nga buxheti krahinor dhe investime të mundshme që realizohen nëpërmjet konkurseve të bankës. Nga objektet që flitet se do të ndërtohen me këto investime janë: kombinati “Kosovska” në Obiliq, me kapacitet 1 milion tonë qymyr në vit, fabrika e superfosfatit në Mitrovicë me 250 mijë tonë në vit, fabrika e kartonit në Lipjan 450 mijë tonë në vit, fabrika e pëlhurave në Gjilan, zgjerimi i minierave të plumbit dhe zinkut në Kishincë, fabrika e mëndafshit Prizren në 1 200 000 m2 në vit, fabrika e pambukut në Gjakovë me 16 milionë m2 në vit, fabrika e lëkurave dhe këpucëve në Pejë me 700 mijë palë në vit, fabrika e sheqerit në Pejë me 18-20 mijë tonë në vit, termocentralet 1-2 në Obiliq, ndërtim rrugësh etj.

Nga shuma e investimeve që parashikohen për pesëvjeçarin, 2 miliardë destinohen për sektorin e bujqësisë. Gjatë kësaj periudhe do të çelen 50 000 ha tokë e re, prej të cilave 36 000 tokë pune. Parashikohet që deri në vitin 1961, të ndërtohet sistemi për ujitjen e afro 5 000 ha toke në fushën e Prizrenit, 1 050 ha në Ormo Brdo, 2 500 në Vitemini, 2 000 ha në Podrinilje si dhe do të zgjerohet kanali i Pejës edhe për 3 000 ha dhe do të ndërtohet sistemi i Batllavës për ujitjen e 3500 hektarëve. Gjithsej deri më 1961 do të ujiten afër 50 000 ha tokë dhe në të gjitha këto punime do të investohen 11 miliardë dinarë. Sipas të dhënave të botuara në gazetën “Rilindja” datë 19.II.1959 faqe 7, plani i investime për dy vitet e para, 1957-1958, nuk u realizua. Në përgjithësi shkruan gazeta, shuma investive në tri vitet e para të planit 5-vjeçar do të realizohet diçka më pak se 50%.

Nga një fjalim, mbajtur në Mitrovicë, më 10 mars 1958, prej Fadil Hoxhës, del se në vitin 1961 prodhimi i përgjithshëm bruto do të arrijë në 182%, ndërsa të ardhurat nacionale do të arrijnë në 166.5% në krahasim me vitin 1956. Lidhur me planin e investimeve në Kosovë gjatë 5-vjetorit, së fundi duhet shënuar se herë pas here jepen shifra të ndryshme. Kështu p.sh. në fjalimin e lartpërmendur të Fadil Hoxhës, përmendet shuma 90 miliardë dinarë, ndërsa në raste të tjera 84% miliardë, kurse Peter Stamboliqi ne një miting në Mitrovicë thotë 80 miliardë.

      Mohimi i të drejtave nacionale pakicës shqiptare në Jugosllavi

Si në Kushtetutën e Jugosllavisë ashtu edhe në atë të RF të Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, bëhet fjalë lidhur me sigurimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Jugosllavi. Mbi të drejtën për t’u përfaqësuar në organet e zgjedhura në aparatin ekzekutiv, të drejtën e arsimit nacional, të përdorimit të gjuhës nacionale etj. Por në fakt, përdorimi i këtyre të drejtave nga ana e pakicave, pjesërisht ka mbetur vetëm formal dhe pjesërisht zbatohen në mënyrë gjysmake dhe për oportunitet politik. Shovinizmi serbomadh zgjerohet për ditë e më tepër jo vetëm mbi pakicat nacionale, por edhe mbi kombësitë e ndryshme sllave në Jugosllavi. Mohimet e të drejtave nacionale i është nënshtruar sidomos pakica kombëtare shqiptare, e cila nga numri përbën pakicën më të madhe në Jugosllavi. Një gjë e tillë duket në shumë aspekte të jetës së vendit dhe si provat që mund të shërbejnë veç të tjerave edhe të dhënat e botuara në Jugosllavi.

Një nga fushat ku duket qartë shkelja e të drejtave nacionale të pakicës shqiptare dhe manifestohen hapur tendencat sunduese se serbomadhe, është ajo e pjesëmarrjes në organet e zgjedhura të pushtetit dhe në aparatin administrativ qendrore dhe krahinor. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht popullsia shqiptare në Jugosllavi përfaqëson rreth 5% të popullsisë së Jugosllavisë. Në vitin 1958 u zhvilluan zgjedhjet për në skupshtinat e republikave (asambletë) dhe skupshtinën federale. Nga këto zgjedhje popullsia shqiptare u përfaqësua në të dy dhomat e skupshtinës federale, e cila ka 587 deputetë, nga 18 përfaqësues që zënë 3% të vendeve, ndërsa për Skupshtinën e RP të Serbisë nga Kosova u zgjodhën 22 deputetë nga të cilët 11 ishin shqiptarë dhe 11 jugosllavë, megjithëse në këtë krahinë popullsia shqiptare përbën 65% të gjithë popullsisë dhe ajo jugosllave vetëm 30.2%. Edhe Skupshtina e RP të Serbisë përbëhet nga dy dhoma dhe nga zgjedhjet e fundit ka 310 deputetë. Popullsia shqiptare që jeton në këtë Republikë dhe që përbëhet nga 565 513 banorë (të dhënat e vitit 1953), në të dy këto dhoma u përfaqësua nga 18 deputetë dhe që sipas një llogarie një deputet shqiptar përfaqëson mbi 31 300 vetë, ndërsa një deputet jugosllav 18 600 vetë. Përqindja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në këto dy dhoma është 5.8%, megjithëse si popullsi në këtë republikë ajo zë sipas të dhënave të vitit 1953, 8.2%. Ky disproporcion i përfaqësimit në organet e zgjedhura nuk ekziston vetëm në organet qendrore, por edhe në organet e krahinës, ku popullsia shqiptare përbën shumicën absolute 65% dhe ku popullsia sllave është një minoritet 30.2%.

Gjendja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në drejtimin e vendit paraqitet akoma më keq në organet e administratës së krahinës. Këtë e tregon më së miri tabela e mëposhtme botuar në numrin 7-8 të vitit 1959, të revistës “Progled”.

Organet e administratës  të kombësisë shqiptare të kombit jugosllav të komb. tjera

Popullsia                            64.9%            30.2%            4.9%

Nëpunës në organet e administratës

dhe të ndërmarrjeve të shërbimit publik     38.5%            58.3%            3.2%

Në këshillat popullore të rretheve         23.2%  74.6%  2%

Në këshillat popullore të komunave       36.7%  58.8%  2.5%

Në zyrat e vendit (lokalitetet)            61.8%  36.1%  2.1%

Në shkollat                          51.1%  45.8%  3.1%

Në arsim e kulturë                     24.5%  72.4%  4.4%

Në artikullin e lartpërmendur pranohet se struktura nacionale e nëpunësve nuk i përgjigjet strukturës së popullsisë porse kjo justifikohet me përmbajtjen kulturore të pakicës shqiptare. Por, pjesëmarrje në elementin shqiptar në administratën e zonave që i hap republika e Maqedonisë nuk janë botuar të dhëna të plota porse nga kjo e dhënë që jepet në artikullin e lartpërmendur, mund të merret edhe për këto konkluzioni. Kështu p.sh. në rrethin e Tetovës, shqiptarët përbëjnë 65% të gjithë popullsisë së rrethit, ndërsa pjesëmarrja e tyre në organet e administratës është 25.9, pjesëmarrja e elementit shqiptar në organet e administratës federale pothuajse është nullë. Në vitin 1959, në Beograd u botua një libër i titulluar “Adresari i organeve të instituteve federale”. Ky botim përmban emrat e kuadrit drejtues të organeve të administratës shtetërore, të organeve ekonomike qendrore, organizatave të masave si dhe instituteve të tjera të rëndësishme. Në të janë botuar emrat e rreth 1 200 kuadrove. Midis tyre nuk ka asnjë të kombësisë shqiptare.

Në Krahinën e Kosovës ka disa sektorë të administratës së vendit, ku pjesëmarrja e elementit shqiptar në to është pothuajse e përjashtuar. Kështu p.sh. në organet gjyqësore në përgjithësi kuadri është jugosllav që nga kryetarët e gjyqeve, anëtarët, prokurorët, avokatët etj., dhe shumë rrallë ka ndonjë gjyqtar shqiptar, por edhe këta zënë vende vetëm në gjyqet e kundërvajtjeve. Mbi këtë çështje, nuk janë botuar të dhëna zyrtare, por se një konkluzion i tillë nxirret fare mirë duke analizuar proceset në shtypin e vendit. Në këto raste botohen edhe emrat e trupit gjykues, ose të kryetarit të gjyqit dhe prokurorit. Shpeshherë, me qëllim që të mashtrojnë publikun, revizionistët caktojnë në krye të komiteteve ekzekutive si kryetarë ose nënkryetarë, persona nga pakica shqiptare dhe të tillë ka në një sërë komunash dhe qytetet porse përbërja e kuadrit tjetër të administratës në përqindjen më të madhe mbetet prej serbëve. Kështu p.sh. në komunën e Ferizajt ku kryetari është shqiptar dhe ka rreth 10 nëpunës, sipas një informacioni 93% e tyre janë serbë e malazezë dhe vetëm 7% shqiptarë. Përveç kësaj duhet shënuar se edhe atje ku ka shqiptarë në organet e pushtetit, ato zënë vendet më të ulëta. Postet drejtuese në organet e administratës ekonomike të krahinës janë plotësisht në duart e serbëve dhe malazezëve. Kuadri i kualifikuar shqiptar në të zë një përqindje të parëndësishme.

I vetmi sektor ku përfaqësuesit e pakicës shqiptare deri tani përbëjnë shumicën në organet e shtetit, siç shikohet edhe nga tabela e lartpërmendura, është pushteti lokal d.m.th. administrata e lokaliteteve, porse edhe kjo gjendje nuk do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Në fillim të vitit 1960 në Krahinën e Kosovë e Metohisë u bë ndarja e re administrative dhe riorganizimi i aparatit administrativ. Deri në vitin 1954, në Kosovë kishte 17 rrethe me 201 lokalitete duke përfshirë edhe ato të qyteteve. Në vitin 1955, u bë një ndarje e re administrative nga e cila mbeten 5 rrethe me 82 lokalitete, dhe në fillim të vitit 1960, u likuiduan fare rrethet si njësi administrative dhe në vend të lokaliteteve u krijuan 28 komuna që mbas këshillit të fshatit është njësia më e ulët administrative dhe që ka lidhje direkte me krahinën. Nga sipërfaqja territoriale dhe numri i banorëve komunat janë më të vogla nga rrethet që ekzistonin më parë dhe më të mëdha nga lokalitetet.

Sipas të dhënave të shtypit, në Komitetet Ekzekutive të komunave do të ketë aparat administrativ: a) shërbimi kadastral, b) inspektorët e arsimit, c) shërbimi statistikor, ç) planifikimi, d) prokuroria publike dhe e kundërvajtjeve, dhe dh) bashkësitë e ujërave dhe fondet e ndryshme. Veç kësaj krijohen 9 degë të Sekretariateve të Punëve të Brendshme me qendra në qytetet e komunave kryesore.

Administrata gjyqësore mbetet si më parë, 17 gjykata rrethi dhe 3 gjykata qarqesh me qendër Prishtinën, Prizren e Mitrovicë. Me bërjen e këtij organizimi, revizionistët janë nisur nga disa qëllime të caktuara dhe në radhë të parë që t’i afrohen më shumë bazës për të intensifikuar me shumë metodat shtypëse dhe shkombëtarizuese mbi pakicën shqiptare. Kështu p.sh. me likuidimin e administratës së rretheve, ku sipas tabelës së sipërme, kuadri serb zinte 74.6% të vendeve, ky element do derdhet në administratën e komunave, duke zbuar që andej elementin shqiptar. Kjo del edhe nga një deklarata e Sllobodan Peneziqit, i cili midis të tjerave tha: “Me suprimimin e rretheve do të grumbullohen kuadro në ato njësi territoriale që kanë një rol vendimtar për zhvillimin e territoreve të tyre”, ndërsa gazeta “Rilindja”, datë 24/9/59 shkruante: “Përparësia e komunave të reja, më të mëdha, qëndron në faktin, se në një territor më të gjerë, kishin me u mbledhë forcat materiale dhe të kuadrove që janë të afta me udhëheqë në mënyrë sinkronizuese zhvillimin e një territori. Kjo vlen sidomos për Kosovë e Metohinë ku problemi kryesor ende është mungesë e kuadrove”. Kushtetuta jugosllave iu garanton pakicave nacionale arsim e kulturë në gjuhën e tyre kombëtare, porse periudha që ka kaluar nga mbarimi i luftës e deri më sot dhe sidomos ajo e viteve të fundit ka treguar se revizionistët karshi pakicës shqiptare ndjekin një politikë antimarksiste dhe shoviniste, qëllimi i së cilës është që ta mbajnë në injorancë popullsinë shqiptare në mënyrë që të shfrytëzojnë dhe shkombëtarizojnë më kollaj, që ajo të mos krijojë inteligjencën e saj.

Politika arsimore e Qeverisë jugosllave në Kosovë në vija të përgjithshme, aktualisht mund të karakterizohet si vijon: ecje drejt likuidimit të arsimit shqip, drejt serbizimit dhe deri diku turqizimit gradual të arsimit, në futjen e masave të rinisë e kulturës serbe drejt likuidimit gradual të kulturës shqiptare, në mbajtjen në injorancë të pakicës shqiptare dhe në këtë mënyrë të arrihet objektivi që të shuhet ndjenja kombëtare e kësaj pakice. E gjithë kjo politikë po realizohet me mjete dhe metoda të shumëllojshme. Nga viti në vit, mbyllen shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe, duke i shndërruar në shkolla serbe të përziera. Duke filluar nga viti 1952, në Kosovë u çelen një numër shkolla turqisht, megjithëse sipas regjistrimeve të popullsisë në vitin 1948, në Kosovë kishte vetëm 1.500 banorë turq. Tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë nuk janë gjë tjetër veçse tekstet serbisht të përkthyera. Mësimi i gjuhës serbe nga nxënësit shqiptarë qysh në klasën e dytë. Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve e shkollave bëhen investime shumë të vogla. Për përgatitjen e kualifikimin e kuadrit bëhet shumë pak. Arsimi i detyrueshëm nuk realizohet në një përqindje të ndjeshme. Bursat për fëmijët shqiptarë janë të pakta dhe më në fund gjendja e keqe ekonomike ka një influencë të madhe në prapambetjen kulturore të popullsisë shqiptare në jugosllavi.

Procesi më i rrezikshëm për likuidimin e arsimit shqip që po zhvillohet sot në Jugosllavi është mbyllja e shkollave shqipe dhe kthimi i tyre në shkolla të përziera. Me anë të kësaj synohet të arrihen disa objektiva të caktuara nga të cilat më kryesorët janë: të ecet gradualisht drejt serbizimit të plotë të shkollave në Kosovë. Të lihen pa arsim një numër i konsiderueshëm fëmijë shqiptare, sepse me bashkimin e këtyre shkollave ngushtohet sipërfaqja e godinave dhe si rezultat edhe kapaciteti i tyre. Të kalojë administrata e shkollave në duart e serbëve. Të serbizohen programet shkollore. Zbatimi i një politike të tillë dokumentohet nga vetë të dhënat që ka botuar shërbimi statistikor jugosllav si dhe nga organet e shtypit e propagandës dhe fjalime e deklarata të personaliteteve të ndryshme.

Në vitin 1953, për të treguar gjoja të drejtat që kishin fituar pakicat nacionale, në Beograd u botua një libër me titull: “Nacionalne Manjine u Jugosllavi”, prej Ljubisha Stojkoviq dhe Milosh Martiq. Në faqen 122 të këtij libri, thuhet se në vitin 1952 kishte 623 shkolla shqipe me 81 438 nxënës. Mbas 5 vitesh, d.m.th. në vitin 1957, sipas një fjalimi të Fadil Hoxhës, botuar në gazetën “Rilindja”, 21 mars 1957, në vitin arsimor 1956/57, funksiononin 747 shkolla, nga të cilat 345 në gjuhën shqipe dhe 237 të përziera, në të cilat mësojnë gjithsej 81 427 nxënës shqiptarë. Një vit e gjysmë mbas këtij fjalimi në një artikull të botuar në gazetën “Rilindja” 19 tetor 1958 , thuhet se në Kosovë ka 268 shkolla në gjuhën shqipe dhe 149 të përziera, në të cilat mësojnë 83 212 nxënës të kombësisë shqiptare. Nga këto të dhëna del se prej vitit 1952 deri në vitin 1958, shkollat shqipe nga 623 u ulën në 268, d.m.th. se gjatë kësaj periudhe u mbyllen 355 shkolla shqipe.

Statistika zyrtare jugosllave (buletinet statistikore për arsim Nr. 26, 43, 118 dhe 122) për vitet arsimore 1951-1952 deri 1956-57, jep këto të dhëna për rrjetin shkollor në Kosovë. Në vitin shkollor 1951-52, ka pasur 841 shkolla fillore dhe 8-vjeçare, nga të cilat 307 serbe, 513 shqipe, 8 turke dhe 13 të përziera. Mbas 5 vjetëve, domethënë në vitin arsimor 1956-57, numri i tyre u ulë në 693 nga të cilat, 164 serbe, 342 shqipe, 1 turke dhe 186 të përziera. Për vitet arsimore 1957/58, 1958/59 dhe 1959/60 statistika nuk ka botuar akoma të dhëna, por duke gjykuar nga artikulli i 19 tetor 1958, i “Rilindjes” del se numri i shkollave shqipe është ulur në 268.

Për sa i përket gjendjes së shkollave fillore e 8-vjeçare për gjithë pakicën shqiptare në Jugosllavi sipas librit statistikor të vitit 1959, ajo paraqitet si vijon:

  Nr. I  Shkolla  Klasë  Nxënës  Mësues
1952-19538492 729107 3502 231
1953-19548982 974108 9422 520
1954-19559033 115112 5302 777
1955-19568913 138114 1002 881
1956-19578563 164113 5842 867
1957-19588473 265116 0112 907

Numri i shkollave është marrë me gjithë shkollat e përziera. Mund të thuhet me siguri se të dhënat e lartpërmendura janë të falsifikuara. Ato janë të fryra në krahasim me të dhënat e buletineve statistikore të viteve 1954-55-56-58. Kështu, p.sh., ndërsa buletinet e këtyre katër vjetëve për vitin shkollor 1952/53, japin 821 shkolla, 2 282 klasa, 94 346 nxënës dhe 1 740 arsimtarë, libri i vitit 1959 për të njëjtin vit shkollor jep shifrën 849 shkolla, 2 729 klasa, 107 350 nxënës dhe 2 231 arsimtarë. Me sa duket, deri tani jugosllavët kanë pasur për objektiv që në qendrat ku popullsia është e përzier, qoftë edhe atje ku serbët përbëjnë një pakicë shumë të vogël, t’i kthejnë shkollat në të përziera. Po të gjykohet nga numri i shkollave shqiptare që kanë mbetur deri më sot, mund të thuhet se këtij objektivi ata ia kanë mbërritur.

Gjendja e arsimit të mesëm shqip, paraqitet akoma më keq. Statistikat zyrtare të vitit 1959 japin këtë tabelë:

           Shkolla  Klasa  Nxënës  Arsimtarë 

1952-1953     7      18     537      131

1953-1954     8      30     749      159

1954-1955     7      38     921      171

1955-1956     8      30     851      82

1956-1957     7      30     787      49

1957-1958     7      29     699       55

Siç shikohet, numri i shkollave, nxënësve dhe arsimtarëve është në rënie dhe në qoftë se marrin vitin 1954-1955 si 100%, në vitin 1957-1958 kemi një rënie prej 75.9% në nxënës dhe 32.3% në arsimtarë. Edhe këto shkolla janë shndërruar të gjitha në të përziera d.m.th. se në shkollat e mesme serbe janë çelur paralelet shqipe. Në përgjithësi kuadri drejtues i tyre ka kaluar në duart e serbëve dhe mundësinë e akordimit të bursave për fëmijët shqiptarë është pakësuar. Është interesant të shënohet se nga pakica italiane në Jugosllavi ndjekin shkollën e mesme 7.0 për mijë, kurse nga kombësia shqiptare 0.9 për mijë. Disa të dhëna të tjera të botuara në Buletinin statistikor nr. 24 Seri B-II “Shkollat sipas rretheve”, Beograd, prill 1954, tregojnë se sa pas është lënë zhvillimi i arsimit në Kosovë. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 1951, shpenzimet për 1 shkollë fillore në Kosovë kapnin shumën prej 191 000 dinarë, ndërsa në Slloveni 448 000 dinarë, Kroaci 332 000 dhe Mal të Zi 249 000. Për 1 shkollë të mesme ato ishin në Kosovë 383 000 dinarë, ndërsa në republikat e tjera prej 937 000 deri 2 566 000 dinarë, ndërsa mesatarja jugosllave ka qenë 1 039 000 dinarë.

       Në shtypin krahinor të Kosovës shpeshherë janë botuar të dhëna që tregojnë gjendjen e keqe të shkollave në këtë krahinë. Këto të dhëna konsistojnë në mungesën e arsimtarëve dhe puna e pamjaftueshme për kualifikimin e tyre, në gjendjen e keqe të banesave shkollore dhe ngushtësinë e vendit ku sipas librit statistikor 1959, në vitin 1957-1959 një klasë të shkollave shqipe i binte 139 nxënës dhe 1 arsimtari 40 fëmijë, ndërsa pakica italiane një klasë 84 fëmijë dhe një mësuesi 14 fëmijë. Janë botuar të dhëna mbi pajisjen e dobët të shkollave, mungesën e fondeve, rezultatet shumë të dobëta mësimore, frekuentim të pakt nga nxënësit etj. Këto të dhëna me hollësi përfshihen në relacionin nr.66 sekret, datë 16/10/1959, dërguar nga Legata e Beogradit. Edhe në sektorin kulturoro-artistik, Krahina e Kosovës qëndron shumë mbrapa rajoneve të tjera të Jugosllavisë dhe këtë e tregojnë të dhënat e mëposhtme, botuar në librin statistikor të vitit 1959 dhe që paraqesin gjendjen në fund të vitit 1958. Në gjithë krahinën ka vetëm një grup teatral profesionist me 48 vetë, duke përfshire serbët dhe shqiptarët. Kolektivi shqiptar është shumë i vogël dhe shfaqjet e tij janë në nivelin e grupeve amatore. Në Prishtinë më parë ekzistonte një shkollë për aktorë, porse edhe ajo u mbyll. Në krahinë ka 126 biblioteka porse nga këto 89 kanë vetëm deri 2 000 libra dhe vetëm 8 prej tyre kanë mbi 5 000 banorë, ndërsa në Vojvodinë 28 biblioteka kanë mbi 5 000 libra. Sipas këtyre statistikave, në gjithë krahinën ka 11 597 radioaparate nga të cilët vetëm 1 934 i kanë punëtorët e fshatarët. Në Kosovë 77 banorëve iu takon 1 aparat, ndërsa në Mal të Zi 35, në Slloveni 7 dhe Vojvodinë 12. Mesatarja jugosllave është 17. Analfabetizmi për masat shqiptare në Jugosllavi mbetet gjithnjë një plagë e pashëruar. Statistika zyrtare deri në vitin 1958 jep shifrën 54.8% analfabetë për tërë popullsinë e Kosovës porse në elementin shqiptar kjo përqindje duhet të jetë më e lartë. Vetëm në të rinjtë 10-14 vjeç përqindja e analfabetizmit në gjithë Jugosllavinë është 25.5%.

Fshatari shqiptar i Kosovës nuk e ka ndjerë asnjëherë vetën zot të tokës së tij. Përveç grabitjeve të mëdha të tokës së tyre gjatë regjimit të krajlëve, si dhe mbas Luftës së Dytë Botërore iu nënshtrua një grabitjeje tjetër të shoqëruar me terror të egër. Reforma agrare që u bë në Jugosllavi dhe Ligji i 10 hektarshit, në Kosovë goditi rëndë pakicën shqiptare. Me këtë rast nuk u keqësuan vetëm ekonomitë e mëdha, por edhe ekonomi që kishin sasi toke në limitin e caktuar dhe nën të. Kjo politikë zbatohej nën pretekstin e dendësisë së madhe të kësaj krahine. Por është i njohur edhe fakti se nga reforma agrare kryesisht përfitoi elementi sllav, ndërsa masat e gjera shqiptare mbeten me përmasat e tyre të vogla. Megjithatë fshatari shqiptar në Jugosllavi akoma edhe sot nuk e ndjen veten të sigurt në parcelën e vogël të tij, sepse procesi i grabitjes së tokës nga sllavët vazhdon. Ky proces nuk ka tiparet e një fushate, por sidoqoftë ai ekziston dhe në këtë drejtim përdorën mënyra të ndryshme. Këtë e tregojnë një sërë të dhënash që janë marrë nga burime të ndryshme. Së pari grabiten pronat e përbashkëta të fshatrave shqiptare dhe këto përdoren për të ngritur koloni të reja serbe dhe malazeze. Kështu p.sh. në fushën e Shishmanit Bokës dhe Rrafshit, kohët e fundit është ngritur një fshat me 25 shtëpi malazeze. Fushat e Lugut Necit që më parë kanë qenë pronë e shumë fshatarëve shqiptarë të komunës së Punashecit, tani kanë rënë në duart e 50 familjeve malazeze. Në vitin 1949 në 10 fshatra të komunës së Ferizajt ndodheshin 240 familje serbe, deri sot atyre u janë shtuar edhe 150 familje të tjera.

Toka personale e fshatarëve shqiptarë grabitet me pretekstin se më parë ka qenë e serbëve dhe malazezve, ose me pretekstin se e kanë të tepërt. Kështu p.sh. Sadri Berishës nga katundi i Pejës iu morën e gjithë tokat nga një malazez me pretekst se ajo ishte e tij para luftës. Rojtari i pyllit, Buriq Nikolla, në komunën e Punashecit, i mori Rahman Saliut 4 hektarë tokë si të tepërt. Brahim Sahitit nga Juniku nga 3 hektarë tokë iu morë 2 hektarë, të cilët iu dhanë Peke Gjikonoviq, i cili kishte 13 hektarë të tij. Po ashtu edhe Ahmed Sejda nga i njëjti katund nga 3 hektarë i janë marrë 2, të cilat i janë dhënë malazezit Milan Petroviq. Mbi grabitjet e tokës së shqiptarëve në Kosovë kanë folur edhe vizitorë të ndryshëm nga kjo krahinë kur kanë shkuar në Legatën tonë në Beograd, bile disa herë shqiptarët i janë drejtuar edhe me letër Legatës dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e saj për t’iu kthyer tokën. Meqenëse gjykatat në Kosovë janë në duar të serbëve, konfliktet mbi pronësinë e tokës në pjesën dërmuese zgjidhen në favor të jugosllavëve.

Dispozitat kushtetuese në Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë, parashikojnë përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në të gjithë aktivitetin politik, ekonomik dhe kulturoro-shoqëror të krahinës. Në fakt, kjo e drejtë në kushtet e krijuara nga regjimi kur në administratë 74% e nëpunësve janë serbë, në shumë drejtime ka mbetur formale dhe në disa raste zbatohet në mënyrë gjysmake. Në administratë lutjet nuk pranohen në gjuhën shqipe. Kështu p.sh. një plak shqiptar nga katundi Baran i rrethit të Pejës, shkoi në takim te kryetari i Komunitetit, Bozhe Badunoviq, për t’u ankuar për tokën që i kishin grabitur, porse ai e qiti jashtë duke i thënë shko mëso serbishten. Arsimtarit Bardhyl Kelmendi nga krahina e Rugovës, shefi i Arsimit, Vujadin Gjaroviq, nuk ia pranoi lutjen për transferim pse e kish shkruar në gjuhen shqipe. Çertifikatat e gjendjes civile që i vinë Legatës nga shqiptarë që banojnë në Kosovë janë të plotësuar në serbisht. Në administratën gjyqësore, e gjithë procedura zhvillohet në gjuhën serbe. Në mbledhjet publike ku asistojnë edhe serbë e malazezë pothuajse flitet vetëm serbisht bile edhe folësit shqiptarë detyrohen të flasin po në këtë gjuhë. Për sy e faqe, tabelat e zyrave dhe shkollave janë të shkruara në të dy gjuhët, por tabelat e dyqaneve ndërmarrjeve ekonomike, reklamat shenjat e ndryshme konvencionale etj., që deri në vitin 1948 ishin në shqip, tashti në gjithë krahinën janë vetëm serbisht. Edhe etiketat e muzeut të shkencave të natyrës në Prishtinë janë të shkruara vetëm në serbisht.

      Trajtimi i keq i shqiptarëve në Jugosllavi

Përveç terrorit të egër që u zhvillua mbas çlirimit mbi pakicën shqiptare në Jugosllavi, dhe fushatës gjakësore për grumbullimin e armeve në vitin 1956, ajo i është nënshtruar ndjekjeve të vazhdueshme policore nga ana e organeve jugosllave me qëllim që të shuhet çdo shenjë patriotike që guxon të shfaqet midis tyre. Arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi përfaqësuesit më të mirë të pakicës shqiptare janë të shumta, por do të përmendim vetëm një pjesë të vogël. Në dhjetor të vitit 1956, në Tetovë u arrestua një grup intelektualësh shqiptarë prej 7 vetash për arsye se guxuan të festonin ditën e 28 Nëntorit. Midis të arrestuarve ishte Reif Nelezin, student në Beograd. Thuhet se në procesin gjyqësor që u zhvillua në Shkup, Reifi demaskoi qëllimet e procesit dhe mbrojti të drejtat e pakicave.

Nga fundi i vitit 1956, në Shkup, u arrestuan një grup nxënësish shqiptarë të Normales, të cilët u dënuan 2-3 vjet për shkak se kishin biseduar mbi politikën arsimore në pakicën shqiptare dhe emigrimet në Turqi. Gjithashtu, nga fundi i vitit 1956 në Prishtinë është dënuar një grup studentësh dhe arsimtarë prej 10 vetash me pretekst se i kishin uruar njeri-tjetrit festën e 28 Nëntorit dhe u akuzuan se kishin organizuar një organizatë të fshehtë. Më 1 maj 1957, në Gjakovë nxënës dhe arsimtarë dolën nëpër rrugë me flamurin kombëtar nëpër duar. Më 12 maj UDB-ja arrestoi një grup nga pjesëmarrësit e këtyre manifestimeve të cilët u dënuan me 5-12 vjet burg dhe në të njëjtën kohë u mbyll Gjimnazi i cili u rihap si rezultat i rezistencës së popullsisë shqiptare.

           Në muajin mars 1953, në qytetin e Pejës u arrestua një grup të rinjsh prej 6 vetash me pretekst se kanë ngjitur parulla kundër regjimit. Thuhet se si rezultat i torturave të shumta ata pohuan veprimtarinë e tyre. Arrestime individësh ka pasur mjaft gjatë gjithë kohës si në Krahinën e Kosovës ashtu edhe në Maqedoni. Përveç kësaj, UDB-ja kurdisi kundër shqiptarëve që ajo i konsideron të padëshirueshëm, lloj-lloj shantazhe dhe presione me qëllim që ose t’i thyej ose t’i bëjnë të emigrojnë në Turqi. Për këto masa policore janë vetëm njëra anë e trajtimit të keq të shqiptarëve në Jugosllavi. Për shqiptarët, në elementin sllav ekziston një përbuzje e theksuar. Ai i konsideron ata si të prapambetur, fanatikë, i zoti që të merret vetëm me punë të rënda fisnike. Këto pikëpamje të ushqyera nga borgjezia vazhdojnë të sundojnë edhe sot nën regjimin titist. Si rezultat i një politike të tillë për shqiptarët me përjashtim të klikës së privilegjuar, nuk ka punë në poste me rendësi si në administratë ashtu edhe në ekonomi dhe se shumica dërmuese e tyre përdoret si punëtor krahu. 

              Ndjenjat patriotike në masat shqiptare në Jugosllavi

Në gjithë terrorin e madh dhe masat policore dhe shkombëtarizuese që zbaton Qeveria jugosllave mbi shqiptarët për të zhdukur ndjenjat patriotike dhe dashurinë për atdheun e tyre mëmë, mund të thuhet se ajo në përgjithësi nuk ia ka arritur dot këtij qëllimi, bile ato kanë dhënë rezultat negativ për të, sepse kanë shtuar akoma më tepër urrejtjen që prej kohësh ka ekzistuar në zemrat e tyre. Qëndrimi për një kohë i divizioneve tona mbas luftës, në territoret e banuara prej popullsisë shqiptare, e lidhi mjaft këtë me atdheun mëmë dhe ngjalli në të shpresat për zgjidhjen definitive të fatit të tyre. Ky moment kujtohet dhe sot mjaft nga kosovarët. Fjalimet e kohëve të fundit të udhëheqësve tonë dhe artikujt e shtypit mbi gjendjen e pakicës shqiptare në Jugosllavi dhe të drejtat e tyre veç të tjerave ishin për masat shqiptare një nxitje për t’i mbajtur lart ndjenjat patriotike. Ndjenjat patriotike të shqiptarëve dhe rezistenca që i bëjnë ata politikës jugosllave të shkombëtarizimit kohët e fundit janë pasqyruar edhe në manifestime publike siç është ajo e 1 Majit 1957, në Gjakovë. Ato janë dukur në mënyrë të qartë gjatë vizitave që kanë bërë shokët e Legatës në këto territore ku gjatë takimeve shqiptarët kanë shprehur dashurinë e madhe për Shqipërinë dhe udhëheqësit tonë.

Është për t’u theksuar se ndjenjat patriotike janë më të theksuara në Kosovë, sesa në territorin që ndodhet nën RP të Maqedonisë. Kjo sepse në Kosovë popullsia shqiptare e ka ruajtur më shumë kompaktësinë, ndërsa ajo e Maqedonisë është e përzier shumë me pakicën turke dhe vendase. Në këtë mënyrë, revizionistët kanë term më të favorshëm në këtë zonë për të zhvilluar aktivitetin shkombëtarizues sesa në Kosovë. Metodat që përdorin revizionistët për të dobësuar ndjenjat patriotike në pakicën shqiptare janë të ndryshme dhe midis tyre mund të përmenden. Në Kosovë nuk bëhet asgjë për të njohur traditat patriotike të popullsisë shqiptare të kësaj krahine. Deri tani është bërë një punë shumë e vogël për të mos thënë asgjë në drejtim të grumbullimit të ruajtjes dhe popullarizimit të traditave dhe pasurisë kulturore të kësaj pakice. Është për t’u përmendur p.sh. fakti se gjatë vizitës që bëri Bato Karafili në Kosovë, më 1956, pa se në Muzeun Krahinor të Prishtinës, nuk ishin ekspozuar kostumet kombëtare të pakicës shqiptare, porse vetëm ato të serbëve dhe malazezve. Një punë sistematike bëhet sidomos në drejtim të rinisë shqiptare. Asaj nuk i flitet mbi historinë artin dhe letërsinë shqipe veçse në mënyrë të përciptë dhe sipas tezave të tyre shoviniste. I riu shqiptar në shkolla është i detyruar të mësojë historinë e krahinës sipas teksteve serbe ku thuhet se “të parët tanë janë serbët e vjetër”. Një punë të gjerë bëjnë revizionistët edhe me anën e korruptimit të elementit të ndryshëm shqiptar, duke i bërë ata vegla të politikës së tyre dhe duke i rekrutuar në organizatat politike. Në drejtim të turqizmit të pakicës shqiptare, përveç metodave të njohura përdoret edhe kleri muhamedan, që me sa duket revizionistët e kanë bërë për vete. Së fundi, një vend të rëndësishëm zë edhe propaganda e madhe që bëhet në Kosovë dhe në tërë Jugosllavinë kundër vendit tonë.

               Detyrat tona në drejtim të pakicës shqiptare në Jugosllavi 

Detyrat kryesore të politikës sonë në drejtim të pakicës shqiptare në Jugosllavi dhe që mund të zbatohen në situata të caktuara janë: 1) Të njihet mirë gjendja e pakicës dhe të ndiqet me kujdes politika e Qeverisë jugosllave në drejtim të saj. Për këtë: a) Legata në Beograd të organizojë më mirë punën në drejtim të pakicës. Të ndjekë gjendjen aktuale me anë të shtypit, vizitave në vend, kontakteve me elementin shqiptar etj., dhe të dalin me propozime konkrete mbi masat që mund të merren.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_____________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (12)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura